Liahona
Ne Jemi Thirrur të Bëjmë Mirë
Qershor 2024


“Ne Jemi Thirrur të Bëjmë Mirë”, Liahona, Qershor 2024.

Mesazhi i Përmuajshëm për Revistën Liahona, Qershor 2024

Ne Jemi Thirrur të Bëjmë Mirë

Ne ndërtojmë mbretërinë e Perëndisë teksa u shërbejmë të tjerëve, e mbajmë lart dritën tonë dhe e mbrojmë lirinë fetare.

Gideoni e dalloi doktrinën e rreme kur e dëgjoi atë. Ai e kishte dëgjuar atë nga mbreti Noe dhe priftërinjtë e tij, priftërinj që “ishin ngritur në kryelartësinë e zemrave të tyre” dhe që “mbaheshin në përtacinë e tyre dhe në idhujtarinë e tyre dhe në lavirësitë e tyre nga taksat që mbreti Noe i kishte vënë popullit të tij” (Mosia 11:5–6).

Akoma dhe më keq, mbreti Noe e kishte dënuar me vdekje profetin Abinadi dhe kishte kërkuar t’i shkatërronte Almën dhe të kthyerit e tij në besim (shihni te Mosia 17; 18:33–34). Për t’i dhënë fund një ligësie të tillë, Gideoni u betua ta ndalonte mbretin, të cilit ia kishte kursyer jetën vetëm për shkak të një pushtimi lamanit (shihni te Mosia 19:4–8).

Më vonë, Gideoni i fajësoi me të drejtë priftërinjtë e Noeut që rrëmbyen 24 bija lamanite. Ai vuri re se profecia e Abinadit kundër popullit ishte përmbushur ngaqë ata kishin refuzuar të pendoheshin. (Shihni te Mosia 20:17–22.) Ai ndihmoi për ta çliruar popullin e Limhit, të cilët ishin në robëri të lamanitëve (shihni te Mosia 22:3–9).

Tani që ishte më i moshuar, Gideoni u përball sërish me krenarinë dhe ligësinë kur qëndroi përballë Nehorit, i cili kishte futur intrigat e priftërinjve mes njerëzve. Nehori i ishte “kundërvënë kishës” dhe po përpiqej t’i çonte njerëzit në rrugë të gabuar. (Shihni tek Alma 1:3, 7, 12; shihni edhe te 2 Nefi 26:29.)

Duke e përdorur fjalën e Perëndisë si armë, Gideoni trim e qortoi Nehorin për ligësinë e tij. I zemëruar, Nehori e sulmoi dhe e vrau Gideonin me shpatë. (Shihni tek Alma 1:7–9.) Kështu përfunduan ditët e “një njeriu të drejtë”, i cili kishte “bërë shumë të mira mes këtij populli” (Alma 1:13).

Ditët e fundit, në të cilat jetojmë, na ofrojnë mundësi të shumta për t’i përngjarë Gideonit si “një vegël në duart e Perëndisë” (Alma 1:8) duke qenë në “shërb[im]” (Mosia 22:4) të të tjerëve, duke e mbrojtur drejtësinë dhe duke u bërë ballë kërcënimeve ndaj lirisë sonë për të adhuruar Perëndinë dhe për t’i shërbyer Atij. Teksa e ndjekim shembullin besnik të Gideonit, edhe ne mund të bëjmë shumë të mira.

Pamja
grua me tabaka ushqimi duke qëndruar pranë një gruaje të shtrirë në shtrat

Bashkohuni në Shërbim

“Si ndjekës të [Shpëtimtarit], ne kërkojmë t’i duam Perëndinë dhe të afërmit tanë kudo në botë”, – ka thënë Presidenca e Parë. “Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme është e etur t’i bekojë të tjerët dhe t’i ndihmojë njerëzit në nevojë. Ne jemi bekuar që kemi aftësinë, burimet dhe lidhjet e besuara globale për ta përmbushur këtë përgjegjësi të shenjë.”1

Jam mirënjohës për shërbimin dhe dhënien e shërbesës vetëmohuese që anëtarët e Kishës ofrojnë në tempujt tanë dhe në lagjet, degët e kunjet e tyre. Jam gjithashtu mirënjohës që anëtarët e Kishës shërbejnë në organizata të panumërta komunitare, arsimore dhe bamirëse dhe që angazhohen në mijëra projekte humanitare çdo vit, duke ofruar miliona orë punë vullnetare në gati 200 vende dhe territore.2

Një mënyrë se si Kisha i zgjeron mundësitë për shërbim në disa vende, është nëpërmjet faqes JustServe.org. E financuar nga Kisha, por në dispozicion për çdokënd që dëshiron t’i bekojë të tjerët, faqja JustServe.org “lidh nevojat për vullnetarë të komunitetit me vullnetarë” të cilët “e rritin cilësinë e jetës në komunitet”3.

