“28 Janar – 3 Shkurt. Mateu 3; Marku 1; Lluka 3: ‘Përgatitni Udhën e Zotit’”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: Dhiata e Re 2019 (2019)
“28 Janar – 3 Shkurt. Mateu 3; Marku 1; Lluka 3”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: 2019
28 Janar – 3 Shkurt
Mateu 3; Marku 1; Lluka 3
“Përgatitni Udhën e Zotit”
Filloni duke lexuar Mateun 3; Markun 1; dhe Llukën 3. Kur luteni për Frymën e Shenjtë që t’ju ndihmojë t’i kuptoni këta kapituj, Ai do t’ju japë këndvështrime që janë posaçërisht për ju. Mbajini shënim këto mbresa dhe planifikoni të veproni në përputhje me to.
Shënojini Mbresat Tuaja
Jezu Krishti dhe ungjilli i Tij mund t’ju ndryshojnë ju. Lluka citoi një profeci të lashtë të Isaias që përshkruante misionin e Gjon Pagëzorit dhe ndikimin që do të kishte ardhja e Shpëtimtarit: “Çdo luginë të jetë e mbushur dhe çdo mal e kodër të jetë sheshuar; vendet dredha-dredha të drejtohen dhe rrugët e vështira të sheshohen” (Lluka 3:5; shih edhe Isaia 40:4). Ky është një mesazh për të gjithë ne, përfshirë ata që mendojnë se nuk mund të ndryshojnë ose nuk kanë nevojë të ndryshojnë. Nëse një gjë kaq e qëndrueshme sa mali mund të sheshohet, atëherë me siguri Zoti mund të na ndihmojë që t’i drejtojmë shtigjet tona vetjake dredha-dredha (shih Lluka 3:4–5). Kur e pranojmë ftesën e Gjon Pagëzorit për t’u penduar e për të ndryshuar, ne e përgatitim mendjen dhe zemrën tonë që ta pranojmë Jezu Krishtin në mënyrë që edhe ne të mund ta “shoh[im] shpëtimin e Perëndisë” (Lluka 3:6).
Ide për Studimin Vetjak të Shkrimeve të Shenjta
Ungjilli i Markut
Kush ishte Marku?
Ndër autorët e Ungjijve, për Markun dimë më pak. Ne dimë se ai ishte shok misionar i Palit, Pjetrit dhe disa misionarëve të tjerë. Shumë studiues të Biblës besojnë se Pjetri e porositi Markun që t’i mbante shënim ngjarjet në jetën e Shpëtimtarit. Ungjilli i Markut ka të ngjarë të jetë shkruar përpara tri të tjerëve.
Shih edhe Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Mark”, [f. 111–112].
Mateu 3:1–12; Marku 1:1–8; Lluka 3:2–18
Pendimi është një ndryshim i madh i mendjes dhe i zemrës.
Misioni i Gjon Pagëzorit ishte që të përgatiste zemrat e njerëzve për ta pranuar Shpëtimtarin dhe të bëheshin më shumë si Ai. Si e bëri ai atë? Ai shpalli: “Pendohuni” (Mateu 3:2). Ai përdori shëmbëlltyra të tilla si fryti dhe gruri për të theksuar rëndësinë e pendimit në mënyrë që të pranojmë Krishtin (shih Lluka 3:9, 17).
Çfarë shëmbëlltyrash të tjera gjeni në rrëfimet e shërbesës së Gjon Pagëzorit? Merrni parasysh t’i shenjoni ato në shkrimet tuaja të shenjta ose të vizatoni figura të shëmbëlltyrave në një ditar studimi. Çfarë na mësojnë këto shëmbëlltyra për doktrinën e pendimit dhe nevojën për pendim?
Pendimi i vërtetë është “një ndryshim i mendjes dhe zemrës që sjell një qëndrim të ri ndaj Perëndisë, vetes dhe jetës në përgjithësi. [Ai nënkupton] një … kth[im të] zemrë[s] dhe vullneti[t] … te Perëndia” (Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Pendohem, Pendim”, [f. 144]). Te Lluka 3:7–14, çfarë ndryshimesh i ftoi Gjoni njerëzit të bënin, që të përgatiteshin për ta pranuar Krishtin? Si mund të gjejë zbatim kjo këshillë për ju? Si mund ta tregoni se jeni penduar me të vërtetë? (shih Lluka 3:8).
Shih edhe Përkthimi prej Joseph Smith-it, Lluka 3:4–11 (tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, [f. 230]); Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Gjon Pagëzori”, [f. 59]; D. Tod Kristoferson, “Dhurata Hyjnore e Pendimit”, Ensign ose Liahona, nëntor 2011, f. 38–41.
Kush ishin farisenjtë dhe saducenjtë?
