2012
Vigjilja e Përsosur e Krishtlindjes
dhjetor 2012


Rinia

Vigjilja e Përsosur e Krishtlindjes

Kur po rritesha, një nga çastet më të mira të çdo viti ishte Vigjilja e Krishtlindjes. Familja ime dhe unë bënim pica, shkonim të këndonim këngë Krishtlindjeje shtëpi më shtëpi dhe më pas mblidheshim për një takim shpirtëror për Krishtlindjen. Ne i këndonim himnet në një harmoni të lëkundshme katërpjesëshe dhe i luanim me zë të lartë këngët tona të Krishtlindjes në kombinimin tonë të veçantë të veglave muzikore. Babi gjithmonë e mbyllte mbrëmjen me një mendim Krishtlindjeje, që gjithmonë na linte në lotë gëzimi. Jeta s’mund të ishte më e mirë se në Vigjiljen e Krishtlindjes.

Kur isha pak më e madhe, mami filloi të kujdesej për një fqinjë të vogël, Kellin. Kelli vinte në shtëpinë tonë çdo ditë pas shkolle, ndërkohë që e ëma e saj Pati, punonte. Kelli më ndiqte gjithandej si një qenushe – e zhurmshme dhe në nevojë. Ishte përherë një lehtësim kur Pati e merrte të bijën dhe e linte shtëpinë dhe familjen time në paqe.

Një dhjetor, unë u tmerrova kur mami i ftoi Patin dhe Kellin të bashkoheshin me ne për Vigjiljen e Krishtlindjes. Për Vigjiljen Time të Krishtlindjes. Mami buzëqeshi dhe më siguroi: “Nuk ka për të ndryshuar asgjë”. Por unë e dija se kjo do t’i ndryshonte gjërat. Ato do të hanin gjithë picën tonë. Kelli do të tallej me këndimin tonë. Unë prisja dhe e pranova që do të ishte Vigjilja më e shëmtuar e Krishtlindjes.

Kur erdhi mbrëmja, Pati dhe Kelli u bashkuan me ne dhe ne folëm, qeshëm dhe kënduam. Mami kishte pasur të drejtë. Ishte e përsosur. Në mesnatë, ato na falënderuan dhe ikën me gjysmë zemre. Shkova në shtrat me zemrën plot gëzim e mirënjohje. Zbulova se në të vërtetë, dhuratat e çmuara të Krishtlindjes nuk pakësohen kur ndahen me të tjerët. Përkundrazi, ato ëmbëlsohen dhe shumëfishohen kur ne i dhurojmë.