Eja, Më Ndiq
17–23 Qershor: “Jezu Krishti do të Vijë për të Shëlbuar Popullin e Tij”. Alma 8–12


“17–23 Qershor: ‘Jezu Krishti do të Vijë për të Shëlbuar Popullin e Tij’. Alma 81–2”, Eja, Më Ndiq – Për Shtëpinë dhe Kishën: Libri i Mormonit 2024 (2024)

“17–23 Qershor. Alma 8–12”, Eja, Më Ndiq – Për Shtëpinë dhe Kishën: 2024 (2024)

Alma duke predikuar

Teaching True Doctrine [Duke Dhënë Mësim Doktrinën e Vërtetë], nga Michael T. Malm

17–23 Qershor: Jezu Krishti do të Vijë për të Shëlbuar Popullin e Tij

Alma 8–12

Puna e Perëndisë nuk do të dështojë. Por përpjekjet tona për të ndihmuar në punën e Tij ndonjëherë duket se dështojnë – të paktën, ne mund të mos i shohim sakaq rezultatet për të cilat shpresojmë. Mund të ndihemi paksa si Alma kur predikoi ungjillin në Amoniha: të hedhur poshtë, të pështyrë e të dëbuar. Prapëseprapë, kur një engjëll e udhëzoi që të kthehej e të përpiqej sërish, Alma guximshëm “u kthye me të shpejtë” (Alma 8:18) dhe Perëndia përgatiti një udhë përpara tij. Jo vetëm që Ai i siguroi Almës ushqim për të ngrënë dhe një vend për të qëndruar, por Ai gjithashtu përgatiti Amulekun, i cili u bë një bashkëpunëtor, një mbrojtës i fuqishëm i ungjillit dhe një mik besnik. Kur përballemi me pengesa dhe zhgënjime teksa shërbejmë në mbretërinë e Zotit, ne mund të kujtojmë mënyrën se si Perëndia e përkrahu dhe e udhëhoqi Almën; dhe ne mund të mirëbesojmë se Perëndia do të na përkrahë e udhëheqë ne gjithashtu, edhe në rrethana të vështira.

Ide për të Mësuarit në Shtëpi dhe në Kishë

Alma 8

ikona e seminarit
Për përpjekjet e mia për ta shpërndarë ungjillin e Jezu Krishtit kërkohet durim.

A jeni përpjekur ndonjëherë ta shpërndani ungjillin e Jezu Krishtit te një person, por ftesa juaj u refuzua? Alma e përjetoi atë gjithashtu. Çfarë mësoni prej tij tek Alma 8:13–16 rreth shpërndarjes së ungjillit pavarësisht nga sfidat dhe kundërshtimi? Vazhdoni të lexoni te vargjet 17–32 dhe kërkoni fraza që ju frymëzojnë të vazhdoni ta shpërndani ungjillin, edhe kur nuk duket se po ia dilni mbanë.

Profetët dhe apostujt janë dëshmitarë të veçantë të Krishtit, prandaj ata kanë shumë këshilla të frymëzuara për të treguar rreth dëshmimit për Të. Shikoni atë që tha Plaku Diter F. Uhtdorf, te “Por, po Sikur të Jetë e Vështirë?” (një pjesë te biseda “Puna Misionare: Shprehja e Asaj që Keni në Zemër”, Liahona, maj 2019, f. 18) ose atë që tha Plaku Geri E. Stivenson te “Jepni Dashuri, Tregoni, Ftoni”, (Liahona, maj 2022, f. 84–87). Çfarë gjeni atje që mund ta ndihmonte dikë që po fillon të ndihet i/e shkurajuar për ta shpërndarë ungjillin?

Si do ta përmblidhnit gjithçka që keni studiuar këtu në një ose dy pohime inkurajuese rreth shpërndarjes së ungjillit? Merreni parasysh të bëni një afishe ose meme që mund t’ju frymëzojë ju [dhe të tjerët] që të vazhdoni të përpiqeni.

