Takime Shpirtërore 2020
Zgjedhja e Dëshirave të Drejta


Zgjedhja e Dëshirave të Drejta

Takimi Shpirtëror Mbarëbotëror për Të Rinjtë në Moshë Madhore

E Diel, 3 Maj 2020

Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, fillimisht dëshiroj të falënderoj bashkëshorten time të mrekullueshme për atë këshillë të mrekullueshme. Linet, faleminderit.

Është një bekim dhe mundësi e mrekullueshme të jemi me ju këtë mbrëmje. Po jetojmë vërtet në kohë të pazakonta dhe unë vërtet besoj se ju jeni rritur për këto kohë. Jo shumë kohë më parë, Presidenti M. Rasëll Ballard tha: “Unë besoj se ky është brezi më i shkëlqyer i rinisë në moshë madhore në historinë e Kishës. Ndershmërisht e ndiej se kjo është e vërtetë.”1 Ju jeni një brez i veçantë, i rritur që të lundroni nëpër kohë të trazuara, që të ndihmoni për ta përgatitur botën për Ardhjen e Dytë të Jezu Krishtit. Ai ju njeh dhe ju do në mënyrë intime.

Kohët Tona

Sonte, teksa po vinim këtu në këtë transmetim, na u tha që kishim marrë dhjetëra mijëra mesazhe në Twiter me pyetje rreth Shpirtit dhe zbulesës vetjake. Shpresoj që këtë mbrëmje, teksa dëgjoni prej bashkëshortes sime dhe prej meje, të jemi në gjendje t’u përgjigjemi atyre pyetjeve. Lutem që Fryma e Shenjtë, i cili është mësuesi, do të mund t’i përgjigjet një personi ashtu si dhe shumë personave.

Në ditët dhe muajt e fundit, si komunitet botëror, ne kemi përjetuar vuajtje, pasiguri, rrëmujë dhe sfida të pazakonta. Këto janë kohë që janë paratreguar shumë më parë dhe ato do ta arrijnë kulmin me Ardhjen e Dytë të lavdishme të Shpëtimtarit tonë. Vetë Jezusi profetizoi për këto kohë. Ai tha: “Gjithashtu ju do të dëgjoni për luftëra dhe ushtima luftërash; ruhuni të mos shqetësoheni, sepse të gjitha këto duhet të ndodhin. … Unë flas për hir të të zgjedhurve të mi; sepse do të ngrihet kombi kundër kombit … ; do të ketë zi buke dhe murtajë, dhe tërmete në vende të ndryshme. … Dashuria e njerëzve do të ftohet. … [Të gjitha] do të përmbushen.”2 Do të doja të flisja pikërisht për një këndvështrim rreth kësaj teme. Është një mësim nga historia e Kishës sonë.

Amanda Barns Smithi, bashkëshorti i saj, Uoreni, dhe pesë fëmijët e tyre ishin të kthyer të rinj në besim në Kishë në kohën që udhëtuan për në Misuri. Ata u bashkuan me shenjtorët te Mulliri i Hanit vetëm pak ditë përpara se një turmë të vinte dhe të vriste shumë veta atje. Bashkëshorti dhe biri 10‑vjeçar i Amandës ishin mes atyre që u vranë. Një tjetër prej djemve të saj të vegjël u plagos rëndë. Amanda mori një zbulesë të fuqishme lidhur me mënyrën se si ta shpëtonte birin e saj të plagosur. Gjatë asaj kohe shqetësimi të madh, ajo shkroi sa vijon:

“Në shkretimin tonë më të skajshëm, çfarë mund të bënim ne gratë përveçse të luteshim? Lutja ishte burimi ynë i vetëm i ngushëllimit; Ati ynë Qiellor ishte ndihmësi ynë i vetëm. Askush përveç Tij nuk mund të na shpëtonte dhe çlironte.

Një ditë një burrë nga turma erdhi nga mulliri me dekretin e kapitenit. [Duke mallkuar, ai ulëriu]: ‘Kapiteni thotë, në qoftë se ju gratë nuk e ndaloni lutjen tuaj …, ai do të dërgojë një grup burrash të armatosur dhe do të vrasë … çdonjërën prej jush!’

Dhe ai mund ta kishte bërë këtë, që të mos na lejonte ne gratë e gjora të luteshim në atë orë të fatkeqësisë sonë të madhe.

Lutjet tona u heshtën nga tmerri. Nuk guxonim t’i linim zërat tanë të dëgjoheshin duke u përgjëruar. Mund të lutesha në shtrat ose në heshtje, por nuk mund të jetoja gjatë kështu. Heshtja pa [iu përgjëruar] Perëndisë ishte më e padurueshme sesa kishte qenë ajo natë masakre.

Nuk mund të rezistoja më gjatë. Digjesha që ta dëgjoja edhe një herë vetë zërin tim duke iu përgjëruar Atit tim Qiellor.

Vjedhurazi shkova në një fushë misri dhe u struka brenda një [pirgu] me misër. Ishte si tempulli i Zotit për mua në atë çast. U luta me zë të lartë dhe me shumë zjarr.

Kur dola nga misrat, një zë më foli. Ishte një zë po aq i qartë sikurse një zë që e kisha dëgjuar përherë. Nuk ishte një mbresë e heshtur, e fortë e shpirtit, por një zë, që përsëriste një varg nga himni [ynë]:

Shpirtin që te Jezusi kërkon t’pushoj’,

Në duar t’armiqve Un’ kurr’ s’e lëshoj.

