Mesazhi i Presidencës së Parë, Mars 2014
Shërbimi dhe Jeta e Përjetshme
Shpëtimtari është shembulli ynë i shërbimit vetëmohues. Jeta e Tij e përkryer iu përkushtua shërbimit ndaj Atit Qiellor dhe të gjithë fëmijëve të Atit të Tij. Qëllimi i përbashkët i Atit dhe Birit është të na japin të gjithëve dhuratën e pavdekësisë dhe bekimin e jetës së përjetshme (shih Moisiu 1:39).
Për t’u cilësuar për jetën e përjetshme, ne duhet të ndryshohemi përmes Shlyerjes së Jezu Krishtit – të lindemi sërish dhe të pastrohemi nga mëkati. Megjithatë, fëmijët e vegjël nën moshën tetë vjeç janë pa mëkat dhe shëlbohen përmes Shlyerjes (shih Mosia 3:16, 21; Moroni 8:10–12).
Për të gjithë ne që arrijmë moshën e përgjegjshmërisë, ka një plan të mrekullueshëm që na lejon të pastrohemi nga mëkati dhe të përgatitemi për jetën e përjetshme. Ajo përgatitje fillon me pagëzimin me anë të autoritetit të priftërisë dhe marrjen e Frymës së Shenjtë. Pastaj duhet ta kujtojmë gjithnjë Shpëtimtarin dhe t’i mbajmë urdhërimet që Ai na ka dhënë.
Mbreti Beniamin i tregoi popullit të tij në Librin e Mormonit për gëzimin që vjen nga të ndierit e faljes nga mëkati përmes Shlyerjes së Jezu Krishtit. Më pas ai u mësoi atyre se, që të merrnin një heqje të mëkateve të tyre, ata duhet t’u mësonin fëmijëve të tyre t’i shërbenin njëri-tjetrit dhe duhet të ishin aq bujarë sa të mundeshin për t’i përmbushur nevojat materiale dhe shpirtërore të njerëzve përreth tyre. (Shih Mosia 4:11–16.)
Ai u mësoi gjithashtu: “Dhe vini re, unë jua them këto gjëra që ju të mund të mësoni urtësi; që ju të mund të mësoni se kur jeni në shërbimin e bashkëqenieve tuaja, ju jeni vetëm në shërbimin e Perëndisë tuaj” (Mosia 2:17).
Jezusi e përshkoi vendin duke u mësuar njerëzve ungjillin e Tij dhe duke bërë mirë (shih Veprat e Apostujve 10:38). Ai shëroi të sëmurët. Ai ngriti të vdekurit. Me fuqinë e Tij ushqeu mijëra njerëz kur qenë të uritur e pa ushqim (shih Mateu 14:14–21; Gjoni 6:2–13). Pas Ringjalljes së Tij, Ai u dha ushqim disa prej Apostujve të Tij teksa dilnin buzë bregut të Detit të Galilesë (shih Gjoni 21:12–13). Në kontinentin amerikan, Ai shëroi të sëmurët dhe i bekoi fëmijët një e nga një (shih 3 Nefi 17:7–9, 21).
Apostulli Jakob na mësoi se si dëshira për t’u shërbyer të tjerëve buron nga mirënjohja jonë për atë që Zoti ka bërë për ne:
“Ndërsa ai që do të shikojë me vemendje ligjin e përsosur, i cili është ligji i lirisë, dhe ngulmon në të, duke mos qenë një dëgjues harraq, por një bërës i veprës, ai do të jetë i lumtur në veprimtarinë e vet. …
Feja e pastër dhe pa njollë përpara Perëndisë dhe Atit është kjo: të vizitosh jetimët dhe të vejat në pikëllimet e tyre dhe ta ruash veten të pastër nga bota” (Jakobi 1:25, 27).
Një nga siguritë që ju po pastroheni, është një dëshirë gjithnjë e më e madhe për t’u shërbyer të tjerëve për Shpëtimtarin. Mësimi i shtëpisë dhe vizitat mësimore bëhen më tepër gëzim dhe më pak një detyrë. Ju e gjeni veten duke dalë vullnetarë më shpesh në një shkollë vendore ose në një qendër ndihme për të varfrit në komunitetin tuaj. Edhe pse mund të mos keni aq para sa t’u jepni atyre që kanë më pak, ju dëshironi të kishit më tepër që të mund të jepnit më tepër (shih Mosia 4:24). Ju e gjeni veten të etur për t’u shërbyer fëmijëve tuaj dhe për t’iu treguar atyre si t’u shërbejnë të tjerëve.
Ndërkohë që natyra juaj ndryshon, do të ndieni dëshirë për të dhënë më tepër shërbim pa ua ditur dikush. Njoh dishepuj të Shpëtimtarit që kanë dhënë dhurata të mëdha parash e shërbimi me vendosmërinë se askush përveç Perëndisë dhe fëmijëve të tyre nuk do të dinte gjë për këtë. Perëndia ua ka njohur shërbimin duke i bekuar në këtë jetë dhe Ai do t’i bekojë ata në jetën e përjetshme që do të vijë (shih Mateu 6:1–4; 3 Nefi 13:1–4).
Teksa e keni mbajtur urdhërimin për t’u shërbyer të tjerëve (shih Mateu 22:39), keni ndier një ndryshim në ndjenjat tuaja të krenarisë. Shpëtimtari i korrigjoi Apostujt e Tij kur ata debatuan rreth faktit se cili do të ishte më i madhi mes tyre. Ai tha:
“As mos lejoni që t’ju quajnë udhëheqës, sepse vetëm një është udhëheqësi juaj: Krishti.
Dhe më i madhi prej jush le të jetë shërbëtori juaj” (Mateu 23:10–11).
Shpëtimtari na tregon si mund të mësojmë t’u shërbejmë të tjerëve. Ai shërbeu përsosmërisht dhe ne duhet të mësojmë të shërbejmë ashtu sikurse mësoi Ai – rresht pas rreshti (shih DeB 93:12–13). Nëpërmjet shërbimit që japim, ne mund të bëhemi më tepër si Ai. Ne duhet të lutemi me të gjithë fuqinë e zemrës tonë për t’i dashur armiqtë tanë ashtu sikurse Ai i do ata (shih Mateu 5:43–44; Moroni 7:48). Atëherë ne mundemi më në fund të bëhemi të përshtatshëm për jetën e përjetshme me Të dhe Atin tonë Qiellor.
Unë premtoj se ne mund të arrijmë të shërbejmë më përsosmërisht kur ndjekim mësimet dhe shembullin e Shpëtimtarit.
© 2014 nga Intellectual Reserve, Inc. I rezervohen të gjitha të drejtat. Shtypur në SHBA. Miratuar për anglisht: 6/13. Miratuar për përkthim: 6/13. Përkthim i First Presidency Message, March 2014. Albanian. 10863 101