Shihni edhe “Ndihmom’ me Frym’zim t’i Mësoj”, Himne, nr. 182; “Alma Is Commanded by an Angel to Return to Ammonihah” [“Almën e Urdhëron një Engjëll që të Kthehet në Amonihë”] (material filmik), Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit]; Gospel Topics [Tema të Ungjillit], “Inviting All to Receive the Gospel of Jesus Christ” [“Ftesa ndaj të Gjithë Njerëzve që ta Pranojnë Ungjillin e Jezu Krishtit”], Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit].

Alma 9:14–23

Bekimet e Perëndisë vijnë me përgjegjësi të madhe.

Kur lexojmë për mënyrën se si u sollën nefitët në Amoniha me shërbëtorët e Zotit, është e lehtë të harrojmë se ata dikur jetonin sipas ungjillit dhe ishin një “popull … shumë i favorizuar nga Zoti” (Alma 9:20). Teksa lexoni për bekimet e mëdha që Perëndia i dha popullit të Nefit (shihni veçanërisht tek Alma 9:14–23), përsiatni për bekimet e mëdha që Ai ju ka dhënë juve. Çfarë përgjegjësish vijnë me këto bekime? Çfarë po bëni që të qëndroni të vërtetë ndaj këtyre përgjegjësive?

Shihni edhe te Doktrina e Besëlidhje 50:24; 82:3; 93:39.

Alma 11–12

Plani i Perëndisë është një plan shëlbimi.

Tek Alma 11–12, Alma dhe Amuleku iu referuan planit të Perëndisë si plani i shëlbimit. Teksa i lexoni këta kapituj, përsiatni arsyen përse është përdorur fjala shëlbim për të përshkruar planin e Perëndisë. Merreni parasysh të shkruani një përmbledhje të shkurtër të asaj që dhanë mësim Alma dhe Amuleku rreth aspekteve të mëposhtme të planit:

  • Rënia

  • Shëlbuesi

  • Pendimi

  • Vdekja

  • Ringjallja

  • Gjykimi

Vini re ndikimin që patën fjalët e Amulekut te njerëzit (shihni tek Alma 11:46). Si ndikon te ju njohuria për planin e Perëndisë?

Shihni edhe te Dallin H. Ouks, “Plani i Madh”, Liahona, maj 2020, f. 93–96; “Amulek Testifies of Jesus Christ” [“Amuleku Dëshmon për Jezu Krishtin”] (material filmik), Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit].

Alma 12:8–18

Nëse nuk e ngurtësoj zemrën time, unë mund të marr më shumë nga fjala e Perëndisë.

Disa njerëz mund të pyesin veten rreth arsyes përse Ati Qiellor nuk na e bën gjithçka të ditur. Tek Alma 12:9–14, Alma shpjegoi një arsye të mundshme. Këto pyetje mund t’ju ndihmojnë të përsiatni për atë që ai dha mësim:

  • Çfarë do të thotë ta ngurtësoni zemrën tuaj? Cilat janë rrjedhojat e pasjes së një zemre të ngurtësuar? (Shihni edhe tek Alma 8:9–11; 9:5, 30–31 dhe 10:6, 25.)

  • Çfarë mund të bëni për ta kthyer zemrën tuaj te Perëndia? (Shihni te Jeremia 24:7; Alma 16:16; Helamani 3:35.)

  • Çfarë mund të bëni për t’u siguruar që fjala e Perëndisë të “gjendet në [ju]”? (Alma 12:13.) Nëse e keni fjalën e Perëndisë në ju, çfarë ndikimi ka ajo te “fjalët”, “veprat” dhe “mendimet” tuaja? (Alma 12:14.)

Çfarë ju mëson përvoja e Amulekut rreth bekimeve të pasjes së një zemre të butë? (Shihni tek Alma 10:1–11.)

Shihni edhe “Alma Warns Zeezrom” [“Alma Paralajmëron Zizromin”] (material filmik), Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit].

Për më shumë ide, shihni botimet e këtij muaji të revistave Liahona dhe Për Forcën e Rinisë.

Ide për Mësimdhënien ndaj Fëmijëve

Alma 8–10

Unë mund ta shpërndaj ungjillin e Jezu Krishtit.