Megjith’se skëterra k’të shpirt t’mund do doj’,

Un’ kurrë, jo kurrë, jo kurr’ s’e braktis!3

Që nga ai çast nuk pata më frikë. Ndjeva se asgjë nuk mund të më lëndonte.”4

Këto kohë mund të jenë të paqeta, por dijeni se ajo që ishte e vërtetë për Amanda Barns Smithin, është e vërtetë edhe për ju. Pavarësisht nga ngjarjet përreth jush, pavarësisht nga sprova që mund të keni nevojë të duroni, Perëndia është në timon. Ai nuk do t’ju braktisë dhe nuk keni pse të frikësoheni, në qoftë se jeni besnikë dhe e ngrini zërin tuaj drejt Tij. Kjo është pikërisht gjëja për të cilën do të doja t’ju flisja sonte.

Syzet e Bashkëshortes Sime

Siç e thashë, e vlerësoj që bashkëshortja ime është këtu me mua sonte. Ajo është gjithçka për mua. Ne u takuam vite më parë në shkollën e mesme. Pasi u diplomuam nga shkolla e mesme, ajo shkoi në Kolegjin Riks në Reksburg të Ajdahos dhe unë shkova në UBJ në Provo të Jutës. Vitin e parë të kolegjit, vendosa që një fundjavë të shkoja me makinë në Reksburg për ta vizituar. Atje ajo më dha një mësim të paçmueshëm.

Ajo nuk kishte makinë dhe kishte kaluar ca kohë që kur kishte qenë në gjendje të ngiste makinën. Kur u larguam nga apartamenti i saj, më pyeti a mund ta ngiste makinën time. I thashë: “Sigurisht”. Shpejt filluam të zbritnim një kodër pranë vendit ku jetonte ajo. Diku nga mesi i rrugës duke zbritur kodrën, ajo më pyeti: “A ka një tabelë ndalimi në fund të rrugës?” Tabela e ndalimit ishte tërësisht e dukshme dhe unë menjëherë thashë: “Po, ka tabelë ndalimi”. Ajo tha: “Dakord, ma mori mendja. Thjesht nuk mund ta shoh.” E pyeta: “Pse nuk mund ta shohësh?” Ajo tha: “Ngaqë nuk i kam vënë syzet dhe nuk mund të shoh mirë pa syze”. Pastaj unë thashë diçka të tillë si: “Dhe pse nuk i ke vënë syzet?” “Ngaqë nuk më pëlqen se si dukem kur i vë, por harrova se pa to nuk mund të shoh gjithçka.” I thashë: “Epo, më mirë më lër mua ta ngas makinën”. Mësimi ishte i thjeshtë: në qoftë se nuk mund të shohësh qartë, do të jesh gjithmonë në rrezik.

Tani ju pyes: “Si po ecni përpara në jetën tuaj?” A po e drejtoni jetën me syzet që ju nevojiten për ta parë me qartësi realitetin e jetës? Në qytetin e lashtë të Laodices, shenjtorët nuk kishin mëkate verbuese ose të dukshme, por Zoti i qortoi që ishin të vaktë në dishepullimin e tyre. Krenarë për arritjet dhe njohurinë e tyre për gjërat e botës, ata u bënë gjithnjë e më të vetëkënaqur dhe të pavarur nga Perëndia. Ndonëse ky qytet njihej të ishte ekspert në kujdesin për sytë, Zoti u tha: “Vajos[ini] sytë [tuaj] me kolir, që të sh[ihni]”5. Duket se këtu ka pyetje kritike për secilin prej nesh: “A po e shoh jetën time nëpërmjet syve të të vërtetave, urdhërimeve dhe besëlidhjeve të Perëndisë apo nëpërmjet vetë syve të mi? A po ia vë veshin çdo ditë zërit të Tij të cilin e marr nëpërmjet lutjes dhe zbulesës vetjake prej Shpirtit? A po ia vë veshin zërit të vetvetes ose zërit të të mençurve të kësaj bote, të cilët bërtasin se udhët e Perëndisë dhe madje profetët e Tij janë të gabuar, të mërzitshëm, të panevojshëm, të pakujdesshëm apo madje, në retorikën e botës, mashtrues dhe të urryeshëm?”

Jozef Smithi dikur tha: “Djalli do të përdorë përpjekjen e tij më të madhe për t’i zënë në kurth shenjtorët. … Ai do t’i shndërrojë gjërat aq sa ta bëjë dikë t’i shohë me mosbesim ata që po bëjnë vullnetin e Perëndisë.” Pa ndihmën dhe zbulesën nga Perëndia, ju thjesht nuk mund të shihni “gjëra[t] ashtu siç janë në të vërtetë dhe … ashtu siç do të jenë në të vërtetë”6. Kundërshtari ka për qëllim t’ju bëjë t’i shihni me mosbesim ata që po bëjnë vullnetin e Perëndisë. Ai ka për qëllim t’ju pengojë që ta shihni e ta kuptoni realitetin, që t’ju pengojë të kuptoni se jeni një bir ose bijë thellësisht e dashur e Perëndisë. Dëshira e tij është që ta përligjë botën; t’ju bëjë të mos e pranoni Perëndinë ose të ktheheni tek Ai me gjysmë zemre; dhe veçanërisht t’ju bëjë ta përcaktoni veten dhe udhëtimin e jetës suaj nga disa veprimtari politike, kulturore apo të tjera të botës, ose thjesht me moskokëçarje të plotë.

