“28 Dhjetor – 3 Janar. Doktrina e Besëlidhje 1: ‘Dëgjoni, O Ju Popull’”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: Doktrina e Besëlidhje 2021 (2020)
“28 Dhjetor – 3 Janar. Doktrina e Besëlidhje 1”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: 2021
28 Dhjetor – 3 Janar
Doktrina e Besëlidhje 1
“Dëgjoni, O Ju Popull”
Hapi juaj i parë i përgatitjes për të dhënë mësim duhet të jetë që ta studioni me lutje seksionin 1 te Doktrina e Besëlidhje. Ndërsa e bëni, mbani vesh për nxitje rreth nevojave të fëmijëve dhe kërkoni parime që do të jenë kuptimplota për ta. Këto mbresa do t’ju ndihmojnë të planifikoni veprimtari kuptimplota për t’i dhënë mësim këto parime.
Shënojini Mbresat Tuaja
Ftojini të Tregojnë
Ngrijeni lart librin Doktrina e Besëlidhje dhe kërkojuni fëmijëve të tregojnë çdo gjë që dinë rreth këtij libri. Kush e shkroi? Çfarë përmban ai? Përse është i rëndësishëm? Për ndihmë, mund të referoheni te “Kapitulli 23: Doktrina e Besëlidhje” (Histori nga Doktrina e Besëlidhje, f. 90–92). Shpreheni dashurinë tuaj për librin Doktrina e Besëlidhje dhe padurimin tuaj për të mësuar prej tij këtë vit.
Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Vegjël
Nëpërmjet profetëve të Tij, Zoti na paralajmëron për rrezikun shpirtëror.
Zoti deklaroi se zëri i Tij është një “zë … paralajmërimi”. Si do t’i frymëzoni fëmijët që t’i dëgjojnë dhe t’u binden paralajmërimeve që jep Ai?
Veprimtari të Mundshme
-
Lërini fëmijët të mbajnë figura shenjash paralajmërimi – të tilla si për rreziqe të qarkullimit rrugor, motin e keq ose helmet – dhe flisni rreth mënyrës se si na paralajmërojnë për rrezikun. Ose rrëfeni një histori rreth një rasti kur iu bindët një paralajmërimi. Krahasojini këto paralajmërime me paralajmërimet që Zoti na jep nëpërmjet profetëve të Tij. Dëshmoni se Ai na paralajmëron ngaqë na do dhe dëshiron që ne të jemi të sigurt (shih edhe faqen e veprimtarisë së kësaj jave).
-
Lexojuni fëmijëve nga Doktrina e Besëlidhje 1:4: “Dhe zëri i paralajmërimit do të shkojë te gjithë njerëzit”. Tregoni diçka që profeti ka dhënë mësim kohët e fundit që mund të na mbajë të sigurt. Shfaqni figura që lidhen me të, nëse është e mundur. Bisedoni rreth mënyrës se si po e zbatoni këshillën e profetit.
Doktrina e Besëlidhje 1:17, 29
Jozef Smithi është profet i Perëndisë.
Teksa ju dhe fëmijët filloni të studioni librin Doktrina e Besëlidhje, ndihmojini ata të ndërtojnë dëshmitë e tyre rreth thirrjes hyjnore të Jozef Smithit.
Veprimtari të Mundshme
-
Shfaqni një figurë të Profetit Jozef Smith (shih Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet; shih edhe Librin e Figurave Artistike të Ungjillit, nr. 87). Kërkojuni fëmijëve të qëndrojnë në këmbë në krah të figurës dhe të tregojnë atë që dinë rreth Jozef Smithit.
-
Lërini fëmijët të mbajnë një figurë të Shpëtimtarit dhe një figurë të Jozef Smithit. Flisni me ta rreth gjërave që na dha Shpëtimtari nëpërmjet Jozef Smithit, të tilla si urdhërimet (shih vargun 17) dhe Libri i Mormonit (shih vargun 29). Thuajuni fëmijëve se te Doktrina e Besëlidhje ata do të mësojnë rreth urdhërimeve që Zoti i dha Kishës nëpërmjet Jozef Smithit.
-
Shprehni ndjenjat tuaja rreth Jozef Smithit dhe dëshmoni se Perëndia tha: “Thirra shërbëtorin tim, Joseph Smith të Riun dhe i fola atij nga qielli” (vargu 17).
Fjalët e profetit janë fjalët e Perëndisë.
Fëmijët të cilëve u jepni mësim, mund ta kenë dëgjuar Presidentin e Kishës të flasë, por mund të mos ta kuptojnë se fjalët e tij vijnë nga Perëndia. Ndihmojini ata t’i njohin fjalët e profetit si fjalët e Perëndisë.
Veprimtari të Mundshme
-
Luani një lojë të thjeshtë duke i dhënë udhëzime një fëmije dhe duke i kërkuar atij ose asaj që t’i përsëritë udhëzimet për fëmijët e tjerë. Ndihmojini ata që ta kuptojnë se ndjekja e udhëzimeve të fëmijës është njësoj si ndjekja e udhëzimeve tuaja dhe se ndjekja e profetit është njësoj si ndjekja e Zotit. Lexojuni atyre rreshtin e fundit te Doktrina e Besëlidhje 1:38: “Qoftë nëpërmjet zërit tim apo nëpërmjet zërit të shërbëtorëve të mi është njësoj”.
