Takime Shpirtërore 2024
Gjërat Ashtu siç Janë në të Vërtetë, Varianti 2.0


35:48

Gjërat Ashtu siç Janë në të Vërtetë, Varianti 2.0

Takimi Shpirtëror Mbarëbotëror për Të Rinjtë e Të Rejat në Moshë Madhore

E diel, 3 nëntor 2024

Unë dhe Suzana jemi mirënjohës që kemi këtë mundësi për të adhuruar dhe mësuar me ju. Ju duam! Kudo që jeni anembanë botës, ne ju duam!

Lutemi me zell që Fryma e Shenjtë do të na bekojë secilin për të dëgjuar atë që na nevojitet të dëgjojmë e për të parë atë që na nevojitet të shohim, që të mund të shkojmë përpara me besim te Shpëtimtari dhe dëshirë të shtuar për ta ndjekur e për t’i shërbyer Atij.

Periudha Ungjillore e Plotësisë së Kohëve

Jemi të bekuar që jetojmë në një kohë mbresëlënëse, në periudhën ungjillore të fundit, madje periudhën ungjillore të plotësisë së kohëve. Shkrimet e shenjta dhe shpalljet profetike na ndihmojnë të mësojmë për ditët vërtet të veçanta në të cilat jetojmë, dhe t’i vlerësojmë më plotësisht ato.

Profeti Jozef Smith shpalli: “Ndërtimi i Sionit është një kauzë që u ka interesuar njerëzve të Perëndisë në çdo kohë; është një temë mbi të cilën profetët, priftërinjtë dhe mbretërit janë ndalur me ëndje të veçantë; ata e kanë shpresuar me pritje të gëzuar ditën në të cilën jetojmë ne; dhe të frymëzuar me parashikime qiellore e të gëzueshme, ata kanë kënduar dhe shkruar, dhe profetizuar për këtë ditën tonë; por ata vdiqën pa e parë; … na është lënë neve që ta shohim, të marrim pjesë dhe të ndihmojmë për ta çuar përpara lavdinë e ditëve të mëvonshme”.

Në një rast tjetër Profeti zbuloi se “[mbajtësit] [qiellorë të] priftëri[së] do të bashkohe[n] me tokësor[ët], për të sjellë ato qëllime të shkëlqyera; … një punë që Perëndia dhe engjëjt e kanë kundruar me kënaqësi për brezat e kaluar; që frymëzuan shpirtin e patriarkëve dhe profetëve të lashtë; një punë që është e destinuar të sjellë shkatërrimin e forcave të errësirës, ripërtëritjen e tokës, lavdinë e Perëndisë dhe shpëtimin e familjes njerëzore”.

Rëndësia shpirtërore e ditëve të mëvonshme ka qenë në qendër të vëmendjes profetike për shekuj. Koha e veçantë në të cilën jetojmë, është tani dhe do të vazhdojë të jetë e mbushur me zhvillime dhe ngjarje të mahnitshme shpirtërore.

Roli i Teknologjisë në Këtë Periudhë të Veçantë të Botës

Një aspekt i rëndësishëm i plotësisë që është në dispozicion sot për ne, është një përparim i mrekullueshëm i risive dhe shpikjeve që kanë mundësuar dhe përshpejtuar veprën e Perëndisë për shpëtimin dhe ekzaltimin: nga trenat tek telegrafët, radiot, automjetet, aeroplanët, telefonat, transistorët, televizorët, kompjuterët, transmetimet satelitore, interneti dhe tek inteligjenca artificiale – dhe te një listë thuajse e pafundme teknologjish dhe mjetesh që na e bekojnë jetën. Të gjitha këto përparime janë pjesë e përshpejtimit nga ana e Zotit të veprës së Tij në ditët e mëvonshme.

Në vitin 1862 Brigam Jangu deklaroi: “Çdo zbulim në shkencë dhe art, që është vërtet real dhe i dobishëm për njerëzimin, është dhënë me anë të zbulesës së drejtpërdrejtë nga Perëndia, megjithëse pakkush e pranon atë. Është dhënë me synimin për të përgatitur udhën për ngadhënjimin përfundimtar të së vërtetës dhe shëlbimin e tokës nga fuqia e mëkatit dhe e Satanit. Ne duhet të përfitojmë nga të gjitha këto zbulime të shkëlqyera, nga urtësia e grumbulluar nëpër epoka dhe t’u japim fëmijëve tanë dobinë e çdo dege të diturisë së dobishme, për t’i përgatitur që të ecin përpara dhe të bëjnë me efektshmëri pjesën e tyre në veprën e madhe.”

