“11 Qershor. Si Mund të Afrohem më Shumë me Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin? Gjoni 14–17”, Eja, Më Ndiq – Për Kuorumet e Priftërisë Aarone dhe Klasat e Të Rejave: Temat Doktrinore 2023 (2022)
“11 Qershor. Si Mund të Afrohem më Shumë me Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin?”, Eja, Më Ndiq – Për Kuorumet e Priftërisë Aarone dhe Klasat e Të Rejave: Temat Doktrinore 2023
11 Qershor
Si Mund të Afrohem më Shumë me Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin?
Këshillohuni së Bashku
Udhëhiqet nga një anëtare e presidencës së klasës ose një anëtar i presidencës së kuorumit; përafërsisht 10–20 minuta
Në fillim të mbledhjes, përsëriteni së bashku Temën e Të Rejave ose Temën e Kuorumit të Priftërisë Aarone. Pastaj drejtoni një diskutim rreth punës së shpëtimit dhe ekzaltimit duke përdorur një ose më shumë nga pyetjet e mëposhtme ose pyetjet tuaja (shih Manuali i Përgjithshëm, 10.2, 11.2). Planifikoni mënyra që të veproni sipas asaj që diskutoni.
-
Jetojeni ungjillin. Cilat përvoja të kohëve të fundit i kanë forcuar dëshmitë tona?
-
Përkujdesuni për njerëzit nevojtarë. Kush ka nevojë për ndihmën dhe lutjet tona? Çfarë ndihemi të nxitur të bëjmë për t’i ndihmuar?
-
Ftojini të gjithë që ta marrin ungjillin. Si mund të jemi një dritë për pjesëtarët e familjes ose miqtë që nuk kanë të njëjtat bindje si ne?
-
Bashkojini familjet për përjetësinë. Si mund të tregojmë më shumë dashuri dhe përkrahje për familjet tona dhe të sjellim një ndryshim për mirë në shtëpitë tona?
Në fund të mësimit, si të jetë e përshtatshme, bëni sa vijon:
-
Dëshmoni për parimet e dhëna mësim.
-
Kujtojuani anëtareve të klasës ose anëtarëve të kuorumit planet dhe ftesat e bëra gjatë mbledhjes.
Jepeni Mësim Doktrinën
Udhëhiqet nga një udhëheqës/e në moshë madhore ose nga një i ri apo e re; përafërsisht 25–35 minuta
Përgatituni Shpirtërisht
Fruti nuk mund të rritet në një degë që është ndarë nga pema e saj. Në të njëjtën mënyrë, ne nuk mund të rritemi shpirtërisht nëse jemi ndarë nga Perëndia (shih Gjoni 15:4–6). Megjithatë, ka kaq shumë forca që kërkojnë të na ndajnë nga Ai – ndonjëherë vetë krenaria jonë ose zgjedhjet e këqija, por shpesh thjesht kushtet e jetës në vdekshmëri. Kur Jezusi u takua me dishepujt e Tij për herë të fundit në vdekshmëri, Ai e dinte që shpejt do të ndahej prej tyre. Prandaj, Ai u mësoi atyre për rëndësinë e mbajtjes së një lidhjeje të ngushtë me Të dhe Atin e Tij – për të qenit të bashkuar me Ta ashtu si një degë është e bashkuar me një pemë. Ai e quajti këtë “qëndrim” në Të. Dhe Ai u mësoi dishepujve të Vet se si ta bënin këtë. Ç’është më e rëndësishmja, nëpërmjet flijimit të Tij shlyes, Ai e bëri të mundur atë lidhje.
Përsiatni për lidhjen tuaj me Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin ndërsa studioni kapitujt te Gjoni 14–17. Mendoni edhe për njerëzit të cilëve u jepni mësim, dhe dëshirat e tyre për të qenë më afër Perëndisë. Çfarë do të bëni për t’i ndihmuar ata? Ju mund të përsiatni vargjet te Doktrina e Besëlidhje 88:62–68 ndërsa përgatiteni të jepni mësim.
