“21–27 Janar. Gjoni 1: Ne e Kemi Gjetur Mesian”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: Dhiata e Re 2019 (2019)
“21–27 Janar. Gjoni 1”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: 2019
21–27 Janar
Gjoni 1
Ne e Kemi Gjetur Mesian
Ndërsa e lexoni dhe e përsiatni Gjonin 1, mbajini shënim mbresat që merrni. Cilat mesazhe pikasni se do të kenë më shumë vlerë për ju dhe familjen tuaj? Çfarë mund të tregoni në orët tuaja mësimore në Kishë?
Shënojini Mbresat Tuaja
A e keni pyetur ndonjëherë veten nëse do ta kishit pranuar Jezusin e Nazaretit si Birin e Perëndisë në qoftë se do të kishit qenë gjallë gjatë shërbesës së Tij në vdekshmëri? Izraelitët besnikë, përfshirë Andrean, Pjetrin, Filipin dhe Natanaelin e kishin pritur dhe ishin lutur me vite për ardhjen e Mesias së premtuar. Kur e takuan Atë, si e morën ata njohurinë se Ai ishte Ai [person] që ata kishin kërkuar? Në po të njëjtën mënyrë se si ne të gjithë arrijmë ta njohim Shpëtimtarin – duke e pranuar ftesën që të “[vijmë] e shiko[jmë]” për vete (Gjoni 1:39). Ne lexojmë rreth Tij në shkrimet e shenjta. Ne e dëgjojmë doktrinën e Tij. Ne e vëmë re mënyrën e Tij të të jetuarit. Ne e ndiejmë Shpirtin e Tij. Në udhë e sipër, ne zbulojmë, ashtu si Natanaeli, se Shpëtimtari na njeh e na do dhe dëshiron që të na përgatitë të marrim “gjëra më të mëdha” (Gjoni 1:50).
Ide për Studimin Vetjak të Shkrimeve të Shenjta
Ungjilli i Gjonit
Kush ishte Gjoni?
Gjoni ishte dishepull i Gjon Pagëzorit dhe më vonë u bë një prej pasuesve të parë të Jezu Krishtit dhe një prej Dymbëdhjetë Apostujve të Tij. Ai shkroi Ungjillin e Gjonit, disa letra dhe librin e Zbulesës. Në Ungjillin e tij, ai iu referua vetes si dishepulli “të cilin Jezusi e donte” dhe “dishepulli tjetër” (Gjoni 13:23; 20:3). Zelli i Gjonit në predikimin e ungjillit ishte aq i fortë sa ai kërkoi që të qëndronte në tokë deri në Ardhjen e Dytë të Shpëtimtarit, në mënyrë që të mund të sillte shpirtra te Krishti (shih DeB 7:1–6).
Shih edhe Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Gjon, Bir i Zebedeut”, [f. 58–59].
Jezu Krishti ishte “në fillim me Perëndinë”.
Gjoni e filloi ungjillin e tij duke përshkruar punën që bëri Krishti përpara se të lindte: “Në fillim … Fjala [Jezu Krishti] ishte pranë Perëndisë”. Çfarë mësoni nga vargjet 1–5 rreth Shpëtimtarit dhe punës së Tij? Ju mund të gjeni sqarime të dobishme te Përkthimi prej Joseph Smith-it, Gjoni 1:1–5 (tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, [f. 233]). Kur filloni studimin vetjak për jetën e Shpëtimtarit, përse është e rëndësishme të dini rreth punës së Tij para lindjes?
Shih edhe “Jesus Christ Chosen as Savior” [“Jezu Krishti i Zgjedhur si Shpëtimtar”], Gospel Topics [Tema të Ungjillit], topics.lds.org.
Dishepujt e Jezu Krishtit japin dëshmi për Të.
Gjoni u frymëzua ta kërkonte Shpëtimtarin për shkak të dëshmisë së Gjon Pagëzorit, i cili shpalli se ai “u dërgua për të dëshmuar për dritën … e vërtetë” (Gjoni 1:8–9, 15–18). Gjoni vetë gjithashtu dha dëshmi të fuqishme për jetën dhe misionin e Shpëtimtarit.
Mund të jetë interesante të bëni një listë me të vërtetat që Gjoni i përfshiu në dëshminë e tij hyrëse për Krishtin (vargjet 1–18; shih edhe Përkthimi prej Joseph Smith-it, Gjoni 1:1–19 [tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, f 233]). Si mendoni, përse e filloi Gjoni Ungjillin e tij me këto të vërteta? Merrni parasysh ta shkruani dëshminë tuaj për Jezu Krishtin – çfarë do të donit të shprehnit? Çfarë përvojash ju kanë ndihmuar të arrini ta njihni dhe ndiqni Shpëtimtarin? Kush mund të bekohet nga dëgjimi i dëshmisë suaj?
