2021
Dëgjojeni Atë
Gusht 2021


Mesazhet e Udhëheqjes së Zonës

Dëgjojeni Atë

“Ky është Biri Im i Dashur. Dëgjoje Atë!” 1 – i tha Ati Jozef Smithit në një korije në shtetin e Nju Jorkut, një ditë pranvere në 1820 ën. Ky ishte fillimi i rivendosjes së Kishës së Jezu Krishtit, ashtu si Krishti e pati organizuar kur Ai jetoi këtu në tokë. Për shkak të një braktisjeje që filloi pak kohë pas vdekjes së Krishtit, Kisha dhe autoriteti i Tij përfundimisht u zhdukën nga toka dhe vetëm shekuj më vonë, në vitin 1820, filloi procesi për rivendosjen e Kishës së Tij dhe rivendosjen e autoritetit për të kryer të gjitha ordinancat e priftërisë. E gjithë kjo ndodhi për shkak të lutjes së sinqertë të një të riu se ku ta gjente të vërtetën. Ai zgjodhi që të pyeste e më pas të dëgjonte dhe çfarë përgjigjeje që mori!

Të gjithë ne jemi të ndryshëm dhe mund të kemi qasje jo të ngjashme për ta dëgjuar Atë, por edhe pse jemi të ndryshëm, ne jemi të gjithë fëmijë të Perëndisë dhe Ai na do për atë që jemi, dhe Ai dëshiron që ne ta dëgjojmë Atë. Që ta dëgjojmë Atë, ne duhet të bëjmë një përpjekje. Cila është dëshira më e madhe e zemrës suaj? Çfarë mund të bëni për ta dëgjuar Atë?

Disa kohë më parë, unë isha në një mbledhje në Frankfurt me udhëheqës të Kishës nga e gjithë Europa, duke u përgatitur për një ngjarje të madhe, të cilën më vonë do të na duhej ta shtynim për në vitin 2021 për shkak të pandemisë. Në këtë mbledhje, Plaku Masimo De Feo, këshilltar në Presidencën e Zonës, e përmbylli mësimdhënien e tij dhe të gjithë mbledhjen duke shfaqur një material filmik, një pjesë muzikore me titull Slow down [Ngadalëso] me këngëtaren norvegjeze Sisel Kirkjebo dhe The Tabernacle Choir at Temple Square [Korin e Tabernakullit në Sheshin e Tempullit]. Ky është një koncert që Siseli e bëri me The Tabernacle Choir [Korin e Tabernakullit] në vitin 20192, por unë thjesht nuk e kisha parë ose dëgjuar këtë, edhe pse unë vetë jam gjithashtu nga Norvegjia. Me të vërtetë nuk isha i përgatitur për atë që përjetova kur Plaku de Feo e filloi materialin filmik. Vetëm pak sekonda nga nisja e shfaqjes, m’u duk sikur e dëgjova Atë në një mënyrë që ndoshta nuk e kisha dëgjuar Atë kurrë më parë. Më pushtuan tërësisht emocionet dhe qava si fëmijë. U përpoqa të mos lejoja që trupi të më dridhej shumë dhe i ula sytë poshtë që të mos dukesha se po vajtoja. Kisha frikë se do ta prishja atë çast për të gjithë të pranishmit e tjerë. Pjesa muzikore më nxiti të përjetoja hirin, dashurinë dhe faljen e Perëndisë nëpërmjet Shpëtimtarit Jezu Krisht për mua personalisht, që të gjitha gabimet e mia në jetë, të cilat ishin përzier me të gjitha përvojat kërkuese që më kishte ofruar jeta, mund të shëroheshin dhe të fshiheshin. Pata një vështrim të shpejtë të Qiellit, ndjeva një shije të ekzistencës qiellore (çelestiale). Më vonë, u futa në internet dhe lexova disa nga komentet në pjesën e komenteve. Në vijim janë dy komente: “Nuk do ta harroj KURRË kur e pashë këtë për herë të parë. Unë kam autizëm dhe kam pasur vështirësi me depresionin kronik dhe konceptin për vetëvrasjen. Javët e fundit përpara atij koncerti ishin thjesht një torturë për mua dhe ndihesha plotësisht i humbur lidhur me atë se çfarë duhej të bëja më. Pak ditë përpara se të këndohej kjo këngë, u kërkova pak përkrahje disa miqve të mi në Kor, gjë të cilën ma dhanë, dhe kur e dëgjova për herë të parë këtë këngë, u mbyta nga lotët. Me të vërtetë, drita gjithmonë do të vijë në fund të tunelit. Faleminderit Tabernacle Choir [Korit të Tabernakullit], miqve të mi të dashur, që jeni heronj të tillë në jetën time dhe miq kaq të mrekullueshëm! Ju dua të gjithëve përgjithmonë!” Dhe komenti i dytë: “Jam kaq e lumtur që ata nuk e hoqën pjesën e duartrokitjeve. Ai çast kur ajo kupton se përafërsisht njëzet mijë njerëz po i japin asaj një duartrokitje në këmbë, është magjik.”

Të dashur miq, ta dëgjojmë Atë është magjike; është qiellore (çelestiale) dhe ajo prek zemrën tonë, shpirtin dhe na ndihmon të vazhdojmë udhëtimin tonë për në shtëpi tek Ai. Ia vlen të luftojmë për të. Çfarë mund të bëni për ta dëgjuar Atë më shpesh?

Shënime

  1. (JS–H 1:17).

  2. Slow Down – Sissel (Koncerti për Ditën e Pionierëve 2019 me The Tabernacle Choir) –

    https://www.youtube.com/watch?v=EFe84U__kt8.