Kisha dhe anëtarët e saj gjithashtu bashkohen me organizata shërbimi anembanë botës. Kisha, falë anëtarëve të saj, ishte “kontribuesja më vete më e madhe e Kryqit të Kuq për dhurimin e gjakut në vitin 2022”. Përveç kësaj, Kisha kohët e fundit bëri një dhurim prej 8,7 milionë dollarësh ndaj Kryqit të Kuq.4

Kisha gjithashtu bashkohet me organizata të tjera për të realizuar projekte për ujë të pastër e higjienë në zona anembanë botës. Në vitin 2022, Kisha mori pjesë në 156 projekte të tilla.5 Ne gjithashtu bashkëpunojmë dhe u japim dhurime agjencive të tjera që u sjellin lehtësim fëmijëve të përvuajtur të Perëndisë.6

“Kur ne bashkojmë duart për t’u shërbyer njerëzve në nevojë”, – tha Presidenti Henri B. Ajring, Këshilltar i Dytë në Presidencën e Parë, – “Zoti bashkon zemrat tona.”7

Pamja
duar të mbledhura si kupë me dritën e diellit

Mbajeni Lart Dritën Tuaj

Si dishepuj të Shpëtimtarit, ne i bekojmë të afërmit tanë edhe kur i mbajmë besëlidhjet tona dhe jetojmë një jetë si të Krishtit. Libri i Mormonit na mëson se “njerëzit e kishës” jo vetëm që duhet të zgjedhin drejtësinë, por edhe t’i bëjnë zërat e tyre të drejtë të dëgjohen nëse dëshirojnë që Zoti t’i mbrojë e t’i begatojë ata (shihni tek Alma 2:3–7; shihni edhe te Mosia 29:27). Zoti pret nga ne që t’i shprehim besimin dhe bindjet tona dhe ta mbajmë lart dritën tonë. “Vini re, unë jam drita që ju duhet të mbani lart” (3 Nefi 18:24).

“Nuk i shërbejmë mirë Shpëtimtarit tonë nëse i druhemi njeriut më shumë sesa Perëndisë”, – tha Presidenti Dallin H. Ouks, Këshilltar i Parë në Presidencën e Parë. Ai shtoi: “Ne jemi thirrur të përforcojmë standardet e Zotit, jo të ndjekim ato të botës”8.

Qoftë në shkollë, punë, apo lojë, me pushime, në takim romantik ose në internet, dishepujt e Zotit nuk kanë “turp të m[arrin] emrin e Krishtit mbi vete” (Alma 46:21). Me fjalët tona dhe veprat tona, ne dëshmojmë se Perëndia jeton dhe se e ndjekim Birin e Tij.

“Besimi ynë nuk është i ndarë, ose sigurisht që nuk duhet të jetë i ndarë. Besimi nuk është vetëm në kishë, nuk është vetëm në shtëpi, nuk është vetëm në [shkollë]”, – vërejti Pol Lamberti, një specialist shenjtor i ditëve të mëvonshme, për pluralizmin fetar. “Është në gjithçka që ju bëni.”9

Ne nuk e dimë ndikimin që mund të kenë tek të tjerët dëshmia jonë, shembulli ynë i mirë dhe veprimet tona të mira. Por ndërsa e mbrojmë të drejtën dhe e mbajmë lart dritën e Shpëtimtarit, njerëzit do të na vënë re dhe qielli do të brohorasë për ne.

Pamja
grua duke qëndruar jashtë një tempulli

Mbrojeni Lirinë Fetare

Intrigat e sotme të priftërinjve, me shoqëritë laike që gjithnjë e më tepër po i godasin njerëzit besimtarë, nuk janë aq të ndryshme nga ato të kohëve në Librin e Mormonit. Zëri i atyre që e kundërshtojnë rolin jetik të fesë në arenat publike dhe politike, po bëhet gjithnjë e më i fortë. Njerëzit laikë dhe qeveritë, duke përfshirë shumë shkolla dhe universitete, po e detyrojnë dhe po e predikojnë sjelljen e pamoralshme, ateizmin dhe relativizmin moral.

Sulmet ndaj lirisë fetare do të jenë të suksesshme nëse nuk i mbrojmë të drejtat tona fetare. “Si Kishë”, – dhashë mësim kohët e fundit, – “bashkohemi me fe të tjera që [i] mbrojnë njerëzit e të gjitha besimeve dhe bindjeve dhe të drejtën e tyre për të folur për ato qëndrime fetare.”10

U zhvillua një luftë në qiell mbi lirinë morale të zgjedhjes – lirinë tonë për të zgjedhur. Për të ruajtur lirinë tonë të zgjedhjes kërkohet që të jemi të zellshëm për ta mbrojtur lirinë tonë fetare.