Në vitin 1966, Presidenti Dejvid O. Mek‑Kei, profetizoi se zbulime shkencore që “tronditin imagjinatën” do të bënin të mundur predikimin e ungjillit te çdo fis, gjuhë dhe popull. Dhe më tej: “Zbulime që mbartin një fuqi kaq të madhe, qoftë për bekimin apo shkatërrimin e qenieve njerëzore, saqë e bëjnë përgjegjësinë e njerëzve për t’i mbajtur nën kontroll ato, përgjegjësinë më të jashtëzakonshme që është vënë ndonjëherë në duart e njeriut. … Kjo epokë është e mbushur me rreziqe të pafundme, si edhe mundësi të patreguara.”

Gjërat Ashtu siç Janë në të Vërtetë

Pesëmbëdhjetë vjet më parë, në një takim shpirtëror mbarëbotëror për të rinjtë e të rejat në moshë madhore, diskutova për planin e madh të Atit tonë Qiellor për lumturinë e fëmijëve të Tij. Theksova rëndësinë e trupave tanë fizikë në planin e Atit, se si Luciferi na josh që t’i minimizojmë dhe keqpërdorim trupat tanë fizikë dhe ngrita një zë paralajmërimi rreth efekteve mundësisht të dëmshme që teknologjitë digjitale mund të kenë në shpirtrat dhe marrëdhëniet tona me njerëzit e tjerë.

Theksova se as risitë digjitale dhe as ndryshimi i shpejtë në vetvete nuk janë të mira apo të këqija. Përkundrazi, paralajmërova se sfida e vërtetë është që t’i kuptojmë risitë si edhe ndryshimet brenda kontekstit të planit të përjetshëm të lumturisë. Unë ju shtroj “dy pyetje që t’i bluani në meditimin tuaj vetjak dhe studimin me lutje” për përdorimin e këtyre teknologjive në mënyrën e duhur.

  1. “Përdorimi i teknologjive dhe mjeteve të ndryshme të komunikimit, a e fton apo e pengon shoqërimin e vazhdueshëm të Frymës së Shenjtë në jetën tuaj?

  2. A e zgjeron apo e kufizon koha që harxhoni duke përdorur teknologji dhe media të ndryshme aftësinë tuaj për të jetuar, dashur dhe shërbyer në mënyra kuptimplote?”

Titulli i mesazhit tim në 2009‑ën ishte “Things as They Really Are” [“Gjërat Ashtu siç Janë në të Vërtetë”]. Ajo ishte për atë kohë.

Titulli i mesazhit tim sot është “Gjërat Ashtu siç Janë në të Vërtetë, Varianti 2.0”. Kjo është për tani.

Jini të Urtë

Fillesa e mesazhit tim sot gjendet në përmbylljen e bisedës së takimit shpirtëror që dhashë në Universitetin “Brigam Jang” në janar të këtij viti.

“Ndërsa përpiqeni fort ta mësoni ungjillin e Jezu Krishtit dhe të kryeni punën që duhet të bëni, ju këshilloj posaçërisht që të jeni të mençur në përdorimin e mjeteve teknologjike bashkëkohore. Risi të tilla si inteligjenca artificiale [mund] 1) t’ju ndihmojnë në marrjen e bekimeve madhështore si dhe 2) ta mpakin dhe mbysin lirinë tuaj morale të zgjedhjes. Ju lutem, mos lejoni që saktësia, shpejtësia dhe lehtësia e hamendësuar e teknologjive bashkëkohore t’ju joshin për të shmangur ose anashkaluar punën e drejtë që fton në jetën tuaj bekimet që do t’ju nevojiten. Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, nuk ka rrugë shpirtërore për shkurt apo zgjidhje të shpejta.”

Tani do të përqendrohem tek tri tema të cilat i theksova në pohimin e mëparshëm: inteligjenca artificiale, liria morale e zgjedhjes dhe puna e drejtë.

Inteligjenca Artificiale

Inteligjenca artificiale, që shpesh përmendet si IA, është teknologjia që u mundëson kompjuterëve dhe makinerive të imitojnë inteligjencën dhe aftësitë njerëzore për zgjidhjen e problemeve. Vitet e fundit, zhvillimi dhe zbatimi i teknologjive të IA‑së ka ecur përpara me një ritëm jashtëzakonisht të shpejtë dhe ka ndikuar pothuajse në çdo fushë të orvatjes njerëzore: mjekësi, shkencë, arsim, arkitekturë dhe ndërtim, komunikim, ekonomi, shitje me pakicë, prodhimin në fabrika dhe shumë e shumë të tjera. Ndërsa përdorimi i IA‑së është gjithnjë e më i përhapur, rreziqet e pafundme dhe mundësitë e patreguara, të profetizuara nga Presidenti Mek‑Kei bëhen gjithnjë e më të dukshme.