Shpesh ia kam bërë këtë pyetje vetes: “Çfarë e bëri Nefin një besimtar dhe jo një Laman apo Lemuel?” Që të tre vëllezërit ishin lindur nga të njëjtët prindër të mirë. Një natë e dëgjova përgjigjen e pyetjes sime. Isha në Bangkok të Tajlandës, në një detyrë me Presidentin M. Rasëll Ballard, ku ai lexoi këtë shkrim të shenjtë:

“Dhe ndodhi që unë, Nefi, … duke pasur dëshira të mëdha për të ditur misteret e Perëndisë, prandaj i thirra Zotit dhe vini re, ai më vizitoi dhe ma zbuti zemrën, saqë unë besova të gjitha fjalët që ishin thënë nga ati im; prandaj unë nuk ngrita krye kundër tij, si vëllezërit e mi”7.

Ja ku ishte përgjigjja ime. Perëndia na e shfaq veten e Tij në përputhje me dëshirat tona. Nefi dëshiroi, mbi gjithçka tjetër, që të dinte të vërtetat dhe misteret e Perëndisë dhe u bekua me praninë, gëzimin, fuqinë dhe të vërtetën e Perëndisë. Lamani dhe Lemueli dëshiruan kurthet e botës dhe e morën shpërblimin e saj. Nëse dëshironi të jeni me Perëndinë, atëherë ju duhet t’i bashkoni dëshirat tuaja me vullnetin e Tij.

Vendi ku e vini dhe gjërat mbi të cilat e vendosni zemrën tuaj, do të përcaktojnë mënyrën se si do të fuqizoheni që të ecni përmes jetës dhe t’ia dilni mbanë me sukses. Prandaj, sonte ju ftoj të zgjidhni që t’i jepni formë jetës suaj nëpërmjet dëshirës gjithëpërfshirëse për t’u bërë të kthyer në besim dhe për t’i forcuar të tjerët. Mund t’ju kujtohet se kjo është ajo që Shpëtimtari i kërkoi Apostullit të Tij kryesues, Pjetrit, kur i tha: “Simon, Simon, … Satani ka kërkuar t’ju shoshë ashtu siç shoshet gruri: Por unë jam lutur për ty, që besimi yt të mos mpaket; dhe ti, kur të jesh kthyer, forco vëllezërit e tu”8.

Dëshira për t’u Kthyer në Besim dhe për t’i Forcuar të Tjerët

Kurrë nuk do ta harroj kohën kur bashkëshortja ime dhe unë u intervistuam nga një anëtar kryesues i Kuorumit të Të Dymbëdhjetë Apostujve rreth gatishmërisë sime për të shërbyer si president misioni. Kishte shumë gjëra që po ndodhnin në jetën time dhe të bashkëshortes sime. Në kohën e intervistës sonë, ne ishim përfshirë në disa situata familjare tepër sfiduese, ishim përfshirë në përpjekje të mëdha humanitare anembanë botës, të cilat kërkonin shumë vëmendje e burime prej nesh, dhe unë isha partneri drejtues më me përvojë për një biznes mbarëbotëror investimesh, pa përmendur të gjitha thirrjet e Kishës me të cilat po punonim. Mendova se tashmë po bënim aq sa mundeshim. Teksa ishim të ulur atje, atë ditë, me këtë Apostull të dashur dhe reflektuam mbi gjithçka që po na ndodhte, që të dy me mirësjellje thamë se kjo ndoshta nuk ishte koha më e mirë që ne të shërbenim në një mision. Pa ngurrim, ky anëtar i Të Dymbëdhjetëve iu kthye bashkëshortes sime dhe tha: “Linet, ti do të jesh një misionare dhe shoqëruese e shkëlqyer për bashkëshortin tënd”. Pastaj ai u kthye nga unë dhe tha: “E di, ti vërtet nuk po e kupton. Zoti po të thërret që ta shpëtosh jetën tënde. Ti ose do ta jetosh jetën tënde sipas besëlidhjes ose sipas volisë. Nuk ka asnjëherë një kohë të volitshme për të shërbyer. Kjo është një çështje besimi. Ti ose beson ose nuk beson që Zoti do ta bekojë jetën tënde me bekimet që të nevojiten kur ti vepron sipas përparësive të Tij.”

Në heshtje, qëndrova i ulur atje, i shushatur. Sapo më ishte thënë se Zoti po përpiqej të ma shpëtonte jetën. Po jetoja një jetë të mirë në atë kohë, por e kisha humbur shumë baraspeshimin. Atë pasdite, teksa Lineta dhe unë u larguam nga zyra e Apostullit, shkuam në shtëpi që të merrnim parasysh me lutje se si do ta jetonim jetën tonë. Me të shpejtë bëmë zgjedhjen që të shërbenim dhe ta jetonim jetën tonë sipas besëlidhjes, duke bërë çfarëdo gjëje që do të na kërkonte Zoti. Një jetë sipas besëlidhjeve është një jetë më e baraspeshuar, e jetuar sipas përparësive të Perëndisë, jo sipas vetë planeve tona. Jeta jonë nuk ka qenë e njëjtë që nga ajo kohë. Ne jemi bekuar plotësisht nga dashuria e Tij dhe përkujdesja e Tij. Në ka ndonjë gjë që di, është se i njëjti bekim do të jetë i juaji nëse qëndroni besnikërisht në shtegun e Tij të besëlidhjeve. Perëndia dëshiron ta shpëtojë jetën tuaj.

