2010
Mbi Qenien të Përgatitur Shpirtërisht
shkurt 2010


Mesazhi i Presidencisë së Parë, Shkurt 2010

Mbi Qenien të Përgatitur Shpirtërisht

Këshilla nga Profeti Ynë

Një Themel Besimi

“Nëse nuk kemi një themel të thellë besimi dhe një dëshmi të fortë për të vërtetën, mund të kemi vështirësi për t’u bërë ballë stuhive të ashpra dhe erërave të akullta të fatkeqësisë që, në mënyrë të pashmangshme, u vijnë secilit prej nesh.

Vdekshmëria është një periudhë testimi, një kohë për ta provuar veten të denjë për t’u kthyer në praninë e Atit tonë Qiellor. Në mënyrë që të testohemi, ne duhet të përjetojmë sfida dhe vështirësi. Kjo gjë mund të na thyejë dhe shpirti mund të bëhet copë e thërrime – kjo ndodh, nëse themelet e besimit tonë, dëshmitë tona për të vërtetën nuk janë ngulur thellë brenda nesh.”1

Nxënia e Mësimeve nga e Kaluara

“Në kërkim për më të mirën tek vetja, disa pyetje do ta drejtojnë mendimin tonë: A jam unë çka dua të jem? A jam më pranë Shpëtimtarit sot nga sa isha dje? A do të jem edhe më afër nesër? A kam kurajë të ndryshoj për më mirë? …

Vitet kanë ardhur dhe vitet kanë shkuar, por nevoja për një dëshmi të ungjillit vazhdon të jetë jetësore. Ndërkohë që shkojmë drejt së ardhmes, nuk duhet të shpërfillim mësimet nga e kaluara.”2

Liahona Juaj Vetjake

“Bekimi juaj patriarkal është juaji dhe vetëm i juaji. Ai mund të jetë i shkurtër apo i gjatë, i thjeshtë apo i thellë. Nuk e bëjnë gjatësia dhe terminologjia një bekim patriarkal. Është Shpirti që përçon kuptimin e vërtetë. Bekimin tuaj nuk duhet ta palosni me kujdes dhe ta ruani diku. Nuk është që ta vini në kornizë dhe ta bëni publik. Përkundrazi, është që ta lexoni. Është që ta doni. Është që ta ndiqni. Bekimi juaj patriarkal do t’ju udhëheqë përmes natës më të errët. Do t’ju udhëheqë përmes rreziqeve të jetës. … Bekimi juaj patriarkal është për ju një Liahonë personale që t’ju hartojë kursin dhe t’ju udhëheqë në rrugën tuaj. …

Mund të kërkohet durim ndërkohë që vrojtojmë, presim dhe punojmë që një bekim i premtuar të përmbushet.”3

Ejani tek Ai

“Kujtoni se ju nuk ecni të vetëm. … Ndërsa ecni në jetë, githmonë ecni drejt dritës dhe hijet e jetës do të bien pas jush. …

Ndërsa u [jam] drejtuar shkrimeve të shenjta për frymëzim, një fjalë e veçantë [ka] dalë në pah përsëri e përsëri. Fjala [është] ‘ejani’. Zoti tha: ‘Ejani tek unë.’ Ai tha: ‘[Ejani] mësoni nga unë.’ Ai tha gjithashtu: ‘Eja e më ndiq.’ Më pëlqen ajo fjalë, ejani. Përgjërimi im është që ne të shkojmë tek Zoti.”4

Shënime

  1. “Sa i Fortë Një Themel”, Liahona, nëntor 2006, f. 62.

  2. “Të Bëhemi më e Mira e Vetes”, Liahona, prill 2006, f. 3, 5.

  3. “Your Patriarchal Blessing: A Liahona of Light”, Ensign, nëntor 1986, f. 66.

  4. 16-stake fireside, Brigham Young University, 16 nëntor 1986.

Mësimdhënia nga Ky Mesazh

Teaching, No Greater Call [Mësimdhënia, s’Ka Thirrje më të Madhe] pohon: “Një mësues i aftë nuk mendon, … ‘Çfarë do të jap mësim sot?’ por në vend të kësaj, ‘Si do t’i ndihmoj unë studentët e mi që të zbulojnë atë që duhet të dinë?’” ([1999], f. 61). Për t’i ndihmuar individët që të mësojnë nga ky artikull, merrni parasysh që t’i pajisni ata me letër e laps dhe t’u jepni kohë të lexojnë fjalët e Presidentit Monson e të shkruajnë të vërteta që i zbulojnë mbi qenien shpirtërisht të përgatitur. Fëmijët më të vegjël mund të bëjnë vizatime për atë që mësojnë. Merrni parasysh që t’i vini të ndajnë atë që kanë shkruar apo vizatuar.