“Alma 57: Përpjekja për t’iu Bindur Urdhërimeve Përherë”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit (2024)
“Alma 57”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit
Alma 57
Përpjekja për t’iu Bindur Urdhërimeve Përherë
Cili është qëndrimi yt kundrejt mbajtjes së urdhërimeve? Përse ka rëndësi qëndrimi yt? Ndërkohë që luftonin në një betejë tjetër të rrezikshme, luftëtarët e rinj iu bindën “çdo fjal[e] të urdhrit me përpikmëri”, duke e vendosur “përherë besimin e tyre në Perëndi” (Alma 57:21, 27). Ky mësim është hartuar për të të ndihmuar të përpiqesh t’u bindesh urdhrave të Perëndisë përherë.
Qëndrimet ndaj urdhërimeve
Përshkruaj tre qëndrime të ndryshme që mund të ketë dikush kundrejt mbajtjes së urdhërimeve të Perëndisë dhe përse.
Ndalu një çast për t’i shkruar përgjigjet për pyetjet vijuese në ditarin tënd të studimit:
-
Cili është qëndrimi yt ndaj mbajtjes së urdhërimeve të Perëndisë? Përse ka rëndësi qëndrimi yt?
-
Nëse nuk po përpiqesh aktualisht t’i zbatosh urdhërimet sa më mirë që mundesh, çfarë po të pengon të mos e bësh këtë?
Ndërsa studion sot, kërko parime rreth bindjes që mund të të frymëzojnë, shtyjnë dhe ndihmojnë me çdo pyetje ose shqetësim. Përsiat se si ato mund të gjejnë zbatim dhe ta bekojnë jetën tënde.
Luftëtarët e rinj
Në mësimin e mëparshëm, ti mësove se si 2 000 luftëtarë të rinj e ndihmuan Antipusin dhe njerëzit e tij ta mundnin ushtrinë “më [të] fortë” dhe “më [të] madhe në numër” lamanite në atë pjesë të vendit (shih tek Alma 56:34). Tek Alma 57, Helamani e vazhdoi letrën e tij për kapiten Moronin. Gjashtëdhjetë bij të tjerë të popullit të Amonit u bashkuan me ushtrinë e tij (shih tek Alma 57:6) dhe 2 060 luftëtarët e rinj u përballën me një tjetër kërcënim. Lamanitët i sulmuan nefitët dhe gati sa nuk po i mundnin ata kur Helamanit dhe njerëzve të tij iu bashkua një grup ushtarësh që më parë kishin shoqëruar robërit lamanitë (shih tek Alma 57:1–18).
Dy aftësi të studimit të shkrimeve të shenjta që mund ta thellojnë studimin tënd të këtij rrëfimi dhe të të ndihmojnë t’i zbatosh mësimet e tij në jetën tënde janë të përcaktosh fjalë ose fraza të rëndësishme dhe t’i përsiatësh ato.
Lexo tek Alma 57:19–23 për të parë se çfarë ndodhi. Merre parasysh t’i shenjosh fjalët dhe frazat që i përshkruajnë luftëtarët e rinj të Helamanit.
Te vargu 21, merre parasysh të shenjosh se si e përshkroi Helamani bindjen e këtyre djemve të rinj. Lexo tek Alma 58:40, duke kërkuar qëndrimin e luftëtarëve kundrejt Perëndisë dhe urdhërimeve të Tij pas kërcënimit ushtarak të radhës.
-
Si mendon, çfarë do të thotë të “zbatonin çdo fjalë të urdhërit me përpikmëri” (Alma 57:21) dhe “përpiqen të zbatojnë … urdhërimet e tij përherë” (Alma 58:40)?
-
Si ndikon besimi ynë te Jezu Krishti dhe kujtimi i Jezu Krishtit në dëshirën dhe aftësinë tonë për t’iu bindur urdhërimeve të Perëndisë?
Lexo tek Alma 57:24–27, duke kërkuar fjalë ose fraza që tregojnë se si u bekuan bijtë e Helamanit në betejën e tyre të dytë për shkak të besimit dhe bindjes së tyre ndaj Perëndisë.
-
Çfarë mësove nga ky rrëfim që mund të ketë lidhje me jetën tënde sot?
Një parim që mund të mësojmë është se nëse ne e vendosim mirëbesimin tonë te Perëndia dhe përpiqemi t’i zbatojmë urdhrat e Tij përherë, atëherë Ai do të na bekojë me anë të fuqisë së Tij të mrekullueshme.
-
Si mund të ndikojë të diturit se ka “një Perëndi të drejtë” që ka “fuqi … mrekulluese” (Alma 57:26) në qëndrimin tonë kundrejt bindjes ndaj Tij?
-
Çfarë qëndrimi mendon se mund të dojë Zoti që të kemi kur përpiqemi t’i zbatojmë urdhërimet e Tij por nuk e arrijmë bindjen e përsosur? Si ndihmon kuptueshmëria jote për Shlyerjen e Jezu Krishtit për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje?
Është e rëndësishme të kuptosh se, ndërsa jemi të bindur ndaj urdhrave të Tij, Perëndia do të na bekojë në mënyrën dhe kohën e Tij. Në të dy betejat e tyre, luftëtarët e rinj u bekuan me ruajtjen e jetës së tyre pavarësisht luftimeve të rrezikshme dhe lëndimeve.