“15–21 Korrik: ‘Virtyti i Fjalës së Perëndisë’. Alma 30–31”, Eja, Më Ndiq – Për Shtëpinë dhe Kishën: Libri i Mormonit 2024 (2023)
“15–21 Korrik. Alma 30–31”, Eja, Më Ndiq – Për Shtëpinë dhe Kishën: 2024 (2023)
15–21 Korrik: “Virtyti i Fjalës së Perëndisë”
Alma 30–31
Tregimet tek Alma 30–31 vënë qartë në dukje fuqinë e fjalëve – për të mirë dhe për të keq. “Fjalë[t e] mëdha” dhe “lajkat[uese]” të një mësuesi të rremë, të quajtur Korihor, kërcënuan që të sillnin “shumë shpirtra në shkatërrim” (Alma 30:31, 47). Në mënyrë të ngjashme, mësimet e një kundërshtari nefit, të quajtur Zoram, e çuan një grup të tërë njerëzish që të binin “në gabime të mëdha” dhe të “prish[nin] udhët e Zotit” (Alma 31:9, 11).
Në dallim, Alma pati besim të patundur që fjala e Perëndisë do të kishte “ndikim më të fuqishëm mbi mendjet e njerëzve sesa shpata, ose çdo gjë tjetër” (Alma 31:5). Fjalët e Almës shprehën të vërtetën e përjetshme dhe u mbështetën te fuqitë e Jezu Krishtit për ta bërë Korihorin të heshtte (shihni tek Alma 30:39–50) dhe e ftuan bekimin e Tij mbi ata që shkuan me të për t’i kthyer zoramitët tek e vërteta (shihni tek Alma 31:31–38). Këta janë shembuj me vlerë për ndjekësit e Krishtit sot kur mesazhet e rreme janë të zakonshme. Ne mund ta gjejmë të vërtetën duke i mirëbesuar, siç bëri Alma, “virtyti[t të] fjalës së Perëndisë” (Alma 31:5).
Ide për të Mësuarit në Shtëpi dhe në Kishë
Kundërshtari përpiqet të më mashtrojë me mësime të rreme.
Tek Alma 30, Korihori quhet “Antikrisht” (vargu 6). Një antiKrisht është kushdo ose çfarëdo që është haptas apo fshehtas në kundërshtim me Jezu Krishtin dhe ungjillin e Tij. Cilat vargje tek Alma 30:6–31 tregojnë se Korihori i përshtatet këtij përshkrimi? Studimi i mësimeve të rreme të Korihorit mund t’ju ndihmojë t’i dalloni dhe hidhni poshtë mësime të ngjashme. Veprimtaritë vijuese mund të ndihmojnë në studimin tuaj:
-
Për çfarë mësimesh me sende mund të mendoni për ta kuptuar më mirë ndryshimin midis mësimeve të Shpëtimtarit dhe imitimeve të rreme të Satanit? Disa shembuj janë një karrem i përdorur për peshkim, paratë e falsifikuara dhe reklamat e rreme. Si mund ta kuptosh a është e rreme diçka? Si mund ta dallosh të vërtetën?
-
Merreni parasysh të bëni një liste të doktrinave të rreme që dha mësim Korihori tek Alma 30:6–31. Cilat nga mësimet e tij mund të jenë ndjellëse sot? (Shihni tek Alma 30:12–18, 23–28.) Çfarë dëmi mund të rezultojë nga pranimi i ideve të tilla? Çfarë mesazhesh të rreme po përdor kundërshtari që të përpiqet t’ju mashtrojë sot?
-
Çfarë bëri Alma për t’iu kundërpërgjigjur mësimeve të Korihorit me të vërtetën? (Shihni tek Alma 30:31–54.) Si mund t’i përdorni po këto parime në jetën tuaj?
Ashtu si Alma, profetët dhe apostujt bashkëkohorë na ndihmojnë të dimë ndryshimin midis së vërtetës dhe gënjeshtrave të Satanit. Çfarë këshillash gjeni në këto mesazhe: Geri E. Stivenson, “Mos më Mashtro” (Liahona, nëntor 2019, f. 93–96); Dallin H. Oaks, [“Mos u Mashtroni”, (Konferenca e Përgjithshme, tetor 2004, f. 61–5)].
Shihni edhe “E Vërteta Çfar’ Ësht’?”, Himne, nr. 176.
Të gjitha gjërat dëshmojnë për Perëndinë.
Shumë njerëz sot besojnë se nuk ka Perëndi. Çfarë gjeni tek Alma 30:39–46 që ju ndihmon ta dini se Perëndia është i vërtetë? Çfarë na pengon që ta njohim Atë? Çfarë dëshmish të tjera ju ka dhënë Perëndia se Ai jeton?
Kundërshtari nuk i përkrah ndjekësit e tij.
Çfarë mësoni nga Alma 30:56–60 rreth mënyrës se si djalli i trajton ndjekësit e tij? Çfarë mund të bëni që ta mbroni shtëpinë tuaj nga ndikimi i tij?
Shihni edhe tek Alma 36:3.
Fjala e Perëndisë ka fuqi t’i udhëheqë njerëzit drejt drejtësisë.
