Mbusheni Botën me Dashurinë e Krishtit
Kur mendojmë për Krishtlindjen, ne shpesh mendojmë për dhënien dhe marrjen e dhuratave. Dhuratat mund të jenë pjesë e një tradite të dashur, por ato gjithashtu mund të na shpërqendrojnë nga dinjiteti i thjeshtë i kësaj periudhe dhe të na shkëputin nga festimi i lindjes së Shpëtimtarit tonë në një mënyrë kuptimplotë.
E di nga përvoja vetjake se Krishtlindjet më të paharrueshme mund të jenë ato që janë më të thjeshtat. Dhuratat e fëmijërisë sime sigurisht që ishin të pakta sipas standardeve të sotme. Ndonjëherë unë merrja një këmishë të rregulluar ose një palë dorashkash apo çorapesh. Kujtoj një Krishtlindje të veçantë kur vëllai im më dha një thikë të drunjtë që e kishte gdhendur vetë.
Nuk nevojiten dhurata të shtrenjta për ta bërë kuptimplote Krishtlindjen. Më kujtohet një ndodhi që e ka treguar Plaku Glen L. Rud, i cili shërbeu si anëtar i Të Shtatëdhjetëve nga viti 1987 deri në 1992. Një ditë para Krishtlindjes shumë vite më parë, kur administronte një magazinë peshkopi, ai mësoi prej një udhëheqësi kishtar, për një familje në nevojë që kishte ardhur në qytet kohët e fundit. Kur shkoi të vizitonte apartamentin e tyre të vogël, ai zbuloi një nënë të re beqare me katër fëmijë të vegjël nën moshën 10 vjeç.
Nevojat e familjes ishin kaq të mëdha saqë nëna nuk mund të blinte gostitje ose dhurata për fëmijët e saj atë Krishtlindje – madje nuk mund të blinte as edhe një pemë. Vëllai Rud foli me familjen dhe mësoi se tri vajzat e vogla do të dëshironin shumë një kukull ose një kafshë pelushi. Kur e pyeti birin gjashtëvjeçar se çfarë dëshironte, djali i vogël dhe i uritur u përgjigj: “Do të doja një tas bollgur”.
Vëllai Rud i premtoi bollgur djalit të vogël dhe ndoshta diçka tjetër. Pastaj shkoi te magazina e peshkopit dhe mblodhi ushqime e furnizime të tjera për të plotësuar nevojat më urgjente të familjes.
Pikërisht atë mëngjes, një shenjtor bujar i ditëve të mëvonshme i kishte dhënë atij 50 dollarë “për dikë në nevojë”. Duke përdorur atë dhurim, Vëllai Rud u veshi palltot tre prej fëmijëve të tij dhe shkuan për të bërë blerje për Krishtlindje – fëmijët e tij duke përzgjedhur lodra për fëmijët në nevojë.
Pasi e mbushën makinën me ushqim, veshje, dhurata, një pemë Krishtlindjeje dhe disa zbukurime, Rudët shkuan me makinë tek apartamenti i familjes. Atje ata ndihmuan nënën dhe fëmijët e saj për të përgatitur pemën. Pastaj ata vendosën dhurata nën të dhe i dhanë djalit të vogël një kuti të madhe me bollgur.
Nëna qau, fëmijët u gëzuan dhe të gjithë ata kënduan një këngë Krishtlindjeje. Atë natë, teksa familja Rud u mblodh për darkë, ata falënderuan që mund t’i sillnin pak gazmend Krishtlindjeje një familjeje tjetër dhe mund të ndihmonin një djalë të vogël të merrte një tas me bollgur.1
Krishti dhe Shpirti i Dhënies
Mendoni për mënyrën e thjeshtë, por dhe dinjitoze që zgjodhi Ati ynë Qiellor për të nderuar lindjen e Birit të Tij. Në atë natë të shenjtë, engjëjt nuk iu shfaqën të pasurve, por barinjve. Krishti foshnjë nuk lindi në një shtëpi të madhe, por në një koritë. Ai nuk u mbështoll me mëndafsh, por me pelena të thjeshta.
Thjeshtësia e asaj Krishtlindjeje të parë kumtoi jetën e Shpëtimtarit. Ndonëse Ai kishte krijuar tokën, kishte ecur në mbretëritë e madhështisë e të lavdisë dhe kishte ndenjur në anën e djathtë të Atit, Ai erdhi në tokë si një foshnjë e pambrojtur. Jeta e tij qe model i fisnikërisë së thjeshtë dhe Ai eci mes të varfërve, të sëmurëve, të dëshpëruarve dhe të rënduarve.
Ndonëse ishte mbret, Ai nuk u kujdes as për nderimet as për pasuritë e njerëzve. Jeta e Tij, fjalët e Tij dhe veprimtaritë e Tij të përditshme qenë përmendore të një dinjiteti të thjeshtë, por edhe të thellë.
Jezusi, Krishti, që dinte përsosmërisht si të jepte, dha për ne modelin e dhënies. Atyre, zemrat e të cilëve janë të rënduara nga vetmia dhe hidhërimi, Ai u sjell dhembshuri dhe ngushëllim. Atyre, trupat dhe mendjet e të cilëve janë vrerosur nga sëmundja dhe vuajtja, Ai u sjell dashuri dhe shërim. Atyre, shpirtrat e të cilëve janë rënduar nga mëkati, Ai u ofron shpresë, falje dhe shëlbim.
Nëse Shpëtimtari do të ishte mes nesh sot, ne do ta gjenim Atë atje ku qe gjithmonë – duke u shërbyer të butëve, të dëshpëruarve, të përulurve, të shqetësuarve dhe të varfërve shpirtërisht. Gjatë kësaj periudhe Krishtlindjeje dhe gjithmonë, i dhënshim Atij duke dashur ashtu si Ai do. Kujtofshim dinjitetin e përulur të lindjes, dhuratave dhe jetës së Tij. Dhe përmes veprimeve të thjeshta të mirësisë, mirëbërësisë dhe dhembshurisë e mbushëshim botën me dritën e dashurisë dhe fuqisë së Tij shëruese.
© 2014 nga Intellectual Reserve, Inc. I rezervohen të gjitha të drejtat. Shtypur në SHBA. Miratuar për anglisht: 6/14. Miratuar për përkthim: 6/14. Përkthim i First Presidency Message, December 2014. Albanian. 10872 101