“27 Qershor. Si Mund të Përgatitem Tani për të Krijuar një Shtëpi të Përqendruar te Krishti? Doktrina e Besëlidhje 67–70”, Eja, Më Ndiq – Për Kuorumet e Priftërisë Aarone dhe Klasat e Të Rejave: Temat Doktrinore 2021 (2020)
“27 Qershor. Si Mund të Përgatitem Tani për të Krijuar një Shtëpi të Përqendruar te Krishti?” Eja, Më Ndiq – Për Kuorumet e Priftërisë Aarone dhe Klasat e Të Rejave: Temat Doktrinore 2021
27 Qershor
Si Mund të Përgatitem Tani për të Krijuar një Shtëpi të Përqendruar te Krishti?
Këshillohuni së Bashku
Udhëhiqet nga një anëtar i presidencës së kuorumit ose një anëtare e presidencës së klasës; përafërsisht 10–20 minuta
Në fillim të mbledhjes, përsëriteni së bashku Temën e Kuorumit të Priftërisë Aarone ose Temën e Të Rejave. Më pas udhëhiqni një diskutim rreth çështjeve të tilla si ato që vijojnë dhe planifikoni mënyra për të vepruar sipas asaj që diskutoni (ju mund të vendosni në një mbledhje të presidencës se për cilat çështje të diskutoni):
-
Kuorumi ose klasa jonë. Kush është anëtar i ri ose anëtare e re në lagjen tonë dhe si mund ta ndihmojmë të ndihet i/e mirëpritur? Çfarë po bëjmë që ta bëjmë domethënëse kohën tonë në mbledhjet e kuorumit ose të klasës?
-
Detyrat ose përgjegjësitë tona. Cilat janë disa detyra dhe përgjegjësi që i kemi si të rinj ose të reja? Si mund t’i përmbushim ato më mirë?
-
Jeta jonë. Çfarë po bëjmë që të bëhemi më shumë si Jezu Krishti dhe që ta marrim fuqinë e Tij në jetën tonë? Çfarë po bëjmë ne për t’i ndihmuar familjet tona që të vijnë tek Ai?
Në fund të mësimit, si të jetë e përshtatshme, bëni sa vijon:
-
Dëshmoni për parimet e dhëna mësim.
-
Kujtojini anëtarët e kuorumit ose anëtaret e klasës rreth planeve dhe ftesave të bëra gjatë mbledhjes.
Jepeni Mësim Doktrinën
Udhëhiqet nga një udhëheqës/e në moshë madhore ose nga një i ri apo e re; përafërsisht 25–35 minuta
Përgatituni Shpirtërisht
Doktrina e Besëlidhje 68 përfshin këshilla drejtuar prindërve të cilat mund të duken pa lidhje të drejtpërdrejtë me anëtarët e kuorumit ose anëtaret e klasës (shih vargjet 25–28). Megjithatë, ngaqë ato mund të kenë ndikim të fuqishëm te familjet e tyre të tanishme dhe të ardhshme, kjo këshillë mund t’i ndihmojë ata tani. Mënyra më e mirë që ata të përgatiten për të pasur një shtëpi të përqendruar te Krishti në të ardhmen, është të “ecin drejt përpara Zotit” sot (vargu 28).
Çfarë bekimesh kanë ardhur në familjen tuaj ngaqë keni ndjekur mësimet e Shpëtimtarit? Si mund t’i ndihmojnë anëtarët e kuorumit ose anëtaret e klasës familjet e tyre që të krijojnë një shtëpi të përqendruar te Krishti? Për t’u përgatitur që të jepni mësim, ju mund të shqyrtoni mesazhin e Presidentit Henri B. Ajring “Një Shtëpi Ku Banon Shpirti i Zotit” (Liahona, maj 2019, f. 22–25) dhe dokumentin “Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës” (ChurchofJesusChrist.org).
Mësoni së Bashku
Për t’i ndihmuar anëtarët e kuorumit ose anëtaret e klasës suaj që ta shohin se si gjen zbatim për ta Doktrina e Besëlidhje 68:25–28, ju mund t’u kërkoni që të shkruajnë një përshkrim të shkurtër të mënyrës se si duan të jetë jeta e ardhshme familjare e tyre. Mund t’u kërkoni që të tregojnë atë që shkruan nëse dëshirojnë. Më pas ata mund të lexojnë te Doktrina e Besëlidhje 68:25–28 dhe të kërkojnë mësime e parime të ungjillit që mund t’i ndihmojnë të ndërtojnë familje të drejta tani dhe në të ardhmen. Veprimtaritë më poshtë mund t’i ndihmojnë që të kuptojnë se si ta bëjnë Krishtin qendrën e familjeve të tyre.
