Mesazhi i Vizitave Mësimore, Mars 2016
Të Krijuar sipas Shëmbëlltyrës së Perëndisë
Studiojeni këtë material me lutje dhe kërkoni të dini se çfarë të thoni prej tij. Si do ta rritë besimin tuaj në Perëndi dhe si do t’i bekojë ato për cilat kujdeseni nëpërmjet vizitave mësimore, të kuptuarit e dokumentit “Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës”? Për më tepër informacion, shkoni te reliefsociety.lds.org.
“Pastaj Perëndia tha: ‘Ta bëjmë njeriun sipas shëmbëlltyrës sonë dhe në ngjasim me ne’. …
Kështu Perëndia krijoi njeriun simbas shëmbëlltyrës së vet, simbas shëmbëlltyrës së Perëndisë; Ai krijoi mashkullin e femrën” (Zanafilla 1:26–27).
Perëndia është Ati ynë Qiellor dhe Ai na krijoi sipas shëmbëlltyrës së Tij. Mbi këtë të vërtetë, Presidenti Tomas S. Monson tha: “Perëndia, Ati ynë, ka veshë me të cilët t’i dëgjojë lutjet tona. Ka sy me të cilët t’i shohë veprimet tona. Ka gojë me të cilën të na flasë. Ka zemër me të cilën të ndiejë dhembshuri e dashuri. Ai është i vërtetë. Ai është i gjallë. Ne jemi fëmijët e tij të bërë sipas shëmbëlltyrës së tij. Ne dukemi si Ai dhe Ai duket si ne.”1
“Shenjtorët e ditëve të mëvonshme i shohin të gjithë njerëzit si fëmijë të Perëndisë në një kuptim të plotë e tërësor; ata e konsiderojnë çdo njeri hyjnor për nga origjina, natyra dhe potenciali.”2 Secili është “një bir ose bijë shpirtërore e dashur e prindërve qiellorë.”3
“[Profeti] Jozef Smith mësoi gjithashtu se Perëndia dëshiron që fëmijët e Tij të marrin të njëjtën ekzistencë të ekzaltuar që Ai ka.”4 Ashtu siç e tha Perëndia: “Sepse, vër re, kjo është vepra ime dhe lavdia ime – të bëj të ndodhë pavdekësia dhe jeta e përjetshme e njeriut” (Moisiu 1:39).
Shkrime të Shenjta Shtesë
Zanafilla 1:26–27; 1 Korintasve 3:17; Doktrina e Besëlidhje 130:1
Nga Shkrimet e Shenjta
Vëllai i Jaredit në Librin e Mormonit kërkonte një mënyrë për t’i ndriçuar tetë barkat e ndërtuara për t’i mbartur jareditët nëpër ujërat drejt tokës së premtuar. Ai “shkriu nga një shkëmb gjashtëmbëdhjetë gurë të vegjël” dhe u lut që Perëndia t’i “prek[te] këta gurë” me gishtin e Tij “që të ndriçojnë në errësirë”. Dhe Perëndia “shtriu dorën e tij dhe preku gurët një nga një”. Veli u hoq nga sytë e vëllait të Jaredit dhe ai “pa gishtin e Zotit; dhe ai qe si gishti i një njeriu. …
Dhe Zoti i tha atij: A do t’u besosh fjalëve që unë do të të them?
Dhe ai u përgjigj: Po, Zot.”
Dhe “Zoti iu shfaq [vëllait të Jaredit]” dhe tha: “A e sheh se ti je krijuar sipas shëmbëlltyrës sime? Po, madje, në fillim të gjithë njerëzit qenë krijuar sipas shëmbëlltyrës sime.” (Shih Ethëri 3:1–17.)
© 2016 nga Intellectual Reserve, Inc. I rezervohen të gjitha të drejtat. Shtypur në Gjermani. Miratuar për anglisht: 6/15. Miratuar për përkthim: 6/15. Përkthim i Visiting Teaching Message, March 2016. Albanian. 12863 101