-
Këndoni së bashku një këngë për profetët, të tillë si strofën e fundit të këngës “Ndiqe Profetin” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 58). Jepeni dëshminë tuaj që profeti flet fjalët e Perëndisë.
-
Paraqitni një figurë, një regjistrim zëri ose një pjesë filmike të profetit të gjallë. Jepni dëshminë tuaj se profeti na thotë atë që Perëndia dëshiron që ne të dimë. Ftojini fëmijët të tregojnë se çfarë ndiejnë për profetin.
Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Mëdhenj
Doktrina e Besëlidhje 1:15–17, 29–30
Zoti i dinte sfidat me të cilat do të përballeshim, ndaj Ai e rivendosi ungjillin nëpërmjet Jozef Smithit.
Mund t’i ndihmoni fëmijët të përgatiten për sfidat e së ardhmes duke u mësuar atyre se si Rivendosja e ungjillit jep mbrojtje shpirtërore.
Veprimtari të Mundshme
-
Ndihmojini fëmijët të mendojnë për disa nga problemet në botë sot. Rishikojeni pjesën te Doktrina e Besëlidhje 1:15–16 me ta dhe ndihmojini të përcaktojnë disa nga problemet që Zoti profetizoi se do të ndodhnin. Ftojini ata të zbulojnë te vargjet 17 dhe 29–30 se çfarë ka bërë Zoti për të na ndihmuar të përballemi me sfidat e kohës sonë.
-
Kërkojuni fëmijëve që të përfytyrojnë sikur po përgatiten për një udhëtim. Çfarë do të merrnin me vete? Si do t’i ndihmonte dijenia që do të binte shi gjatë udhëtimit të tyre ose që makinës së tyre do t’u shfryhej goma? Lexojeni së bashku vargun 17 dhe diskutoni atë që Zoti e dinte se do të na ndodhte ne dhe se si Ai bëri përgatitje për këtë. (Nëse është e nevojshme, shpjegoni se një “fatkeqësi” është një gjëmë ose diçka e tmerrshme.) Si na ndihmojnë urdhërimet e Perëndisë që t’i përballojmë sfidat e kohës sonë?
Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme është “kish[a e] vërtetë dhe [e] gjallë” e Zotit.
Si mund t’i ndihmoni fëmijët që t’i vlerësojnë bekimet e mëdha të të qenit pjesë e “[së vetmes] kishë të vërtetë dhe të gjallë”?
Veprimtari të Mundshme
-
Ftojini fëmijët të renditin disa gjëra që janë të gjalla dhe disa gjëra që nuk janë (nëse është e mundur, sillni fotografi ose shembuj). Cili është ndryshimi midis një gjëje të gjallë dhe një gjëje jo të gjallë? Lexojeni së bashku vargun 30. Çfarë do të thotë që Kisha është “[e] vërtetë”, që është “[e] gjallë”?
-
Paraqitni një figurë, të tillë si një pikturë të Shpëtimtarit dhe kërkojuni fëmijëve që ta përshkruajnë atë me drita të fikura në dhomë. Përdoreni këtë veprimtari për t’i ndihmuar fëmijët që ta kuptojnë se për shumë njerëz, Kisha e vërtetë e Shpëtimtarit është në “terr” dhe “errësir[ë]”. Si mund t’i ndihmojmë të tjerët që të mësojnë rreth Kishës?
Fjala e Zotit zgjat përgjithmonë.
Ju mund t’i ndihmoni fëmijët që ta ndërtojnë besimin e tyre te Jezu Krishti duke ua mësuar që fjala e Tij është e sigurt dhe e besueshme.
Veprimtari të Mundshme
-
Ndihmojini fëmijët t’i krahasojnë gjërat që janë të përkohshme, si një flluskë sapuni ose flok dëbore, me gjëra që duken të përhershme, si një mal ose dielli. Kërkojuni atyre të gjejnë te vargjet 37–38 diçka që Zoti tha se është e përhershme. Përse është një bekim ta dimë që fjala e Perëndisë “nuk do të kalojë”?
-
Ndihmojini fëmijët ta kuptojnë se “zëri [i] shërbëtorëve të mi” përfshin zërin e apostujve dhe profetëve tanë. Ndihmojini fëmijët të gjejnë “profecitë e premtimet” në një fjalim të konferencës së përgjithshme të kohëve të fundit nga njëri prej shërbëtorëve të Zotit. Jepni dëshminë tuaj se këto fjalë frymëzohen nga Zoti dhe “do të përmbushe[n]”.
Nxiteni të Mësuarit në Shtëpi
Përsëritini me fëmijët ato që mësuat sot, dhe ftojini të zgjedhin diçka që ndiejnë se duhet ta dijë çdokush. Nxitini ata që t’ia tregojnë atë një shoku/shoqeje ose pjesëtari të familjes.