“22–28 Dhjetor: ‘Dhurata e Pashoqe e Birit Hyjnor të Perëndisë’”, Eja, Më Ndiq – Për Shtëpinë dhe Kishën: Doktrina e Besëlidhje 2025 (2025)
“Krishtlindja”, Eja, Më Ndiq – Për Shtëpinë dhe Kishën: 2025
22–28 Dhjetor: Dhurata e Pashoqe e Birit Hyjnor të Perëndisë
Krishtlindja
Profeti Jozef Smith deklaroi: “Parimet themelore të besimit tonë janë dëshmia e Apostujve dhe Profetëve në lidhje me Jezu Krishtin, që Ai vdiq, u varros, u ngrit sërish ditën e tretë dhe u ngjit në qiell; dhe gjithë gjërat e tjera që i përkasin besimit tonë, janë vetëm shtojca të kësaj” (Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smith, [2009], f. 52). Mbi 160 vjet më vonë, kjo deklaratë e frymëzoi Presidencën e Parë dhe Kuorumin e Dymbëdhjetë Apostujve që të botonin dokumentin “Krishti i Gjallë: Dëshmia e Apostujve” në nderim të përvjetorit të 2000‑të të lindjes së Shpëtimtarit (shihni te Rasëll M. Nelson, “Marrja e Fuqisë së Jezu Krishtit në Jetën Tonë”, Liahona, maj 2017, f. 40).
Si shenjtorë të ditëve të mëvonshme, ne gëzojmë në bekimin e zbulesës së vazhdueshme nëpërmjet profetëve dhe apostujve bashkëkohorë. Ne jemi mirënjohës për fjalët e tyre të frymëzuara të këshillës, paralajmërimit dhe inkurajimit. Por mbi të gjitha, ne jemi bekuar nga dëshmitë e tyre të fuqishme për Jezu Krishtin – në periudhën e Krishtlindjes dhe gjatë gjithë vitit. Këto janë më shumë sesa thjesht fjalë emocionuese nga shkrimtarë ose oratorë të zotë apo pikëpamje nga ekspertë të shkrimeve të shenjta. Ato janë fjalët e “dëshmitarë[ve të] veçantë të emrit të Krishtit në gjithë botën”, të zgjedhur, të thirrur dhe të autorizuar nga Perëndia” (Doktrina e Besëlidhje 107:23).
Ide për të Mësuarit në Shtëpi dhe në Kishë
“Asnjë tjetër nuk ka pasur një ndikim kaq të thellë.”
Çfarë do të thoshit për të përkrahur thënien “asnjë tjetër nuk ka pasur një ndikim kaq të thellë [sa Jezu Krishti] mbi të gjithë njerëzit që kanë jetuar dhe që ende do të jetojnë në tokë”? Kërkoni fragmente te dokumenti “Krishti i Gjallë” që e dëshmojnë ndikimin e thellë të Shpëtimtarit. Si ka ndikuar Ai te ju?
Zëreni se dikush që nuk e njeh krishterimin, ju pyeti se pse e kremtoni Krishtlindjen. Si do t’i përgjigjeshit? Shqyrtojeni dokumentin “Krishti i Gjallë” me këtë pyetje në mendje dhe merreni parasysh të shkruani ndonjë mendim ose mbresë që ju vjen.
Shihni edhe te “Why We Need a Savior” [“Përse Kemi Nevojë për një Shpëtimtar”] (material filmik), Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit].
“Ai u ngrit nga varri.”
Te dokumenti “Krishti i Gjallë”, Apostujt dëshmojnë për Ringjalljen e Shpëtimtarit, duke përmendur tri shfaqje të Zotit të ringjallur (shihni paragrafin 5). Merreni parasysh të lexoni disa rrëfime për këto vizita te Gjoni 20; 3 Nefi 11 dhe Joseph Smith – Historia 1:14–20. Çfarë mësoni rreth Shpëtimtarit nga fjalët dhe veprat e Tij gjatë këtyre shfaqjeve?
