“28 Dhjetor – 3 Janar. Doktrina e Besëlidhje 1: ‘Dëgjoni, O ju Popull’”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: Doktrina e Besëlidhje 2021 (2020)
“28 Dhjetor – 3 Janar. Doktrina e Besëlidhje 1”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: 2021
28 Dhjetor – 3 Janar
Doktrina e Besëlidhje 1
“Dëgjoni, O ju Popull”
Mendojeni seksionin Doktrina e Besëlidhje 1 si hyrja vetjake e Zotit në këtë libër për zbulesat e Tij të ditëve të mëvonshme. Çfarë do Ai që ju të dini për librin Doktrina e Besëlidhje? Përsiateni këtë pyetje dhe shkruajeni çdo mbresë që ju vjen ndërsa lexoni seksionin 1.
Shënojini Mbresat Tuaja
Në nëntor 1831, Kisha e rivendosur e Jezu Krishtit kishte vetëm një vit e gjysmë [që ishte krijuar]. Ndonëse po rritej në numër, ishte ende një grup i panjohur besimtarësh që jetonin në një zonë kufitare pak të populluar, të udhëhequr nga një profet rreth njëzetepesë vjeç. Por Perëndia i konsideronte këta besimtarë si shërbëtorët e Tij dhe lajmëtarët e Tij dhe Ai donte që zbulesat që Ai u kishte dhënë atyre, t’i shpalleshin botës.
Doktrina e Besëlidhje 1 është parathënia e Zotit për përmbledhjen e këtyre zbulesave dhe tregon qartësisht se megjithëse anëtarësia e Kishës ishte e vogël, nuk kishte asgjë të parëndësishme rreth mesazhit që Perëndia donte që ta përhapnin shenjtorët e Tij. Ai është një “zë … paralajmërimi” për të gjithë “banorë[t e] tokës”, që u mëson atyre të pendohen dhe të krijojnë “besëlidhj[en] … e përjetshme” të Perëndisë (vargjet 4, 8, 22). Shërbëtorët që e përçojnë këtë mesazh, janë “të dobëtit dhe të thjeshtët”, por shërbëtorët e përulur janë pikërisht ata për të cilët Perëndia ka nevojë – në atë kohë dhe tani – për ta nxjerrë Kishën e Tij “nga terri dhe errësira” (vargjet 23, 30).
Për më shumë informacion rreth historisë [që qëndron] pas seksionit Doktrina e Besëlidhje 1, shih Saints [Shenjtorët], 1:140–143.
Ide për Studimin Vetjak të Shkrimeve të Shenjta
Zoti më fton t’i “heto[j] këto urdhërime”.
Një parathënie e prezanton një libër. Ajo përcakton temat dhe qëllimet e librit dhe i ndihmon lexuesit të përgatiten që ta lexojnë. Ndërsa lexoni seksionin 1 – “parathëni[en]” e Zotit për librin Doktrina e Besëlidhje (vargu 6) – kërkoni temat dhe qëllimet që dha Zoti për zbulesat e Tij. Çfarë mësoni nga seksioni 1 që do t’ju ndihmojë të përfitoni më shumë nga studimi juaj i librit Doktrina e Besëlidhje? Për shembull, ju mund të përsiatni se çfarë do të thotë të “dëgjo[sh] zërin e Zotit” te këto zbulesa (vargu 14) ose t’i “heto[sh] këto urdhërime” (vargu 37).
Shih edhe pjesën Parathënia te Doktrina e Besëlidhje.
Doktrina e Besëlidhje 1:1–6, 23–24, 37–39
Perëndia flet nëpërmjet shërbëtorëve të Tij dhe fjalët e Tij do të përmbushen.
Seksioni 1 fillon dhe mbaron me deklaratën e Perëndisë se Ai flet nëpërmjet shërbëtorëve të Tij të zgjedhur (shih vargjet 4–6, 23–24, 38). Shkruajeni atë që mësoni nga kjo zbulesë rreth Zotit dhe zërit të Tij. Çfarë mësoni për shërbëtorët e Zotit? Kur e keni dëgjuar zërin e Zotit në zërin e shërbëtorëve të Tij? (Shih vargun 38.)
Doktrina e Besëlidhje 1:3, 24–28, 31–33
Nëse jam i/e përulur, qortimi i Zotit mund të bëjë të pendohem.
