Eja, Më Ndiq
10–16 Qershor: “A e Keni Provuar Këtë Ndryshim të Madh në Zemrat Tuaja?” Alma 5–7


“10–16 Qershor: ‘A e Keni Provuar Këtë Ndryshim të Madh në Zemrat Tuaja?’ Alma 5–7”, Eja, Më Ndiq – Për Shtëpinë dhe Kishën: Libri i Mormonit 2024 (2024)

“10–16 Qershor. Alma 5–7”, Eja, Më Ndiq – Për Shtëpinë dhe Kishën: 2024 (2024)

Alma i Riu duke u dhënë mësim zoramitëve

Alma i Riu duke u dhënë mësim zoramitëve

10–16 Qershor: “A e Keni Provuar Këtë Ndryshim të Madh në Zemrat Tuaja?”

Alma 5–7

Alma nuk dinte gjë për kirurgjinë e sotme jetëshpëtuese të transplantimit të zemrës, që e zëvendëson një zemër të dëmtuar apo të sëmurë me një zemër të shëndetshme. Por ai ishte në dijeni për një “ndryshim të zemrës” më mrekullibërës (Alma 5:26), një ndryshim në të cilin Shpëtimtari na jep një risi të jetës shpirtërore, njësoj si të “linde[mi] përsëri” (shihni tek Alma 5:14, 49). Alma mund ta kuptonte se ky ndryshim i zemrës ishte pikërisht ajo për të cilën kishin nevojë shumë prej nefitëve. Disa ishin të pasur dhe të tjerë të varfër, disa krenarë dhe të tjerë të përulur, disa përndjekës dhe të tjerë të pikëlluar nga përndjekja (shihni tek Alma 4:6–15). Por të gjithë ata kishin nevojë të vinin te Jezu Krishti që të shëroheshin – njësoj si ne të gjithë. Qoftë nëse po përpiqemi ta mposhtim krenarinë apo t’i durojmë pikëllimet, mesazhi i Almës është i njëjti: “Ejani dhe mos kini frikë” (Alma 7:15). Lëreni Shpëtimtarin ta ndryshojë një zemër të ngurtësuar, mëkatare apo të lënduar në një zemër që është e përulur, e kulluar dhe e re.

Ide për të Mësuarit në Shtëpi dhe në Kishë

Alma 5:14–33

Unë duhet të përjetoj dhe të vazhdoj ta ndiej, një ndryshim të madh të zemrës.

Presidenti M. Rasëll Ballard tha: “Unë duhet të gjej kohë rregullisht që ta pyes veten time: ‘Si po ia kalon?’ … Si një udhërrëfyes për mua gjatë kësaj interviste vetjake, personale, më pëlqen të lexoj e të përsiat mbi fjalët vetëshqyrtuese që gjenden te kapitulli i pestë i Almës” (“Të Kthehemi dhe të Marrim”, Liahona, maj 2017, f. 64).

Merreni parasysh të lexoni tek Alma 5:14–33 sikur të ishit duke intervistuar veten dhe duke shqyrtuar imtësisht zemrën tuaj. Ju mund të doni t’i mbani shënim përgjigjet tuaja për pyetjet. Çfarë mësoni për veten tuaj? Çfarë ndiheni i/e frymëzuar të bëni si pasojë e intervistës suaj?

Shihni edhe te Dejll G. Renland, “Mbajtja e Ndryshimit të Fuqishëm të Zemrës”, Liahona, nëntor 2009, f. 97–99.

e re duke u lutur pranë shtratit

Kur drejtohemi te Perëndia, ne mund të provojmë “një ndryshim të zemrës”.

Alma 5:44–51

Unë mund ta fitoj dëshminë time vetjake për Shpëtimtarin dhe mësimet e Tij nëpërmjet Frymës së Shenjtë.

