Eja, Më Ndiq
15–21 Dhjetor: “Familja Është Thelbësore në Planin e Krijuesit”: Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës


“15–21 Dhjetor: ‘Familja Është Thelbësore në Planin e Krijuesit’: Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës”, Eja, Më Ndiq – Për Shtëpinë dhe Kishën: Doktrina e Besëlidhje 2025 (2025)

“Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës”, Eja, Më Ndiq – Për Shtëpinë dhe Kishën: 2025

Pamja
një familje

15–21 Dhjetor: “Familja Është Thelbësore në Planin e Krijuesit”

Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës

Madje para se të lindnim, ne ishim pjesë e një familjeje, familjes së prindërve tanë qiellorë. Ai model vazhdon në tokë. Familjet këtu, në gjendjen e tyre më të mirë, janë synuar t’i shëmbëllejnë modelit të përsosur në qiell.

Sigurisht, nuk ka garanci që familjet njerëzore do të jenë ideale apo madje funksionale. Por ashtu siç dha mësim Presidenti Henri B. Ajring, familjet “u japin mundësinë më të mirë fëmijëve të Perëndisë që të mirëpriten në botë me të vetmen dashuri në tokë që i përafrohet asaj që kemi ndier në qiell – dashurisë prindërore” (“Të Mbledhësh Familjen e Perëndisë”, Liahona, maj 2017, f. 20). Duke e ditur se familjet janë të papërsosura dhe objekte sulmi nga ana e kundërshtarit, Perëndia dërgoi Birin e Tij të Dashur që të na shëlbojë dhe t’i shërojë familjet tona. Dhe Ai ka dërguar profetë të ditëve të mëvonshme me një proklamatë për t’i mbrojtur dhe forcuar familjet. Nëse i ndjekim profetët dhe e vendosim besimin te Shpëtimtari, edhe pse familjet njerëzore nuk e arrijnë idealin hyjnor, ka shpresë për familjet – në tokë dhe në qiell.

Pamja
ikona e studimit

Ide për të Mësuarit në Shtëpi dhe në Kishë

Pamja
ikona e seminarit
“Familja është thelbësore në planin e Krijuesit.”

Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës” është qartësisht rreth familjeve. Por është po njëlloj edhe rreth planit të Perëndisë për shpëtimin. Një mënyrë për ta studiuar proklamatën, është të shkruani frazat jeta para lindjes, jeta në vdekshmëri dhe jeta pas vdekjes në një copë letre dhe të renditni atë që mësoni nga proklamata për secilën nga këto tema. Çfarë mësoni kur e studioni proklamatën në këtë mënyrë? Si ju ndihmon kjo që ta kuptoni se përse martesa dhe familja janë thelbësore në planin e Perëndisë? Si ndikojnë në zgjedhjet tuaja të vërtetat në proklamatë?

Ka shumë njerëz që, për një sërë arsyesh, mund t’i druhen martesës ose rritjes së fëmijëve. Po t’ju thoshte një mik/e: “Nuk dua kurrë të martohem ose të kem një familje”, çfarë do t’i thoshit? Ndoshta mund të hetoni proklamatën duke kërkuar diçka që do ta ndihmonte mikun/en tuaj të ketë shpresë në planin e Perëndisë.

Një pyetje tjetër që mund t’ju bëhet ose që mund t’ia bëni vetes, është një si kjo: “Po sikur situata ime familjare të mos përkojë me atë që përshkruhet në proklamatën mbi familjen?” Ja dy vende ku mund të kërkoni këshilla profetike: në pjesën “Një Ndryshim i Madh” në mesazhin e Plakut Diter F. Uhtdorf “Jezu Krishti Është Forca e Prindërve” (Liahona, maj 2023, f. 57–58) dhe katër paragrafët e fundit të mesazhit të Plakut D. Tod Kristoferson “Përse Martesa, Përse Familja” (Liahona, maj 2015, f. 52).