“Priftëria dhe Kisha e Tij është rivendosur.”
Gjatë studimit të librit Doktrina e Besëlidhje këtë vit nga ana juaj, ju keni pasur mundësinë të mësoni më shumë rreth mënyrës se si “priftëria [e Shpëtimtarit] dhe Kisha e Tij është rivendosur”. Cilat të vërteta apo parime të rivendosura kanë qenë veçanërisht kuptimplota për ju? Merreni parasysh që të shqyrtoni disa nga shkrimet e shenjta vijuese që na mësojnë për Rivendosjen: Doktrina e Besëlidhje 1:17–23; 13; 20:1–12; 65; 110; 112:30–32; 124:39–42; 128:19–21. Përsiatni se si të vërtetat e ungjillit të rivendosur ju ndihmojnë ta njihni dhe ta doni Jezu Krishtin.
“Një ditë Ai do të kthehet në tokë.”
Krishtlindja është një kohë për të parë pas në ditën kur lindi Jezu Krishti dhe për të pritur me padurim për ditën kur Ai të vijë përsëri. Çfarë mësoni rreth kthimit të Tij nga paragrafi i parafundit në dokumentin “Krishti i Gjallë”? Mund edhe të merrni parasysh të lexoni, të këndoni ose të dëgjoni himne Krishtlindjeje që na mësojnë për Ardhjen e Dytë, të tilla si “Botës Gëzim” ose “Erdhi në një Mesnat’ të Qart’” (Himne, nr. 120, 126).
“Ai është drita, jeta dhe shpresa e botës.”
Te paragrafi i fundit i dokumentit “Krishti i Gjallë”, shënoni cilësitë dhe titujt që jepen për Shpëtimtarin. Merreni parasysh të shpenzoni kohë për të mësuar për disa prej tyre. Për shembull:
Dritë: Në ç’mënyrë është Jezu Krishti si një dritë për ju? Mund të merrni parasysh të bëni një vizatim ose të shkrepni një fotografi që, për ju, përfaqëson dritën që Ai ju jep. Çfarë ndiheni i/e frymëzuar të bëni për ta shpërndarë dritën e Tij? (Shihni edhe te Gjoni 8:12; 3 Nefi 18:24; Doktrina e Besëlidhje 50:24.)
Jetë: Si mendoni, pse jeta është një fjalë e mirë për ta përshkruar Jezu Krishtin? Në çfarë kuptimi ju jep Ai jetë? Si do të ishte jeta juaj ndryshe pa Të dhe ungjillin e Tij? (Shihni edhe te Gjoni 10:10; 1 Korintasve 15:19–23; Doktrina e Besëlidhje 66:2.)
Shpresë: Për çfarë shpresoni për shkak të Jezu Krishtit dhe ungjillit të Tij? A njihni dikë që ndihet i/e pashpresë për të ardhmen? Përsiatni se si mund t’ia tregoni atij personi shpresën që ndieni falë Jezu Krishtit. (Shihni edhe te Romakëve 8:24–25; Ethëri 12:4; Moroni 7:41.)
Shihni edhe tek Tema dhe Pyetje, “Jesus Christ” [“Jezu Krishti”], Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit].
“I qofshim falë Perëndisë për dhuratën e [Tij të] pashoqe.”
Te dokumenti “Krishti i Gjallë”, Apostujt e përmendin Shpëtimtarin si një “dhuratë” nga Ati ynë Qiellor. Në bazë të asaj që gjeni në dokumentin “Krishti i Gjallë”, si do ta plotësonit këtë fjali: “Nëpërmjet Jezu Krishtit, Perëndia më jep dhuratat e …” Përsiatni atë që mund të bëni për t’i marrë këto dhurata më plotësisht.
Si ka ndikuar studimi i dokumentit “Krishti i Gjallë” në besimin dhe dashurinë tuaj për Shpëtimtarin?