Çfarë do të thotë të kthehesh në besim, të jetosh sipas besëlidhjes dhe jo sipas volisë? Jezusi tha: “Shihni tek unë në çdo mendim”9. Siç më tha dikur një mësues i urtë: “Ai nuk tha: ‘Mendoni për mua nganjëherë dhe Shpirti im do të jetë me ju’. Ai tha: ‘Në qoftë se ju më kujtoni gjithnjë, ju do të keni Shpirtin tim që të jetë me ju’.”10 Kjo do të thotë që kur e kujtoni Atë, ju gjithmonë do të keni fuqinë e qiellit të jetë me ju për t’ju ndihmuar çdo ditë me të gjitha sfidat që hasni, sado të vogla apo të frikshme – pavarësisht nga ndikimi që mund të kenë mbi ju. Kjo përfshin çfarëdo frike, varësie, pasigurie ose çfarëdo muri në dukje të pakapërcyeshëm që gjendet përpara jush. Prandaj përsiatni pikërisht tani se cila mund të jetë gjëja më e rëndësishme që ju nevojitet të bëni, për ta kujtuar më plotësisht Atë dhe veproni që ta bëni atë.

Shoku im më i mirë ndërsa rriteshim, më njohu me bashkëshorten time. Në shkollën e mesme, unë e pagëzova atë si anëtar të Kishës, por ai gjithmonë e pati të vështirë të zotohej plotësisht ndaj të jetuarit të ungjillit – gjithmonë duke e justifikuar vetveten, duke thënë se ai kurrë nuk kishte bërë ndonjë gjë vërtet të keqe, që në fakt nuk e bëri. Më pas, një natë në një festë, ai piu tej mase dhe aksidentalisht ra nga një majë shkëmbi dhe vdiq. Kishte të njëjtën moshë si shumë prej jush. Kjo tragjedi nuk duhej të kishte ndodhur kurrë dhe nuk do të kishte ndodhur nëse besëlidhja, jo volia, do ta kishte udhërrëfyer jetën e mikut tim.

Ku e hiqni vijën ndarëse në jetën tuaj në lidhje me urdhërimet e Perëndisë? Ndoshta disa prej jush e shohin jetën e vet sikurse shumica prej nesh shohin bindjen ndaj kufizimeve të shpejtësisë në autostradë. A mendon dikush ndonjëherë që ta ngasë makinën me kufizimin e vendosur aktualisht të shpejtësisë? Jo. Në vend të kësaj, ne duam të dimë se me sa kilometra mbi kufizimin e vendosur mund të udhëtojmë pa marrë një gjobë. Kjo është mënyra se si miku im më i mirë e jetoi jetën e vet. Në ungjill, ne kurrë nuk duhet të mendojmë se mund të përqafojmë shumë gjëra nga bota pa e kaluar vijën ndarëse. Ne thjesht duhet ta braktisim botën.

Vetëm kur i merrni mbi vete besëlidhjet e Perëndisë, ju do të keni sy që do t’ju lejojnë të shihni qartë përmes rrëmujës së kësaj bote. Bibla na mëson: “Sepse kjo është dashuria e Perëndisë: që ne të zbatojmë urdhërimet e tij”11. Njerëzit që jetojnë sipas besëlidhjes, nuk jetojnë në asnjë mënyrë një jetë të përsosur, por ata e përmirësojnë jetën e tyre nëpërmjet pendimit të përditshëm. Një përmirësim i tillë u hap atyre udhën drejt bekimeve më të pasura të Perëndisë dhe vetë fuqive të qiellit. A ka ndonjë prej jush që po dëgjon sonte, në këto kohë të trazuara, që nuk ka nevojë për drejtimin dhe fuqinë e Perëndisë?

Një vit më parë, një ortak i imi në biznes, i cili kishte qenë i sëmurë, më tha se Presidenti Bojd K. Paker i kishte ardhur në shtëpi për t’i dhënë një bekim. Ai tha: “Teksa po ecja me të drejt makinës, Presidenti Paker tha: ‘Mos u kthe shumë shpejt nga Gjetsemani. Mësoji mësimet e atjeshme.’” Më pas miku im më pyeti: “Çfarë mendon se donte të thoshte ai?” Përpara se t’i përgjigjesha, ai thjesht shtoi: “Besoj se donte të thoshte që thjesht na nevojitet të bëjmë vullnetin e Perëndisë dhe kjo është gjithçka që unë dua të bëj”.

Kur bashkëpunëtori im i tha ato fjalë, unë e dija se ai kishte të drejtë. Një provë përfundimtare e jetës sonë është a do t’i nënshtrohemi vullnetit të Perëndisë ose do të veprojmë sipas vullnetit tonë. Plaku Nil A. Maksuell kohë më parë dha mësim: “Nënshtrimi i vullnetit të një njeriu është me të vërtetë e vetmja gjë vetjake, e pashoqe, që duhet ta vendosim mbi altarin e Perëndisë”12.

Por çfarë do të thotë të jesh i gatshëm për të bërë vullnetin e Perëndisë? Nga përvoja e Shpëtimtarit tonë në Kopshtin e Gjetsemanit, unë besoj se ne, pjesërisht duhet të kuptojmë se nënshtrimi ndaj vullnetit të Perëndisë do të thotë që ju dhe unë duhet të jemi të gatshëm të vuajmë dhe të durojmë deri në fund çfarëdo që Perëndia kërkon prej nesh, edhe nëse ajo që na kërkohet ta durojmë nuk vjen si rrjedhojë e ndonjë gabimi nga ana jonë. Kjo mund të përfshijë gjëra si dëmtime ose prirje fizike, akuzime të gabuara, gjykime apo goditje nga miq, udhëheqës ose madje pjesëtarë të familjes që na drejtojnë në udhë të gabuar.