Problemi i zoramitëve që u shkëputën nga nefitët, mund t’u jetë dukur disave si diçka që kishte nevojë për një zgjidhje politike ose ushtarake (shihni tek Alma 31:1–4). Por Alma kishte mësuar që të mirëbesonte te “virtyti [i] fjalës së Perëndisë” (Alma 31:5). Çfarë mësoni nga Alma 31:5 rreth fuqisë së fjalës së Perëndisë? (Shihni edhe te Hebrenjve 4:12; 1 Nefi 15:23–24; 2 Nefi 31:20; Jakobi [LiM] 2:8; Helamani 3:29–30.)
Ndërsa studioni kapitullin tek Alma 31, çfarë të vërtetash të tjera të ungjillit mund të gjeni që gjejnë zbatim për përvojat tuaja jetësore? Për shembull:
-
Si e keni parë fjalën e Perëndisë t’i udhëheqë njerëzit të bëjnë gjëra të mira? (Shihni vargun 5.)
-
Krahasojini qëndrimet, ndjenjat dhe veprimet e Almës në lidhje me të tjerët (shihni vargjet 34–35) me ato të zoramitëve (shihni vargjet 17–28). Si mund të jeni më shumë si Alma?
-
Çfarë gjeni tek Alma 31:30–38, që mund t’i ndihmojë njerëzit që pikëllohen për mëkatet e të tjerëve?
Për shkak të Jezu Krishtit, çdo njeri mund të ndryshojë.
Vini re grupin e njerëzve që Alma i mori me vete për t’ua dhënë mësim ungjillin zoramitëve (shihni tek Alma 31:6). Çfarë mësoni rreth jetës së këtyre njerëzve te Mosia 27:8–37; 28:4; Alma 10:1–6; 11:21–25; 15:3–12. Çfarë mesazhi mund të ketë për ju në përvojat e tyre?
Ide për Mësimdhënien ndaj Fëmijëve
Libri i Mormonit më paralajmëron kundër mësimeve të rreme.
-
Merreni parasysh të paraqitni disa artikuj (të tillë si para ose ushqime) dhe kopje lodrash të këtyre artikujve. Kjo mund të çojë në një diskutim mbi mënyrën se si ta dimë ndryshimin midis gjërave që janë reale dhe gjërave që janë të rreme. Më pas mund t’i ndihmoni fëmijët tuaj të përcaktojnë nga Alma 30:12–18 gënjeshtrat ose mësimet e rreme që dha Korihori rreth Perëndisë. Tek Alma 30:32–35, si iu përgjigj Alma atyre gënjeshtrave? Çfarë mësojmë nga shembulli i tij?
Të gjitha gjërat dëshmojnë për Perëndinë.
-
Alma foli për mënyrën se si gjërat në qiell dhe në tokë dëshmojnë që Perëndia jeton. Nëse është e mundur, bëni një shëtitje me fëmijët jashtë ose qëndroni pranë një dritareje ndërsa lexoni vargun tek Alma 30:44. Kërkojuni që të vënë në dukje gjëra që i shohin, të cilat i ndihmojnë të dinë se Perëndia është i vërtetë dhe se Ai i do ata. Ata mund të bëjnë edhe vizatime të gjërave që zbulojnë (shihni te faqja e veprimtarisë së kësaj jave).
-
Ndërkohë që ju dhe fëmijët tuaj këndoni “Ati Im Qiellor më Do” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 16–17), kaloni dorë më dorë një top ose një send tjetër. Herë pas here ndalojeni muzikën dhe kërkojini fëmijës që mban sendin, të tregojë një gjë që krijoi Ati Qiellor, për të cilën ai apo ajo është mirënjohës/e.
Fjala e Perëndisë është e fuqishme.
-
Si mund t’i ndihmoni fëmijët tuaj ta kuptojnë që fjala e Perëndisë është më e fuqishme sesa “çdo gjë tjetër”? (Alma 31:5.) Merreni parasysh t’u kërkoni atyre të mendojnë për diçka apo dikë që është i fuqishëm, ose shfaqni figura të disa gjërave të fuqishme. Çfarë i bën ato të fuqishme? Lexoni së bashku tek Alma 31:5 dhe pyetini fëmijët tuaj se çfarë kuptimi mendojnë se ka ky varg. Tregoni një përvojë kur fjala e Perëndisë pati ndikim të fuqishëm te ju.
Ati Qiellor i dëgjon lutjet e mia.
-
Përmblidheni shkurtimisht historinë e Almës dhe të zoramitëve, duke përdorur vargjet nga Alma 31:8–35 (shihni edhe te “Kapitulli 28: Zoramitët dhe Rameumptomi”, Tregime të Librit të Mormonit, f. 78–80). Ndihmojini fëmijët tuaj të përcaktojnë gjërat që zoramitët thanë në lutjen e tyre (shihni tek Alma 31:15–18), ndërsa ju ndihmojnë të ndërtoni një kullë Rameumptomi me kuba ose gurë. Shpjegoni se kjo nuk është mënyra se si ne duhet të lutemi. Ndërsa ju dhe fëmijët tuaj bisedoni për mënyrën se si duhet të lutemi, lërini ta heqin një kub apo gur çdo herë. Ndoshta ata mund ta mbajnë njërin prej gurëve pranë shtratit si një kujtues për t’u lutur çdo mëngjes dhe mbrëmje. Atyre mund t’u pëlqejë ta zbukurojnë gurin e tyre.