Rinia
Vetë Libri Im i Mormonit
Në gusht 2005, kur Presidenti Gordon B. Hinkli (1910–2008) i ftoi anëtarët e Kishës ta lexonin Librin e Mormonit përpara fundit të vitit, premtova me vete se do ta lexoja të gjithë librin. Isha e familjarizuar me ndodhitë e Librit të Mormonit, por nuk e kisha lexuar kurrë që të gjithin. Tani kisha ndër mend ta mbaja premtimin tim.
Më ishte mësuar t’i zbatoja shkrimet e shenjta në jetën time dhe t’i bëja ato pjesë timen. Kështu që, ndërsa lexoja, shkrova në anët e faqes atë që mendoja se ishte ideja kryesore e fragmentit. Gjithashtu nënvizova fjalë dhe fraza të përsëritura për të treguar theksim.
Vendosa emrin tim pranë emrave në shkrimet e shenjta, që të më ndihmonte të kujtoja se fjala e Perëndisë thënë të tjerëve mund të jetë gjithashtu fjala e thënë mua. Për shembull, tek 2 Nefi 2:28 shkrova emrin tim: “Dhe tani, [Hilari], unë do të doja që ju të shikoni te Ndërmjetësi i madh dhe t’i dëgjoni urdhërimet e tij të mëdha”. Sa më shumë e bëra pjesë timen Librin e Mormonit, aq më shumë ngazëllehesha për ta lexuar atë çdo ditë.
Ndërsa lexoja çdo ditë, lutjet e mia u bënë të çiltra dhe personale. Isha gjithashtu në gjendje të përqendrohesha tek mësimet e mia dhe të ndiqja nxitjet e Shpirtit që të bëhesha shoqe me të tjerë. Natën e fundit të vitit, e mbarova Librin e Mormonit.
Atëherë e kuptova rëndësinë e të lexuarit të të gjithë Librit të Mormonit, bashkë me shkrimet e shenjta të tjera, dhe dëshiroj ta bëj këtë shumë herë të tjera në jetën time.