Në Kopshtin e Gjetsemanit, Ati Qiellor i kërkoi Shpëtimtarit tonë që të gëlltiste një kupë të hidhur të mëkateve dhe fatkeqësive që nuk ishin të Tijat. Në atë proces, Jezusin e “z[uri] frika” nga gjërat që u shtruan përpara Tij. Ai u ndje “i trishtuar, deri në vdekje” dhe u lut “po të ishte e mundur” që “të largohej prej tij ajo orë”, duke i thënë Atit: “Çdo gjë për ty është e mundur; largoje prej meje këtë kupë!” Por më pas Ai shtoi: “ Por jo atë që dua unë, por atë që do ti!”13 Në kohën tonë, në një zbulesë të dhënë Jozef Smithit, Shpëtimtari tha: “Dëshiroj që të mos e pi kupën e hidhur e të mpakem – megjithatë, lavdi i qoftë Atit dhe unë mora pjesë e i mbarova përgatitjet e mia për fëmijët e njerëzve”14.

Pjesëmarrja në përgatitjet që Ati hartoi për ne dhe përfundimi i tyre, pavarësisht se sa të hidhura janë, është pjesë e planit të Atit për të na sjellë gëzim të përhershëm. A mendoni apo besoni se Ati Qiellor do t’ju mbrojë nga çaste të dhembjes dhe të vuajtjes që nevojiten për t’ju ndihmuar që të bëheni më shumë si Ai? Presidenti Xhon Tejlor tha se Profeti Jozef Smith i tha atij: “Juve do t’ju duhet të kaloni të gjitha llojet e sprovave. … Perëndia do t’ju vërë në provë, do t’ju marrë e do t’ju sprovojë deri në kufij.” Të jemi dishepuj të Jezu Krishtit do të thotë të jemi “[të] nënshtruar, [të] bindur, [të] përulur, [të] duruar, plot me dashuri, [të] gatshëm t’u nënshtrohe[mi] të gjitha gjërave që Zoti i sheh të përshtatshme të shkaktojë mbi [ne]”15.

Profeti ynë i dashur, Presidenti Rasëll M. Nelson kohët e fundit tha: “Përpara kemi ditë të vështira. Në të ardhmen, rrallë do të jetë e lehtë apo në modë që të jesh një shenjtor besnik i ditëve të mëvonshme. Secili prej nesh do të vihet në provë. … Ata që e ndjekin Zotin me zell, ‘do të përndiqen’16. Pikërisht ajo përndjekje mundet ose t’ju dërrmojë deri në dobësi të heshtur, ose t’ju nxitë për të qenë më shembullorë dhe të guximshëm në jetën tuaj të përditshme. Mënyra se si përballeni me sprovat e jetës, është pjesë e zhvillimit të besimit tuaj.”17

Apostulli Pal bëri këtë pyetje: “Kush do të na ndajë nga dashuria e Krishtit? Pikëllimi, a ngushtica, a përndjekja, a uria, a të zhveshurit, a rreziku, a shpata?”18 Në gjuhën e sotme ne mund ta themi në këtë mënyrë: “A do ta lejoj një vështirësi për gjetjen e dikujt me të cilin apo të cilën të martohem, ose një dëshirë për të jetuar në një marrëdhënie të pamiratuar, ose një ngjarje nga historia e Kishës, ose një veprim të gabuar nga një udhëheqës apo mësues, ose dëshirat e mia për gjëra të botës, ose humbjen e një pune, ose një sëmundje sfiduese, ose një shqetësim dërrmues, që të më mbajnë larg nga ndjekja plot zell e Shpëtimtarit dhe pjesëmarrja e plotë në Kishën e Tij?”

Të gjitha mëkatet tuaja, të gjitha dhembjet, dobësitë dhe paqëndrueshmëritë tuaja janë pjesë e asaj që Plaku Maksuell e quan “aritmetika e tmerrshme” e Shlyerjes [së Jezu Krishtit]19, një aritmetikë që ai tha se mund të llogaritej vetëm si “përmasa tejet e madhe e shumëzuar me pafundësinë20. Parehatia ose sfidat tuaja nga sprovat e jetës nuk do të arrijnë kurrë të jenë më të mëdha se të Tijat. Si rrjedhojë, pyetja e qiellit për ju është a do të vijoni në gjurmët e hapave të Shpëtimtarit dhe të thoni me Të: “Megjithatë, jo si dua unë, por si do ti”21.

Një mënyrë tjetër për ta thënë këtë, mund të jetë që të pyetni: “A do t’i mirëbesoj Perëndisë dhe gjithashtu të mirëbesoj në planin e Tij për jetën time?”

Kur përballeni me sfida dhe sprova, dijeni se Perëndia ka të gjithë fuqinë për t’ju mbështetur – edhe kur rrethanat përreth jush nuk ndryshojnë. Ai premton, edhe mes pikëllimeve që e përcëllojnë shpirtin, se Ai “do t’[i] lehtësoj[ë] … barrat që ju janë vënë mbi shpatulla, që ju të mos i ndjeni në shpinat tuaja, … që ju të dini me siguri se unë, Zoti Perëndi, i vizitoj njerëzit e mi në pikëllimet e tyre”22. Kurrë mos dyshoni se Zoti është në gjendje të hapë çdo derë të efektshme; t’ju sigurojë herë pas here përmes pyetjeve të besimit; dhe t’ju ndihmojë të siguroni punë, arsimim dhe forcë për të jetuar me drejtësi ose çfarëdo gjëje tjetër që mund t’ju nevojitet për të arritur potencialin tuaj më të plotë. Shpëtimtari ka premtuar se Ai do të sigurojë një udhë.23 A mund t’u japë dikush ose diçka tjetër po të njëjtin premtim? Mirëbesojini Atij që t’ju këshillojë e mbështetë teksa i nënshtroheni përulësisht vullnetit të Tij.

