Profile të Të Rinjve në Moshë Madhore
Kthim në Besim dhe Sakrificë në Finlandë
Çfarë do të thotë të jesh një i ri në moshë madhore besnik në Finlandë? Një i ri tregon për kulturën e tij dhe besimin e tij fetar.
Pak kilometra larg nga bregdeti i Helsinkit në Finlandë është fortesa detare e Suomenlinës, e ndërtuar në shekullin e 18-të, për t’u mbrojtur nga pushtuesit. Duke u shtrirë përmes gjashtë ishujve, kjo kështjellë përfaqëson vendosmërinë e paepur të popullit finlandez.
Por anëtarët finlandezë vizitojnë një ndërtesë të ndryshme kur udhëtojnë drejt kryeqytetit të tyre. Tempulli i Helsinkit në Finlandë është një simbol fizik i kthimit të tyre në besim dhe i mbrojtjes që marrin nga të jetuarit e ungjillit.
Për Nilo Kervinen, një të ri 24-vjeçar nga Rovaniemi në Finlandë, udhëtimi me tren për 10 orë për në Helsinki është një çmim i vogël për t’u paguar për bekimin e të shërbyerit në tempull.
Përpara përkushtimit të Tempullit të Helsinkit në Finlandë në tetor 2006, Nilo dhe anëtarë të tjerë të lagjes së tij, duhej të udhëtonin për tek Tempulli i Stokholmit në Suedi ose për tek tempulli i Kopenhagës në Danimarkë. “Zakonisht, udhëtimet zgjatnin një javë gjatë pushimeve të verës”, kujton ai. Rruga e bërë me autobus dhe fjetja në tenda në ato udhëtime janë disa nga kujtimet më të mira që ka ai.
Prapëseprapë, të pasurit e një tempulli në tokën e tij amtare është një bekim i mrekullueshëm. “Kur e njoftuan tempullin e Helsinkit, unë isha kaq i lumtur”, thotë Nilo. “Lutja përkushtuese ende më tingëllon në zemër çdo herë që hyj brenda.”
Kjo dashuri për tempullin e veçon Nilon nga miqtë e tij. “Finlandezët punojnë shumë dhe u pëlqen të jenë aktivë, por lënë pak kohë për gjëra shpirtërore në jetën e tyre”, shpjegon ai. Edhe pse Nilo thotë se ai gjithmonë është bekuar me miq të mirë, ndërsa rritej, dallimi midis mënyrës se si jetonin miqtë e tij dhe se si u mësua ai të jetonte, u bë më i qartë. Ishte ky ndryshim që e bëri Nilon të kërkonte dëshminë e vet kur ishte 17 vjeç. “Duhej të merrja një vendim se ku të qëndroja dhe se cili të isha”, thotë ai. “Me bekimet e Zotit dhe me udhërrëfimin e familjes dhe të miqve të mirë, unë mora një dëshmi më të fortë për Kishën.”
Duke folur për kthimin në besim, Plaku Dejvid A. Bednar, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, ka thënë: “Unë ju premtoj se, ndërsa vijmë te njohuria e së vërtetës dhe kthehemi në besim te Zoti, ne do të mbetemi të vendosur e të paepur dhe nuk do të heqim dorë kurrë nga besimi ynë”1. Edhe pse udhëtimi për në Helsinki kërkon kohë dhe para, Nilo është i zotuar për të qenë një dishepull i Krishtit. Dhe për Nilon, ajo nuk është aspak sakrificë.