Mesazhi i Vizitave Mësimore, Shkurt 2012
Rojtaret e Vatrës
Studiojeni këtë material dhe, si të jetë e përshtatshme, diskutojeni me motrat që vizitoni. Përdorini pyetjet për t’ju ndihmuar të forconi motrat tuaja dhe për ta bërë Shoqatën e Ndihmës një pjesë aktive të vetë jetës suaj.
“Ju jeni rojtaret e vatrës”, tha Presidenti Gordon B. Hinkli (1910–2008) kur ai paraqiti “Familja: Një Proklamatë Drejtuar Botës” në mbledhjen e përgjithshme të Shoqatës së Ndihmës në 1995-n. “Ju jeni ato që sillni në jetë fëmijët. Ju jeni ato që i edukoni ata dhe formoni tek ata zakonet e jetës së tyre. Asnjë punë tjetër nuk është aq hyjnore sa edukimi i bijve dhe bijave të Perëndisë.”1
Për pothuajse 17 vite tashmë, kjo proklamatë ka përforcuar atë që përgjegjësitë tona më të rëndësishme janë përqendruar në forcimin e familjeve dhe të shtëpive – pavarësisht nga rrethanat tona aktuale. Barbara Tompson, tani këshilltare e dytë në presidencën e përgjithshme të Shoqatës së Ndihmës, ishte në Tabernakullin e Solt-Lejkut kur Presidenti Hinkli lexoi për herë të parë proklamatën. “Ajo ishte një ngjarje e mrekullueshme”, kujton ajo. “Ndieva rëndësinë e mesazhit. Gjithashtu e gjeta veten duke menduar: ‘Ky është një udhëzim i madh për prindërit. Është gjithashtu, një përgjegjësi e madhe për prindërit.’ Mendova për një çast se ajo nuk më përkiste aq shumë mua, meqë nuk isha e martuar dhe nuk kisha fëmijë. Por pothuajse në çast mendova: ‘Megjithatë, ajo më përket mua. Unë jam pjesëtare e një familjeje. Unë jam bijë, motër, teze, hallë, kushërirë dhe mbesë. Kam përgjegjësi – dhe bekime – ngaqë jam pjesëtare e një familjeje. Edhe sikur të isha e vetmja pjesëtare e gjallë e familjes sime, jam ende pjesëtare e familjes së Perëndisë dhe kam përgjegjësinë të ndihmoj për forcimin e familjeve të tjera.’”
Fatmirësisht, ne nuk jemi lënë vetëm në përpjekjet tona. “Ndihma më e madhe”, thotë Motra Tompson, “që do të kemi në forcimin e familjeve, është të dimë e të ndjekim doktrinat e Krishtit dhe të mbështetemi tek Ai që të na ndihmojë.”2
Nga Shkrimet e Shenjta
Fjalët e Urta 22:6; 1 Nefi 1:1; 2 Nefi 25:26; Alma 56:46–48; Doktrina e Besëlidhje 93:40
Nga Historia Jonë
“Kur Motra Batsheba W. Smith shërbente si presidente e përgjithshme e katërt e Shoqatës së Ndihmës [nga 1901-shi deri në 1910-n], ajo pa një nevojë për të forcuar familjet dhe kështu ajo hartoi mësime për arsimimin e motrave të Shoqatës së Ndihmës. Mësimet përfshinë këshillë mbi martesën, kujdesin gjatë shtatzënisë dhe edukimin e fëmijëve. Këto mësime mbështetën mësimet e Presidentit Jozef F. Smith rreth Shoqatës së Ndihmës për të ndihmuar gratë në rolin e tyre në shtëpi:
“‘Kurdoherë që ka mosdije ose të paktën, mungesë kuptimi lidhur me familjen, detyrat e familjes, lidhur me detyrimet që duhet të ekzistojnë dhe që me të drejtë ekzistojnë midis bashkëshortëve dhe midis prindërve e fëmijëve, atëherë ekziston kjo organizatë ose është e gatshme dhe nëpërmjet indaumenteve dhe frymëzimit të natyrshëm që i përket organizatës, ato janë të përgatitura dhe të gatshme të japin udhëzim lidhur me ato detyra të rëndësishme.’”3
© 2012 nga Intellectual Reserve, Inc. Të gjitha të drejtat rezervohen. Shtypur në Gjermani. Miratuar për anglisht: 6/11. Miratuar për përkthim: 6/11. Përkthim i Visiting Teaching Message, February 2012. Albanian. 10362 101