  • Faqja e veprimtarisë së kësaj jave mund t’ju ndihmojë t’i përmblidhni ngjarjet tek Alma 8–10 për fëmijët tuaj. Nëse dëshironi, mund t’i ndihmoni ata të gjejnë parimet që i bënë Almën dhe Amulekun misionarë të mirë. Për shembull, ata nuk hoqën dorë (shihni tek Alma 8:8–13), dëshmuan për Krishtin (shihni tek Alma 9:26–27) dhe punuan së bashku (shihni tek Alma 10:12).

  • Një këngë rreth punës misionare, e tillë si “Un’ Dua të Jem Misionar Tani” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 90), mund t’u japë fëmijëve tuaj ide rreth mënyrave se si mund t’ua shpërndajnë ungjillin miqve të tyre. Ftojini ata të renditin idetë që gjejnë dhe njerëzit të cilëve mund t’ua shpërndajnë ungjillin. Mund edhe t’i lini ata ta interpretojnë me role atë që mund të thonë ose bëjnë.

Nxitni pjesëmarrjen. Ndërsa përgatiteni për të dhënë mësim, në vend që të planifikoni gjëra për t’i thënë, pyeteni veten: “Çfarë do të bëjnë fëmijët për të mësuar?” Fëmijët do të mësojnë më mirë e do të mbajnë mend më gjatë kur marrin pjesë aktivisht.

Alma 11–12

Plani i Perëndisë është një plan shëlbimi.

  • Mbase fëmijët tuaj mund të bëjnë një vizatim që përfaqëson parimet e planit të shëlbimit, si Rënia e Adamit dhe Evës, Shlyerja e Jezu Krishtit, pendimi, vdekja, ringjallja dhe gjykimi. Më pas mund t’i ndihmoni ata t’i përkojnë vizatimet e tyre me vargjet tek Alma 11–12 që na mësojnë rreth këtyre parimeve.

Alma 8:18–22

Unë mund të jem një shok ose shoqe e mirë.

  • Mund ta ftoni një fëmijë të bëjë sikur është Amuleku dhe një fëmijë tjetër të bëjë sikur është Alma, ndërsa dëftoni tregimin tek Alma 8:18–22. Në ç’mënyrë ishte Amuleku një shok i mirë për Almën? Më pas fëmijët tuaj mund të tregojnë se si dikush ka qenë një shok ose shoqe për ta dhe se si i bëri të ndihen kjo përvojë.

  • Ndoshta mund të bëni një figurëformuese miqësie: gjejeni ose bëjeni një vizatim që përfaqëson miqësinë dhe priteni atë në pjesëza figurëformueseje. Në anën e pasme të secilës pjesëz, shkruani diçka që mund të bëjmë ne për të qenë miq të mirë, përfshirë gjërat që bënë Alma dhe Amuleku. Fëmijët tuaj mund të zgjedhin me radhë një pjesëz dhe t’ia shtojnë atë figurëformueses ndërsa ju lexoni atë që është shkruar në anën e pasme të saj. Kush ka nevojë për miqësinë tonë?

dy vajza duke qeshur

Ne mund të jemi miq të mirë për të tjerët.

Alma 11:43–44

Për shkak të Jezu Krishtit, unë do të ringjallem.

  • Merreni parasysh një mësim me sende si ky për të dhënë mësim rreth Ringjalljes: dora juaj mund të përfaqësojë shpirtin tuaj dhe një dorashkë mund të përfaqësojë trupin tuaj. Hiqeni dorashkën nga dora për të treguar që shpirti dhe trupi ynë do të ndahen në vdekje. Më pas, futeni dorën përsëri në dorashkë për të treguar që shpirti dhe trupi ynë do të bashkohen së bashku përsëri në Ringjallje. Lërini fëmijët ta veshin me radhë dorashkën dhe ta heqin atë ndërsa ju u lexoni atyre nga Alma 11:43. Paraqitni një figurë të Shpëtimtarit të ringjallur (shihni te Libri i Figurave Artistike të Ungjillit, nr. 59) dhe dëshmoni se Jezu Krishti bëri të mundur që çdo njeri të ringjallet.

Për më shumë ide, shihni botimin e këtij muaji të revistës Miku.

Alma duke ngrënë me Amulekun

Ilustrim i Almës duke ngrënë me Amulekun, nga Dan Burr