2022
Rëndësia e marrjes së dhuratave të Shpirtit
Qershor 2022


Mesazh i Udhëheqjes Zonale

Rëndësia e marrjes së dhuratave të Shpirtit

Në konferencën e përgjithshme të prillit 2020 të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, duke kremtuar dyqindvjetorin e Vegimit të Parë, Presidenti Rasëll M. Nelson paraqiti një simbol që bëri të ditur vendin qendror të Jezu Krishtit në Kishën e Tij 1 . Ky simbol përmbante emrin e Kishës brenda një guri qosheje, duke nënkuptuar se Jezu Krishti është guri kryesor i qoshes. Në mënyrë simbolike, Jezu Krishti po qëndron nën një hark, duke na sjellë ndërmend Shpëtimtarin e ringjallur duke dalë nga varri ditën e tretë pas Kryqëzimit të Tij. Qendra e simbolit është një figurë e statujës së mermertë të Thorvaldsenit, “Kristusi”, e cila u skalit në vitin 1820, që portretizon Zotin e gjallë, të ringjallur me duar të shtrira për t’i përqafuar me dashuri të gjithë fëmijët e Tij që do të vijnë tek Ai. E kam parë statujën origjinale në Kopenhagë dhe statuja të tjera që i zbukurojnë territoret e tempujve dhe qendrat e vizitorëve në Europë, dhe përherë prekem nga duart e hapura që duken se duan të më përqafojnë. Plagët e Tij në duart dhe këmbët e Tij më kujtojnë çmimin që Ai pagoi për të më sjellë në shtëpi.

Ka dhurata të shumta që Ati ynë në Qiell dëshiron që ne t’i marrim, për të siguruar rrugën për në shtëpi në krahët e Tij të dashur 2 , 3 , 4 .

Më kujtohet një përvojë me një shok të ri misioni. Ditët e para mendova se dija më shumë. Kur kishim ndërmend të bisedonim së bashku, ai më kërkoi të bëja një lutje. Më kujtohet mirë që në fillim të lutjes ajo ndjenjë paqeje dhe dashurie që thuajse më pushtoi, dhe e dëgjova veten të thosha se sa keq më vinte që kisha qenë arrogant dhe i pasjellshëm dhe i kërkova falje shokut tim. Kjo e ndryshoi të gjithë marrëdhënien tonë si shokë misioni. Nuk e di me saktësi se cilën dhuratë mora, por e vlerësova si një mëshirë të dhembshur nga Perëndia.

Ne e dimë se jo të gjithë e kemi çdo dhuratë, por secili prej nesh ka një dhuratë 5 dhe këto dhurata na jepen jo si një shenjë, por si një mjet për t’iu bindur urdhrit hyjnor ndaj nesh për të ndihmuar në mbledhjen e Izraelit në të dyja anët e velit! 6

Një mënyrë hyjnore për t’i ndërthurur dhe shumëfishuar bekimet e dhuratave tona për dobinë e të tjerëve është duke u këshilluar dhe duke shërbyer së bashku.

A e keni pyetur veten se cilat dhurata do t’ju ndihmonin për ta nderuar më mirë thirrjen tuaj hyjnore në familje ose Kishë? A është dhurata e dashurisë hyjnore ajo që na pëlqen ta zhvillojmë për një vëlla ose motër të caktuar 7 , ose si mund t’u japim mësim më mirë fëmijëve tanë ose anëtarëve të tjerë 8 ? Ka dhurata të panumërta që nevojiten dhe u jepen atyre që i kërkojnë.

Megjithatë, nuk është rastësi që te Doktrina e Besëlidhje lista shumë e gjatë me dhuratat e Shpirtit fillon me dy dhurata:

  1. Dhurata për të ditur me anë të Frymës së Shenjtë se Jezusi është Biri i Perëndisë dhe Shëlbuesi ynë 9 .

  2. Dhurata për t’i besuar fjalët e tyre, që edhe ata të mund të kenë jetë të përjetshme, nëse qëndrojnë besnikë 10 .

Ndonjëherë mund të ndiejmë se na mungon diçka nëse nuk e dimë, por besojmë. Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura asnjëherë mos e nënvlerësoni dhuratën për të besuar: Plaku Xhefri R. Holland pohoi “me gjithë zjarrin e shpirtit [të tij] se të besuarit është një fjalë e çmuar, një veprim akoma më i çmuar” dhe se një person nuk duhet të ndihet asnjëherë i turpëruar ngaqë “vetëm beson” 11 . Edhe nëse ende nuk mund të besojmë, por kemi dëshirën për të besuar 12 , kjo mund të jetë pikënisja për të marrë dhurata shpirtërore. Presidenti Rasëll M. Nelson deklaroi: “Shpëtimtari dhe Shëlbuesi ynë, Jezu Krishti, do të kryejë disa nga veprat e Tij më të fuqishme midis kohës së tanishme dhe kohës kur Ai të vijë përsëri. Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, … ju lutem që ta rritni aftësinë tuaj shpirtërore për të marrë zbulesë.” Le të përpiqemi të gjithë fort për ta ndjekur lutjen e profetit tonë të dashur për të marrë më shumë nga dhuratat që Ati ynë Qiellor i ka përgatitur për ne. Ato do të na ndihmojnë të gjejmë rrugën për në shtëpi, ku Ai pret me padurim të na përqafojë përsëri.

Shënime

  1. Rasëll M. Nelson, “Hapja e Qiejve për Ndihmë”, konferenca e përgjithshme, prill 2020.

  2. Moroni 10:8–18.

  3. 1 Korintasve 12:1–12.

  4. DeB 46:11–33.

  5. DeB 46:11.

  6. Manuali i Përgjithshëm, kapitulli 1.2, “Vepra e Shpëtimit dhe e Ekzaltimit”.

  7. Moroni 7:46–48.

  8. Moroni 10:9–10.

  9. DeB 46:13.

  10. DeB 46:14.

  11. Xhefri R. Holland, “Unë Besoj, o Zot”, konferenca e përgjithshme, prill 2013.

  12. Alma 32:27.