Vite më parë, Presidenti Henri B. Ajring bëri këtë vëzhgim depërtues: “Nëse themeli i besimit nuk është bërë pjesë e zemrave tona, fuqia për të duruar do të shkërmoqet”24. Besimi është një parim veprimi dhe besimi është një zgjedhje. Besimi nuk matet nga numri i mbledhjeve që frekuentojmë ose i riteve që mbajmë. Besimi nuk është madje as pranimi se Perëndia dhe Jezu Krishti jetojnë. Besimi juaj është shprehja e mirëbesimit tuaj dhe mbështetja e plotë te Perëndia dhe Shpëtimtari juaj, Jezu Krishti. Ne të gjithë durojmë ose shkërmoqemi sipas shkallës së mirëbesimit dhe mbështetjes sonë vetjake tek Ata.

Për ta ndërtuar besimin tek Ata, juve do t’ju nevojitet të hiqni nga jeta juaj çfarëdo sjelljeje vetëjustifikuese. Keni nevojë të jeni përgjegjës për jetën tuaj dhe të mos i lejoni të tjerët t’i diktojnë veprimet dhe zgjedhjet tuaja. Këndvështrimet, qëndrimet, reagimet, ndjenjat, mendimet dhe bindjet tuaja janë të gjitha gjëra që i keni nën kontroll. Të fyheni dhe të ktheni shpinën nuk janë veprime sipas Perëndisë. Zëri i Tij na fton gjithmonë: “Më ndiqni Mua!” Perëndia është i përgatitur për t’i dhënë përgjigje çdo pyetjeje, për të ngushëlluar çdo shqetësim dhe për të shëlbuar çdo individ dhe të gjithë njerëzit. Nuk ka asnjë gabim ose shqetësim që nuk mund të shërohet nëpërmjet Tij. Të gjitha kërkimet e internetit në këtë botë, përmes gati një miliard e gjysmë faqesh në rrjet, nuk mund t’ju tregojnë a është e vërtetë kjo Kishë apo a jeton Jezu Krishti; vetëm Perëndia mund t’ua zbulojë këtë gjë. Pra rezultati përfundimtar është ky: Perëndia nuk do t’ju tregojë juve një të vërtetë dhe do të më tregojë mua një tjetër. Ne që të gjithë do të marrim të njëjtat përgjigje kur ia kërkojmë Atij dhe përpiqemi me sinqeritet, besim dhe qëllim të vërtetë. Këtë e bëni pjesërisht kur hiqni dorë nga të gjitha historitë tuaja të vetëjustifikimit.

Vite me parë, ndërkohë që isha me detyrë në Afrikë, dëgjova një raportim për një burrë i cili po transportonte dy gjirafa me kamionin e vet; njëra gjirafë ishte shumë më e gjatë se tjetra. Teksa udhëtonte përgjatë autostradës, ai e ngau kamionin nën një urë që shtrihej mbi autostradën, por ura nuk ishte mjaft e lartë për gjirafën më të gjatë. Kur kamioni kaloi nën urë koka e gjirafës më të gjatë goditi urën dhe ajo ngordhi menjëherë. Më vonë shoferit të kamionit iu bë pyetja përse nuk kishte treguar më shumë kujdes për ta shmangur vdekjen e gjirafës. Ai tha: “Nuk është faji im. E ndërtuan urën shumë të ulët.”

Vetëjustifikimi i këtij burri mund të duket qesharak, por a keni qenë ndonjëherë po aq pa logjikë në justifikimin për zgjedhjet tuaja jo të mira vetjake? Mos ua hidhni fajin urave të ulëta për mënyrën se si janë gjërat. Përkundrazi, përpiquni të ngriheni në nivelin e potencialit tuaj të plotë duke u kualifikuar për çdo fuqi, bekim dhe mrekulli të nevojshme nga qielli, të premtuara nga rritja e besimit ose mirëbesimit të pareshtur tek Ai. Zoti i tha Jozef Smithit: “Sa shpesh ti … ke vazhduar sipas bindjeve të njerëzve. … Nuk duhet të frikësohesh më shumë nga njeriu sesa nga Perëndia. Edhe pse njerëzit përçmojnë këshillat e Perëndisë dhe përbuzin fjalët e tij – përsëri ti duhej të kishe qenë besnik; dhe ai do të të kishte shtrirë krahun e tij dhe do të të kishte mbështetur ndaj gjithë shigjetave të zjarrta të të ligut; dhe ai do të kishte qenë me ty në çdo kohë shqetësimi.”25

Tani, do të doja të flisja përtej vetëshqyrtimit dhe t’ju lija dëshminë time se pjesë e të jetuarit të besëlidhjeve dhe e nënshtrimit ndaj vullnetit të Perëndisë, është edhe një gatishmëri që të dilni jashtë vetes suaj dhe të bëni siç i tha Zoti Pjetrit, që të “forco[nte] vëllezërit e [vet]”. Presidenti Nelson tha kohët e fundit: “Ne duhet të jemi ndërtuesit e … besimit te Zoti Jezu Krisht dhe e besimit te Kisha e Tij. … Ne duhet të ndërtojmë Kishën dhe mbretërinë e Perëndisë në tokë.”26 Ai gjithashtu ka dëshmuar se “nuk ka asgjë tjetër që po ndodh në tokë tani që është më e rëndësishme se [mbledhja e Izraelit]. Nuk ka asgjë me pasoja më të mëdha se ajo. Absolutisht asgjë. Kjo mbledhje duhet të jetë gjithçka për ju. Ky është misioni për të cilin u dërguat në tokë.”27 Po ashtu, Shpëtimtari e pyeti Pjetrin: “A më do ti mua?” Dhe më pas tha: “Kulloti delet e mia”28.

