Mesazhi i Vizitave Mësimore, gusht 2015
Tiparet Hyjnore të Jezu Krishtit: I Bindur dhe i Përulur
Studiojeni këtë material me lutje dhe kërkoni të dini se çfarë të tregoni. Në ç’mënyrë të kuptuarit e jetës dhe roleve të Shpëtimtarit do ta rritë besimin tuaj tek Ai dhe do t’i bekojë ato për të cilat kujdeseni nëpërmjet vizitës mësimore? Për më tepër informacion, shkoni te reliefsociety.lds.org.
Jezusi tha: “Më i madhi ndër ju le të jetë si më i vogli dhe ai që drejton si ai që shërben. Në fakt kush është më i madh: ai që është në tryezë apo ai që shërben? Vallë, a s’është ai që rri në tryezë? E pra, unë jam midis jush porsi ai që shërben” (Lluka 22:26–27).
“Shpëtimtari është shembulli ynë suprem i fuqisë së përulësisë dhe nënshtrimit. Në fund të fundit, qe nënshtrimi i vullnetit të Tij ndaj Atit që solli ngjarjen më të madhërishme dhe madje më të fuqishmen në të gjithë historinë. Ndoshta disa nga fjalët më të shenjta në të gjithë shkrimin e shenjtë janë thjesht: ‘Mos u bëftë vullneti im, por yti’ (Lluka 22:42).”1
Si dishepuj të Jezu Krishtit, ne përherë synojmë të jemi si Ai. “Bindja është jetike që të bëhemi më shumë si Krishti”, tha Plaku Ulises Soaresh, i Të Shtatëdhjetëve. “Pa të ne nuk do të jemi në gjendje të zhvillojmë virtyte të tjera të rëndësishme. Të jesh i bindur nuk do të thotë dobësi, por do të thotë të sillesh me mirësi dhe ëmbëlsi, duke treguar forcë, qartësi, vetëvlerësim të shëndetshëm dhe vetëkontroll.”2 Ndërsa punojmë për ta zhvilluar këtë tipar, ne do të zbulojmë se “nënshtrimi i vullnetit tonë ndaj Atit me përulësi na sjell fuqizimin e Perëndisë – fuqinë e përulësisë. Ajo është fuqia për të përballuar fatkeqësitë e jetës, fuqia e paqes, fuqia e shpresës, fuqia e një zemre që rreh me dashuri dhe dëshmi për Shpëtimtarin Jezu Krisht, madje fuqia e shëlbimit.”3
Shkrime të Shenjta Shtesë
Nga Shkrimet e Shenjta
Një prej çasteve më të ëmbla e më të fuqishme të shërbesës së Krishtit ishte kur Ai u lau këmbët dishepujve të Tij. “U ngrit nga darka dhe hoqi rrobat e tij, mori një peshqir dhe u ngjesh. Mbasi hodhi ujë në një legen, filloi të lante këmbët e dishepujve dhe t’ua fshijnte me peshqirin, me të cilin ishte ngjeshur” (Gjoni 13:4–5).
Teksa Shpëtimtari e paraqiti këtë ordinancë, dishepujt mund të jenë tronditur që Zoti dhe Mësuesi i tyre u gjunjëzua para tyre dhe kreu një shërbim kaq zemërbutë. Jezusi pastaj i shpjegoi mësimet që Ai donte që ata dhe ne të gjithë të mësonim:
“Në qoftë se unë, Zoti dhe Mësuesi, ju kam larë këmbët, edhe ju duhet t’i lani këmbët njëri-tjetrit.
Unë, në fakt, ju kam dhënë shëmbullin që ashtu siç kam bërë unë, bëni edhe ju” (Gjoni 13:14–15).
© 2015 nga Intellectual Reserve, Inc. I rezervohen të gjitha të drejtat. Shtypur në Gjermani. Miratuar për anglisht: 6/15. Miratuar për përkthim: 6/15. Përkthim i Visiting Teaching Message, August 2015. Albanian. 12588 101