Çfarë do të thotë “të bëhe[mi] bij të Perëndisë”?
Ndonëse ne jemi të gjithë bij dhe bija shpirtërore të Perëndisë, kur mëkatojmë ne largohemi e veçohemi nga Ai. Jezu Krishti na ofron një udhë kthimi. Nëpërmjet sakrificës së Tij shlyese dhe bindjes sonë ndaj besëlidhjeve të ungjillit, Ai “[na jep] pushtetin të bëhe[mi] bij [dhe bija] të Perëndisë” përsëri. Ne lindemi përsëri dhe pajtohemi me Atin tonë, të denjë për trashëgiminë e Tij të përjetshme dhe trashëgimtarë të të gjithë asaj që ka Ai (shih Romakëve 8:14–18; Jakobi 4:11).
A e ka parë ndonjë njeri Perëndinë?
Dhiata e Vjetër shënon shembuj të njerëzve që e panë Perëndinë (shih Zanafilla 32:30; Eksodi 33:11; Isaia 6:5). Atëherë, përse do të thoshte Gjon Pagëzori se “askush s’e pa Perëndinë kurrë”? Përkthimi prej Joseph Smith-it i këtij vargu (shih tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, PJS, Gjoni 1:19, [f. 233]) sqaron se Perëndia, Ati, u shfaqet me të vërtetë njerëzve, dhe kur Ai e bën atë, Ai jep dëshmi për Birin e Tij. Për shembull, kur Ai iu shfaq Jozef Smithit në Korijen e Shenjtë, Ai i tha Jozefit: “Ky është Biri Im i Dashur. Dëgjoje Atë!” (Joseph Smith – Historia 1:17; shih edhe DeB 76:23). Ka disa raste të tjera të shkruara në të cilat njerëzit e panë Perëndinë, Atin, në vegim (shih Veprat e Apostujve 7:55–56; Zbulesa 4:2; 1 Nefi 1:8; DeB 137:1–3) apo e dëgjuan zërin e Tij të jepte dëshmi për Birin (shih Mateu 3:17; 17:5; 3 Nefi 11:6–7).
Kush është Elia dhe kush është “profeti”?
Udhëheqësit judeas pyesnin veten mos Gjon Pagëzori po përmbushte profecinë e lashtë rreth profetëve që do të vinin një ditë mes njerëzve. Ata e pyetën mos ishte Elia, që është forma në greqisht e emrit Elijas, emri i profetit i cili qe profetizuar se do të rivendoste të gjitha gjërat (shih Malakia 4:5–6). Ata gjithashtu e pyetën mos ishte “profeti”, që mund t’i referohet “profet[it]” të përmendur te Ligji i Përtërirë 18:15. Gjoni shpjegoi se ai nuk ishte asnjëri prej këtyre, por ai ishte profeti për të cilin Isaia tha se do të përgatiste udhën për ardhjen e Zotit (shih Isaia 40:3).
Shih edhe Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Elias”, [f. 40].
Ide për Studimin Familjar të Shkrimeve të Shenjta dhe për Mbrëmjen Familjare
Kur i lexoni shkrimet e shenjta me familjen tuaj, Shpirti mund t’ju ndihmojë ta dini se cilat parime të theksoni dhe diskutoni me qëllim që të plotësohen nevojat e familjes suaj. Këtu janë disa sugjerime:
Si mund ta ndihmoni familjen tuaj ta parafytyrojë atë që ata lexojnë rreth dritës në këto vargje? Ju mund t’i lejoni pjesëtarët e familjes që me radhë të ndezin një dritë në një dhomë të errët dhe të tregojnë se si Shpëtimtari është Drita e jetës së tyre. Më pas, kur të lexoni Gjonin 1:4–10, pjesëtarët e familjes mund të kenë ide të mëtejshme mbi dëshminë e Gjonit për Jezu Krishtin, Dritën e Botës.
Vini re dëshminë e Gjon Pagëzorit te vargu 36. Cilat ishin pasojat e dëshmisë së tij? (shih vargjet 35–46). Çfarë mëson familja juaj nga njerëzit që përshkruhen në këto vargje, rreth mënyrës se si ta shpërndajnë ungjillin?
Çfarë bëri Natanaeli që e ndihmoi atë të fitonte një dëshmi për Shpëtimtarin? Si i kemi fituar ne dëshmitë tona?
Për më shumë ide për mësimdhënien ndaj fëmijëve, shihni përvijimin e kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Filloren.