Në ungjillin sipas Gjonit, ne lexojmë se Maria dhe Marta i dërguan fjalë Shpëtimtarit kur vëllai i tyre, Llazari, u sëmur shumë rëndë. Dishepujt e Tij iu lutën të mos shkonte ngaqë judenjtë po përpiqeshin t’ia merrnin jetën, por pavarësisht nga kjo, Jezusi shkoi te varri i Llazarit. Atje Shpëtimtari ynë vajtoi dhe ndjeu ankth me miqtë e tij. Atëherë, me fuqinë e Perëndisë, Ai e urdhëroi Llazarin të ngrihej së vdekuri, duke thënë: “Llazar, eja jashtë!” Shkrimet e shenjta më pas shënojnë: “Atëherë i vdekuri doli, me duart e këmbët të lidhura me rripa pëlhure dhe me fytyrën të mbështjellë në një rizë. … [Dhe] Jezusi u tha atyre: ‘Zgjidheni dhe lëreni të shkojë!’”29

Miqtë e mi të dashur, asgjë nuk është më jetëdhënëse sesa përhapja e Dritës së Krishtit dhe e dritës së ungjillit të Tij. Asgjë tjetër përveç ungjillit të Krishtit nuk mund t’u sjellë paqe kombeve, ta shpëtojë botën nga varfëria ose ta lartësojë dikë tjetër drejt lumturisë së vazhdueshme. Organizatat që veprojnë sipas çfarëdo parimi tjetër, do të dështojnë. Vetëm ungjilli mund t’i heqë “veshjet e varrosjes” së njerëzve përreth jush. Ftojini të tjerët te drita e Tij. Kur e bëni këtë, Perëndia premton që ju do t’i sillni “shpëtim shpirtit [tuaj]”30, që mëkatet tuaja do të falen31 dhe që Ai do të dërgojë “engjëjt e [Tij] përreth jush, për t’ju ngritur lart”32.

Shpresa

Tani unë jam shumë i vetëdijshëm se, pavarësisht nga synimet e mira tuajat, të miat ose të dikujt tjetër, mund të jetë e pamasë shtytja që të pajtohemi me opinionin e botës dhe jo me urdhërimet e Zotit. Pjetri, me vendosmëri absolute, i tha Jezusit: “Edhe sikur të gjithë të skandalizohen për shkakun tënd, unë nuk do të skandalizohem kurrë! … Edhe sikur të duhej të vdisja bashkë me ty, nuk do të të mohoj kurrsesi.”33 Por pak kohë pas kësaj, Pjetri u lëkund, duke e mohuar Shpëtimtarin tri herë. Çfarë duhet të mësoni prej kësaj?

Unë besoj pjesërisht se Zoti dëshiron që ju të dini se Ai e kupton që nënshtrimi ndaj vullnetit të Tij – të jetuarit e besëlidhjeve ose bërja tërësisht të kthyer në besim – është një proces, jo një ngjarje. Jezusi dha jetën e Tij me qëllim që ne të mos e matnim jetën tonë nëpërmjet dobësive ose papërsosurive tona, por që të mund të pendohemi çdo ditë dhe të na shtohet forca nëpërmjet pendimit deri në besim të patundur. Ju mund të doni ta shkruani në zemrat tuaja këtë udhëzim plot domethënie nga Plaku Xhefri R. Holland në konferencën e përgjithshme të prillit 2016:

“Ne gjejmë ngushëllim në faktin që, nëse Perëndia do të shpërblente vetëm besimtarin e përsosur, Ai nuk do të kishte shumë emra në listën e dhënies së shpërblimeve. Ju lutem, mbajeni mend se nesër, dhe të gjitha ditët pas saj, Zoti i bekon ata që dëshirojnë të përmirësohen, që e pranojnë nevojën për urdhërime dhe përpiqen t’i zbatojnë ato, që i vlerësojnë virtytet e ngjashme me ato të Krishtit dhe përpiqen fort me gjithçka munden, që t’i fitojnë ato. Nëse ju pengoheni në atë përpjekje, po ashtu pengohet gjithkush; Shpëtimtari është atje që t’ju ndihmojë të vazhdoni. Nëse bini, bëjini thirrje forcës së Tij.”34

Lineta dhe unë ishim të ulur me Plakun Holland në Johanesburg kur një motër e re në moshë madhore beqare, misionare e kthyer nga misioni, u ngrit dhe dëshmoi: “Nuk erdha kaq larg vetëm që të vija kaq larg”. Ju lutem, mbajeni mend: “Pavarësisht se me çfarë sfide po përballeni aktualisht, … vazhdoni të shkoni përpara. Vazhdoni të përpiqeni. Vazhdoni të mirëbesoni. Vazhdoni të besoni. Vazhdoni të rriteni. … Qielli po brohoret për ju sot, nesër dhe përgjithmonë.”35 Ju jeni në pëllëmbën e dorës së Perëndisë dhe Ai është në gjendje t’ju çlirojë prej çfarëdo furre të nxehtë.

