2021
The Children and Youth Development Program—A Precious Opportunity
Qershor 2021


Mesazhi i Udhëheqjes Zonale

Programi për Zhvillimin e Fëmijëve dhe Rinisë – Një Mundësi e Çmuar

Në një shoqëri që po humbet kontaktin me realitetin e misionit hyjnor të Jezu Krishtit, po bëhet gjithnjë e më vendimtare të gjejmë mënyra për t’u rilidhur me Zotin, për të krijuar një marrëdhënie vetjake me Të dhe për të jetuar një jetë më përmbushëse dhe më të lumtur.

Nëse, nga njëra anë, shumë anëtarë të Kishës kanë zgjedhur ta ndjekin Atë shumë kohë më parë dhe ta mbajnë besimin e tyre të pacenuar pavarësisht nga sfidat e jetës, të tjerë ende përpiqen mundimshëm për të krijuar një lidhje të vërtetë shpirtërore me Shpëtimtarin dhe sfidat e jetës iu duken më dërmuese.

Studimet tregojnë se në ditët e sotme ka një rënie të përgjithshme të interesimit për fenë dhe brezi i ri duket se mundohet më shumë se kurrë më parë për të gjetur një rol, një identitet dhe lumturi në një institucion kishtar. E tillë është situata edhe për shumë nga fëmijët dhe të rinjtë e të rejat tona në Kishën e rivendosur, që arrijnë në një pikë në rritjen e tyre vetjake ku duhet të vendosin a do të bëhen ’veprues për veten’, ose të jenë ‘pës[ues]’ nga erërat e forta dhe ndikimet e botës.1

Për t’i ndihmuar ata që të gjejnë një mënyrë më të përqendruar për t’u lidhur me Shpëtimtarin, Kisha ka siguruar ‘Programin e Ri për Fëmijët dhe Rininë’.

Kjo nismë u përgjigjet nevojave të të gjithë të rinjve në Kishë, por përshtatet për anëtarët dhe familjet kudo, dhe nuk ka ‘vetëm një mënyrë të drejtë’ për ta vënë atë në zbatim.

Për shkak se kulturat dhe rrethanat janë shumë të ndryshme nëpër botë dhe në Zonën tonë, nisma është një përpjekje e bazuar në parime më shumë sesa një program standard.

Qëllimi është gjithmonë i njëjtë, ‘për të ndihmuar çdo individ, duke përfshirë fëmijët dhe të rinjtë e të rejat, të përparojnë përgjatë shtegut të besëlidhjeve dhe të përballen me sfidat e jetës me një besim të forcuar te Jezu Krishti, nëpërmjet fuqisë së Shlyerjes së Tij’.

Presidenti Nelson tha – “Do t’ju nevojitet të kërkoni zbulesë vetjake. Do t’ju nevojitet të zgjidhni për veten tuaj se si të veproni rreth saj. Ndonjëherë Shpirti mund t’ju nxitë të bëni gjëra që janë të vështira. Unë mendoj se ju jeni të aftë për t’u përballur me këtë sfidë. Ju mund të bëni gjëra të vështira.”2

Ndërsa kërkoni zbulesë vetjake për të ditur se si ta vini në zbatim Programin e Ri për Fëmijët dhe Rininë në familjet dhe njësitë tuaja, unë i ftoj të gjithë prindërit, të rinjtë e të rejat dhe udhëheqësit në Zonën e Europës t’i qasen atij si një mundësi dhe jo aq shumë si një program. Këto përpjekje të bashkuara do të na sjellin të gjithëve ne bekime hyjnore, ndërsa “sill[emi] në një krye të vetëm, në Krishtin”. 3

Prandaj, më lejoni të jap tri ftesa për rolet tuaja të veçanta në këtë nismë të shenjtë:

Së pari - i ftoj të gjithë prindërit e brezit të ri të Zotit ta shohin këtë përpjekje hyjnore si një mundësi për t’i bekuar fëmijët tuaj, ndërsa i ndihmoni ata ta gjejnë Shpëtimtarin më herët në jetën e tyre, me dashurinë dhe kujdesin tuaj të sinqertë. Ndikimi juaj me dashuri si prindër do t’i hapë zemrat e tyre dhe do t’i ndihmojë fëmijët tuaj ta gjejnë Shpëtimtarin. Do të jetë vendimtare që t’u prini udhën e t’u tregoni drejtimin për te Zoti ndërsa ata përpiqen ta dëgjojnë Atë dhe përfundimisht ta gjejnë Atë.

Së dyti - i ftoj të gjithë udhëheqësit ta shohin këtë përpjekje hyjnore si një mundësi për t’u dhënë shërbesë të rinjve dhe të rejave që Zoti ua ka caktuar në mënyrë shpirtërore. Ndërsa u jepni shërbesë me thirrjet tuaja, ju do t’i ndihmoni ata ta dinë më mirë se si mund ta gjejnë Shpëtimtarin e tyre. Me njohurinë dhe mirësinë tuaj, ndërsa dëshmoni për parimet e çmuara të ungjillit, që e dini se janë të vërteta, ju do t’i ndihmoni ata të dinë se si ta gjejnë Atë.

Së treti - i ftoj të gjithë të rinjtë e të rejat në Zonën e Europës ta shohin këtë përpjekje hyjnore si një mundësi për t’u rritur gjatë kërkimit të tyre vetjak të Shpëtimtarit.

Të Dashur Të Rinj e Të Reja, unë dëshmoj se nëse jeni të sinqertë në dëshirën tuaj për ta gjetur Shpëtimtarin, Ai do t’ju gjejë ju, ndërsa ndiqni këshillën e prindërve dhe udhëheqësve tuaj të Kishës për t’i vënë në zbatim parimet e mira të këtij programi.

Ndërsa vendosni synime të denja për zhvillimin tuaj shpirtëror, shoqëror, intelektual dhe fizik, ju do të rriteni ashtu si Zoti në rininë e Tij, dhe duke ndjekur hapat e Tij, do të bëheni gjithnjë e më shumë si Ai, derisa ta gjeni Atë.

I bekoftë Zoti përpjekjet tona të bashkuara për ta ndihmuar rininë tonë që të gjejë Shpëtimtarin dhe të jetojë një jetë më të lumtur!

Shënime

  1. DeB 58:28, 2 Nefi 2:14, 16, 24.

  2. Children and Youth Introductory Video Presentation [Paraqitja e Materialit Filmik Hyrës për nismën Fëmijët dhe Rinia] [Transmetuar më, 29 shtator 2019].

  3. Efesianëve 1:10.