Tek Alma 5, kur Alma shpjegoi se si e fitoi dëshminë e vet për Shpëtimtarin, ai nuk e përmendi përvojën e tij ku kishte parë një engjëll (shihni te Mosia 27:10–17). Si arriti Alma ta dinte të vërtetën vetë? Mbase mund të përdorni atë që gjeni tek Alma 5:44–51 për të shkruar një “recetë” për marrjen e një dëshmie për Jezu Krishtin dhe mësimet e Tij. Çfarë “përbërësish” (të vërteta të ungjillit) dhe “udhëzimesh” (gjëra që mund të bëjmë për të kërkuar të vërtetën) përfshiu Alma? Çfarë “përbërësish” dhe “udhëzimesh” mund t’i shtoni recetës suaj nga përvojat tuaja vetjake apo nga përvoja të tjera në shkrimet e shenjta?

Alma 7

“Pasi unë kuptoj se ju jeni në shtigjet e drejtësisë.”

Nganjëherë ne jemi si njerëzit në Zarahemla, të cilët kishin nevojë t’u bëhej thirrje për pendim (shihni tek Alma 5:32). Herë të tjera jemi më shumë si njerëzit e Gideonit, të cilët po përpiqeshin të ecnin në “shtigjet e drejtësisë” (Alma 7:19). Çfarë gjeni në mesazhin e Almës në Gideon (tek Alma 7) që është e ngjashme me atë që ai tha në Zarahemla (tek Alma 5)? Çfarë ndryshimesh vini re? Kërkoni gjërat që Alma dha mësim, të cilat mund t’ju ndihmojnë të qëndroni në “shtegun që të çon në mbretërinë e Perëndisë” (Alma 7:19).

Alma 7:7–16

ikona e seminarit
Shpëtimtari mori përsipër mëkatet, dhembjet dhe hidhërimet e mia.

A e keni ndier ndonjëherë se askush nuk i kupton vështirësitë ose sfidat tuaja? Nëse po, të vërtetat që dha mësim Alma mund të ndihmojnë. Ndërsa lexoni, reflektoni për atë që na mësojnë këto vargje rreth qëllimeve të flijimit të Shpëtimtarit. Mund të bëni një tabelë me titujt Çfarë vuajti Shpëtimtari dhe Pse vuajti Ai dhe renditini ato që gjeni tek Alma 7:7–16 (shihni edhe tek Isaia 53:3–5). A ju vijnë ndërmend raste specifike kur Ai i vuajti disa nga këto gjëra? Ja tek janë disa shembuj nga shkrimet e shenjta: Mateu 4:1–13; 26:55–56; 27:39–44; Marku 14:43–46; Lluka 9:58. A mund t’i shtoni ndonjë gjë listës suaj nga këto vargje?

Një gjë është të besoni se Shpëtimtari vuajti për ju. Por në ç’mënyrë vuajtja e Tij sjell një ndryshim në jetën tuaj të përditshme? Ja disa shkrime të shenjta që tregojnë se si Jezu Krishti mund t’ju gjendet ose t’ju “ndihmojë”: Enosi 1:5–6; Mosia 16:7–8; 21:15; 24:14–15; 3 Nefi 17:6–7; Ethëri 12:27–29; Doktrina e Besëlidhje 121:7–10. Çfarë mësuat nga këto vargje? Cilat janë disa mënyra të tjera si Ai ju vjen në ndihmë? Kur e keni përjetuar ndihmën e Tij?

Një himn si “Çdo Or’ Më Duhesh Ti” ose “E Di, Jeton Shëlbuesi Im” (Himne, nr. 12, 74) mund ta thellojë vlerësimin tuaj për ndihmën e Shpëtimtarit. Cilat fraza në këto himne i shprehin ndjenjat tuaja kundrejt Tij?

Shihni edhe Gospel Topics [Tema të Ungjillit], “Atonement of Jesus Christ” [“Shlyerja e Jezu Krishtit”], Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit]; “His Grace” [“Hiri i Tij”] (koleksion materialesh filmike), Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit].

Dëshmoni për Jezu Krishtin. Merrni parasysh mënyra se si mund ta jepni dëshminë tuaj për Shpëtimtarin dhe natyrën hyjnore, hirin dhe dashurinë e Tij. Mund t’i inkurajoni njerëzit të cilëve u jepni mësim, që të dëshmojnë për Të duke u bërë pyetje që i nxitin të tregojnë se çfarë ndiejnë për Të.

Për më shumë ide, shihni botimet e këtij muaji të revistave Liahona dhe Për Forcën e Rinisë.

