2016
Mësoni nga Unë
mars 2016


Mesazhi i Presidencës së Parë, Mars 2016

“Mësoni nga Unë”

Në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, jemi të gjithë mësues dhe jemi të gjithë nxënës. Të gjithëve na vjen kjo ftesë e dhembshur nga Zoti ynë: “Mësoni nga unë … dhe ju do të gjeni prehje për shpirtrat tuaj.”1

Unë i ftoj të gjithë shenjtorët e ditëve të mëvonshme që t’i përsiatin përpjekjet e tyre për të dhënë mësim e për të mësuar dhe për ta parë Shpëtimtarin si Udhërrëfyesin tonë gjatë bërjes së kësaj. Ne e dimë se ky “mësues i ardhur nga Perëndia”2 ishte më tepër sesa thjesht një mësues. Ai që na mësoi ta duam Zotin, Perëndinë tonë me të gjithë zemrën, gjithë shpirtin, gjithë forcën dhe gjithë mendjen tonë e që ta duam të afërmin tonë porsi vetveten, është Kryemësuesi dhe Shembulli i jetës së përsosur.

Ishte Ai që shpalli: “Eja e më ndiq.”3 “Unë kam vendosur një shembull për ju.”4

Në Qoftë Se Nuk Ktheheni

Jezusi dha mësim një të vërtetë të thjeshtë e prapëseprapë të thellë sikurse shënohet te Mateu. Pasi Ai dhe dishepujt e Tij kishin zbritur nga Mali i Shpërfytyrimit, ata ndaluan në Galile dhe më pas shkuan në Kapernaum. Atje dishepujt erdhën te Jezusi duke e pyetur:

“Kush është, pra, më i madhi në mbretërinë e qiejve?

Dhe Jezusi, pasi thirri një fëmijë të vogël pranë vetes, e vuri në mes tyre

dhe tha: ‘Në të vërtetë po ju them: në qoftë se nuk ktheheni dhe nuk bëheni si fëmijët e vegjël, ju nuk do të hyni fare në mbretërinë e qiejve’.”5

Në Kishë, synimi i mësimdhënies së ungjillit nuk është thjesht që të derdhë informacion në mendjen e fëmijëve të Perëndisë, qoftë në shtëpi, në klasë apo në terrenin e misionit. Synimi nuk është që të tregohet se sa shumë di prindi, mësuesi apo misionari. As nuk është thjesht që ta shtojë njohurinë rreth Shpëtimtarit dhe Kishës së Tij.

Synimi bazë i mësimdhënies është t’i ndihmojë bijtë dhe bijat e Atit Qiellor të kthehen në praninë e Tij dhe të gëzojnë jetën e përjetshme me Të. Për ta bërë këtë, mësimdhënia e ungjillit duhet t’i nxitë ata përgjatë shtegut të përditshëm të dishepullimit dhe besëlidhjeve të shenjta. Qëllimi është që t’i frymëzojë individët për të menduar, ndier dhe më pas për të bërë diçka për t’i jetuar parimet e ungjillit. Objektivi është të zhvillojmë besim te Zoti Jezu Krisht dhe të bëhemi të kthyer në besim tek ungjilli i Tij.

Mësimdhënia e cila bekon, kthen në besim dhe shpëton, është mësimdhënie që imiton shembullin e Shpëtimtarit. Mësuesit që e imitojnë shembullin e Shpëtimtarit, i duan dhe u shërbejnë atyre të cilëve u japin mësim. Ata i frymëzojnë dëgjuesit e tyre me mësime të përjetshme për të vërtetën hyjnore. Ata jetojnë një jetë që ia vlen të imitohet.

Jepni Dashuri dhe Shërbeni

E gjithë shërbesa e Shpëtimtarit dha si shembull dashurinë për të afërmin. Njëmend, dashuria dhe shërbimi i Tij ishin shpesh mësimi i Tij. Në mënyrë të ngjashme, mësuesit që i mbaj mend më mirë, janë mësuesit që i njihnin, i donin dhe interesoheshin për studentët e tyre. Ata e kërkonin delen e humbur. Ata dhanë mësime për jetën që do t’i mbaj mend gjithmonë.

Një mësuese e tillë ishte Lusi Gertçi. Ajo e njihte çdonjërin prej studentëve të saj. Ajo i merrte në telefon pa harruar asnjëherë ata që mungonin një të diel apo që thjesht nuk vinin. E dinim se ajo interesohej për ne. Asnjëri prej nesh nuk e ka harruar ndonjëherë atë apo mësimet që ajo dha.

Shumë vite më vonë, kur Lusi po i afrohej fundit të jetës, unë bisedova me të. Ne rikujtuam gjëra të atyre ditëve aq kohë më parë kur ajo kishte qenë mësuesja jonë. Ne folëm për secilin anëtar të klasës sonë dhe diskutuam për atë që po bënte secili tani. Dashuria dhe interesimi i saj zgjatën një jetë të tërë.