Çfarë ndiheni i/e frymëzuar të bëni për shkak të asaj që keni studiuar?

Shihni edhe te Dallin H. Ouks, “Plani dhe Proklamata”, Liahona, nëntor 2017, f. 28–31; Tema dhe Pyetje, “Family” [“Familja”], Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit].

“Secili [person] është një bir ose bijë … e dashur e prindërve qiellorë.”

Ne shpesh e mendojmë proklamatën mbi familjen si një udhërrëfyes për jetën familjare. Por aty mësojmë të vërteta të rëndësishme edhe për familjen tonë qiellore dhe identitetin tonë të përjetshëm. Përse është e rëndësishme që ju të dini se ne jemi të gjithë pjesë e kësaj familjeje? Si ndikon kjo e vërtetë te zgjedhjet që bëni?

Shihni edhe këngën “Fëmi’ i Per’ndis’ Jam”, Himne, nr. 196.

“Lumturia në jetën familjare është e mundur të arrihet më mirë kur bazohet në mësimet e Zotit Jezu Krisht.”

Mendojini paragrafët 6 dhe 7 te proklamata mbi familjen si një model për “lumturin[ë] në jetën familjare”. Teksa i lexoni këta paragrafë, përcaktoni parime mbi “martesat dhe familjet e suksesshme”. Mund të mendoni shembuj për këto parime që i keni parë në vetë familjen tuaj ose në familjet e tjera. Si ndihmojnë këto parime për ta bërë Jezu Krishtin themelin e jetës familjare?

Më pas mund të mendoni rreth një marrëdhënieje familjare që do të donit ta forconit. Bëni një plan, me ndihmën e Shpëtimtarit, për të vepruar sipas mbresave që merrni.

Shihni edhe te L. Uitni Klejton, “Shtëpitë më të Mira”, Liahona, maj 2020, f. 107–109.

Pamja
një atë duke u lexuar fëmijëve të tij

Prindërit duhet t’i rritin fëmijët e tyre në dashuri dhe drejtësi.

“Ne u bëjmë thirrje qytetarëve … të përgjegjshëm … për të ruajtur dhe forcuar familjen.”

Paragrafi i fundit te proklamata mbi familjen përfshin një thirrje për veprim. Ndërsa e merrni parasysh si do t’i përgjigjeshit asaj thirrjeje, mund t’ju ndihmojë ta studioni titullin e proklamatës. Për shembull, çfarë është një proklamatë? Çfarë nënkupton ajo fjalë për ju rreth mesazhit të këtij dokumenti? Çfarë i kualifikoi Presidencën e Parë dhe Këshillin e Të Dymbëdhjetë Apostujve për t’i shpallur botës një proklamatë rreth familjeve? Mund edhe të bëni një listë me ato që i konsideroni se janë mesazhet kryesore të proklamatës. Si mund t’i përkrahni këto mesazhe në jetën tuaj, në shtëpinë tuaj dhe në komunitetin tuaj?

Shihni edhe te Boni L. Oskarson, “Mbrojtëse të Proklamatës së Familjes”, Liahona, maj 2015, f. 14–17; “Defenders of the Faith” [“Mbrojtës të Besimit”] (material filmik), Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit].

Për më shumë ide, shihni botimet e këtij muaji të revistës Liahona dhe revistës Për Forcën e Rinisë.

Pamja
ikona 02 e pjesës së fëmijëve

Ide për Mësimdhënien ndaj Fëmijëve

Familjet janë të rëndësishme në planin e Atit Qiellor.

  • Ndihmojini fëmijët tuaj të mendojnë për gjëra që janë kaq të rëndësishme, saqë ata do të dëshironin t’i tregonin çdo njeriu për to. Tregojuni fëmijëve një kopje të dokumentit “Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës” dhe shpjegoni se profetët dhe apostujt e shkruan atë që të na tregonin të gjithëve se sa të rëndësishme janë familjet për Atin Qiellor. Pse familjet janë kaq të rëndësishme për Të? (Shihni edhe materialin filmik “Cili Është Qëllimi i Familjes?” te ChurchofJesusChrist.org.)