Kjo teknologji e jashtëzakonshme ofron potencialin e avancimit të njohurisë, përmirësimit të cilësisë së jetës sonë, lehtësimit të komunikimit e ndërlidhjes, përmirësimit të të mësuarit e rritjes vetjake dhe të nxitjes së krijimtarisë dhe risisë.

IA‑ja ka edhe potencialin të errësojë identitetin tonë të vërtetë si bij e bija të një Ati të dashur Qiellor, të na shpërqendrojë nga të vërtetat e përjetshme dhe puna e drejtë, e nevojshme për rritje shpirtërore, të ngjallë krenari dhe një pranim të vakët të varësisë sonë ndaj Perëndisë dhe të shtrembërojë apo zëvendësojë ndërveprimin kuptimplotë njerëzor.

“Kur janë të mësuar, ata mendojnë se janë të ditur dhe nuk dëgjojnë këshillën e Perëndisë, pasi e lënë mënjanë, duke supozuar se ata dinë nga vetja e tyre, prandaj, dituria e tyre është marrëzi dhe ajo nuk është e dobishme për ta. Dhe ata do të mbarojnë.

Por të jenë të mësuar është mirë, nëse ata dëgjojnë këshillat e Perëndisë.”

Merrni parasysh mundësinë e rrezikshme vijuese. Një shok ose shoqe, një e dashur apo i dashur i zhvilluar nga IA‑ja mund të “projektohet me përpikëri për të [ofruar] përvoja përfshirëse dhe varësuese, joshëse për një gamë të gjerë nevojash emocionale dhe shoqërore”.

“Ky personalizim krijon një ndjesi lidhjeje dhe mirëkuptimi, duke i bërë ndërveprimet me këta shokë e shoqe virtuale tejet tërheqëse. Joshja rritet më tej nga fakti që ata janë në dispozicion 24 [orë në ditë], 7 [ditë në javë] dhe nga mungesa e ndërlikimeve që shpesh gjenden në marrëdhëniet [e vërteta] njerëzore. Nga të kujtuarit e datave të rëndësishme deri te përgjigjja në një mënyrë të kuptueshme e të vazhdueshme, këta [shoqërues] të IA‑së janë planifikuar të përmbushin rolet e idealizuara të shoqërimit, duke i bërë ata [veçanërisht] varësues” dhe duke i shtrembëruar perceptimet e “gjëra[ve] ashtu siç janë në të vërtetë” në marrëdhëniet njerëzore.

Për më tepër, shoqëruesit virtualë të krijuar posaçërisht për të joshur dhe zhvilluar nevojat emocionale të një individi, mund të shkatërrojnë marrëdhëniet që më parë ishin të sigurta. Ashtu si monoksidi i karbonit, marrëdhënie të tilla virtuale mund të bëhen “vrasësi i padukshëm” i marrëdhënieve reale. Intimiteti i rremë emocional mund të zëvendësojë intimitetin emocional të jetës reale, pikërisht gjënë që i lidh dy njerëz së bashku. Një person mund të gjejë rehati dhe ngushëllim te një shok ose shoqe virtuale në një mënyrë që gërryen varësinë e ndërsjellë midis një bashkëshorti dhe një bashkëshorteje. Disa individë mund të bien në këtë kurth pa e kuptuar se kjo është një shkelje e zotimit vetëm ndaj një bashkëshorti/eje, sepse një shoqërues/e virtual/e nuk është “i/e vërtetë” dhe nuk llogaritet si një person tjetër.

Mbani mend përherë se një shoqërues/e IA është vetëm një algoritëm matematikor. Nuk ka pëlqim për ju. Nuk i intereson për ju. Nuk e di realisht nëse ekzistoni apo jo. Për ta përsëritur, është një grup ekuacionesh kompjuterike që do t’ju trajtojnë si një objekt mbi të cilin veprohet, nëse e lejoni. Ju lutem, mos lejoni që kjo teknologji t’ju joshë të bëheni një objekt.

Ky shembull është vetëm një nga miliona rreziqe të mundshme me inteligjencën artificiale.

