“31 Dhjetor – 6 Janar. Ne Jemi Përgjegjës për Të Mësuarin Tonë Vetjak”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: Dhiata e Re 2019 (2019)
“31 Dhjetor – 6 Janar. Ne Jemi Përgjegjës për Të Mësuarin Tonë Vetjak”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: 2019
31 Dhjetor – 6 Janar
Ne Jemi Përgjegjës për Të Mësuarin Tonë Vetjak
Qëllimi i Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet është që t’ju ndihmojë të vini tek Krishti dhe të ktheheni më thellësisht në besim në ungjillin e Tij. Ky burim mund t’ju ndihmojë t’i kuptoni shkrimet e shenjta dhe të gjeni në to forcën shpirtërore për të cilën ju dhe familja juaj keni nevojë. Më pas, në orët tuaja mësimore në Kishë, ju do të jeni të përgatitur që të jepni ide dhe t’i nxitni miqtë tuaj shenjtorë në përpjekjet e tyre për ta ndjekur Krishtin.
Shënojini Mbresat Tuaja
“Ç’kërkoni?” I pyeti Jezusi dishepujt e Tij (Gjoni 1:38). Ju mund t’i bëni vetes të njëjtën pyetje – pasi ajo çfarë do të zbuloni te Dhiata e Re këtë vit do të varet së tepërmi nga ajo çfarë kërkoni. “Kërkoni dhe do të gjeni”, është premtimi i Shpëtimtarit (Mateu 7:7). Kështu që, bëjini pyetjet që ju vijnë në mendje ndërsa studioni dhe, më pas, kërkojini me zell përgjigjet. Në Dhiatën e Re ju do të lexoni rreth përvojave të fuqishme shpirtërore të dishepujve të Jezu Krishtit. Si dishepull besnik i Shpëtimtarit, ju mund të keni përvojat tuaja vetjake të fuqishme shpirtërore kur e pranoni ftesën e Shpëtimtarit, e cila gjendet kudo nëpër këtë vëllim të shenjtë: “Eja e më ndiq” (Lluka 18:22).
Ide për Studimin Vetjak të Shkrimeve të Shenjta
Në mënyrë që të mësoj me të vërtetë prej Shpëtimtarit, unë duhet ta pranoj ftesën e Tij: “Eja e më ndiq”.
Ftesa e Shpëtimtarit: “Eja e më ndiq”, gjen zbatim për të gjithë – qoftë nëse jemi të rinj në shtegun e dishepullimit, qoftë nëse e kemi ndjekur atë shteg gjithë jetën tonë. Kjo ishte ftesa e Tij për një të ri pasanik, i cili po përpiqej t’i zbatonte urdhërimet (shih Mateu 19:16–22). Ajo çfarë mësoi ai – dhe ajo çfarë të gjithë ne duhet të mësojmë – është se të qenit dishepull do të thotë t’ia japim tërë shpirtin tonë Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit. Ne përparojmë në dishepullimin tonë kur e dallojmë atë që na mungon, kur ndryshojmë dhe përpiqemi t’i ndjekim Ata më plotësisht.
Të mësuarit prej Shpëtimtarit fillon kur përpiqemi ta kuptojmë atë që dha mësim Ai. Për shembull, si thellohet të kuptuarit tuaj për faljen kur e studioni sa vijon?
Mësimet e Shpëtimtarit (shih Mateu 6:14–15; 18:21–35)
Një shembull nga jeta e Tij (shih Lluka 23:33–34)
Sidoqoftë, të mësuarit nuk është i plotë gjersa ta ndjekim Shpëtimtarin duke jetuar sipas asaj që Ai dha mësim. Si mund të falni më shumë?
Nëse dëshironi të mësoni më shumë, provojeni këtë veprimtari me një parim tjetër të ungjillit, të tillë si dashuria ose përulësia.
Unë jam përgjegjës për vetë të mësuarin tim.
Plaku Dejvid A. Bednar dha mësim: “Si nxënës, unë dhe ju duhet të veprojmë dhe të jemi bërës të fjalës e jo thjesht dëgjues mbi të cilët vetëm veprohet. A jemi unë dhe ju veprues që veprojmë dhe kërkojmë të mësojmë me anë të besimit, apo presim që të na jepet mësim dhe të veprohet mbi ne? … Një nxënës/e që e ushtron lirinë e zgjedhjes duke vepruar sipas parimeve të drejta, ia hap zemrën e tij ose të saj Frymës së Shenjtë dhe fton mësimdhënien, fuqinë dëshmuese dhe dëshmimin pohues të Tij. Mësimi me anë të besimit kërkon ushtrim shpirtëror, mendor dhe fizik dhe jo thjesht pranim pasiv” (“Seek Learning by Faith”, Ensign, shtator 2007, f. 64).
