Takime Shpirtërore 2024
Mesazhi për Takimin Shpirtëror për Të Rinjtë e Të Rejat në Moshë Madhore


7:42

Mesazhi për Takimin Shpirtëror për Të Rinjtë e Të Rejat në Moshë Madhore

Takimi Shpirtëror Mbarëbotëror për Të Rinjtë e Të Rejat në Moshë Madhore

E diel, 3 nëntor 2024

Çfarë kënaqësie të kthehesh në UBJ–Ajdaho, një vend që e njohim mirë dhe e duam kaq shumë! Kur Plaku Bednar po shërbente si president i UBJ–Ajdahos, vetë fëmijët tanë ishin të rinj në moshë madhore. Sonte jemi këtu me disa nga nipërit e mbesat tona që janë të rinj e të reja në moshë madhore. Lutem që Fryma e Shenjtë të jetë me mua dhe me ju ndërsa shpreh disa mendime dhe ndjenja që më kanë ardhur në mendje dhe zemër.

Disa vite më parë, unë dhe Plaku Bednar morëm pjesë në një takim shpirtëror me pyetje‑përgjigje me një grup të madh të rinjsh në moshë madhore. Kohët e fundit po shfletoja qindra pyetje që u dorëzuan, dhe u preka thellë nga pyetjet e shumta që bazoheshin te frika, mungesa e vetëbesimit dhe e mirëbesimit, si dhe pak nga dyshimi te vetja. Vendosa t’i përqendroj fjalët e mia sonte te disa nga këto pyetje dhe t’ju tregoj pikëpamjet për shkrimet e shenjta dhe përvoja vetjake, që shpresoj se do të jenë të dobishme në udhëtimin e jetës suaj, tani dhe në të ardhmen.

Ndoshta mund të gjeni vetveten teksa i dëgjoni këto pyetje:

  1. Si mund ta zëvendësoj frikën me dashuri e besim si të Krishtit?

  2. Si mund të qëndroj i fortë kur ndihem kaq i dobët?

  3. Si mund të mësoj që t’i mirëbesoj Perëndisë?

Jam e sigurt se të gjithë ne i kemi pasur këto pyetje.

Shkrimi i shenjtë që dua ta përdor si bazë për fjalët e mia sonte, gjendet tek Isaia 41:10:

“Mos ki frikë, sepse unë jam me ty, mos e humb, sepse unë jam Perëndia yt. Unë të forcoj dhe njëkohësisht të ndihmoj dhe të mbaj me dorën e djathtë të drejtësisë sime.”

Shpresoj që, ndërsa e studiojmë këtë shkrim të shenjtë së bashku për disa minuta, do të merrni mbresa që do t’ju ndihmojnë ta zëvendësoni frikën me dashuri e besim si të Krishtit, të ruani një bindje më të thellë se mund të qëndroni të fortë kur ndiheni kaq të dobët dhe të fitoni besim te vetja ndërsa mësoni t’i mirëbesoni Perëndisë.

Si fillim, le të mendojmë për pjesën e parë të vargut tek Isaia 41:10:

“Mos ki frikë, sepse unë jam me ty, mos e humb”.

Sillni ndërmend rrëfimin nga shkrimi i shenjtë te Lluka 24, kur në ditën e Ringjalljes së Jezusit, dy nga ndjekësit e Tij po ecnin nga Jerusalemi drejt fshatit Emaus.

Në udhë e sipër, një i panjohur u bashkohet dhe i pyet pse janë të trishtuar. Ata habiten që ky njeri nuk di asgjë për atë që kishte ndodhur në Jerusalem, dhe i rrëfejnë ngjarjet e tri ditëve të shkuara. Ata i tregojnë se si Jezusi u akuzua në mënyrë të rreme dhe u dënua me vdekje, u kryqëzua dhe më pas u ringjall mrekullisht. Këta burra nuk e dinin, derisa e përfunduan udhëtimin e tyre prej gati njëmbëdhjetë kilometrash, se kishin ecur me Vetë Zotin e ringjallur.