E dua urdhrin e Zotit që gjendet te Doktrina e Besëlidhjet:

“Unë ju jap urdhërim që ju duhet t’ia mësoni njëri-tjetrit doktrinën e mbretërisë.

I mësoni me zell dhe hiri im do të jetë me ju.”6

Lusi Gertçi dha mësim me zell sepse ajo i donte të tjerët pareshtur.

Ofroni Shpresë dhe Të Vërtetë

Apostulli Pjetër këshilloi: “Jini gjithnjë gati për t’u përgjigjur në mbrojtjen tuaj kujtdo që ju kërkon shpjegime për shpresën që është në ju.”7

Ndoshta shpresa më e madhe që një mësues mund të ofrojë, është shpresa që gjendet tek të vërtetat e ungjillit të Jezu Krishtit.

“Dhe për çfarë duhet të keni shpresë?” pyeti Mormoni. “Vini re, unë ju them juve se duhet të keni shpresë nëpërmjet shlyerjes së Krishtit dhe fuqisë së ringjalljes së tij, që të ngriheni në jetën e përjetshme dhe kjo për shkak të besimit tuaj në të, sipas premtimit.”8

Mësues, ngrijeni zërin tuaj dhe dëshmoni për natyrën e vërtetë të Kreut-Perëndi. Shpalleni dëshminë tuaj në lidhje me Librin e Mormonit. Përçojini të vërtetat e lavdishme dhe të bukura që përmban plani i shpëtimit. Përdorini materialet e miratuara nga Kisha, veçanërisht shkrimet e shenjta, për t’i dhënë mësim të vërtetat e ungjillit të rivendosur të Jezu Krishtit me pastërtinë dhe thjeshtësinë e tyre. Kujtojeni urdhrin e Shpëtimtarit për të “het[uar] Shkrimet sepse mendoni të keni nëpërmjet tyre jetë të përjetshme; dhe ato janë këto që dëshmojnë për mua.”9

Ndihmojini fëmijët e Perëndisë ta kuptojnë atë që është e çiltër dhe e rëndësishme në këtë jetë. Ndihmojini ata të zhvillojnë forcën për të zgjedhur shtigje që do t’i mbajnë ata të mbrojtur në udhën drejt jetës së përjetshme.

Jepeni mësim të vërtetën dhe Fryma e Shenjtë do t’i shoqërojë përpjekjet tuaja.

“Mësoni nga Unë”

Për shkak se Jezu Krishti ishte përsosurisht i bindur dhe i nënshtruar ndaj Atit të Tij, Ai “rritej në dituri, në shtat dhe në hir përpara Perëndisë dhe njerëzve.”10 A e kemi ne vendosmërinë për të bërë po kështu? Ashtu si Jezusi “mori hir pas hiri,”11 ne duhet të kërkojmë me durim dhe vazhdimësi dritë e njohuri nga Perëndia në përpjekjet tona për ta mësuar ungjillin.

Dëgjimi është një pjesë thelbësore e të mësuarit. Kur përgatitemi për të marrë mësim, ne kërkojmë frymëzim dhe pohim me lutje nga Fryma e Shenjtë. Ne përsiatemi, lutemi, i vëmë në zbatim mësimet e ungjillit dhe e kërkojmë vullnetin e Atit për ne.12

Jezusi “u mësonte … shumë gjëra në shëmbëlltyra,”13 gjë që kërkon veshë për të dëgjuar, sy për të parë dhe zemra për të kuptuar. Teksa jetojmë denjësisht, ne mund t’i dëgjojmë më mirë pëshpëritjet e Frymës së Shenjtë që mund të na “mësojë çdo gjë dhe do [të na i] kujtojë të gjitha këto.”14

Kur ne i përgjigjemi ftesës së dhembshur të Zotit: “Mësoni nga unë”, ne bëhemi marrës të fuqisë hyjnore të Tij. Prandaj, le të shkojmë përpara me frymën e bindjes, duke e ndjekur Shembullin tonë me anë të mësimdhënies ashtu si Ai do të donte që të jepnim mësim dhe duke mësuar ashtu si Ai do të donte të mësonim.

Mësimdhënia nga ky mesazh

Presidenti Monson na fton ne që t’i “përsiati[m] përpjekjet [tona] për të dhënë mësim e për të mësuar dhe për ta parë Shpëtimtarin si Udhërrëfyesin tonë gjatë bërjes së kësaj”. Mund ta merrni parasysh hetimin e shkrimeve të shenjta me ata të cilët i vizitoni, për të gjetur pikëpamje për mënyrat në të cilat Jezu Krishti dha mësim e mësoi. Mund ta filloni me disa nga shkrimet e shenjta që Presidenti Monson i përdori si referencë, si Mateu 11:29, Gjoni 5:30 dhe Marku 4:2. Mund të diskutoni për mënyrën se si ajo që keni mësuar rreth Krishtit, mund t’ju ndihmojë të “bëhe[n]i marrës të fuqisë hyjnore të Tij”.