Qëllimi im nuk është të sugjeroj se inteligjenca artificiale është në thelb e keqe; nuk është. As nuk po them se nuk duhet t’i përdorim aftësitë e shumta të IA‑së në mënyra të përshtatshme për të mësuar, komunikuar, ngritur moralisht e ndriçuar jetët, si dhe për të ndërtuar e forcuar Kishën; sigurisht që duhet ta bëjmë. Nuk duhet të kemi frikë ose të përpiqemi të fshihemi nga IA‑ja. Por mundësitë e drejta të këtij mjeti të mahnitshëm teknologjik mund të kuptohen vetëm nëse jemi të vetëdijshëm dhe ruhemi kundrejt rreziqeve të tij.

Për të lundruar në kryqëzimin e ndërlikuar të anës shpirtërore dhe teknologjisë, shenjtorët e ditëve të mëvonshme duhet që me përulësi e plot lutje 1) të përcaktojnë parimet e ungjillit që mund të udhërrëfejnë përdorimin prej tyre të inteligjencës artificiale, dhe 2) të përpiqen fort sinqerisht për shoqërimin e Frymës së Shenjtë dhe dhuratën shpirtërore të zbulesës.

Ju ftoj të rishikoni dhe studioni parimet udhërrëfyese për IA‑në që u krijuan dhe shpërndanë nga Kisha në fillim të këtij viti. Këto parime informojnë për përdorimin e inteligjencës artificiale nga Kisha dhe sigurojnë një themel të fortë mbi të cilin mund të ndërtoni masat mbrojtëse vetjake kundër rreziqeve të përdorimit të papërshtatshëm të teknologjisë.

Në fjalimin e tij të parë në konferencën e përgjithshme si President i Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, Presidenti Rasëll M. Nelson theksoi rëndësinë e zbulesës vetjake në jetën tonë. Ai tha: “Shpëtimtari dhe Shëlbuesi ynë, Jezu Krishti, do të kryejë disa nga veprat e Tij më të fuqishme midis kohës së tanishme dhe kohës kur Ai të vijë përsëri. Ne do të shohim tregues të mrekullueshëm se Perëndia, Ati, dhe Biri i Tij, Jezu Krishti, kryesojnë mbi këtë Kishë [me] madhështi e lavdi. Por në ditët e ardhshme, nuk do të jetë e mundur të mbijetojmë shpirtërisht pa ndikimin udhërrëfyes, drejtues, ngushëllues dhe të vazhdueshëm të Frymës së Shenjtë.”

Të falemi, o Perëndi, për profetin, dhe sonte japim falënderime për paralajmërimet e Presidentit Dejvid O. Mek‑Kei dhe Presidentit Rasëll M. Nelson.

Liria Morale e Zgjedhjes

Më parë tregova se inteligjenca artificiale ka potencialin ta mpakë dhe mbysë lirinë tonë morale të zgjedhjes. Çfarë do të thotë ai pohim dhe si mund të ndodhë një efekt i tillë?

Qëllimet kryesore të planit të madh të Atit për lumturinë janë që t’u sigurojnë fëmijëve të Tij shpirtërorë mundësitë për të marrë një trup fizik, për të mësuar “të mirën nga e keqja” nëpërmjet përvojës në vdekshmëri, për t’u rritur shpirtërisht dhe për të përparuar përjetësisht. Liria morale e zgjedhjes është një element qendror në planin e Perëndisë për të bërë të ndodhë pavdekësia dhe jeta e përjetshme e bijve dhe bijave të Tij.

Termi liria morale e zgjedhjes është udhëzues. Sinonimet për fjalën morale mund të përfshijnë “e mirë”, “e ndershme”, “e virtytshme” dhe “me famë të mirë”. Sinonimet për fjalën liri e zgjedhjes mund të përfshijë “veprim”, “veprimtari” dhe “punë”. Prandaj, liria morale e zgjedhjes mund të kuptohet si aftësia dhe privilegji për të zgjedhur dhe për të vepruar për veten tonë në mënyra që janë të mira, të ndershme, të virtytshme dhe me famë të mirë.

Krijimet e Perëndisë përfshijnë “qoftë gjërat që veprojnë dhe gjërat që pësojnë”. Më e rëndësishmja, liria morale e zgjedhjes është “fuqia e veprimit të pavarur”, e hartuar në mënyrë hyjnore, që na fuqizon si fëmijë të Perëndisë të bëhemi vetëveprues për të vepruar dhe jo thjesht objekte mbi të cilët veprohet.