Çfarë do të thotë të merrni përsipër përgjegjësinë e vetë të mësuarit tuaj? Kërkojini përgjigjet e mundshme te thënia e Plakut Bednar dhe te shkrimet e shenjta në vijim: Gjoni 7:17; 1 Thesalonikasve 5:21; Jakob [Bibël] 1:5–6, 22; 2:17; 1 Nefi 10:17–19; 2 Nefi 4:15; Alma 32:27; dhe Doktrina e Besëlidhje 18:18; 58:26–28; 88:118. Çfarë ndiheni i frymëzuar të bëni, që të jeni më aktiv në të mësuarin e ungjillit?
Unë kam nevojë ta di të vërtetën për vete.
Ju, mbase, njihni njerëz të cilët duket se kurrë nuk e humbasin besimin e tyre, pavarësisht nga çfarë ndodh në jetën e tyre. Ata mund t’ju sjellin në mend pesë virgjëreshat e mençura në shëmbëlltyrën e Shpëtimtarit (shih Mateu 25:1–13). Ajo çfarë mund të mos shihni, janë përpjekjet e tyre të zellshme për ta forcuar dëshminë e tyre për të vërtetën. Ne të gjithë duhet të përpiqemi me zell t’i forcojmë dëshmitë tona pasi, ashtu siç e morën mësim virgjëreshat budallaçka, ne nuk mund ta marrim hua nga askush tjetër kthimin në besim.
Si i fitojmë dhe i ushqejmë vetë dëshmitë tona? Shkruajini mendimet tuaja teksa i përsiatni shkrimet e shenjta në vijim: Lluka 11:9–13; Gjoni 5:39; Gjoni 7:14–17; Veprat e Apostujve 17:10–12; 1 Korintasve 2:9–11; dhe Alma 5:45–46. (Shih edhe “Testimony” [“Dëshmi”], Gospel Topics [Tema të Ungjillit], topics.lds.org; [“Dëshmi”, Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, f. 28–29].)
Çfarë duhet të bëj kur kam pyetje?
Kur kërkoni njohuri shpirtërore, do t’ju lindin në mendje pyetje. Parimet në vijim mund t’ju ndihmojnë t’i trajtoni pyetjet në mënyra që e ngrenë besimin dhe dëshminë:
-
Kërkoni kuptueshmëri nga burimet e caktuara në mënyrë hyjnore. Perëndia është burimi i gjithë së vërtetës dhe Ai e zbulon të vërtetën nëpërmjet Frymës së Shenjtë, shkrimeve të shenjta dhe profetëve e apostujve të Tij.
-
Veproni me besim. Nëse përgjigjet nuk vijnë menjëherë, kini mirëbesimin se Zoti do t’i zbulojë përgjigjet kur të jetë koha e duhur. Ndërkohë, vazhdoni të jetoni sipas të vërtetës që e dini tashmë.
-
Mbani një këndvështrim të përjetshëm. Përpiquni t’i shihni gjërat ashtu siç i sheh Zoti, jo siç i sheh bota. Këqyrini pyetjet tuaja në kontekstin e planit të shpëtimit të Atit tonë Qiellor.
Ide për Studimin Familjar të Shkrimeve të Shenjta dhe për Mbrëmjen Familjare
Kur i lexoni shkrimet e shenjta me familjen tuaj, Shpirti mund t’ju ndihmojë ta dini se cilat parime të theksoni dhe diskutoni me qëllim që të plotësohen nevojat e familjes suaj. Këtu janë disa sugjerime:
Një mënyrë e shkëlqyer për ta ndihmuar familjen tuaj të përgatitet të mësojë nga Dhiata e Re këtë vit, është që të shqyrtoni shëmbëlltyrën e mbjellësit. Familja juaj mund të kënaqet duke parë lloje të ndryshme tokash pranë shtëpisë suaj për të përfytyruar llojet e tokave të përshkruara te shëmbëlltyra. Çfarë mund të bëjmë që të kultivojmë “tokë të mirë” në shtëpinë tonë? (Mateu 13:8).
Ne i këshillojmë prindërit dhe fëmijët t’i japin përparësinë më të lartë lutjes familjare, mbrëmjes familjare, studimit e udhëzimit të ungjillit dhe aktiviteteve të dobishme familjare. Sado të denja dhe të përshtatshme qofshin kërkesat ose aktivitetet e tjera, ato nuk duhet të lejohen të zëvendësojnë detyrat e caktuara në mënyrë hyjnore që vetëm prindërit dhe familjet mund t’i kryejnë ashtu si duhet” (“Letter from the First Presidency”, Liahona, dhjetor 1999, f. 1).
Fillimi i vitit të ri është kohë e mirë për të mbajtur një këshill familjar rreth bërjes së shtëpisë suaj më të përqendruar tek ungjilli. Çfarë idesh ju vijnë në mendje kur lexoni bekimet dhe këshillën te Galatasve 5:22–23 dhe Filipianëve 4:8? Ndoshta mund të bëni afishe për t’i vendosur nëpër shtëpi, që të kujtoheni për synimet tuaja.
Për më shumë ide për mësimdhënien ndaj fëmijëve, shihni përvijimin e kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Filloren.
Ai Është Ngritur, nga Del Parson