-
Paragrafi shtatë te dokumenti “Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës”, përmban të vërteta që mund t’i ndihmojnë anëtarët e kuorumit ose anëtaret e klasës t’i përqendrojnë shtëpitë e tyre te Shpëtimtari. Ftojini ta lexojnë këtë paragraf dhe të përcaktojnë mësimet dhe parimet që do ta ndihmojnë një familje të jetë e lumtur. Ju mund të doni t’i shkruani këto në tabelë dhe t’u kërkoni atyre të cilëve u jepni mësim, që të diskutojnë arsyen përse secila prej tyre do ta ndihmonte një familje të ishte e lumtur. Anëtarët e kuorumit ose anëtaret e klasës mund të duan të tregojnë se si i kanë parë këto mësime dhe parime të gjejnë zbatim në vetë familjen e tyre ose të të tjerëve. Nxitini të përsiatin mënyrën se si mund ta zbatojnë të paktën njërin prej këtyre parimeve në jetën e tyre tani. Sigurojini se ata mund ta bëjnë Jezu Krishtin qendrën e jetës së tyre, pavarësisht se nga cila situatë familjare vijnë.
-
Anëtarët e kuorumit ose anëtaret e klasës mund të diskutojnë për gjëra që e mbajnë Shpëtimtarin në qendër të shtëpive tona dhe gjëra që e pengojnë Atë të jetë në qendër të shtëpive tona. Ju mund t’u kërkoni individëve ose grupeve të vogla që të rishikojnë një nga pjesët e mesazhit të Presidentit Henri B. Ajring “Një Shtëpi Ku Banon Shpirti i Zotit” (Liahona, maj 2019, f. 22–25), për të gjetur parime që mund të ndihmojnë për t’i bërë shtëpitë tona më të përqendruara te Krishti. Ftojini anëtarët e kuorumit ose anëtaret e klasës të tregojnë atë që mësojnë dhe të zgjedhin një gjë që do ta bëjnë gjatë javës së ardhshme për t’i bërë shtëpitë e tyre më të përqendruara te Jezu Krishti dhe mësimet e Tij.
-
Ndoshta ju mund t’i kërkoni njërit/njërës ose më shumë prej anëtarëve të kuorumit apo anëtareve të klasës të këndojnë ose të lexojnë një këngë rreth shtëpisë dhe familjes, të tilla si “Parajs’ mund t’Jet’ Shtëpia” (Himne, nr. 193) ose “Dashuri Këtu Ka” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 102). Të tjerët mund të dëgjojnë për atë që na mëson kënga rreth bërjes së shtëpisë një vend të lumtur. Ftojini të tregojnë një përvojë kur u ndien të lumtur ngaqë iu shfaq dashuri ose kur ata ndihmuan në shtimin e dashurisë në shtëpinë e tyre.
Veproni me Besim
Nxitini anëtarët e kuorumit ose anëtaret e klasës që të përsiatin dhe të mbajnë shënim atë që do të bëjnë për të vepruar sipas mbresave që morën sot. Si lidhet mësimi i sotëm me synimet vetjake që kanë vendosur? Nëse do të duan, anëtarët e kuorumit ose anëtaret e klasës mund të shprehin idetë e tyre.
Burime Mbështetëse
-
Mosia 4:14–16; Doktrina e Besëlidhje 88:119; 121:41–46 (Si të ngrini një shtëpi të drejtë)
-
“What Can I Do to Help Ease Family Tension?” [“Çfarë Mund të Bëj Unë për ta Lehtësuar Tensionin Familjar?”] nga Face to Face with Elder Rasband, Sister Oscarson, and Brother Owen [Ballë për Ballë me Plakun Rasband, Motrën Oskarson dhe Vëllanë Ouen] (transmetim mbarëbotëror për rininë, 20 janar 2016), “Two Brothers Apart” [“Dy Vëllezër të Ndarë”], “Through Small Things” [“Nëpërmjet Gjërave të Vogla”], “More Diligent and Concerned at Home” [“Më të Zellshëm dhe të Shqetësuar në Shtëpi”] (materiale filmike), ChurchofJesusChrist.org