Zoti e udhëzoi Enokun pikërisht për këtë pikë të doktrinës.

“Vër re këta vëllezërit e tu; ata janë vepra e duarve të mia dhe unë ua dhashë atyre diturinë e tyre, në ditën që i krijova ata; dhe në Kopshtin e Edenit, i dhashë njeriut lirinë e tij për të zgjedhur;

Dhe vëllezërve të tu u kam thënë dhe gjithashtu u kam dhënë urdhërim që ata duhet ta duan njëri-tjetrin dhe se duhet të më zgjedhin mua, Atin e tyre.”

Ju lutem, vini re, qëllimet themelore për ushtrimin e lirisë së zgjedhjes janë të duam njëri‑tjetrin dhe të zgjedhim Perëndinë. Kini parasysh se ne jemi urdhëruar – jo thjesht paralajmëruar, nxitur ose këshilluar – por urdhëruar që ta përdorim lirinë tonë të zgjedhjes për ta kthyer vëmendjen tek të tjerët, për ta dashur njëri‑tjetrin dhe për të zgjedhur Perëndinë.

Një himn i njohur quhet “T’Drejtën Zgjidh” për një arsye. Ne nuk jemi bekuar me lirinë morale të zgjedhjes për të bërë çfarëdo që duam, kurdoherë që duam. Përkundrazi, sipas planit të Atit, e kemi marrë lirinë morale të zgjedhjes për të kërkuar dhe vepruar sipas të vërtetës së përjetshme. Si “veprues për veten [tonë]”, ne duhet të përfshihemi me zell në kauza të mira dhe “të bëj[m]ë shumë gjëra me vullnetin [tonë] të lirë e të shkaktoj[m]ë shumë drejtësi”.

Rëndësia jetike e lirisë morale të zgjedhjes theksohet në rrëfimin e shkrimeve të shenjta për këshillin para lindjes. Luciferi ngriti krye kundër planit të Atit dhe, në mënyrë domethënëse, sfida e tij u përqendrua drejtpërsëdrejti te parimi i lirisë morale të zgjedhjes.

“Si rrjedhim, ngaqë ai Satan ngriti krye kundër meje dhe kërkoi të shkatërronte lirinë e njeriut, … unë bëra që ai të flakej tutje.”

Plani egoist i kundërshtarit ishte që t’u hiqte bijve dhe bijave të Perëndisë dhuratën për t’u bërë “veprues për veten” të cilët mund të vepronin me drejtësi. Synimi i tij ishte që të gjithë fëmijët e Atit Qiellor të bëheshin objekte mbi të cilat vetëm mund të veprohej.

Toka u krijua si një vend ku fëmijët e Atit Qiellor mund të provoheshin për të parë nëse do të bënin “të gjitha gjërat që Zoti, Perëndia i tyre, do t’i urdhërojë”. Vetë qëllimi i Krijimit dhe ekzistencës sonë në vdekshmëri është për të parë nëse ju dhe unë do të zgjedhim dhe do të veprojmë për t’u bërë çfarë Zoti na fton të bëhemi. Siç e ka shpallur Presidenti Nelson: “Perëndia, Ati ynë Qiellor, dëshiron që ju të zgjidhni të vini në shtëpi tek Ai. Plani i Tij për përparimin e përjetshëm nuk është i ndërlikuar dhe e respekton lirinë tuaj të zgjedhjes.”

Shpresa dhe aspirata jonë është lavdia çelestiale me familjet tona në praninë e Atit Qiellor dhe Birit të Tij të Dashur, Zotit Jezu Krisht. Për këtë dhe shumë arsye të tjera, Presidenti Nelson na ka ftuar të “mendo[jmë] çelestialisht”.

Tani dëgjoni me vëmendje. Lehtësia e përdorimit, saktësia e perceptuar dhe koha e shpejtë e reagimit që e karakterizojnë inteligjencën artificiale, mund të krijojnë një ndikim potencialisht mashtrues, varësues dhe mbytës në ushtrimin e lirisë sonë morale të zgjedhjes. Për shkak se IA‑ja është e veshur me besueshmërinë dhe premtimet e përparimit shkencor, ne mund të joshemi në mënyrë naive për t’ia dorëzuar lirinë tonë të çmuar morale të zgjedhjes një teknologjie që mund të mendojë vetëm telestialisht. Duke vepruar kështu, ne gradualisht mund të shndërrohemi nga vetëveprues që mund të veprojnë, në objekte mbi të cilët vetëm veprohet. Dhe padashur mund ta ndihmojmë Luciferin të arrijë në vdekshmëri atë që ai nuk ishte në gjendje ta arrinte në jetën para lindjes.