Vini re që te vargu 3 dhe vargjet 24–28, Zoti tha se mëkatet dhe gabimet e njerëzve do të bëheshin të ditura. Nga njëra anë kjo është një përvojë e dhimbshme e pikëlluese dhe nga ana tjetër është udhëzuese. Përse këto situata janë kaq të ndryshme? Merrni parasysh se si reagoni kur bëheni të vetëdijshëm për mëkatet dhe dobësitë tuaja. Çfarë cilësish gjeni te vargjet 24–28 që mund t’ju ndihmojnë të përgjigjeni në mënyrën e duhur? Çfarë ju mësojnë këto vargje, bashkë me vargjet 31–33, rreth mënyrës se si Zoti i sheh dobësitë dhe mëkatet tuaja?
Shih edhe Fjalët e Urta 3:11–12; Ethëri 12:27; Moroni 6:8.
Doktrina e Besëlidhje 1:12–30, 35–36
Zoti e rivendosi ungjillin e Tij që të më ndihmojë t’i përballoj sfidat e ditëve të mëvonshme.
Ndonëse seksioni 1 paralajmëron për ditët e vështira që do të vijnë, ai gjithashtu përmban një mesazh sigurues: “Unë, Zoti, duke e ditur fatkeqësinë që do të vinte mbi banorët e tokës, thirra shërbëtorin tim, Joseph Smith të Riun dhe i fola atij nga qielli” (vargu 17).
Vini re fatkeqësitë për të cilat paralajmëroi Zoti (shih, për shembull, vargjet 13–16, 35). Çfarë fatkeqësish të tjera vini re në botën e sotme – ose në vetë jetën tuaj? Vargjet 17–30 përshkruajnë atë që ka bërë Zoti për ju që t’u dilni përpara këtyre fatkeqësive. Merrni parasysh të bëni një listë për ato që gjeni.
Ide për Studimin Familjar të Shkrimeve të Shenjta dhe për Mbrëmjen e Shtëpisë
-
Doktrina e Besëlidhje 1:1–6, 37–39.Për të filluar një diskutim rreth paralajmërimeve nga Zoti, ju mund të flisni për paralajmërimet që marrim nga të tjerët për rreziqet që nuk mund t’i shohim – të tilla si një dysheme ku rrëshqet, një stuhi e fortë ose një makinë që po afrohet. Çfarë na mësojnë këto vargje për paralajmërimet e Zotit? Sipas vargjeve te Doktrina e Besëlidhje 1:1–6, 37–39, si na paralajmëron ne Zoti? Për çfarë na ka paralajmëruar Ai kohët e fundit? Ndoshta ju mund të shihni ose të lexoni pjesë nga mesazhet e konferencës së përgjithshme të fundit dhe të kërkoni shembuj të “zë[rit] … paralajmër[ues]” të Perëndisë.
-
Doktrina e Besëlidhje 1:16.Çfarë do të thotë të “vendos[ësh] drejtësinë e [Zotit]”? Si mund të sigurohemi se po e bëjmë atë, në vend që të ecim “në udhën [tonë]”?
-
Doktrina e Besëlidhje 1:30.Çfarë do të thotë të shprehesh se Kisha është “[e] vërtetë dhe [e] gjallë”? Që ta bëni familjen tuaj të mendojë për këtë pyetje, ndoshta mund t’u tregoni atyre fotografi të gjërave frymore dhe të gjërave jofrymore. Mund të diskutoni gjithashtu se çfarë mund të bëni ju si familje që të ndihmoni për ta “nxjerrë [Kishën] nga terri dhe errësira”.
-
Doktrina e Besëlidhje 1:37.Merrni parasysh të planifikoni si familje se si ju do t’i “hetoni këto urdhërime” te Doktrina e Besëlidhje këtë vit. Si do ta bëni studimin nga ana juaj të shkrimeve të shenjta një pjesë të rregullt të jetës familjare? Cilat ide për studim mund t’ju ndihmojnë që të mësoni nga shkrimet e shenjta? (Shih “Ide për ta Përmirësuar Studimin Tuaj Familjar të Shkrimeve të Shenjta” në fillim të këtij burimi.)
Për më shumë ide për mësimdhënien ndaj fëmijëve, shihni përvijimin e kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Filloren.
Kënga e sugjeruar: “Ndiqe Profetin”, Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 58, sidomos strofa e fundit.