Historia e Kishës
Xhejn Elizabet Mening Xhejmsi


“Xhejn Elizabet Mening Xhejmsi”, Temat e Historisë së Kishës

“Xhejn Elizabet Mening Xhejmsi”

Xhejn Elizabet Mening Xhejmsi

Xhejn Elizabet Meningu (rreth 1822–1908), ishte një prej së paku pesë fëmijëve që lindi nga një çift i lirë afrikano‑amerikanësh në Konektikat, në një kohë kur shumica e njerëzve me ngjyrë në Shtetet e Bashkuara ishin skllevër.1 Kur ishte e re në moshë madhore, ajo u bashkua me Kishën e Bashkësisë së Kanaanit të Ri në vitin 1841, por 18 muaj më pas, në dimrin e viteve 1842–1843, ajo dhe disa pjesëtarë të familjes u pagëzuan në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Xhejni dhe pjesëtarë të tjerë në familjen e saj shpejt patën dëshirën që të bashkoheshin me shenjtorët në Navu, kështu që udhëtuan nga Konektikati për në Nju‑Jork, duke planifikuar që të udhëtonin si me anije me avull ashtu edhe me traget lumor. Sidoqoftë, atyre iu mohua kalimi me anije për shkak të racës, kështu që iu desh t’i bënin në këmbë 1247,48 kilometrat e mbetura. Në Peoria të Ilinoisit, autoritetet vendore patën dyshime se pjesëtarët e familjes Mening ishin skllevër të mundshëm të arratisur dhe kërkuan dokumente për të vërtetuar statusin e tyre të lirë. Racizmi ishte një pengesë me të cilën Xhejni do të përballej gjatë gjithë pjesës së mbetur të jetës së saj.

fotografi portret e Xhejn Mening Xhejmsit

Portret i Xhejn Mening Xhejmsit.

Me Mirësinë e Bibliotekës dhe Arkivave të Historisë së Kishës

Sapo mbërriti në Navu, Xhejni shpejt krijoi miqësi me Jozef dhe Ema Smithin. Ajo jetonte me ta dhe punonte në shtëpinë e tyre. Në një pikë të caktuar, Ema e ftoi Xhejnin që të birësohej si fëmijë në familjen Smith me anë të një vulosjeje të priftërisë.2 Xhejni e refuzoi, duke e keqkuptuar praktikën e panjohur dhe të re, por ajo besonte me vendosmëri në rolin profetik të Jozefit. “E njihja Profetin Jozef”, dëshmoi ajo më vonë. “Ai ishte njeriu më i mirë që pashë ndonjëherë në tokë. … Isha e sigurt se ai ishte profet ngaqë e dija atë gjë.”3

Nëpërmjet bashkëbisedimeve me Jozefin dhe nënën e tij, Lusi Mek Smithin, Xhejni mësoi më shumë rreth Librit të Mormonit dhe përkthimit të tij, dhe fitoi kuptim e respekt për ordinancat e tempullit.

Xhejni u martua me Isak Xhejmsin, një njeri me ngjyrë i lirë, i kthyer në besim, nga Nju‑Xhersi. Ata, së bashku me djalin e Xhejnit, Silvesterin, u larguan nga Navuja në vitin 1846 për tʼu drejtuar në perëndim bashkë me shenjtorët. Në qershor të atij viti, lindi biri i Xhejnit dhe Isakut, Silasi. Vitin pasues familja kaloi rrafshnaltat, duke mbërritur në luginën e Solt‑Lejkut në vjeshtën e vitit 1847. Isaku dhe Xhejni patën edhe gjashtë fëmijë të tjerë, nga të cilët vetëm dy prej tyre jetuan më gjatë se Xhejni. Ashtu si kolonët e tjerë të hershëm në luginën e Solt‑Lejkut, Xhejni dhe Isaku punuan shumë për të siguruar për familjen e tyre. Isaku punoi si punëtor krahu dhe me raste si karrocier për Brigam Jangun dhe Xhejni endte cohë, bënte veshje dhe lante rroba, siç kishte bërë në Navu.

Trysnia martesore çoi drejt shkurorëzimit të Isakut dhe Xhejnit në vitin 1870. Xhejni më vonë pati një martesë të shkurtër, dyvjeçare me një ish‑skllav, Frenk Perkinsin, por shumë shpejt rifilloi jetën si prind i vetëm dhe gjyshe. Nevoja financiare dhe vdekja e tre fëmijëve bënë që Xhejni të kthehej në punë. Ajo bënte dhe shiste sapun, ndërkohë që dy nga djemtë e saj u punësuan si punëtorë krahu. Në vitin 1890, pasi kishte qenë i larguar për 20 vjet, Isaku u rikthye në Solt-Lejk-Siti, e përtëriu anëtarësinë e tij në Kishë dhe krijoi një marrëdhënie miqësore me Xhejnin. Kur ai vdiq një vit më vonë, shërbesa mortore u mbajt në shtëpinë e saj.

Gjatë gjithë vështirësive të jetës së saj, Xhejni mbeti e përkushtuar ndaj besimit të vet në mësimet e ungjillit dhe e çmonte anëtarësinë e saj në Kishë. Ajo dhuroi për ndërtimin e tempujve dhe mori pjesë në Shoqatën e Ndihmës dhe Shoqatën e Ekonomizimit për Zonjat e Reja.4 Xhejni i përjetoi me bollëk dhuratat e Shpirtit, përfshirë vegimet, ëndrrat, shërimin me anë të besimit dhe të folurit në gjuhë të ndryshme. “Besimi im në Ungjillin e Jezu Krishtit”, – shkroi ajo më vonë në jetën e saj, – “është po aq i fortë sot, jo, ai është, nëse është e mundur, më i fortë sesa në ditën kur u pagëzova fillimisht”5.

