“18–24 Janar. Doktrina e Besëlidhje 3–5: ‘Vepra Ime do të Përhapet’”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: Doktrina e Besëlidhje 2021 (2020)
“18–24 Janar. Doktrina e Besëlidhje 3–5”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: 2021
18–24 Janar
Doktrina e Besëlidhje 3–5
“Vepra Ime do të Përhapet”
Shkruani se çfarë mësoni dhe ndieni ndërsa i studioni shkrimet e shenjta. Kjo do t’ju ndihmojë t’i mbani mend ato mbresa dhe t’ua tregoni të tjerëve.
Shënojini Mbresat Tuaja
Gjatë viteve të tij të para si profeti i Zotit, Jozef Smithi ende nuk dinte çdo gjë për “vep[rën] e mrekullueshme” që ishte thirrur të bënte. Por një gjë që mësoi nga përvojat e tij të hershme, ishte se që të kualifikohej për veprën e Perëndisë, sytë e tij me të vërtetë duhej të ishin të “drejtuar vetëm te lavdia e Perëndisë” (Doktrina e Besëlidhje 4:1, 5). Për shembull, nëse Zoti i dha atij këshillë që ishte kundër vetë dëshirave të tij, atij i nevojitej ta ndiqte këshillën e Zotit. Dhe madje edhe po të kishte “shumë zbulesa dhe … fuqi për të bërë shumë vepra të fuqishme”, nëse vetë vullneti i tij do të bëhej më i rëndësishëm në sytë e tij sesa vullneti i Perëndisë, ai “duhet të b[inte]” (Doktrina e Besëlidhje 3:4). Por Jozefi mësoi diçka tjetër po aq të rëndësishme rreth bërjes së veprës së Perëndisë: “Perëndia është i mëshirshëm” dhe nëse Jozefi do të pendohej me sinqeritet, ai ishte “ende … i zgjedhur” (vargu 10). Vepra e Perëndisë, në fund të fundit, është një vepër shëlbimi. Dhe ajo vepër “nuk mund të pengohe[t]” (vargu 1).
Ide për Studimin Vetjak të Shkrimeve të Shenjta
Unë duhet t’i mirëbesoj Perëndisë në vend që të frikësohem nga njerëzit.
Në fillim të shërbesës së Jozef Smithit, ishte e vështirë të gjendeshin miq të mirë – sidomos miq si Martin Harrisi, një burrë i respektuar dhe i suksesshëm, i cili ishte në pozitë për të siguruar përkrahje të vlefshme. Dhe Martini me gatishmëri e përkrahu Jozefin, edhe pse kjo i kushtoi atij respektin e shokëve të tij dhe kërkoi sakrificë financiare.
Prandaj është e lehtë ta kuptojmë arsyen përse Jozefi donte ta plotësonte kërkesën e Martinit që ta merrte pjesën e parë të përkthimit të Librit të Mormonit për t’ia treguar bashkëshortes së tij, e cila e vuri në dyshim të vërtetën për Librin e Mormonit. Jozefi vazhdoi ta pyeste Zotin për këtë kërkesë, edhe kur Ai e ndaloi atë, derisa më në fund, pasi Jozefi e pyeti për të tretën herë, Zoti tha “po”. Fatkeqësisht, dorëshkrimi humbi ndërsa e kishte në zotërim Martini dhe Zoti i qortoi ashpër Jozefin e Martinin (shih Shenjtorët, 1:51–53).
Ndërsa lexoni te Doktrina e Besëlidhje 3:1–15, përsiatni se si mendimet e njerëzve të tjerë mund të ndikojnë te ju. Ju gjithashtu mund të vini re se përveç që i bëri vërejtje Jozef Smithit, Zoti tha fjalë mëshire. Çfarë mësoni nga mënyra se si Zoti e korrigjoi si edhe e nxiti Jozefin? Çfarë këshille gjeni që mund t’ju ndihmojë kur tundoheni të keni frikë nga njerëzit e tjerë më shumë sesa nga Perëndia?
Shih edhe “The Contributions of Martin Harris”, Revelations in Context, f. 1–9, history.ChurchofJesusChrist.org.
Zoti kërkon nga unë që t’i shërbej Atij me gjithë zemër.
Seksioni 4 shpesh gjen zbatim për misionarët kohëplotë. Megjithatë, është interesante të vëmë në dukje se kjo zbulesë iu dha fillimisht Jozef Smith Plakut, i cili nuk ishte thirrur për një mision, por prapëseprapë kishte “dëshirë t’i shërben[te] Perëndisë” (vargu 3).