  • Tregojuni fëmijëve tuaj disa gjëra nga proklamata që ndieni se duhet t’i dimë të gjithë. Ftojini fëmijët të shprehin ndjenjat e tyre rreth atyre të vërtetave. Si do të ishte jeta jonë e ndryshme po të mos i dinim këto gjëra? Mund të këndoni së bashku një këngë që lidhet me të vërtetat që gjenden në proklamatë, të tilla si “Do Ndjek Planin e Perëndis’” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 86–87).

  • Te pjesa IV e mesazhit të tij “Plani dhe Proklamata” (Liahona, nëntor 2017, f. 30–31), Presidenti Dallin H. Ouks përshkroi se si u shkrua proklamata mbi familjen. Ndoshta ju dhe fëmijët tuaj mund ta shqyrtoni përshkrimin e tij së bashku dhe të flisni rreth arsyes pse jeni mirënjohës/e që Zoti i frymëzoi shërbëtorët e Tij të na i mësonin këto të vërteta rreth familjeve.

  • Mund edhe t’u tregoni fëmijëve tuaj figura ose fotografi (ose t’i ftoni ata të bëjnë disa vizatime) që portretizojnë të vërtetat që gjenden te proklamata mbi familjen. Këto mund të jenë figura të një tempulli, fotografi të një familjeje duke u lutur ose duke luajtur së bashku, apo të një çifti duke u martuar. Më pas fëmijët tuaj mund të gjejnë fjali te proklamata mbi familjen që lidhen me figurat ose fotografitë. Çfarë na mëson Zoti rreth këtyre gjërave në proklamatë?

Pamja
një grua me fëmijë

Ati Qiellor dëshiron që familjet të jenë të lumtura.

Jini i/e ndjeshëm/me. Teksa jepni mësim të vërtetat e dhëna te proklamata mbi familjen, ju lutemi, jini të vetëdijshëm se shumë fëmijë jetojnë në familje që nuk përkojnë me idealet që përshkruhen në proklamatë. Merreni parasysh se si mund t’i nxitni dhe frymëzoni ata.

Unë jam një “bir apo bijë shpirtërore e dashur e prindërve qiellorë”.

  • Teksa këndoni së bashku këngën “Fëmi’ i Per’ndis’ Jam” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 2–3), mund t’i hidhni një top një fëmije teksa thoni: “Unë njoh një fëmijë të Perëndisë që e ka emrin [emri i fëmijës]”. Më pas ai fëmijë mund t’ia hedhë sendin dikujt tjetër, duke thënë të njëjtat fjalë dhe të thotë emrin e atij personi. Ndihmojini fëmijët tuaj të gjejnë frazën “bir ose bijë shpirtërore e dashur e prindërve qiellorë” te proklamata mbi familjen dhe jepni dëshminë tuaj për këtë të vërtetë.

Familjet janë më të lumturat kur ato ndjekin Jezu Krishtin.

  • Për të filluar një bashkëbisedim rreth forcimit të familjes suaj, ju dhe fëmijët tuaj mund të flisni rreth asaj që ne bëjmë për t’i bërë gjërat e tjera të forta, të tilla si dhëmbët tanë, trupat tanë ose një ndërtesë. Më pas, mund ta krahasoni atë me krijimin e një familjeje të fortë. Ndihmojini fëmijët tuaj të gjejnë parime të ngjashme me të Krishtit që çojnë drejt lumturisë në jetën familjare, të cilat gjenden në paragrafin 7 te proklamata mbi familjen (shihni edhe faqen e veprimtarisë së kësaj jave).

Për më shumë ide, shihni botimin e këtij muaji të revistës Miku.

Shtyp në Letër