2012
Ndarja e Ungjillit Zemër më Zemër
shtator 2012


Mesazhi i Presidencës së Parë, Shtator 2012

Ndarja e Ungjillit Zemër më Zemër

Presidenti Henri B. Ajring

Perëndia do të bëjë që njerëzit të cilët janë të gatshëm për ta pranuar ungjillin, të takohen me shërbëtorë të Tij të përgatitur që dëshirojnë ta ndajnë atë. Ju e keni parë këtë të ndodhë në vetë jetën tuaj. Se sa shpesh ndodh kjo, varet nga përgatitja e mendjes dhe e zemrës suaj.

Unë kam një mik që lutet çdo ditë që të takojë dikë që të jetë i përgatitur për ta pranuar ungjillin. Ai mban me vete një kopje të Librit të Mormonit. Natën përpara një udhëtimi të shkurtër, ai vendosi të mos merrte një kopje të librit me vete por, në vend të tij, të mbante një kartë për shpërndarje. Por sapo u bë gati të largohej, pati një mbresë shpirtërore: “Merr një Libër Mormoni me vete”. Ai e vendosi një libër në çantë.

Kur një grua që ai e njihte, u ul pranë tij gjatë udhëtimit, ai pyeti veten: “A është kjo njeriu me të cilin duhet ta ndaj ungjillin?” Ajo udhëtoi sërish me të në rrugën e kthimit. Ai mendoi: “Si duhet ta hap temën e ungjillit?”

Në vend të kësaj, ajo i tha atij: “Ju e paguani të dhjetën në Kishën tuaj, apo jo?” Ai tha se e paguante. Ajo tha se pritej që edhe ajo ta paguante të dhjetën në Kishën e saj, por nuk e paguante. Më pas ajo pyeti: “Çfarë mund të më thoni për Librin e Mormonit?”

Ai shpjegoi se libri është një shkrim i shenjtë, një dëshmi tjetër e Jezu Krishtit, i përkthyer nga Profeti Jozef Smith. Ajo dukej e interesuar, kështu që ai zgjati dorën në çantë dhe tha: “Unë pata një mbresë se duhej ta merrja këtë libër me vete. Unë mendoj se është për ju.”

Ajo filloi ta lexonte. Kur u ndanë, ajo tha: “Ju dhe unë do të bëjmë biseda të tjera rreth kësaj”.

Ajo që miku im nuk mund ta dinte – por që Perëndia në të vërtetë e dinte – ishte se ajo po kërkonte një kishë. Perëndia e dinte se ajo e kishte parë mikun tim dhe kishte pyetur veten pse Kisha e tij e bënte atë aq të lumtur. Perëndia e dinte se ajo do të pyeste rreth Librit të Mormonit dhe se do të ishte e gatshme të merrte mësime nga misionarët. Ajo ishte e përgatitur. Kështu ishte dhe miku im. Ju dhe unë mund të jemi të përgatitur gjithashtu.

Përgatitja që na duhet, është në mendjen dhe zemrën tonë. Gruaja i kishte dëgjuar dhe i kishte mbajtur mend fjalët për Librin e Mormonit, për Kishën e rivendosur të Zotit dhe për urdhërimin e pagimit të së dhjetës ndaj Perëndisë. Dhe ajo i kishte ndier fillesat e një dëshmie të së vërtetës në zemër.

Zoti ka thënë se Ai do t’ia zbulojë të vërtetën mendjes dhe zemrës sonë nëpërmjet Frymës së Shenjtë (shih DeB 8:2). Shumica e njerëzve që do të takoni, e kanë pasur fillimin e asaj përgatitjeje. Ata kanë dëgjuar ose kanë lexuar rreth Perëndisë dhe fjalës së Tij. Nëse zemrat e tyre janë zbutur mjaftueshëm, ata kanë ndier, sado të vagullt, një vërtetim të së vërtetës.

Gruaja ishte e përgatitur. Kështu ishte edhe miku im, shenjtori i ditëve të mëvonshme që kishte studiuar Librin e Mormonit. Ai kishte ndier një dëshmi se ai ishte i vërtetë dhe ai e dalloi drejtimin nga Shpirti që të merrte një kopje me vete. Ai ishte i përgatitur në mendjen dhe zemrën e tij.

Perëndia është duke përgatitur njerëz që ta pranojnë dëshminë tuaj për të vërtetën e rivendosur. Ai kërkon besimin tuaj e më pas veprimin tuaj që ta ndani pa frikë atë që është bërë kaq e çmuar për ju dhe për njerëzit që doni.

Përgatituni që ta ndani atë duke e mbushur mendjen tuaj çdo ditë me të vërtetat e ungjillit. Ndërsa i mbani urdhërimet dhe i nderoni besëlidhjet tuaja, ju do ta ndieni dëshminë e Shpirtit dhe do të ndieni më shumë nga dashuria e Shpëtimtarit për ju dhe për ata që takoni.

Nëse e bëni pjesën tuaj, ju do ta keni gjithnjë e më shumë përvojën e ëmbël të takimit të njerëzve që janë të përgatitur për ta dëgjuar dëshminë tuaj të së vërtetës – të dhënë personalisht nga zemra juaj tek e tyrja.

Mësimdhënia nga Ky Mesazh

Mbani parasysh ta lexoni mesazhin me familjen dhe të diskutoni për paragrafin e parafundit, ku Presidenti Ajring diskuton rreth mënyrave për t’i forcuar dëshminë dikujt. Diskutoni me familjen për rëndësinë e dhënies së dëshmisë kur ndajmë ungjillin. Fëmijëve të familjes mund t’iu vijë në ndihmë interpretimi i roleve mbi mënyrën se si të japin dëshmi përpara miqve.