Shihni edhe te Rasëll M. Nelson, “Katër Dhurata që Ju Ofron Jezu Krishti” (takim shpirtëror për Krishtlindjen nga Presidenca e Parë, 2 dhjetor 2018), Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit]; “Excerpts from ‘The Living Christ: The Testimony of the Apostles’” [“Pjesë të Shkëputura nga ‘Krishti i Gjallë: Dëshmia e Apostujve’”] (material filmik), ChurchofJesusChrist.org.
Ide për Mësimdhënien ndaj Fëmijëve
Unë mund të “jap dëshminë [time]” për të kremtuar lindjen e Jezusit.
-
Merreni parasysh se si mund t’ua paraqitni fëmijëve tuaj dokumentin “Krishti i Gjallë”. Ndoshta mund t’i ndihmoni ata të tregojnë me gisht emrin Krishti tek titulli dhe nënshkrimet e Presidencës së Parë dhe të Të Dymbëdhjetëve. Mund të shpjegoni që kjo është dëshmia e tyre për Jezu Krishtin, të cilën donin t’ia tregonin botës.
-
Mund t’i jepni secilit fëmijë një frazë nga dokumenti “Krishti i Gjallë” dhe kërkojuni atyre të gjejnë një figurë ose të bëjnë një vizatim të asaj fraze. Më pas mund t’i ndihmoni ata ta gjejnë frazën te “Krishti i Gjallë”. Ju mund edhe t’i përmblidhni ato vizatime ose figura në formë libri.
-
Tregojini njëri‑tjetrit se si e morët dëshminë tuaj për Jezu Krishtin. Ndoshta mund të kaloni dorë më dorë një figurë të Shpëtimtarit dhe të tregoni me radhë diçka që dini rreth Tij (përfshirë të vërtetat që ju mësohen te “Krishti i Gjallë”).
“Ai ‘e përshkoi vendin duke bërë mirë.’”
-
Ndërsa ju dhe fëmijët tuaj lexoni paragrafin e dytë të dokumentit “Krishti i Gjallë”, bisedoni me ta rreth disa prej gjërave që bëri Jezusi. Ju gjithashtu mund të vështroni figura nga jeta e Tij (shihni faqen e veprimtarisë së kësaj jave dhe te Libri i Figurave Artistike të Ungjillit). Ftojini fëmijët tuaj të flasin rreth asaj që po bën Shpëtimtari te figurat. Si mund t’u shërbejmë të tjerëve sikurse Ai? Materialet filmike të serisë “Ndriçoje Botën” te Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit] mund t’ju japin ide.
“Ai është drita, jeta dhe shpresa e botës.”
-
Ndihmojini fëmijët tuaj të gjejnë himne për Krishtlindjen të cilat tregojnë për dritën, jetën dhe shpresën që lindja e Shpëtimtarit i solli botës, të tilla si “O Qyteza e Bethleh’mit” (Himne, nr. 127). Këndojini së bashku himnet dhe lërini fëmijët të tregojnë se si Jezusi ka sjellë dritë, jetë dhe shpresë në jetën e tyre.
“I qofshim falë Perëndisë për dhuratën e pashoqe që na ka bërë duke na dhënë Birin e Tij hyjnor.”
-
Çfarë dhuratash kemi marrë për shkak të Jezu Krishtit? Ndoshta ju dhe fëmijët tuaj mund t’i kërkoni këto dhurata te dokumenti “Krishti i Gjallë” ose në një këngë si “Ai Dërgoi Birin e Tij” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 20–21). Më pas ata mund të mbështjellin si dhuratë diçka për t’i përfaqësuar ato dhurata. Mund të sugjeroni që fëmijët tuaj t’i hapin dhuratat ditën e Krishtlindjes që t’i ndihmojnë ata ta kujtojnë Shpëtimtarin dhe dhuratat e Tij për ne.