2016
T’i Ushqejmë Familjet Shpirtërisht së Bashku
gusht 2016


Mesazhi i Vizitave Mësimore, gusht 2016

T’i Ushqejmë Familjet Shpirtërisht së Bashku

Studiojeni këtë material me lutje dhe kërkoni të dini se çfarë të tregoni. Si do ta rritë besimin tuaj në Perëndi dhe si do t’i bekojë ato për cilat kujdeseni nëpërmjet vizitave mësimore, të kuptuarit e dokumentit “Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës”? Për më tepër informacion, shkoni te reliefsociety.lds.org.

Besim, Familje, Ndihmë

“Bashkëshorti dhe bashkëshortja kanë një përgjegjësi solemne të duan dhe të kujdesen për njëri-tjetrin dhe për fëmijët e tyre.”1 “Shtëpia duhet të jetë laboratori i Perëndisë për dashurinë dhe shërbimin”, tha Presidenti Rasëll M. Nelson, President i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve.

“Ati ynë në Qiell dëshiron që bashkëshortët dhe bashkëshortet të jenë besnikë ndaj njëri-tjetrit dhe t’i vlerësojnë dhe trajtojnë fëmijët e tyre si një trashëgimi që vjen nga Zoti.”2

Në Librin e Mormonit, Jakobi tha se dashuria që bashkëshortët kishin për bashkëshortet e tyre, dashuria që bashkëshortet kishin për bashkëshortët e tyre dhe dashuria që të dy kishin për fëmijët e tyre ishte mes arsyeve pse lamanitët në një pikë qenë më të drejtë se nefitët (shih Jakobi [LiM] 3:7).

Një nga mënyrat më të mira për ta ftuar dashurinë dhe harmoninë në shtëpitë tona është duke u folur me dashamirësi pjesëtarëve tanë të familjes. E folura me dashamirësi sjell Frymën e Shenjtë. Motra Linda K. Barton, presidente e përgjithshme e Shoqatës së Ndihmës, na kërkoi të merrnim parasysh: “Sa shpesh qëllimisht ‘i flasim fjalë të mira njëri-tjetrit’?”3

Shkrime të Shenjta Shtesë

Romakëve 12:10; Mosia 4:15; Doktrina e Besëlidhje 25:5

Ngjarje Aktuale

Plaku D. Tod Kristoferson, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, tregoi një përvojë nga fëmijëria që ia nguliti atij fort rëndësinë e një familjeje të dashur. Kur ai dhe vëllezërit e tij ishin të vegjël, nëna e tij bëri një ndërhyrje kirurgjikale rrënjësore prej kancerit që i shkaktonte shumë dhembje kur përdorte krahun e djathtë. Në një familje djemsh, kishte shumë për të hekurosur, por teksa nëna e tij hekuroste, ajo shpesh ndalonte dhe shkonte në dhomën e gjumit për të qarë derisa dhembja të qetësohej.

Kur i ati i Plakut Kristoferson e kuptoi se çfarë po ndodhte, ai fshehurazi nuk hëngri drekë për pothuajse një vit që të ruante para të mjaftueshme për të blerë një pajisje që e bënte hekurosjen më të lehtë. Prej dashurisë për gruan e tij, ai u dha djemve të tij një shembull të ushqyerjes shpirtërore brenda familjes. Për këtë ndërveprim të dhimbsur, Plaku Kristoferson tha: “Nuk isha në dijeni për sakrificën dhe njëkohësisht aktin e dashurisë së babait tim për nënën time në atë kohë, por tani që e di, i them vetes: ‘Ja, ky është burrë i vërtetë’.”4

Shënime

  1. “Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës”, Liahona, nëntor 2010, f. 129.

  2. Rasëll M. Nelson, “Shpëtimi dhe Ekzaltimi”, Liahona, maj 2008, f. 8.

  3. Linda K. Barton, “Ne do të Lartësohemi së Bashku”, Liahona, maj 2015, f. 31.

  4. D. Todd Christofferson, “Let Us Be Men”, Ensign ose Liahona, nëntor 2006, f. 46.

Merreni Parasysh Këtë

Si e fton Shpirtin në shtëpitë tona dashuria dhe përkujdesja për njëri-tjetrin?