Ide për Mësimdhënien ndaj Fëmijëve

Alma 5:44–48

Unë mund të fitoj vetë dëshminë time nëpërmjet Frymës së Shenjtë.

  • Për t’i ndihmuar fëmijët tuaj të mësojnë ta rritin dëshminë e tyre, mund t’u tregoni figurën më poshtë dhe t’i pyetni se si i ndihmojmë të vegjlit e kafshëve që të rriten. Më pas mund ta lidhni këtë me përkujdesjen për dëshmitë tona. Çfarë përkujdesjeje u nevojitet dëshmive tona? Si mund ta dallojmë se ato po rriten?

    dy djem me të vegjlit e kafshëve

    Kur e pranojmë ungjillin, është njësoj si të fillojmë një jetë të re.

  • Si e mori Alma dëshminë e tij të fortë për Jezu Krishtin? Mund të lexoni tek Alma 5:44–46 me fëmijët tuaj që të gjeni përgjigje për këtë pyetje. Mbase fëmijët tuaj mund të shkruajnë një plan për të bërë një gjë këtë javë për ta forcuar dëshminë e tyre.

11:17

Shtylla dhe Rreze

Plaku Dushku na mëson se përvojat shpirtërore madhështore janë të rralla dhe se Zoti zakonisht na jep nga një rreze çdo herë.

Alma 7:10–13

Shpëtimtari mori përsipër mëkatet, dhembjet dhe hidhërimet e mia.

  • Si mund t’i ndihmoni fëmijët tuaj t’i kuptojnë vargjet tek Alma 7:10–13 që ata të mund të dinë se Jezu Krishti kujdeset për ta dhe mund t’i ndihmojë ata? Mbase mund t’u kërkoni atyre të tregojnë një përvojë kur ishin sëmurë ose kishin dhembje apo kishin një problem tjetër që i trishtoi ata. Si i ndihmuan të tjerët të ndiheshin më mirë? Jepni dëshminë tuaj se edhe Shpëtimtari i ka vuajtur ato gjëra dhe bisedoni rreth një rasti kur Ai ju ka ngushëlluar dhe ndihmuar.

  • Ndërsa ju dhe fëmijët tuaj lexoni tek Alma 7:11–13, kërkojini gjërat që vuajti Jezu Krishti për ne. Ftojini fëmijët tuaj t’i përdorin fjalët dhe frazat që gjetën, për të plotësuar këtë fjali: “Jezusi vuajti që Ai të më ndihmojë mua”. Si na ndihmon të dimë që Jezusi i kupton vështirësitë tona? Si e marrim ndihmën e Tij? Jepni dëshminë tuaj për Jezu Krishtin.

Alma 5:14; 7:19–20

Ndjekja e Jezu Krishtit më mban në shtegun e drejtë të kthimit për tek Ati Qiellor.

  • Lërini fëmijët tuaj të shihen në pasqyrë ndërsa lexoni tek Alma 5:14 (shihni edhe faqen e veprimtarisë së kësaj jave). Çfarë do të thotë të kemi shëmbëlltyrën e Shpëtimtarit në pamjen tonë?

  • Si mund ta përdorni përshkrimin e Almës për shtegun e kthimit tek Ati Qiellor që t’i ndihmoni fëmijët të mësojnë të bëjnë zgjedhje të mira? Mund t’u lexoni vargjet Alma 7:19–20 dhe t’i lini të interpretojnë me gjeste ecjen në “shtigje të shtrembra” dhe ecjen në një shteg të drejtë. Ndihmojini ata të mendojnë për zgjedhjet që na ndihmojnë të qëndrojmë në shteg dhe zgjedhje të tjera që na nxjerrin nga shtegu. Mund të vështroni së bashku edhe figura të Jezusit dhe të bisedoni rreth gjërave që bëri Ai për të na treguar shtegun e kthimit për tek Ati Qiellor. Një këngë si “Përpiqem t’Jem si Jezusi” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 40–41) mund t’ju japë disa ide.

Për më shumë ide, shihni botimin e këtij muaji të revistës Miku.

Jezusi i veshur me një rrobë të kuqe

Our Advocate [Avokati Ynë], nga Jay Bryant Ward