2010
Kanarina me Ngjyrë Gri në Krahët e Tyre
qershor 2010


Mesazhi i Presidencisë së Parë, Qershor 2010

Kanarina me Ngjyrë Gri në Krahët e Tyre

Gati 60 vite më parë, kur po shërbeja si peshkop i ri, ndërroi jetë Ketlin Mek-Ki, një e ve në lagjen time. Mes gjërave të saj qenë tre kanarina shtëpie. Dy, me ngjyrë të verdhë të përsosur, duhej t’u jepeshin mikeshave të saj. E treta, Billi, kishte ngjyrë të verdhë të shëmtuar nga grija në krahët e saj. Motra Mek-Ki kishte shkruar në një shënim për mua: “A do t’i bëheni strehë asaj ti dhe familja jote? Ajo nuk është më e bukura, por kënga e saj është më e mira.”

Motra Mek-Ki i ngjante shumë kanarinës së saj të verdhë me ngjyrë gri në krahë. Ajo nuk qe bekuar me bukuri, nuk i qe dhuruar vetësiguri, nuk qe nderuar me pasardhës. Përsëri kënga e saj i ndihmoi të tjerët t’i mbanin më me gatishmëri barrët e tyre dhe t’i kryenin më me aftësi detyrat e tyre.

Bota është e mbushur me kanarina të verdha me gri në krahët e tyre. Për të ardhur keq është që vetëm fare pak kanë mësuar të këndojnë. Disa janë të rinj që nuk e dinë se cilët janë, çfarë mund të jenë ose madje duan të jenë; gjithçka duan ata është të jenë dikush. Të tjerë janë kërrusur nga mosha, të ngarkuar me shqetësime, apo të mbushur me dyshim – që jetojnë jetë shumë më poshtë nivelit të aftësive të tyre.

Për të jetuar shkëlqyeshëm, ne duhet të zhvillojmë aftësinë që ta përballojmë telashin me kurajë, zhgënjimin me gaz dhe triumfin me përulësi. Ju pyesni: “Si mundet t’i arrijmë këto synime?” Unë përgjigjem: “Duke fituar një këndvështrim të saktë për atë çfarë jemi vërtet!” Ne jemi bij dhe bija të një Perëndie të gjallë, sipas shëmbëlltyrës të së cilit jemi krijuar. Mendoni për këtë: krijuar sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë. Nuk mund ta kemi sinqerisht këtë bindje pa provuar një sens të ri e të thellë të forcës e të fuqisë.

Në botën tonë, karakteri moral shpesh duket se vjen pas bukurisë apo hijeshisë. Por, nga shumë kohë më parë, jehon këshilla e Zotit drejtuar Samuel profetit: “Zoti nuk shikon si shikon njeriu, njeriu shikon pamjen, kurse Zoti shikon zemrën” (1 Samuelit 16:7).

Kur Shpëtimtari kërkoi një njeri besimi, Ai nuk e përzgjodhi nga turma e të vetëkënaqurve që gjendeshin rregullisht në sinagogë. Përkundrazi, Ai e thirri atë nga peshkatarët e Kapernaumit. Simoni dyshues, i pashkollë, i rrëmbyer u bë Pjetri, Apostulli i besimit. Një kanarinë e verdhë me gri në krahët e saj u cilësua për mirëbesimin e plotë dhe dashurinë e përhershme të Mësuesit.

Kur Shpëtimtari zgjodhi një misionar të zellshëm e të fortë, Ai nuk e gjeti mes mbështetësve të Tij por mes kundërshtarëve të Tij. Sauli, përndjekësi u bë Pali, misionari.

Shëlbuesi zgjodhi njerëz të papërsosur për të dhënë mësim udhën drejt përsosjes. Ai bëri ashtu atëherë. Ai bën ashtu tani – madje kanarina me gri në krahët e tyre. Ai na thërret juve dhe mua t’i shërbejmë Atij këtu poshtë. Angazhimi ynë duhet të jetë i plotë. Dhe në betejën tonë, nëse pengohemi, le të përgjërohemi: “Krijues i madh i njerëzve, na udhëhiq, oh na udhëhiq, të orvatemi sërish, nga errësira na nxirr.”1

Lutja ime është që ne të ndjekim shembullin e Burrit të Galilesë, që mund ta gjeje mes të varfërve, të shkelurve, të shtypurve dhe të pikëlluarve. Një këngë e vërtetë daltë nga zemra jonë kur e bëjmë këtë.

Shënim

  1. “Fight Song”, Shkolla e Mesme Yonkers.

Mësimdhënia nga Ky Mesazh

“Kur jepni mësim … , shpesh është e dobishme t’i vini ata që mësojnë të shohin ose dëgjojnë për diçka të veçantë” (Teaching, No Greater Call [Mësimdhënia S’Ka Thirrje më të Madhe], [1999], f. 55). Për t’i ndihmuar pjesëtarët e familjes të kuptojnë mesazhin e Presidentit Monson, merrni parasysh t’u kërkoni atyre të jenë të përgatitur të ndajnë atë çfarë mësojnë pasi ta lexoni mesazhin së bashku. Ftoni çdo person të ndajë atë që ai ose ajo ndjen se është një pikë e rëndësishme në artikull. Përfundojeni duke dhënë dëshmi për mesazhin e Presidentit Monson.

Mësimdhënia e fjalës së Perëndisë, siç jepet nëpërmjet profetëve të Tij, mund të ketë një ndikim të fuqishëm në jetën e atyre që u japim mësim (shih Teaching, No Greater Call [Mësimdhënia S’Ka Thirrje Më të Madhe], f. 50). Presidenti Monson deklaron se ka forcë e fuqi në dijen se ne jemi fëmijë të Perëndisë. Pasi ta lexoni artikullin, kërkoini pjesëtarëve të familjes të tregojnë se çfarë i ndihmon të kujtojnë se cilët janë.

Shtyp në Letër