Midis viteve 1884 dhe 1904, Xhejni i kontaktoi periodikisht udhëheqësit e Kishës – Xhon Tejlorin, Uillford Udrafin, Zina D. H. Jangun dhe Jozef F. Smithin – dhe kërkoi leje për të marrë dhurimin e saj në tempull dhe për t’u vulosur.6 Në atë kohë, burrat dhe gratë me ngjyrë shenjtorë të ditëve të mëvonshme nuk lejoheshin të merrnin pjesë në shumicën e ordinancave të tempullit. Në vitin 1888, presidenti i kunjit Angus M. Kanon, e autorizoi Xhejnin të kryente pagëzime për të afërmit e saj që kishin vdekur.7 Në vitin 1894, udhëheqësit e Kishës përfundimisht e lejuan atë që të vulosej me mëkëmbës në familjen e Jozef Smithit si një shërbëtore, një ndodhi unike. Edhe pse ajo nuk e mori dhurimin në tempull ose nuk i bëri vulosjet familjare gjatë jetës së vet, këto ordinanca u kryen në emër të saj në vitin 1979.8

Ajo vdiq më 16 prill 1908, në moshën 95‑vjeçare, gjithmonë një shenjtore besnike e ditëve të mëvonshme. Gazeta Deseret News raportoi: “Pak njerëz u dalluan më shumë për besim dhe besnikëri sesa ishte Xhejn Mening Xhejmsi, edhe pse me origjinë të përulur, miqtë dhe të njohurit e saj numëroheshin me qindra”9.

Shënime

  1. Nëna e Xhejnit kishte qenë skllave, por u lirua nga ligji i emancipimit gradual të Konektikatit. Xhejni lindi e lirë, por skllavëria ishte e ligjshme në [këtë] shtet deri pasi u largua Xhejni. Për jetën e Xhejnit në përgjithësi, shih Henry J. Wolfinger, “A Test of Faith: Jane Elizabeth Manning James and the Origins of the Utah Black Community”, në Clark Knowlton, red., Social Accommodation in Utah (Salt Lake City: University of Utah, 1975), f. 126–175 dhe Quincy D. Newell, “The Autobiography and Interview of Jane Elizabeth Manning James”, Journal of Africana Religions, vëll. 1, nr. 2 (2013), f. 251–291.

  2. Letër e Zina D. H. Young‑ut drejtuar Joseph F. Smith‑it, 15 janar 1894, Biblioteka e Historisë së Kishës, Solt-Lejk-Siti.

  3. “‘Aunt’ Jane James”, në “Joseph Smith, the Prophet”, Young Woman’s Journal, vëll. 16, nr. 12 (dhjetor 1905), f. 551, 553.

  4. Eighth Ward Relief Society Minutes and Records, 1867–1969, Lagjja e Tetë, Kunji i Libertisë, 20 gusht 1874; 20 tetor 1874; 21 dhjetor 1874; 20 janar 1875; 22 mars 1875; 20 maj 1875; 20 nëntor 1875, vëll. 1, Biblioteka e Historisë së Kishës, Solt-Lejk-Siti [Xhejni e mbajti mbiemrin Perkins për pak kohë]; “Ladies Semi-monthly Meeting”, Woman’s Exponent, vëll. 22, nr. 9 (1 dhjetor 1893), f. 66. Xhejni dhuroi fonde për ndërtimin e Tempujve të Seint‑Xhorxhit, Loganit dhe Mantit, dhe kontribuoi për Misionin Lamanit (Indian). Shih Linda King Newell dhe Valeen Tippetts Avery, “Jane Manning James”, Ensign, gusht 1979, f. 29.

  5. Jane Elizabeth Manning James autobiography, rreth vitit 1902, diktuar Elizabeth J. D. Roundy‑it, Biblioteka e Historisë së Kishës, Solt‑Lejk‑Siti, f. 22.

  6. Letër e Jane E. James‑it drejtuar John Taylor‑it, 27 dhjetor 1884; letër e Jane E. James‑it drejtuar Joseph F. Smith‑it, 7 shkurt 1890; letër e Jane E. James‑it drejtuar Joseph F. Smith‑it, 31 gusht 1903.

  7. Letër e Angus M. Cannon‑it drejtuar Jane E. James‑it, 16 qershor 1888; shih edhe Tonya Reiter, “Black Saviors on Mount Zion: Proxy Baptisms and Latter-day Saints of African Descent”, Journal of Mormon History, vëll. 43, nr. 4 (tetor 2017), f. 100–123.

  8. Jane Elizabeth Manning James autobiography, rreth vitit 1902. Jane‑i e diktoi autobiografinë e saj në Solt-Lejk-Siti dikur midis viteve 1902 dhe 1908; Ronald G. Coleman dhe Darius A. Gray, “Two Perspectives: The Religious Hopes of ‘Worthy’ African American Latter-day Saints before the 1978 Revelation”, në Newell G. Bringhurst dhe Darron T. Smith, red., Black and Mormon (Urbana: Universitety of Illinois Press, 2004), f. 54. Shih edhe Quincy D. Newell, “The Autobiography and Interview of Jane Manning James”, Journal of Africana Religions, vëll. 1, nr. 2 (2013), f. 256, 275 (shënimi 34).

  9. “Death of Jane Manning James”, Deseret News, 16 prill 1908.