Rinia
Përhapja e Lumturisë së Përjetshme
Një nga gjërat më të mira rreth ungjillit është njohuria për planin e shpëtimit. Ne kemi mundësinë e hatashme për të qenë me familjen tonë për përjetësinë. Ajo njohuri na ndihmon të kemi shpresë kurdoherë që ndihemi të mbingarkuar nga bota. Presidenti Ajring jep mësim: “Ati ynë i dashur Qiellor i njeh zemrat tona. Qëllimi i Tij është të na japë lumturi (shih 2 Nefi 2:25). Dhe kështu Ai na dha dhuratën e Birit të Tij për ta bërë të mundur gëzimin e lidhjeve familjare që vazhdojnë përgjithmonë. … Është një ofertë që mund ta pretendojë çdo fëmijë i Perëndisë që vjen në botë.”
Ai bekim gjen zbatim për ata prej nesh që në këtë çast janë gjallë dhe për ata që kanë ndërruar jetë – por vetëm nëpërmjet ndihmës sonë. Paraardhësit tanë janë në botën e shpirtrave në këtë çast, duke pritur që ne t’i përgatitim emrat e tyre që të kryhen ordinancat e tempullit në emër të tyre. Por nganjëherë mund të jetë e vështirë ta bëjmë punën për ta. Mund të jemi tepër të zënë, ose mund të jemi tepër larg një tempulli për të shkuar shumë shpesh.
Fatmirësisht, ka mënyra të tjera në të cilat mund t’i ndihmojmë paraardhësit tanë, si duke bërë punë për historinë familjare, duke bërë indeksim apo duke u kujdesur [për motrat e vëllezërit] në vend të prindërve tanë ndërkohë që ata shkojnë në tempull. Duke ndihmuar, ne i shërbejmë Zotit dhe u sjellim shpresën për familje të përjetshme atyre që janë në anën tjetër të velit.