2015
Qëndroni si Dritë
gusht 2015


Mesazhi i Presidencës së Parë, gusht 2015

Qëndroni si Dritë

Presidenti Tomas S. Monson

Kam pasur privilegjin e ndjekjes së kremtimeve të shumta kulturore të mbajtura në ndërthurje me përkushtimet e tempullit. Më kanë pëlqyer fort të gjitha, përfshirë më të fundit që ndoqa në Feniks, Arizona të SHBA-së, nëntorin e shkuar.

Të rinjtë shenjtorë të ditëve të mëvonshme që marrin pjesë në kremtime kulturore, krijojnë programe të mahnitshme e të paharrueshme. Vitin e kaluar në Feniks, pikërisht përpara kremtimit, u thashë pjesëmarrësve: “Ju jeni fëmijë të dritës”.

Do të doja që të gjithë të rinjtë e Kishës ta dinin që janë fëmijë të dritës. Si të tillë, ata kanë një përgjegjësi për të qenë “si pishtarë në botë” (Filipianëve 2:15). Ata kanë një detyrë për t’i ndarë të vërtetat e ungjillit. Ata kanë një thirrje për të qëndruar si një fanar tempulli, duke e pasqyruar dritën e ungjillit në një botë gjithnjë e më të errët. Ata janë ngarkuar për ta mbajtur dritën e tyre të flakëruar e duke u djegur ndritshëm.

Në mënyrë që ne të jemi “shembull për besimtarët” (1 Timoteut 4:12), ne vetë duhet të besojmë. Duhet të zhvillojmë besimin e nevojshëm për të mbijetuar shpirtërisht dhe për të lëshuar dritë për të tjerët. Ne duhet ta ushqejmë dëshminë tonë derisa të bëhet një spirancë në jetën tonë.

Mes mënyrave më të efektshme për ta fituar dhe mbajtur besimin që na nevojitet sot, është t’i lexojmë e studiojmë shkrimet e shenjta dhe të lutemi në mënyrë të vazhdueshme e të qëndrueshme. Të rinjve të Kishës, u them, nëse nuk keni bërë kështu, zhvillojeni tani një zakon të studimit të përditshëm të shkrimeve të shenjta e të lutjes. Pa këto dy praktika thelbësore, ndikimet e jashtme dhe realitetet ndonjëherë të ashpra të jetës mund ta zbehin ose madje zhdukin dritën tuaj.

Vitet e adoleshencës nuk janë të lehta. Ato janë vitet më të rëndësishme kur Satani do t’ju tundojë dhe do të bëjë të pamundurën që t’ju tërheqë nga shtegu i cili do t’ju kthejë sërish në shtëpinë tuaj qiellore. Por kur lexoni e luteni dhe kur shërbeni e bindeni, do të arrini ta njihni më mirë “drit[ën] që shkëlqen në errësirë” (DeB 6:21), Shembullin tonë dhe forcën tonë – madje Zotin Jezu Krisht. Ai është Drita që duhet të mbajmë lart për ta davaritur errësirën e grumbulluar (shih 3 Nefi 18:24).

Me një dëshmi të fortë për Shpëtimtarin dhe ungjillin e Tij të rivendosur, ju keni mundësi të pakufizuara për të shkëlqyer. Ato ju rrethojnë çdo ditë, në çfarëdo rrethanash ta gjeni veten. Kur e ndiqni shembullin e Shpëtimtarit, e juaja do të jetë mundësia për të qenë një dritë, si të thuash, në jetën e atyre përreth jush – qofshin ata pjesëtarë të vetë familjes suaj, shokë klase, kolegë pune, thjesht të njohur apo krejtësisht të panjohur.

Kur jeni një dritë për botën, njerëzit përreth jush do të ndiejnë një shpirt të veçantë që do t’i bëjë ata të duan të shoqërohen me ju dhe të ndjekin shembullin tuaj.

Unë iu lutem prindërve dhe udhëheqësve të të rinjve tuaj që t’i ndihmojnë ata të qëndrojnë të patundur për të vërtetën dhe drejtësinë. Ndihmojini t’u hapen fort në vështrimin e tyre portat e të mësuarit, të kuptuarit dhe të shërbimit në mbretërinë e Perëndisë. Ndërtojeni brenda tyre forcën për t’iu bërë ballë tundimeve të botës. Jepuni atyre gatishmërinë për të ecur në virtyt e besim, për të qenë plot lutje dhe për të parë drejt qiellit si spiranca e tyre e qëndrueshme.

Të rinjve tanë, iu them, Ati ynë Qiellor ju do. E ndjefshit edhe dashurinë që udhëheqësit e Kishës kanë për ju. Paçi përherë dëshirë për t’i shërbyer Atit tuaj Qiellor dhe Birit të Tij. Dhe ecshi gjithnjë në të vërtetë dhe qëndrofshi si dritë mes fëmijëve të Perëndisë.

Mësimdhënia nga Ky Mesazh

Merrni parasysh ta diskutoni me ata të cilëve u jepni mësim, se çfarë do të thotë të jesh një “fëmijë [i] dritës”. Çfarë përgjegjësish përmban ajo? Ju mund të diskutoni për kohët kur drita e tyre ka qenë veçanërisht e ndritshme dhe për atë që e bëri atë të ndritshme. Merrni parasysh t’iu kërkoni atyre të mendojnë për një njeri të caktuar, të tillë si një të ri, një koleg pune apo një pjesëtar i familjes së tyre, që mund të ketë nevojë për dritë. Pastaj ju mund të luteni së bashku rreth një mënyre për ta ndarë dritën me atë njeri.