E vërteta është njohuri e gjërave ashtu siç janë në të vërtetë. Inteligjenca artificiale nuk mund të imitojë, kopjojë ose zëvendësojë ndikimin e Frymës së Shenjtë në jetën tonë. Pavarësisht se sa e sofistikuar dhe elegante mund të bëhet përfundimisht teknologjia e IA‑së, ajo thjesht nuk mund të dëshmojë kurrë për Atin dhe Birin, të zbulojë të vërtetën e të gjitha gjërave apo të shenjtërojë ata që janë penduar dhe pagëzuar.

E vërteta është njohuria e gjërave ashtu siç do të jenë në të vërtetë. Ndërkohë që jemi të mençur, e ruajmë dhe e ushtrojmë lirinë tonë morale të zgjedhjes për ta dashur Perëndinë e për t’u shërbyer vëllezërve e motrave tona, dhe e bëjmë Shpirtin e Shenjtë udhërrëfyesin tonë, mund ta shmangim mashtrimin dhe të përparojmë shpirtërisht në kohët sfiduese e të bekuara në të cilat jetojmë.

Puna e Drejtë

Një kuptueshmëri për planin e Atit Qiellor për lumturinë na ndihmon të dallojmë se puna e drejtë është një domosdoshmëri për përparimin shpirtëror.

Si bij dhe bija të Perëndisë, “secili [prej nesh] ka një natyrë dhe destinacion hyjnor” dhe ka trashëguar zotësi shpirtërore prej Tij. Ati ynë Qiellor dhe Biri i Tij i Dashur janë krijues dhe na kanë besuar në vdekshmëri pjesë të fuqive të Tyre krijuese. Aftësia jonë e veçantë për të punuar dhe krijuar është e rëndësishme shpirtërisht pikërisht sepse është qendrore në planin e Atit dhe përbën një nga shprehjet përfundimtare të potencialit tonë hyjnor.

Presidenti Tomas S. Monson shpjegoi: “Perëndia e la botën të papërfunduar që [burrat dhe gratë] të punojnë sipas aftësive [të tyre]. Ai e la elektricitetin në re, naftën nën tokë. Ai i la lumenjtë pa ura, pyjet të paprera dhe qytetet të pandërtuara. Perëndia [na] jep sfidën e lëndëve të para, jo lehtësinë e gjërave të përfunduara. Ai i lë pikturat të pangjyrosura, muzikën të pakënduar dhe problemet të pazgjidhura, që [ne] të mund t’i njohim gëzimet dhe madhështitë e krijimit.”

Liria morale e zgjedhjes, bërja vetëveprues dhe puna e drejtë janë të ndërthurura dhe të lidhura së bashku në mënyra vërtet të fuqishme. Merrni parasysh, për shembull, përkufizimin e besimit te Zoti Jezu Krisht siç parashtrohet te Lectures on Faith [Ligjërata mbi Besimin]:

“Besimi [te Krishti është] parimi i parë i fesë së zbuluar, … themeli i gjithë drejtësisë … dhe parimi i veprimit në të gjitha qeniet inteligjente”.

Dhurata shpirtërore e besimit te Krishti përfshin ushtrimin e lirisë sonë të zgjedhjes për të vepruar dhe ndjekur Atë, për t’i jetuar mësimet e Tij, për të zbatuar urdhërimet e Tij, për t’u lidhur me Të nëpërmjet besëlidhjeve, për të mirëbesuar te premtimet e Tij dhe për ta pranuar me butësi vullnetin dhe kohën e Tij në jetën tonë. Të vepruarit sipas doktrinës dhe parimeve të sakta që ka shpallur Shëlbuesi, është thelbësor ngaqë “besimi pa vepra është i vdekur”.

Te Lectures on Faith [Ligjërata mbi Besimin] mësojmë edhe se “besimi nuk është vetëm parimi i veprimit, por edhe i fuqisë, … qoftë në qiell apo në tokë”. Besimi te Jezu Krishti çon përherë drejt veprimit të drejtë, që e rrit aftësinë dhe fuqinë tonë shpirtërore.

Si rrjedhim, dishepujt besnikë të Krishtit janë punëtorë të përfshirë me zell sepse “në ta [është] fuqia, me anë të së cilës ata janë veprues për veten”. Dishepujt e përkushtuar vazhdimisht dhe me ndërgjegje, sipas aftësive dhe rrethanave të tyre individuale, veprojnë si vetëveprues për të bërë diçka si në aspektet tokësore ashtu edhe shpirtërore të jetës së tyre dhe të shërbimit ndaj të tjerëve.