Plaku Holland gjithashtu foli për një mëshirë tjetër të dhembshur dhe siguri nga Zoti që ju mund të doni ta mbani thellë brenda zemrës suaj:

“Shpirti nuk bllokohet nga një virus apo nga kufijtë kombëtarë ose nga parashikimet mjekësore. [Ka] dhurata nga qielli që nuk kufizohen nga shqetësimi në tokë apo sëmundja në ajër. … Ai që e krijoi këtë botë të mrekullueshme në të cilën ne jetojmë, mund t’u thotë secilit prej elementeve në të: ‘Deri këtu dhe jo më tej’. Kjo është çfarë Ai do t’i thotë kësaj plage me të cilën po përballemi. Në praninë e madhështisë së Tij, edhe krijesat me përmasa subatomike duhet të përkulen – edhe sikur vetëm figurativisht – dhe secili në mënyrën e vet duhet të ‘rrëfejë’ se Jezusi është Krishti, Biri i Perëndisë, Shëlbuesi i madhërishëm i të gjithë njerëzve. Nën drejtimin e Atit të Tij, Shpëtimtari është i ngarkuar me fatin e kësaj bote. Ne jemi në duar shumë të sigurta dhe të dashura.”36

Përfundimi

Do të doja ta përfundoja atje ku e fillova. Unë besoj se ju jeni brezi më i madhërishëm i të rinjve dhe të rejave në moshë madhore në historinë e kësaj Kishe. Gjithashtu ju mund të jeni brezi që përballet me sfidat më të mëdha. Teksa reflektoni mbi sfidat që ju rrethojnë, mbani mend se Perëndia ka thënë: “Sepse unë, Zoti, do t’i gjykoj të gjithë njerëzit sipas punëve të tyre, sipas dëshirës së zemrave të tyre”37. Shpirti mund t’ju ndihmojë t’i kultivoni dëshirat tuaja, por vetëm ju arrini të zgjidhni atë që dëshironi dhe vetëm ju jeni të përgjegjshëm ndaj Perëndisë për atë zgjedhje. Ai gjithashtu ka shpallur se “sipas dëshirave të tua, … do të bëhet për ty”38. Kjo do të thotë që “[ju do] t’i dëshironi edhe pasojat e asaj që dëshironi!”39

E mbyll me këtë përvojë dhe dëshmi vetjake nga jeta ime. Vite më parë, kur isha student në vitin e dytë të kolegjit, isha vetëm në apartament dhe po studioja për provimin përfundimtar. Ishte një ditë e ngrohtë dhe teksa po rishikoja detyrat e mia, një mushkonjë filloi të bënte zhurmë përpara fytyrës sime. Këmbëngulja e mushkonjës filloi të më bezdiste vërtet. Së fundi, e humba durimin. I ngrita duart, i përplasa së bashku dhe e vrava mushkonjën. Nuk mund ta shpjegoj deri më sot atë që ndodhi më pas. Hodha vështrimin mbi mushkonjën e vrarë në pëllëmbën e dorës sime dhe ndjeva dhembshuri të madhe. Thashë me vete: “S’kishte pse të vdiste ajo mushkonjë. Vdiq vetëm për shkak të bezdisjes dhe padurimit tim.” Atëherë rashë në gjunjë dhe iu luta Perëndisë të më falte dhe ta linte atë mushkonjë të jetonte. Kur e mbarova atë lutje, mushkonja fluturoi nga dora ime.

E kam pyetur veten për vite, përse Perëndia e bëri këtë për mua. Shumë përgjigje kanë ardhur, por asnjë më e rëndësishme se kjo: Ai donte që unë të kuptoja thellësisht në zemrën time se Ai ka gjithë fuqinë për të më lartësuar mua ose këdo tjetër, madje edhe më të voglin. Ai donte që unë të dija se Ai ka dhembshuri të plotë për dobësitë tona dhe se Ai i numëron të gjithë flokët e kokës sonë. Tani, nëse Ai ripërtëriu një mushkonjë, Ai kurrë nuk do t’ju braktisë ju – pavarësisht se ku qëndroni.

Mos jini si laodiceasit dhe mos e lejoni vetëkënaqësinë që t’ju sundojë. Kjo është dëshmia ime për ju. Kur i lini mënjanë shfajësimin e vetes dhe krenarinë, kur kërkoni dhe ia vini veshin zërit të Tij, jo tuajit, kur veproni sipas mënyrave të Tij, do t’i shihni gjërat sikurse ato janë vërtet. Kur dëshironi të përpiqeni plot zell që të bëheni të kthyer në besim, të jetoni sipas besëlidhjes dhe jo volisë, dhe të nënshtroheni ndaj vullnetit të Perëndisë ndërkohë që i forconi të tjerët, ju do të gjeni çdo bekim e mrekulli që ju nevojiten për t’ia dalë me sukses në këtë jetë dhe për t’ju bërë të aftë që të ktheheni në shtëpi tek Ati juaj në Qiell dhe të merrni gëzim të përjetshëm.

Jezu Krishti është Shpëtimtari ynë. Ai jeton. Kjo është Kisha e Tij dhe kjo do të jetë Kisha që do të pranohet nga Shpëtimtari në Ardhjen e Tij të Dytë. Ati ynë Qiellor nuk është një Atë që nuk është i pranishëm. Plani i Tij është i vetmi plan i lumturisë. Nëpërmjet Frymës së Shenjtë, ju mund të dini të vërtetën e të gjitha gjërave dhe të gjitha gjërat që duhet të bëni. Lutja ime është që ju do të keni guximin që të pendoheni për çdo dëshirë të padrejtë dhe t’i zëvendësoni ato me dëshirat e perëndishme për të jetuar sipas besëlidhjes, për t’iu nënshtruar dorës së Tij përmirësuese dhe për ta duruar atë dorë në jetën tuaj. Unë ju dëshmoj juve në rininë tuaj, sikurse Alma i dëshmoi birit të tij, Helamanit, në rininë e tij: “Unë e di se kushdo që vë besimin e tij në Perëndi, do të përkrahet në sprovat e tij dhe në vështirësitë e tij dhe në mjerimet e tij dhe do të ngrihet në ditën e fundit”40.

Perëndia ju bekoftë të gjithëve, është lutja ime, në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shtyp në Letër