Besimi i gjallë fetar i forcon dhe mbron familjet, komunitetet dhe kombet. Ai nxit bindjen ndaj ligjit, rrënjos respektin për jetën e pronën dhe jep mësim për dashurinë hyjnore, ndershmërinë e moralin – virtyte të nevojshme për të përjetësuar një shoqëri të drejtë, të lirë dhe civile. Ne kurrë nuk duhet të kërkojmë falje për besimin tonë.

Përpjekjet tona misionare, puna jonë me mëkëmbës në tempuj, përpjekjet tona për të ndërtuar mbretërinë e Perëndisë dhe vetë lumturia jonë kërkojnë që ne t’i mbrojmë besimin dhe lirinë fetare. Ne nuk mund ta humbim atë liri pa humbur liri të tjera.

Profeti Jozef Smith dha mësim: “Është dashuria për lirinë që frymëzon shpirtin tim – liria civile dhe fetare për të gjithë racën njerëzore”11. Liria fetare do ta frymëzojë gjithashtu shpirtin tonë teksa ndjekim këshillën nga udhëheqësit e Kishës:

  • “Qëndroni të informuar për çështjet me rëndësi publike dhe më pas flisni me kurajë e qytetari.”12

  • “Kuptojeni se gërryerja e lirisë fetare do të ndikojë ndjeshëm në mundësitë tona për t’u rritur në forcë e njohuri rreth ungjillit, për t’u bekuar nga ordinancat e shenjta dhe për t’u mbështetur te Zoti për të drejtuar Kishën e Tij.”13

  • “Ngrih[uni] dhe … fl[isni] për të pohuar se Perëndia ekziston dhe se ka të vërteta absolute që i përcaktojnë urdhërimet e Tij.”14

  • “Sfidoj[ini] ligjet që do t[a] dëmtonin lirinë tonë për të ushtruar besim[et] ton[a].”15

  • “Shkoni në botë për të bërë mirë, për të ndërtuar besim te Perëndia i Plotfuqishëm dhe për të ndihmuar që t’i sillni të tjerët në një vend më të lumtur.”16

  • Burime për studim te religiousfreedom.ChurchofJesusChrist.org dhe te religiousfreedomlibrary.org/documents.

Ne ndërtojmë mbretërinë e Perëndisë teksa shërbejmë, e mbajmë lart dritën tonë dhe e mbrojmë lirinë fetare. Perëndia na bekoftë në përpjekjet tona për të “bërë shumë të mira” mes familjeve, komuniteteve dhe kombeve tona!

Shënime

  1. “A Message from the First Presidency”, në Caring for Those in Need: 2022 Annual Report of The Church of Jesus Christ of Latter-day Saints, f. 3, ChurchofJesusChrist.org.

  2. Shihni te Caring for Those in Need: 2022 Annual Report, f. 4, ChurchofJesusChrist.org.

  3. Justserve.org/about. Nisma ThjeshtShërbe është aktive në 17 kombe. Mijëra njerëz dhe organizata po bekohen nëpërmjet kësaj nisme.

  4. Shihni te Kaitlyn Bancroft, “Church Donates $8.7 M as Part of Red Cross Collaboration”, Church News, 22 prill 2023, f. 23.

  5. Shihni te Mary Richards, “Church Joins with Groups around the World to Tap into the Gift of Water”, Church News, 27 maj 2023, f. 12.

  6. Shihni te Dallin H. Ouks, “Ndihma për të Varfrit dhe të Dëshpëruarit”, Liahona, nëntor 2022, f. 6–8.

  7. Henri B. Ajring, “Mundësi për të Bërë Mirë”, Liahona, maj 2011, f. 25.

  8. Dallin H. Ouks, “Shërbimi Vetëmohues”, Liahona, maj 2009, f. 95.

  9. Paul Lambert, në Rachel Sterzer Gibson, “Why Is There a Need for Faith in the Workplace?” Church News, 22 prill 2023, f. 16.

  10. Ronald A. Rasband, “Për të Shëruar Botën”, Liahona, maj 2022, f. 92.

  11. Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smith (2009), f. 368.

  12. D. Todd Christofferson, “Religious Freedom – A Cherished Heritage to Defend” (fjalim dhënë në Freedom Festival Patriotic Service, Provo, Utah, 26 qershor 2016), f. 5–6, speeches.byu.edu.

  13. Ronald A. Rasband, “Free to Choose” (takim shpirtëror në Universitetin “Brigam Jang”, 21 janar 2020), f. 3, speeches.byu.edu.

  14. Dallin H. Oaks, “Truth and Tolerance” (takim shpirtëror në Universitetin “Brigam Jang”, 11 shtator 2011), f. 2, speeches.byu.edu.

  15. Dallin H. Oaks, “Truth and Tolerance”, f. 4.

  16. Ronald A. Rasband, “Free to Choose”, f. 5, speeches.byu.edu.

Shtyp në Letër