Mesazhi i Vizitave Mësimore, Dhjetor 2014
Misioni Hyjnor i Jezu Krishtit: Princi i Paqes
Studiojeni këtë material me lutje dhe kërkoni të dini se çfarë të tregoni. Në ç’mënyrë të kuptuarit e jetës dhe roleve të Shpëtimtarit do ta rritë besimin tuaj tek Ai dhe do t’i bekojë ato për të cilat kujdeseni nëpërmjet vizitës mësimore? Për më tepër informacion, shih te reliefsociety.lds.org.
“Shpëtimtari është burimi i paqes së vërtetë”, tha Plaku Kuentin L. Kuk, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. “Madje edhe me sprovat e jetës, në saje të Shlyerjes së Shpëtimtarit dhe të hirit të Tij, jetesa e drejtë do të shpërblehet me paqe vetjake.”1 Të kuptuarit se Jezu Krishti është Princi i Paqes mund të na ndihmojë të gjejmë paqe të brendshme dhe ta rritim besimin tonë tek Ai.
Jezu Krishti tha: “Jua kam thënë këto gjëra, që ta keni paqen në mua; në botë do të keni mundime, por merrni zemër, unë e munda botën” (Gjoni 16:33). Duke dhënë dëshmi për atë të vërtetë, Linda S. Rivs, këshilltare e dytë në presidencën e përgjithshme të Shoqatës së Ndihmës, tha: “Zoti ka qenë i mëshirshëm me mua dhe ka ndihmuar që barrët e mia të bëhen të lehta. Ai më ka ndihmuar të ndiej paqe të madhe.”2
Plaku Riçard G. Skot, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim: “Vendi i përsosur për … paqe është brenda mureve të vetë shtëpive tona, ku ne kemi bërë gjithçka mundemi për ta bërë Zotin Jezu Krisht përqendrimin kryesor.”3
Shkrime të Shenjta të Tjera
Isaia 9:6; Lluka 2:14; Gjoni 14:27; 1 Nefi 13:37; Doktrina e Besëlidhje 59:23
Nga Shkrimet e Shenjta
Isaia profetizoi për lindjen e Jezu Krishtit, Princit të Paqes (shih Isaia 9:6). Në Amerikë, Samuel Lamaniti tregoi për shenjat që do ta shoqëronin lindjen e Krishtit pesë vite më vonë (shih Helamani 14:3, 5). Ndërsa afrohej dita e profetizuar, mosbesuesit kërcënuan se do t’i ekzekutonin të gjithë të krishterët nëse ato shenja nuk do të ndodhnin. Profeti Nefi “iu lut Zotit atë ditë me fuqi; dhe vini re, zëri i Zotit i erdhi, duke thënë: … Nesër unë do të vij në këtë botë” (3 Nefi 1:12–13). Shenjat u shfaqën dhe, me lindjen e Krishtit, “njerëzit filluan të kishin përsëri paqe në tokë” (vargu 23).
Në Bethlehem, Maria “lindi djalin e saj të parëlindur, e mbështolli me pelena dhe e vendosi në një grazhd” (Lluka 2:7).
© 2014 nga Intellectual Reserve, Inc. I rezervohen të gjitha të drejtat. Shtypur në SHBA. Miratuar për anglisht: 6/14. Miratuar për përkthim: 6/14. Përkthim i Visiting Teaching Message, December 2014. Albanian. 10872 101