Të kuptuarit se besimi te Shpëtimtari është një parim veprimi dhe fuqie sugjeron një model të vazhdueshëm të punës së drejtë që është një shprehje themelore e mbështetjes dhe mirëbesimit tek Ai dhe një burim mësimi e rritjeje. Për këto arsye të rëndësishme, puna është thelbësore për përparimin tonë shpirtëror.

Presidenti Ezra Taft Benson dha mësim: “I yni është një ungjill i punës – qëllimplotë, vetëmohuese dhe të kryer me shpirtin e një dashurie të vërtetë për Krishtin. Vetëm kështu mund të rritemi në tipare të perëndishme. Vetëm kështu mund të bëhemi mjete të çmuara në duart e Zotit.”

Një nga shqetësimet e mia të mëdha, është se mbështetja e tepërt në teknologjinë IA do të shkaktojë që ne të bëhemi përtacë e të cekët shpirtërisht dhe të humbasim bekimet që janë bërë të mundura nëpërmjet punës së drejtë.

Pyes veten se sa mesazhe të mbledhjes së sakramentit dhe mësime të Shkollës të së Dielës, priftërisë dhe Shoqatës së Ndihmës për të dielën e ardhshme do të jenë krijuar nga IA‑ja. Një komandë e thjeshtë, e shqiptuar në pajisjen tuaj digjitale, prisni disa sekonda ose minuta dhe e keni atë që ju nevojitet. Por, a e keni vërtet atë që ju nevojitet?

Tani, unë besoj se IA‑ja në mënyrë të përshtatshme mund të ndihmojë në mbledhjen e informacionit, të vlerësojë të menduarit tonë, të vlerësojë stilin tonë të të shkruarit dhe të përshpejtojë procesin përsëritës të të mësuarit “rresht pas rreshti dhe parim pas parimi”. Por zotësitë hyjnore për të krijuar dhe punuar i përkasin në mënyrë unike secilit prej nesh si bij dhe bija të Perëndisë. Ne padyshim që mund të krijojmë dhe prodhojmë përmbajtje mahnitëse për një bisedë në mbledhjen e sakramentit me IA‑në. Por objektivi nuk është thjesht prodhimi apo paraqitja e një përmbajtjeje mbresëlënëse; përkundrazi, është të punuarit dhe të bërit e asaj që Perëndia synon dhe dëshiron që ne të bëhemi.

Unë personalisht nuk e përdor këtë teknologji për të krijuar apo hartuar biseda, artikuj ose përmbajtje për projekte të mia të tjera. Kjo duhet të jetë përpjekja ime e zellshme, puna ime krijuese dhe, më e rëndësishmja, kërkimi nga ana ime që të jem i hapur ndaj frymëzimit që vjen nga Fryma e Shenjtë.

Porse, këtë teknologji e përdor për të vlerësuar punën time. Për shembull, pasi mbarova së shkruari bisedën që po ju jap tani, i kërkova një programi IA-je që të analizonte dhe përshkruante tonin e bisedës për një publik mbarëbotëror të rinjsh e të rejash në moshë madhore, të cilët janë anëtarë të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Kjo është përshtypja që mora:

“Toni i kësaj bisede është solemn dhe udhëzues, pasi autori bazohet në referencat e shkrimeve të shenjta dhe përvojat vetjake për të dhënë mësim mbi rëndësinë e dallimit të realiteteve shpirtërore nga iluzionet e botës. Biseda është gjithashtu shpresëdhënëse dhe inkurajuese, pasi autori i fton të rinjtë në moshë madhore që të kërkojnë zbulesë dhe të ndjekin shembullin e Shpëtimtarit në jetën e përditshme. Biseda synon të frymëzojë besim dhe veprim midis publikut dhe t’i paralajmërojë ata për rreziqet e mashtrimit nga gënjeshtrat e Satanit.”

Bazuar në këtë shqyrtim, bëra disa ndryshime që shpresoj ta përmirësojnë mesazhin e përgjithshëm.

Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, ju lutem, mbani mend përherë, ne nuk duhet ta shesim parabirninë tonë shpirtërore të “njoh[jes së] gëzim[eve] dhe lavdi[ve të] krijimit” për një tas “sup[e]” teknologjike.

