Mesazhi i Presidencës së Parë, Shkurt 2012
Nxitini Ata të Luten
Kur isha një fëmijë i vogël, prindërit e mi më mësuan të lutem nëpërmjet shembullit. Unë fillova të përfytyroja në mendjen time një Atë Qiellor që ndodhej larg. Duke u rritur, përvoja ime me lutjen ndryshoi. Figura në mendjen time është bërë e një Ati Qiellor që ndodhet pranë, që mbulohet nga një dritë e shkëlqyer dhe që më njeh përsosmërisht.
Ai ndryshim erdhi ndërsa fitova një dëshmi të sigurt se tregimi i Jozef Smithit për përjetimin e tij në vitin 1820 në Mançester të Nju-Jorkut, është i vërtetë:
“Unë pashë një shtyllë drite tamam mbi kokën time, më e shkëlqyeshme se dielli, e cila zbriti gradualisht derisa ra mbi mua.
Sapo u shfaq ajo unë e gjeta veten time të çliruar nga armiku që më mbante të mbërthyer. Kur drita pushoi mbi mua, unë pashë dy Personazhe, shkëlqimi dhe lavdia e të cilëve i kapërcejnë të gjitha përshkrimet, duke qëndruar mbi mua në ajër. Një prej tyre më foli, duke më thirrur në emër dhe tha, duke treguar tjetrin – Ky është Biri Im i Dashur. Dëgjoje Atë! ” (Joseph Smith – Historia 1:16–17).
Ati Qiellor ishte në korije atë ditë të mrekullueshme pranvere. Ai e thirri Jozefin me emër. Dhe Ai ia prezantoi Shpëtimtarin e ringjallur të botës si “Birin e Dashur” të Tij. Kurdo dhe kudo që luteni, dëshmia juaj për realitetin e asaj përvoje të lavdishme mund t’ju bekojë.
Ati, të cilit ne i lutemi, është Perëndia i lavdishëm që krijoi botët nëpërmjet Birit të Tij të Dashur. Ai i dëgjon lutjet tona siç e dëgjoi lutjen e Jozefit – po aq qartë sikur ato të bëheshin në praninë e Tij. Ai na do ne aq sa Ai e dha Birin e Tij për të qenë Shpëtimtari ynë. Me anë të asaj dhurate Ai e bëri të mundur që ne të fitojmë pavdekësinë dhe jetën e përjetshme. Dhe Ai na jep neve, nëpërmjet lutjes në emrin e Birit të Tij, mundësinë që të komunikojmë në këtë jetë me Të aq shpesh sa duam.
Mbajtësit e priftërisë në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme kanë detyrën e shenjtë të “vizitoj[në] shtëpinë e çdo anëtari, dhe t’i nxis[in] ata të luten me zë e në fshehtësi” (DeB 20:47; theksimi shtuar).
Ka shumë mënyra për ta nxitur dikë për t’u lutur. Për shembull, ne mund të dëshmojmë se Perëndia na ka urdhëruar të lutemi gjithmonë, ose ne mund të përshkruajmë shembuj nga shkrimet e shenjta dhe nga përvoja jonë për bekimet që vijnë nga lutjet e mirënjohjes, përgjërimit dhe kërkimit. Për shembull, unë mund të dëshmoj se unë e di që Ati Qiellor u përgjigjet lutjeve. Unë kam marrë drejtim dhe ngushëllim nga fjalë që kanë ardhur në mendjen time dhe unë e di nga Shpirti se fjalët ishin nga Perëndia.
Profeti Jozef Smith pati përjetime të tilla dhe ju mundeni gjithashtu. Ai mori këtë përgjigje për një lutje të ndier me zemër:
“Biri im, paqe i qoftë shpirtit tënd; fatkeqësia jote dhe mjerimet e tua do të jenë veçse një çast i shkurtër;
Dhe atëherë, në qoftë se i duron mirë ato, Perëndia do të të lartësojë nga lart” (DeB 121:7–8).
Ajo ishte zbulesë nga një Atë i dashur për një bir besnik në dëshpërim të madh. Çdo fëmijë i Perëndisë mund të komunikojë në lutje me Të. Asnjë nxitje për t’u lutur nuk ka pasur një ndikim më të madh mbi mua sa ndjenjat e dashurisë dhe drita që vjen me përgjigjet ndaj lutjeve të përulura.
Ne fitojmë një dëshmi për secilin urdhërim të Perëndisë duke e mbajtur atë urdhërim (shih Gjoni 7:17). Kjo është e vërtetë për urdhërimin që ne të lutemi gjithmonë me zë dhe në fshehtësi. Si mësuesi dhe miku juaj, unë ju premtoj se Perëndia do t’u përgjigjet lutjeve tuaja dhe se me anë të fuqisë së Frymës së Shenjtë, ju mund ta dini vetë se përgjigjet janë prej Tij.
© 2012 nga Intellectual Reserve, Inc. Të gjitha të drejtat rezervohen. Shtypur në Gjermani. Miratuar për anglisht: 6/11. Miratuar për përkthim: 6/11. Përkthim i First Presidency Message, February 2012. Albanian. 10362 101