2012
Vizita Mësimore, një Punë për Shpëtim
dhjetor 2012


Mesazhi i Vizitave Mësimore, Dhjetor 2012

Vizita Mësimore, një Punë për Shpëtim

Studiojeni këtë material plot lutje dhe, si të jetë e përshtatshme, diskutojeni atë me motrat që vizitoni. Përdorini pyetjet për t’ju ndihmuar të forconi motrat tuaja dhe për ta bërë Shoqatën e Ndihmës një pjesë aktive të vetë jetës suaj.

Pamja
Logoja e Shoqatës së Ndihmës

Besim, Familje, Ndihmë

Vizita mësimore u jep grave mundësinë të kujdesen, ta forcojnë dhe mësojnë njëra-tjetrën – është me të vërtetë një punë për shpëtim. Nëpërmjet vizitave mësimore, motrat shërbejnë në emër të Shpëtimtarit dhe ndihmojnë në përgatitjen e grave për bekimet e jetës së përjetshme.

“Ne duhet ‘të paralajmëroj[m]ë, të sqaroj[m]ë, të këshilloj[m]ë e të japi[m] mësim dhe t’i ftoj[m]ë [të tjerët] të vijnë te Krishti’ (DeB 20:59), sikurse thotë Zoti në zbulesat e tij”, tha Presidenti Spenser W. Kimball (1895–1985). Më tej, ai tha: “Dëshmia juaj është një mjet fantastik komunikimi”1.

Kur ne si mësuese vizitore e rrisim njohurinë tonë mbi të vërtetat e ungjillit, dëshmitë tona i forcojnë dhe i mbështesin motrat që po përgatiten për t’u pagëzuar e për t’u konfirmuar. Ne i ndihmojmë anëtarët e reja të hedhin spirancën në ungjill. Vizitat dhe dashuria jonë ndihmojnë për t’i “rifituar ata që kanë humbur [dhe] për t’i ngrohur zemrat e atyre që janë ftohur në ungjill”2. Dhe ne i nxisim motrat që të vijnë tek Krishti nëpërmjet frekuentimit të tempullit.

“Ju do të shpëtoni shpirtra”, u tha Presidenti Kimball mësueseve vizitore, “dhe kush nuk mund të thotë se shumë prej njerëzve të shkëlqyer aktivë në Kishë sot janë aktivë sepse ju ishit në shtëpitë e tyre dhe u dhatë atyre një botëkuptim të ri, një përfytyrim të ri. Ju ua hoqët perden e gjërave që nuk i dinin e nuk i kuptonin. Ju ua zgjeruat horizontin. …

E shihni, ju nuk jeni thjesht duke i shpëtuar këto motra, por ndoshta edhe bashkëshortët dhe shtëpitë e tyre.”3

Nga Shkrimet e Shenjta

Doktrina e Besëlidhje 20:59; 84:106; 138:56

Nga Historia Jonë

Kur Profeti Jozef Smith e organizoi Shoqatën e Ndihmës, ai tha se gratë nuk duhej të kujdeseshin vetëm për të varfrit, por duhej të shpëtonin edhe shpirtra. Ai gjithashtu dha mësim se gratë në Kishë luajnë role thelbësore në planin e shpëtimit të Atit Qiellor.4 Të drejtuara nga parimet e dhëna mësim nga Profeti Jozef Smith, ne si motra në Shoqatën e Ndihmës mund të punojmë së bashku për t’i përgatitur gratë dhe familjet e tyre për bekimet më të mëdha të Perëndisë.

“Le të kemi dhembshuri për njëri-tjetrin”, tha Presidenti Brigam Jang (1801–1877), “dhe [ata që janë] të fortë le t’i ushqejnë me ëmbëlsi të dobëtit që të marrin forcë dhe ata që munden të shikojnë le t’i drejtojnë të verbërit derisa ata të mund ta shohin rrugën vetë.”5

Shënime

  1. Spencer W. Kimball, në Daughters in My Kingdom: The History and Work of Relief Society (2011), f. 116.

  2. Eliza R. Snow, në Daughters in My Kingdom, f. 83.

  3. Spencer W. Kimball, në Daughters in My Kingdom, f. 117.

  4. Shih Joseph Smith, në Daughters in My Kingdom, f. 171–172.

  5. Brigham Young, në Daughters in My Kingdom, f. 107.

Çfarë Mund të Bëj Unë?

  1. Si më përgatit Shoqata e Ndihmës për bekimet e jetës së përjetshme?

  2. Çfarë mund të bëj për të rritur besimin e atyre për të cilat kujdesem?

Shtyp në Letër