“Mos u gënjeni: Perëndia nuk vihet dot në lojë, sepse ç’të mbjellë njeriu, atë edhe do të korrë.

Sepse ai që mbjell për mish të tij, do të korrë nga mishi i tij prishje, por ai që mbjell për Frymë, do të korrë nga Fryma jetë të përjetshme.”

Ligji i të korrave është i vërtetë, dje, sot dhe përgjithmonë.

Kthimi i vazhdueshëm në besim te Zoti kërkon punë të përqendruar, të qëndrueshme dhe të drejtë. Ne duhet të përpiqemi fort për t’u bërë vetëveprues që ushtrojnë besim te Shpëtimtari, që veprojnë dhe e shmangin të bërit objekte mbi të cilat thjesht veprohet.

Mbani mend përherë se të bëhesh një dishepull i përkushtuar kërkon punë të përqendruar, të qëndrueshme dhe të drejtë. Ne duhet të përpiqemi fort për t’u bërë vetëveprues që ushtrojnë besim te Shpëtimtari, që veprojnë dhe e shmangin të bërit objekte mbi të cilat thjesht veprohet.

Zbulesa vetjake kërkon punë të përqendruar, të qëndrueshme dhe të drejtë. Ne duhet të përpiqemi fort për t’u bërë vetëveprues që ushtrojnë besim te Shpëtimtari, që veprojnë dhe e shmangin të bërit objekte mbi të cilat thjesht veprohet.

Kërkimi i duhur për dhuratat e Shpirtit kërkon punë të përqendruar, të qëndrueshme dhe të drejtë. Ne duhet të përpiqemi fort për t’u bërë vetëveprues që ushtrojnë besim te Shpëtimtari, që veprojnë dhe e shmangin të bërit objekte mbi të cilat thjesht veprohet.

Për të qenë të qartë, ne nuk i fitojmë ose nuk kualifikohemi për bekimet e Perëndisë vetëm prej ose nëpërmjet veprave tona individuale. Vullneti dhe koha e Perëndisë përcaktojnë se si dhe kur ne i marrim mëshirat e Tij të dhembshura. Por unë dhe ju kemi detyrimin shpirtëror të punojmë, të krijojmë dhe të mësojmë për veten tonë.

Premtim dhe Dëshmi

Zëri paralajmërues që ngrita në vitin 2009, ishte i zellshëm, theksues dhe i ngutshëm sepse rreziqet dhe mundësitë e teknologjisë që po i diskutojmë, sapo kishin filluar të shfaqeshin. Ajo ishte për atë kohë.

Zëri paralajmërues që ngre sot, është më i zellshëm, më theksues dhe akoma më i ngutshëm, sepse rreziqet dhe mundësitë e teknologjisë që po i diskutojmë, janë kudo gjithë kohës. Kjo është për tani.

Fryma e Shenjtë jep dëshmi për të vërtetën. Unë dhe ju kemi përgjegjësinë për të siguruar se Fryma e Shenjtë mund të dëshmojë gjithmonë për të vërtetën dhe vërtetësinë e gjithçkaje që themi dhe tregojmë, si në formën edhe përmbajtjen tonë. Premtimi për secilin është se mund të mësojmë ta përdorim këtë teknologji në mënyrë të përshtatshme me udhërrëfimin, mbrojtjen dhe paralajmërimet që vijnë nga fuqia e Frymës së Shenjtë.

Ju bekoj dhe ju premtoj që, teksa “sh[ohim] tek [Shpëtimtari] në çdo mendim” dhe kërkojmë shoqërimin e Frymës së Shenjtë, ne do të bekohemi që të ecim në butësinë e Frymës së Zotit dhe të kemi paqe në Të. Ne nuk do të “dysho[jmë], [nuk do të] k[emi] frikë” dhe do të dallojmë të vërtetën e të gjitha gjërave, madje të “gjëra[ve] ashtu siç janë në të vërtetë”.

Dëshmoj se Ati Qiellor jeton dhe është autori i planit të madh të lumturisë. Dëshmoj se Jezu Krishti është Biri i Vetëmlindur dhe i Dashur i Atit. Unë dëshmoj se Ai është ringjallur. Ai jeton. Ai është Shëlbuesi ynë dhe Shpëtimtari ynë. Unë dëshmoj se jemi të bekuar që jetojmë në një kohë të jashtëzakonshme të periudhës ungjillore të plotësisë së kohëve. Jap dëshmi plot gëzim për këto të vërteta, në emrin e shenjtë të Zotit Jezu Krisht, amen.