Një mënyrë për ta lexuar këtë seksion është ta përfytyroni atë si një përshkrim vendi pune për dikë që dëshiron të bëjë veprën e Zotit. Cilat janë kualifikimet? Përse janë të domosdoshme këto aftësi ose karakteristika? Ndoshta ju mund të zgjidhni me lutje një gjë që mund të bëni për ta “cilës[uar më mirë veten] për veprën” (vargu 5).
Unë mund të marr vetë dëshminë time për Librin e Mormonit.
Nëse do të thirreshit për të dëshmuar në gjyq rreth vërtetësisë së Librit të Mormonit, çfarë prove do të jepnit? Një pyetje të ngjashme kishte në mendje Martin Harrisi kur bashkëshortja e tij, Lusi, paraqiti një ankesë se Jozef Smithi po i mashtronte njerëzit duke pretenduar se po përkthente fletët e arta (shih Shenjtorët, 1:56–58). Prandaj Martini i kërkoi Jozefit më shumë prova që fletët e arta ishin të vërteta. Doktrina e Besëlidhje 5 është një zbulesë në përgjigje të kërkesës së Martinit.
Çfarë mësoni nga Doktrina e Besëlidhje 5 lidhur me atë që vijon:
-
Si ndihet Zoti për ata që nuk do t’i besojnë të vërtetat shpirtërore në qoftë se nuk kanë prova (shih vargjet 5–8; shih edhe Gjoni 20:24–29).
-
Roli i dëshmitarëve në veprën e Zotit (shih vargjet 11–15; shih edhe 2 Korintasve 13:1).
-
Si të merrni për vete një dëshmi për Librin e Mormonit (shih vargun 16; shih edhe Moroni 10:3–5).
Ky brez do ta marrë fjalën e Perëndisë nëpërmjet Jozef Smithit.
Çfarë ju mëson Doktrina e Besëlidhje 5:1–10 për rolin e rëndësishëm të Jozef Smithit në periudhën tonë ungjillore – dhe në jetën tuaj? Përsiatni se si e keni marrë fjalën e Perëndisë nëpërmjet Profetit Jozef Smith. Merrni parasysh të shënoni në ditar ose t’i tregoni dikujt mirënjohjen tuaj për të vërtetat që u rivendosën ose qartësuan nëpërmjet tij.
Shih edhe 2 Nefi 3:6–24.
Ide për Studimin Familjar të Shkrimeve të Shenjta dhe për Mbrëmjen e Shtëpisë
-
Doktrina e Besëlidhje 3:1–4.Kërkojini një pjesëtari të familjes të ecë në një vijë “të tërthort[ë]” dhe pastaj në një vijë “të drejt[ë]”. Çfarë do të thotë për familjen tonë të dimë se “shtigjet e [Perëndisë] janë të drejta”?
-
Doktrina e Besëlidhje 3:7–10.Kur dikush po na shtyn që të mos i bindemi Perëndisë, cilat të vërteta në këto vargje mund të na ndihmojnë që të qëndrojmë besnikë? Ndoshta pjesëtarët e familjes mund të interpretojnë me role një situatë në të cilën dikush qëndron besnik pavarësisht nga presioni për të mos iu bindur Perëndisë.
-
Doktrina e Besëlidhje 4.Ndërsa familja juaj diskuton se çfarë do të thotë të punosh në fushën e Perëndisë, ata mund të bëjnë ca punë në kopsht (ose të bëjnë sikur punojnë). Çfarë mjetesh duhen për punën në kopsht? Çfarë përshkruan Perëndia te seksioni 4 që mund të konsiderohen mjete të nevojshme për të bërë veprën e Tij? Familja juaj mund të diskutojë arsyen përse çdo mjet është i rëndësishëm për të bërë veprën e Perëndisë.
-
Doktrina e Besëlidhje 5:7.Cilët janë disa shembuj të të vërtetave tek të cilat besojmë por nuk mund t’i shohim? Si mund t’i përgjigjemi një miku/mikeshe që dëshiron prova se Libri i Mormonit është i vërtetë?
Për më shumë ide për mësimdhënien ndaj fëmijëve, shihni përvijimin e kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Filloren.
Kënga e sugjeruar: “Do të Jem Guximtar”, Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 85.