“Priftëria Është Fuqia e Perëndisë”, Liahona, gusht 2021
Mesazhi i Përmuajshëm për Revistën Liahona, Gusht 2021
Priftëria Është Fuqia e Perëndisë
Perëndia na bekon nëpërmjet fuqisë së priftërisë. Bekimet e priftërisë janë në dispozicion për gjithkënd.
Priftëria është fuqia e Perëndisë. Ai e përdor këtë fuqi për t’i bekuar të gjithë fëmijët e Tij dhe për t’i ndihmuar ata që të kthehen të jetojnë me Të. Perëndia u ka dhënë fuqinë e priftërisë fëmijëve të Tij në tokë. Me këtë fuqi, udhëheqësit e priftërisë mund ta drejtojnë Kishën dhe mbajtësit e priftërisë mund të kryejnë ordinanca të shenjta si pagëzimi, që na ndihmojnë të vijmë më pranë Perëndisë. Çdo burrë dhe grua që i merr me denjësi ordinancat e priftërisë dhe i mban besëlidhjet (premtimet e shenjta) ka qasje te fuqia e Perëndisë.
Fuqia e Priftërisë iu Dha Jozef Smithit
Kur Jezu Krishti ishte në tokë, Ai e udhëhoqi Kishën e Tij me fuqinë e priftërisë. Ai ua dha këtë fuqi edhe Apostujve të Tij. Në shekujt pasi ata vdiqën, shumë anëtarë u larguan nga Kisha. Ata e ndryshuan ungjillin dhe mënyrën se si funksiononte Kisha me mënyra të pasakta. Priftëria e Perëndisë nuk ishte më në tokë. Në vitin 1829, Jezusi dërgoi Gjon Pagëzorin dhe Apostujt Pjetër, Jakob dhe Gjon që t’ia jepnin priftërinë Jozef Smithit. Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme është e vetmja organizatë në tokë me këtë autoritet nga Perëndia.
Çelësat e Priftërisë
Çelësat e priftërisë janë autoriteti për të drejtuar përdorimin e priftërisë, të tillë si dhënien e lejeve për të kryer ordinanca. Jezu Krishti i mban të gjithë çelësat e priftërisë. Presidenti i Kishës është i vetmi njeri mbi tokë, i cili mund t’i përdorë çelësat e priftërisë për ta udhëhequr të gjithë Kishën. Nën drejtimin e tij, të tjerë mund të përdorin çelësa të caktuar për të bërë punën e Perëndisë. Udhëheqës të tillë si peshkopët dhe presidentët e kunjit i përdorin çelësat e priftërisë për të udhëhequr në lagjet dhe kunjet e tyre. Për shkak se thirrjet për të shërbyer vijnë nga udhëheqës me çelësa priftërie, burrat dhe gratë që shërbejnë në thirrje ushtrojnë autoritetin e priftërisë ndërsa bëjnë detyrat e tyre.
Priftëria Melkizedeke dhe Priftëria Aarone
Priftëria ka dy pjesë: Priftërinë Melkizedeke dhe Priftërinë Aarone. Nëpërmjet Priftërisë Melkizedeke, udhëheqësit e Kishës e drejtojnë të gjithë punën shpirtërore të Kishës, të tillë si punën misionare dhe punën në tempull. Priftëria Aarone funksionon nën autoritetin e Priftërisë Melkizedeke. Ajo përdoret për të kryer ordinanca të tilla si pagëzimi dhe sakramenti.
Bekimet e Priftërisë
Nëpërmjet besëlidhjeve dhe ordinancave, Perëndia i vë bekimet e priftërisë në dispozicion të të gjithë fëmijëve të Tij. Këto bekime përfshijnë pagëzimin, dhuratën e Frymës së Shenjtë, sakramentin dhe ordinancat e tempullit. Burrat dhe gratë që kanë marrë dhurimin në tempull marrin dhuratën e fuqisë së priftërisë së Perëndisë nëpërmjet besëlidhjeve të tyre. Ne gjithashtu mund t’i marrim bekimet e priftërisë për shërim, ngushëllim dhe udhërrëfim.
Çfarë Thonë Shkrimet e Shenjta rreth Priftërisë?
Priftëria që ekzistoi në kohët e lashta është e njëjta që ekziston tani (shih Moisiu 6:7).
Çelësat e priftërisë ndihmojnë për t’u siguruar që ne ta përmbushim punën e Zotit në mënyrë të rregullt (shih Doktrina e Besëlidhje 42:11).
Burrat që mbajnë priftërinë mund ta përdorin atë “vetëm mbi bazën e parimeve të drejtësisë” (Doktrina e Besëlidhje 121:36).
Disa nga detyrat e atyre që mbajnë priftërinë përshkruhen te Doktrina e Besëlidhje 20:38–67.
© 2021 by Intellectual Reserve, Inc. All rights reserved. Shtypur në SHBA. Miratuar për anglisht: 6/19. Miratuar për përkthim: 6/19. Përkthim i Monthly Liahona Message, August 2021. Albanian. 17472 101