Mesazhi i Presidencës së Parë, Dhjetor 2012
Rizbulimi i Shpirtit të Krishtlindjes
Vite më parë, kur isha misionar i ri, u thirra me të tjerë në një spital në Solt-Lejk-Siti për të dhënë bekime për fëmijët e sëmurë. Sapo hymë, ne vumë re një pemë Krishtlindjeje me dritat e saj të shndritshme e miqësore dhe pamë pako të mbështjella me kujdes nën degët e saj të zgjatura. Pastaj kaluam nëpër korridore ku djem e vajza të vogla – disa me allçi në një krah apo këmbë, të tjerë me sëmundje që ndoshta nuk mund të shëroheshin aq lehtë – na përshëndetën me fytyra të buzëqeshura.
Një djalë i vogël, i sëmurë rëndë më thërriti: “Si e ke emrin?”
I thashë emrin tim dhe ai më pyeti: “A do të më japësh një bekim?”
E mori bekimin dhe ndërsa u kthyem për t’u larguar nga ana e shtratit të tij, ai tha: “Ju faleminderit shumë”.
Ne hodhëm disa hapa dhe më pas e dëgjova atë të thërriste: “Oh, Vëllai Monson, Gëzuar Krishtlindjen”. Më pas një buzëqeshje e madhe ia ndriçoi shprehinë e fytyrës.
Ai djalë kishte shpirtin e Krishtlindjes. Shpirti i Krishtlindjes është diçka që unë shpresoj se të gjithë ne do ta kemi brenda zemrave tona dhe brenda jetës sonë – jo vetëm në këtë stinë të veçantë, por edhe gjatë gjithë vitit.
Kur kemi shpirtin e Krishtlindjes, ne kujtojmë Atë, lindjen e të cilit përkujtojmë në këtë stinë të vitit: “Sepse sot në qytetin e Davidit lindi për ju një Shpëtimtar, që është Krishti, Zoti” (Lluka 2:11).
Në kohën tonë, shpirti i të dhënit të dhuratave luan një rol të madh në përkujtimin e stinës së Krishtlindjes. Vras mendjen nëse ne mund të përfitojmë po ta pyesim veten: Çfarë dhuratash do të donte Zoti që unë t’i jepja Atij ose të tjerëve në këtë stinë të çmuar të vitit?
Mund të sugjeroj se Ati ynë Qiellor do të dëshironte që secili prej nesh t’i jepte Atij dhe Birit të Tij dhuratën e bindjes. Unë ndiej gjithashtu se Ai do të na kërkonte neve të jepnim nga vetja jonë dhe të mos jemi egoistë apo lakmitarë ose grindavecë, ashtu siç sugjeron Biri i Tij i çmuar në Librin e Mormonit:
“Në të vërtetë, në të vërtetë, unë ju them juve se ai që ka shpirtin e grindjes nuk është i imi, por është i djallit i cili … i nxit zemrat e njerëzve, që të grinden me zemërim me njëri-tjetrin.
Vini re, kjo nuk është doktrina ime, që të nxis zemrat e njerëzve në zemërim, njëri kundër tjetrit; por, doktrina ime është kjo, që gjëra të tilla duhet të zhduken” (3 Nefi 11:29–30).
Në këtë periudhë të mrekullueshme ungjillore të plotësisë së kohërave, mundësitë tona për të dashur dhe për të dhënë nga vetja janë me të vërtetë pa fund, por ato gjithashtu humbasin. Sot ka zemra për t’u gëzuar, fjalë të mira për t’u thënë, vepra për t’u kryer dhe shpirtra për t’u shpëtuar.
Dikush që kishte depërtim të fortë në shpirtin e Krishtlindjes shkroi:
Unë jam Shpirti i Krishtlindjes –
Unë hyj në shtëpinë e varfërisë, duke bërë që fëmijët me fytyra të zbehura t’i hapin sytë e tyre shumë, në habi të kënaqshme.
Unë i bëj duart e shtrënguara të lakmitarit të qetësohen dhe kështu “pikturoj” një vend të shndritshëm në shpirtin e tij.
Unë i bëj të moshuarit të përtërijnë rininë e tyre dhe të qeshin si dikur.
Unë e mbaj romancën gjallë në zemrën e fëmijërisë dhe e ndriçoj gjumin me ëndrra të endura me magji.
Unë i bëj këmbët e paduruara që të ngjisin shkallë të errëta për të dhënë ndihma, duke lënë prapa zemra të mahnitura nga mirësia e botës.
Unë e bëj dorëlëshuarin të ndalet për një moment në mënyrën e tij të shfrenuar e prishëse dhe t’i dërgojë një njeriu të dashur në ankth ca dhurata të vogla që sjellin lotë gëzimi – lotë që lajnë vijat e thella të hidhërimit.
Unë hyj në qelitë e errëta të burgut, duke i kujtuar njerëzimit të shenjuar se si mund të kishte qenë ndryshe dhe duke i drejtuar nga e ardhmja për ditët e mira që do të vijnë.
Unë vij butësisht, në shtëpinë e qetë, të bardhë të dhembjes dhe buzët që janë shumë të pafuqishme për të folur thjesht dridhen në mirënjohje të heshtur e shprehëse.
Në mijëra mënyra, unë i bëj të lodhurit të shohin lart për te fytyra e Perëndisë dhe për një moment t’i harrojnë gjërat që janë të vogla dhe fatkeqe.
Unë jam Shpirti i Krishtlindjes.1
E zbuloftë secili prej nesh përsëri shpirtin e Krishtlindjes – madje Shpirtin e Krishtit.
© 2012 nga Intellectual Reserve, Inc. I rezervohen të gjitha të drejtat. Shtypur në SHBA. Miratuar për anglisht: 6/11. Miratuar për përkthim: 6/11. Përkthim i First Presidency Message, December 2012. Albanian. 10372 101