Mesazhi i Presidencës së Parë, Mars 2018
Fjala e Perëndisë ndaj Fëmijëve të Tij
Shkrimet e shenjta na tregojnë se gjëja e parë që bëri Perëndia pasi i krijoi burrin dhe gruan, ishte t’u fliste atyre.1 Ai kishte informacion jetësor dhe udhëzime të çmuara për t’ua dhënë atyre. Qëllimi i Tij nuk ishte t’u vinte barrë apo t’i shqetësonte ata, por që t’i udhërrëfente drejt lumturisë dhe lavdisë së përjetshme.
Dhe ai ishte vetëm fillimi. Që nga ajo ditë e deri më sot, Perëndia ka vazhduar të komunikojë me fëmijët e Tij. Fjalët e Tij janë mbajtur, ruajtur si thesar dhe studiuar nga dishepujt e çdo brezi. Ato nderohen nga ata që kërkojnë ta dinë vullnetin e Perëndisë, dhe japin dëshmi për të vërtetën se “Zoti, Zoti, nuk bën asgjë, pa ua treguar sekretin e tij shërbëtorëve të tij, profetëve”2.
Ky ka qenë modeli që prej fillimit të kohëve dhe modeli vazhdon sot. Nuk është thjesht një histori e këndshme nga Bibla, është mënyra e krijuar nga Perëndia për t’u kumtuar mesazhe thelbësore fëmijëve të Tij. Ai ngre individë nga mesi ynë, i thërret ata që të jenë profetë, dhe u jep fjalë për t’i thënë, për të cilat ne marrim ftesën që “t[’i] m[arrim] si nga goja [e Tij]”3. Ai ka shpallur: “Qoftë nëpërmjet zërit tim apo nëpërmjet zërit të shërbëtorëve të mi është njësoj”4.
Ky është një nga mesazhet më të lavdishme, më nxitëse dhe plot shpresë i Rivendosjes – Perëndia nuk është i heshtur. Ai i do fëmijët e Tij. Ai nuk na ka lënë të endemi në errësirë.
Dy herë në çdo vit, në prill dhe tetor, ne kemi mundësinë ta dëgjojmë zërin e Zotit nëpërmjet shërbëtorëve të Tij në konferencat tona të mrekullueshme të përgjithshme.
Ju jap dëshminë time vetjake se shumë kohë përpara se folësi ta bëjë atë ecje [që duket] e gjatë deri te foltorja, ai apo ajo ka shpenzuar përpjekje, lutje dhe studim të pamasë në përgjigje të detyrës për të folur. Secili mesazh i konferencës përfaqëson orë të panumërta përgatitjeje dhe përgjërimi të çiltër për ta kuptuar atë që Zoti dëshiron që ta dëgjojnë shenjtorët e Tij.
Çfarë mund të ndodhë nëse ne, si dëgjues, e përputhim përgatitjen e folësve me vetë atë tonën? Si mund të jetë e ndryshme qasja jonë ndaj konferencës së përgjithshme nëse e shohim konferencën si një mundësi për të marrë mesazhe nga Vetë Zoti? Nëpërmjet fjalëve dhe muzikës së konferencës së përgjithshme, mund të presim të marrim përgjigje posaçërisht për ne, për çfarëdo pyetjesh apo problemesh me të cilat mund të jemi duke u përballur.
Po ta keni vrarë mendjen ndonjëherë nëse Ati Qiellor me të vërtetë do t’ju flasë, do t’ju kujtoja fjalët e thjeshta por të thella që këndojnë fëmijët tanë të Fillores: “Fëmi’ i Per’ndis’ [je], këtu Ai [të] çoi”. Qëllimi i Tij është t’ju ndihmojë të ktheheni e “të rro[ni] me të në qiej”.
Nëse i qaseni Atit Qiellor si fëmija i Tij, mund ta pyetni Atë me një zemër të sinqertë: “Tregom’, drejtom’, pran’ ti më rri, rrugën që ta gjej. Ç’duhet të bëj më mëso.” Ai do t’ju flasë nëpërmjet Shpirtit të Tij të Shenjtë dhe pastaj varet nga ju që “t’bë[ni] vullnet’n e Tij”. Unë ju premtoj që, nëse e bëni, “bekime [do të] pr[isni] përher’”5.
Udhërrëfimi i Zotit është i nevojshëm sot po aq shumë sa ka qenë gjithmonë në historinë e botës. Teksa përgatitemi ta dëgjojmë fjalën e Zotit, e kërkofshim me zell Shpirtin e së vërtetës kështu që, kur Zoti të flasë nëpërmjet shërbëtorëve të Tij, ne të mund ta kuptojmë, të lartësohemi dhe të gëzohemi së bashku.6
Unë dëshmoj se, “duke i bërë këto gjëra, portat e ferrit nuk do të hapen kundër [ne]sh; po, dhe Zoti Perëndi do t’i shpërndajë fuqitë e errësirës përpara [ne]sh dhe do të bëjë që qiejt të dridhen për të mirën t[onë] dhe për lavdinë e emrit të tij”7.
© 2018 nga Intellectual Reserve, Inc. All rights reserved. Shtypur në SHBA. Miratuar për anglisht: 6/17. Miratuar për përkthim: 6/17. Përkthim i First Presidency Message, March 2018. Albanian. 15049 101