Mësoni së Bashku
Merreni parasysh se si mund t’i frymëzoni të rinjtë dhe të rejat të diskutojnë mësimet e Shpëtimtarit rreth hardhive dhe shermendeve te Gjoni 15:1–12. Ndoshta mund përdorni një vizatim, një figurë ose një shermend të vërtetë për t’i ndihmuar ata të përfytyrojnë atë që dha mësim Jezusi. Mund t’u kërkoni atyre të flasin rreth rasteve kur e kanë ndier pranë Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin – ose rasteve kur janë ndier të largët prej Tyre. Çfarë na mësojnë këto vargje rreth mënyrës se si mund të qëndrojmë pranë Tyre? Veprimtaritë si ato në vijim, mund të ndihmojnë në vazhdimin e këtij bashkëbisedimi.
-
Mund të jetë e vlefshme të kaloni pak kohë duke eksploruar pyetjen: “Çfarë na mban larg Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit?” Ju mund ta shkruani pyetjen në tabelë dhe të kërkoni përgjigje. Ndoshta mund të flisni më pas për atë që bëjmë për të ndërtuar një marrëdhënie me një shok ose shoqe apo pjesëtar ose pjesëtare të familjes. Si është kjo e ngjashme, ose e ndryshme, nga mënyra se si ndërtojmë një marrëdhënie me Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin? Si na ndihmon Jezu Krishti t’i afrohemi Atij dhe Atit të Tij? Nxitini anëtaret e klasës ose anëtarët e kuorumit të lexojnë shkrimet e shenjta te pjesa “Burime Mbështetëse” për t’i ndihmuar t’u përgjigjen kësaj pyetjeje. Të rinjtë ose të rejat mund të përfitojnë nga studimi i këtyre vargjeve në dyshe dhe nga shprehja e asaj që mësojnë.
-
Askush nuk është më afër Perëndisë Atit sesa Biri i Tij i dashur, Jezu Krishti. Çfarë mësojmë nga Shpëtimtari rreth afrimit më shumë me Perëndinë? Anëtaret e klasës ose anëtarët e kuorumit mund ta përsiatin këtë pyetje ndërsa lexojnë vargjet te Lluka 22:41–43; Gjoni 6:38; 17:3, 20–23; 3 Nefi 11:11; Doktrina e Besëlidhje 50:43. Si mund të bëhemi një me Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin?
-
Në mesazhin e tij “Shpëtimtari Ynë Vetjak”, Plaku Majkëll Xhon U. Teh, kujtoi një rast kur e kuptoi se “gjërat që di[nte] për Shpëtimtarin, e tejkalonin shumë faktin se sa e nj[ihte] vërtet Atë” (Liahona, maj 2021, f. 99). Mund t’i kërkoni klasës ose kuorumit tuaj të diskutojë ndryshimet mes njohurisë për Jezu Krishtin dhe njohjes së Tij në të vërtetë. Ata mund të flasin për atë që po bëjnë për të pasur njohuri për Të dhe atë që po bëjnë për ta njohur Atë vërtet. Mandej ata mund të kërkojnë pjesë të mesazhit të Plakut Teh për të gjetur këshillat që dha ai rreth njohjes së vërtetë të Shpëtimtarit. Si është bekuar jeta jonë nga kërkimi për ta njohur Atë?
-
Në materialin filmik “He Knows Me” [“Ai më Njeh Mua”], dy të rinj nga Gana përshkruan përpjekjet e tyre për t’u afruar më shumë me Perëndinë. Ndoshta anëtaret e klasës ose anëtarët e kuorumit mund ta shohin materialin filmik dhe, ndërsa e bëjnë këtë, të bëjnë një listë me idetë që ai u jep atyre për mënyrën se si ta përmirësojnë marrëdhënien me Atin e tyre në Qiell. Ftojini ata të tregojnë diçka nga listat e tyre. Nëse është e mundur, atyre mund t’u pëlqejë të bëjnë vetë materiale të shkurtra filmike që përshkruajnë mënyrën se si i afrohen më shumë Perëndisë.
Veproni me Besim
Nxitini anëtaret e klasës ose anëtarët e kuorumit të përsiatin dhe ta shënojnë atë që do të bëjnë për të vepruar sipas mbresave që morën sot. Nëse duan, mund të japin idetë e tyre. Ftojini të mendojnë se si do të forcohen marrëdhëniet e tyre me Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin po të veprojnë sipas mbresave të veta.