Mesazhi i Presidencës së Parë, gusht 2016
Shpresa për Dashuri si Familje e Përjetshme
Prej të gjitha dhuratave që Ati ynë i dashur Qiellor u ka dhënë fëmijëve të Tij, më e madhja është jeta e përjetshme (shih DeB 14:7). Ajo dhuratë është që të jetojmë në praninë e Perëndisë, Atit, dhe Birit të Tij të Dashur përgjithmonë në familje. Vetëm te më e larta prej mbretërive të Perëndisë, te çelestialja, do të vazhdojnë lidhjet e dashura të jetës familjare.
Të gjithë ne shpresojmë për gëzimin e të jetuarit në familje të dashura. Për disa prej nesh, është një ndjenjë që nuk e kemi përjetuar – një ndjenjë që e dimë se është e mundur, por nuk e kemi pasur ende. Ne mund ta kemi parë atë në jetën e të tjerëve. Për të tjerë prej nesh, dashuria familjare është dukur më e vërtetë dhe më e çmuar kur vdekja na ka ndarë nga një fëmijë, një nënë, një baba, një vëlla, një motër, ose një gjysh/e i/e përzemërt dhe i/e dashur.
Ne të gjithë e kemi ndier shpresën se një ditë mund ta ndiejmë sërish ngrohtësinë e dashur të atij pjesëtari të familjes që e kemi dashur kaq shumë dhe tani vuajmë për ta përqafuar përsëri.
Ati ynë i dashur Qiellor i njeh zemrat tona. Qëllimi i Tij është të na japë lumturi (shih 2 Nefi 2:25). Dhe kështu Ai na dha dhuratën e Birit të Tij për ta bërë të mundur gëzimin e lidhjeve familjare që vazhdojnë përgjithmonë. Ngaqë Shpëtimtari i këputi lidhjet e vdekjes, ne do të ringjallemi. Ngaqë Ai shleu për mëkatet tona, ne mundemi, me anë të besimit dhe pendimit tonë, të bëhemi të denjë për mbretërinë çelestiale, ku familjet lidhen së bashku në dashuri përgjithmonë.
Shpëtimtari e dërgoi Profetin Elija te Jozef Smithi për të rivendosur çelësat e priftërisë (shih DeB 110). Me ata çelësa erdhi fuqia vulosëse, duke ofruar dhuratën më të madhe të Perëndisë për fëmijët e Tij – jetën e përjetshme në familje të lidhura së bashku përgjithmonë.
Është një ofertë që mund ta pretendojë çdo fëmijë i Perëndisë që vjen në botë. Një e treta e fëmijëve të Tij shpirtërorë nuk e pranuan ofertën e Tij në botën e shpirtrave. Prej mungesës së besimit të mjaftueshëm dhe më pas kryengritjes së hapur, ata zgjodhën të mos e njohin kurrë gëzimin e dhuratës së Atit Qiellor për familjet e përjetshme.
Për ata prej nesh që e kaluan provimin vendimtar në botën paratokësore të shpirtrave dhe u kualifikuan kështu për të marrë dhuratën e trupave të vdekshëm, zgjedhja e mrekullueshme për jetën e përjetshme na takon përsëri neve. Nëse bekohemi për ta gjetur ungjillin e rivendosur, ne mund të zgjedhim t’i bëjmë e t’i mbajmë besëlidhjet me Perëndinë, që na kualifikojnë për jetën e përjetshme. Teksa durojmë me atë besnikëri, Fryma e Shenjtë do ta vërtetojë shpresën dhe sigurinë tonë se jemi në shtegun drejt jetës së përjetshme, për të jetuar në familje përgjithmonë në mbretërinë çelestiale.
Për disa, ai gëzim i përjetshëm mund të duket si një shpresë e mekur apo madje që po venitet. Prindërit, fëmijët, vëllezërit dhe motrat mund të kenë bërë zgjedhje që duket se i shkualifikojnë nga jeta e përjetshme. Ju mundet madje të pyetni veten a keni qenë ende të kualifikuar nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit.
Njëherë, një profet i Perëndisë më dha një këshillë që më jep paqe. Isha i shqetësuar se zgjedhjet e të tjerëve mund ta bënin të pamundur që familja jonë të ishte bashkë përgjithmonë. Ai tha: “Po shqetësohesh për problemin e gabuar. Ti thjesht jeto i denjë për mbretërinë çelestiale dhe situata në familje do të jetë më e mrekullueshme nga sa mund të përfytyrosh.”
Të gjithëve atyre, përvojat vetjake të të cilëve apo martesa dhe fëmijët e të cilëve – apo mungesa e tyre – hedhin një hije mbi shpresat e tyre, u ofroj dëshminë time: Ati Qiellor ju njeh dhe ju do si fëmija i Tij shpirtëror. Ndërkohë që ishit me Të dhe Birin e Tij të Dashur përpara kësaj jete, Ata e vunë në zemrën tuaj shpresën që keni për jetën e përjetshme. Me fuqinë e Shlyerjes së Jezu Krishtit që funksionon dhe me Shpirtin e Shenjtë që ju udhërrëfen, ju mund ta ndieni tani dhe do ta ndieni në botën që do të vijë, dashurinë familjare që Ati juaj dhe Biri i Tij i Dashur dëshirojnë kaq shumë që ju të merrni.
Unë dëshmoj se, teksa jetoni të denjë për mbretërinë çelestiale, premtimi profetik se “rregullimet në familje do të jenë më të mrekullueshme nga sa mund të përfytyro[ni]” do të jetë juaji.
© 2016 nga Intellectual Reserve, Inc. I rezervohen të gjitha të drejtat. Shtypur në Gjermani. Miratuar për anglisht: 6/16. Miratuar për përkthim: 6/16. Përkthim i First Presidency Message, August 2016. Albanian. 12868 101