2011
Në Kërkim të së Mirës
mars 2011


Mesazhi i Presidencës së Parë, Mars 2011

Në Kërkim të së Mirës

Ndërsa kërkonin një shtëpi të re, një çift i ri shenjtorësh të ditëve të mëvonshme flisnin me fqinjët e mundshëm rreth lagjes dhe shkollave në zonë.

Një grua, së cilës i folën, tha për shkollën ku shkonin fëmijët e saj: “Ky është vendi më i hatashëm! Drejtori është një burrë i mrekullueshëm dhe i mirë; mësuesit janë të kualifikuar mirë, të sjellshëm dhe miqësorë. Unë jam aq e kënaqur që fëmijët tanë mund të shkojnë në këtë shkollë të mrekullueshme. Juve do t’ju pëlqejë këtu!”

Një grua tjetër tha për shkollën e fëmijëve të saj: “Ky është një vend i tmerrshëm. Drejtori është egocentrik; mësuesit janë të pakualifikuar, të pasjellshëm dhe jo miqësorë. Nëse do të kisha mundësi të largohesha nga kjo zonë, unë do ta bëja në çast!”

Interesantja ishte se të dy gratë po flisnin për të njëjtin drejtor, të njëjtët mësues dhe të njëjtën shkollë.

A keni vënë re ndonjëherë se njerëzit zakonisht mund të gjejnë gjithçka që po kërkojnë? Vëzhgoni me shumë vëmendje dhe mund të gjeni edhe të mirën edhe të keqen, te thuajse cilido dhe gjithçka. Njerëzit kanë bërë të njëjtën gjë me Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme qysh nga fillimi i saj. Ata që kërkojnë për të mirën, do të gjejnë njerëz të sjellshëm dhe zemërdhembshur – njerëz që duan Zotin dhe dëshirojnë t’i shërbejnë Atij dhe të bekojnë jetën e bashkënjerëzve të tyre. Por është gjithashtu e vërtetë se ata që kërkojnë të keqen do të gjejnë me siguri gjëra që nuk janë aq ideale.

Fatkeqësisht, ndonjëherë kjo ndodh edhe brenda Kishës. Nuk ka fund në krijimtari, zotësi dhe ngulmim tek ata që kërkojnë arsye për të kritikuar. Ata nuk duket se do të shkëputen nga mëritë. Ata përgojojnë dhe gjejnë të meta tek të tjerët. Ata ushqejnë plagë për dekada, duke përfituar nga çdo rast për të shembur dhe poshtëruar të tjerët. Kjo nuk po e kënaq Zotin, “sepse atje ku ka smirë dhe grindje, atje ka trazirë dhe gjithfarë veprash të këqija” (Jakobi 3:16 [Bibël]).

Presidenti Xhorxh Q. Kanon (1827–1901) e njihte mirë Presidentin Brigam Jang (1801–1877), duke punuar nga afër me të për shumë vite, edhe si anëtar i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve edhe si këshilltar i tij në Presidencën e Parë. Pas vdekjes së Presidentit Jang, Presidenti Kanon shkruante në ditarin e tij: “Unë nuk kritikova apo nuk gjeta kurrë gabim në sjelljen [e Brigam Jangut], këshillën apo mësimet e tij, asnjëherë në zemrën time, aq më pak në fjalët apo veprimet e mia. Kjo është një kënaqësi tani për mua. Mendimi që qe ndonjëherë në mua ishte: Nëse e kritikoj apo i gjej gabim, apo e gjykoj Vëllanë Brigam, deri ku duhet të shkoj; nëse filloj, ku duhet të ndalem? Unë nuk guxova t’i besoja vetes në një drejtim të tillë. Unë e dija se braktisja, shpesh, vinte prej kënaqjes së shpirtit të kritikës dhe të gjetjes së të metave. Të tjerë, me forcë, urtësi dhe përvojë më të madhe se të miat, mund të bëjnë shumë gjëra dhe t’u shmangen pasojave të këqija, që unë nuk mundem.”1

Këshilla e fuqishme e presidentit Kanon është diçka që ne anëtarët e Kishës duhet ta mbajmë parasysh me kujdes të madh. Fjala e Perëndisë i paralajmëron ndjekësit e Krishtit të jenë të “pastër, pastaj [paqësorë, të butë, të] bindur, plot mëshirë dhe fryte të mira, [të paanshëm] dhe jo [hipokritë]”. Për ata që bëjnë paqe, “fryti i drejtësisë mbillet në paqe” (Jakobi 3:17, 18).

Ne kemi një zgjedhje. Ne mund të kërkojmë për të keqen tek të tjerët. Ose ne mund të bëjmë paqe dhe të punojmë për të shtrirë tek të tjerët kuptimin, paanësinë dhe faljen që ne e duam aq dëshpërimisht për veten tonë. Është zgjedhja jonë; cilëndo që të kërkojmë, atë me siguri do ta gjejmë.

Shënim

  1. George Q. Cannon, Journal, 17 janar 1878; drejtshkrimi i modernizuar.

Mësimdhënia nga Ky Mesazh

“Ju mund të ndjeni se ju mungon kuptimi për një parim që po përgatiteni ta jepni mësim”, shënime Teaching, No Greater Call [Mësimdhënia, S’Ka Thirrje më të Madhe] ([1999], f. 19). “Gjithsesi, kur ju e studioni atë plot lutje, përpiqeni ta jetoni, përgatiteni ta jepni mësim dhe pastaj e ndani me të tjerë, vetë dëshmia juaj do të forcohet dhe thellohet.”

Ndërsa kërkoni për të mirën në jetë dhe tek të tjerët këtë muaj, ju do të jeni më të përgatitur për ta dhënë mësim këtë mesazh dhe të dëshmoni për të vërtetën e tij.

Shtyp në Letër