2021
Çfarë Është Kreu‑Perëndi?
Qershor 2021


“Çfarë Është Kreu‑Perëndi?” Liahona, Qershor 2021

Mesazhi i Përmuajshëm për Revistën Liahona, Qershor 2021

Çfarë Është Kreu‑Perëndi?

Ati Qiellor, Jezu Krishti dhe Fryma e Shenjtë janë tri qenie të ndara me një qëllim të vetëm.

Vegimi i Parë

Hollësi nga Vegimi i Parë, nga Jon McNaughton

Redaktori i një gazete e pyeti njëherë Profetin Jozef Smith se çfarë besojnë anëtarët e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Si përgjigje, Profeti shkroi 13 deklarata besimi që ne i quajmë Nenet e Besimit. Deklarata e parë thotë: “Ne besojmë në Perëndinë, Atin e Përjetshëm, dhe në Birin e Tij, Jezu Krishtin, dhe në Frymën e Shenjtë” (Nenet e Besimit 1:1). Këta të tre përbëjnë atë që ne e quajmë Kreu-Perëndi.

Perëndia, Ati i Përjetshëm

Perëndia ka një trup të ringjallur prej mishi e kockash. Ai është Ati i shpirtrave tanë. Ai e do secilin prej fëmijëve të Tij në mënyrë të përsosur. Perëndia është i përsosur, ka gjithë fuqinë dhe di gjithçka. Ai është i drejtë, i mëshirshëm dhe dashamirës. Ne jetuam si shpirtra me Perëndinë përpara se të lindnim. Ai na dërgoi në tokë që të mësojmë dhe të rritemi. Dëshira më e madhe e Perëndisë është që secili prej fëmijëve të Tij të kthehet për të jetuar me Të sërish pasi të vdesim. Perëndia na mëson se ne duhet të ndjekim Jezu Krishtin për t’u kthyer në praninë e Tij.

Jezu Krishti duke Predikuar në Botën e Shpirtrave

Krishti duke Predikuar në Botën e Shpirtrave, nga Robert T. Barrett

Jezu Krishti

Jezu Krishti gjithashtu ka një trup të ringjallur prej mishi e kockash. Ai është Biri i Parëlindur i Perëndisë. Përpara se ne të lindnim, Perëndia e zgjodhi Atë që të ishte Shpëtimtari ynë. Kjo do të thotë që Jezusi erdhi në tokë që të ishte një shembull për ne, të jepte mësim ungjillin e Tij, të shlyente për mëkatet tona dhe të na shpëtonte nga vdekja. Për shkak të Jezu Krishtit, ne mund të falemi për mëkatet tona kur pendohemi. Jezu Krishti gjithashtu vuajti shumë gjëra në mënyrë që Ai të mund të na kuptojë dhe ndihmojë. Jezu Krishti vdiq dhe më pas jetoi sërish, duke bërë të mundur që të gjithë të jetojnë sërish.

varrosja e Krishtit

Fotografia nga Getty Images

Fryma e Shenjtë

Fryma e Shenjtë është një anëtar i Kreut-Perëndi që nuk ka një trup fizik. Ai është një shpirt. Fryma e Shenjtë është në gjendje të komunikojë drejtpërdrejt me shpirtrat tanë. Ai na dëshmon se Perëndia është i vërtetë dhe se Jezu Krishti është Shpëtimtari ynë. Fryma e Shenjtë vepron si lajmëtar i Perëndisë për të na dhënë ndjenja dashurie, udhërrëfimi ose ngushëllimi. Kur ne pagëzohemi dhe konfirmohemi, ne marrim dhuratën e Frymës së Shenjtë. Pas pagëzimit tonë, Fryma e Shenjtë mund të qëndrojë gjithmonë me ne ndërsa i zbatojmë urdhërimet e Perëndisë.

Vegimi i Parë

Vegimi i Parë, nga Walter Rane

Vegimi i Parë i Jozef Smithit.

Me kalimin e kohës, njerëzit janë pështjelluar lidhur me Kreun-Perëndi. Njerëzit nuk kanë rënë dakord lidhur me atë se çfarë pamje kanë Perëndia, Jezu Krishti dhe Fryma e Shenjtë. Kjo është njëra nga arsyet pse Vegimi i Parë që pati Jozef Smithi, ishte aq i rëndësishëm. Ai pa që Ati Qiellor dhe Jezu Krishti kanë trupa dhe janë dy qenie të ndara.

Dëgjimi

Dëgjimi, nga Michael Jarvis Nelson

Të Ndarë por të Bashkuar

Shkrimet e shenjta dhe profetët e kohëve të sotme na mësojnë se Perëndia, Jezu Krishti dhe Fryma e Shenjtë janë qenie të ndara me një qëllim të vetëm: pavdekësinë tonë dhe jetën e përjetshme (shih Moisiu 1:39). Ashtu si anëtarët e së njëjtës skuadër, Ata punojnë së bashku për të na ndihmuar çdo ditë. Ne mund të ndihemi më pranë Tyre kur pendohemi për mëkatet tona dhe zgjedhim të drejtën.

Shkrime të Shenjta rreth Kreut‑Perëndi