Përse është ky rrëfim i rëndësishëm? Sepse unë besoj se Jezusi ecën me ju dhe me mua në udhëtimin tonë gjatë jetës më shumë se ç’do ta dallojmë ndonjëherë. Ai është me ne. Si mund ta zëvendësojmë frikën me dashuri e besim si të Krishtit? Kujtojeni këtë frazë nga Isaia:

“Mos ki frikë, sepse unë jam me ty, mos e humb”.

Tani le të shqyrtojmë pjesën e dytë të këtij shkrimi të shenjtë:

“Sepse unë jam Perëndia yt. Unë të forcoj dhe njëkohësisht të ndihmoj.”

Kur jetonim këtu në Reksburg vite më parë, shkova në Solt‑Lejk për të qenë pranë kushërirës një ditë pasi bashkëshorti i saj iu nënshtrua operacionit me zemër të hapur. Ishte një kohë e vështirë dhe pasi pashë bashkëshortin e saj, e kuptova përse ajo ishte kaq e shqetësuar. Ai nuk po e merrte veten dhe mjekët vendosën se kishte nevojë për transfuzion gjaku.

Nuk kisha parë kurrë më parë një transfuzion gjaku dhe u habita kur gjaku pikonte pikë‑pikë, ngadalë, poshtë nëpër një tub të ngushtë brenda në venën e tij. Teksa vështroja, mendova për Shpëtimtarin tonë dhe pyeta veten se sa pika gjaku kishte derdhur Ai për mua. Brenda pak orësh, dëshmova jetën e re, energjinë dhe forcën që u dha nga transfuzioni.

Disi dhe në një mënyrë që nuk e kuptoj plotësisht, flijimi shlyes i Jezu Krishtit na jep forcë dhe ndihmë për të bërë gjëra të vështira. Jemi të bekuar të bëjmë gjëra që nuk mendojmë se mund t’i bëjmë. Si mund të qëndrojmë të fortë kur ndihemi kaq të dobët? Kujtojeni këtë frazë nga Isaia:

“Sepse unë jam Perëndia yt. Unë të forcoj dhe njëkohësisht të ndihmoj.”

Më lejoni të shpreh disa mendime rreth frazës së fundit tek Isaia 41:10:

“Të ndihmoj dhe të mbaj me dorën e djathtë të drejtësisë sime”.

Dora e djathtë shpesh njihet si dora e besëlidhjes. Për shkak të lidhjes sonë besëlidhëse me Krishtin, ne mund të kemi vetëbesim se Shpëtimtari ynë do të na mbajë, mbështetë e përkrahë.

Kjo më sjell në mendje rrëfimin te Mateu 14, ku dishepujt e Jezusit ndodhen në një barkë në mes të detit, duke u përplasur nga era dhe dallgët. Pjetri e sheh Jezusin duke ecur mbi ujë dhe i kërkon Jezusit që ta urdhërojë të vijë tek Ai. Jezusi e plotëson kërkesën dhe Pjetri fillon të ecë mbi ujë drejt Tij. Ai është mirë për sa kohë qëndron i përqendruar te Jezusi. Por kur Pjetri vëren erën e furishme, fillon të fundoset dhe i thërret Jezusit që ta shpëtojë. “Dhe Jezusi ia zgjati menjëherë dorën, [dhe] e zuri.” Unë vërtet besoj se Ai do të na kapë edhe ne.

Si mund të mësojmë që t’i mirëbesojmë Perëndisë? Kujtojeni këtë frazë nga Isaia:

Të ndihmoj dhe të mbaj me dorën e djathtë të drejtësisë sime”.

Dëshmoj se Ati ynë Qiellor na njeh dhe na do. Dëshmoj se Jezu Krishti është Shpëtimtari dhe Shëlbuesi ynë. Ai ecën me ne, Ai na forcon dhe Ai na ndihmon. Ne mund të mirëbesojmë se Ai do të na mbajë, mbështetë dhe përkrahë kur e kujtojmë lidhjen tonë besëlidhëse me Të. E di që Fryma e Shenjtë është një zbulues dhe sjell mendime në mendjen tonë dhe ndjenja në zemrën tonë. E di se Plaku Bednar është thirrur nga Perëndia, “me anë të profecisë dhe me anë të vënies së duarve”. Ai është një Apostull i Zotit Jezu Krisht.

Në emrin e Jezu Krishtit, amen.