Farisenjtë ishin anëtarë të një grupi fetar judeas të cilët e mburrnin veten për bindje rigoroze ndaj ligjit të Moisiut. Ata kishin prirjen ta mpaknin besimin fetar në [thjesht] një zbatim të shumë veprimeve ceremoniale. Saducenjtë ishin një klasë shoqërore e pasur judease me ndikim të rëndësishëm fetar e politik. Ata nuk besonin në doktrinën e ringjalljes. Të dyja grupimet i ishin larguar qëllimit fillestar të ligjeve të Perëndisë dhe shumë prej anëtarëve të tyre refuzonin ta pranonin mesazhin e profetit të Perëndisë, Gjon Pagëzorit.
Shih edhe Mateu 23:27; Gjoni 1:19–24; Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Farisenj”, [f.47], dhe “Saducenj, [f. 164].
Mateu 3:13–17; Marku 1:9–11; Lluka 3:15–16, 21–22
Jezu Krishti u pagëzua që të “përmbush[te] çdo drejtësi”.
Kur u pagëzuat, ju ndoqët shembullin e Shpëtimtarit. Krahasojeni atë çfarë mësoni nga këto rrëfime të pagëzimit të Shpëtimtarit, me atë çfarë ndodhi gjatë pagëzimit tuaj.
Kush e pagëzoi Jezusin dhe çfarë autoriteti mbante ai? |
Kush ju pagëzoi ju dhe çfarë autoriteti mbante ai? |
Ku u pagëzua Jezusi? |
Ku u pagëzuat ju? |
Si u pagëzua Jezusi? |
Si u pagëzuat ju? |
Përse u pagëzua Jezusi? |
Përse u pagëzuat ju? |
Si e tregoi Ati Qiellor se ishte i kënaqur me Jezusin? |
Si e tregoi Ati Qiellor se ishte i kënaqur kur u pagëzuat ju? Si e ka treguar Ai miratimin e Tij që prej asaj kohe? |
Nefi shënoi disa mësime të rëndësishme rreth pagëzimit të Shpëtimtarit. Çfarë ju mësojnë fjalët e tij te 2 Nefi 31? Merrni parasysh ta shënoni përvojën tuaj të pagëzimit në një ditar.
Shih edhe Gjoni 1:32–33; Mosia 18:8–11; Doktrina e Besëlidhje 13:1; 20:37, 68–74; “The Baptism of Jesus” [“Pagëzimi i Jezusit”] (video, LDS.org).
Mateu 3:16–17; Marku 1:9–11; Lluka 3:21–22
A na mëson Bibla se anëtarët e Kreut-Perëndi janë tri qenie të ndara?
Bibla përmban prova të shumta që anëtarët e Kreut-Perëndi janë tri qenie të ndara. Për shembull, rrëfimi i pagëzimit të Shpëtimtarit e mbështet doktrinën që Perëndia, Ati, Jezu Krishti dhe Fryma e Shenjtë janë tri qenie të ndara. Perëndia, Ati, foli nga qielli dhe Fryma e Shenjtë (e paraqitur nga një pëllumb) zbriti te Shpëtimtari kur Ai po pagëzohej. Këtu janë disa shkrime të tjera të shenjta që na japin mësim po këtë të vërtetë: Zanafilla 1:26–27; Mateu 17:1–5; Gjoni 17:20–23; Veprat e Apostujve 7:55–56; dhe Doktrina e Besëlidhje 130:22.
Ide për Studimin Familjar të Shkrimeve të Shenjta dhe për Mbrëmjen Familjare
Kur i lexoni shkrimet e shenjta me familjen tuaj, Shpirti mund t’ju ndihmojë ta dini se cilat parime të theksoni dhe diskutoni me qëllim që të plotësohen nevojat e familjes suaj. Këtu janë disa sugjerime:
Gjon Pagëzori mbante Priftërinë Aarone. Çfarë mund të mësojmë rreth Priftërisë Aarone ndërsa studiojmë rreth Gjonit? Si mund t’i ndihmojë shembulli i Gjonit mbajtësit e Priftërisë Aarone që t’i përmbushin detyrat e tyre? (Shih edhe DeB 13:1; 20:46–60.)
Për t’u mësuar pjesëtarëve të familjes rreth pagëzimit dhe dhuratës së Frymës së Shenjtë, merrni parasysh të paraqitni një send të pistë dhe t’i lini pjesëtarët e familjes ta lajnë atë me ujë. Si pasqyron pagëzimin kjo veprimtari? Pastaj kërkojuni pjesëtarëve të familjes të flasin rreth disa prej vetive pastruese të zjarrit. Përse dhurata e Frymës së Shenjtë është përshkruar si “pagëzimi i zjarrit”? (Shih Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Frymë e Shenjtë”, [f. 51–52].)
Kur e kemi ndier që Perëndia ka qenë i kënaqur me ne? Çfarë mund të bëjmë ne si familje për ta kënaqur Perëndinë?
Për më shumë ide për mësimdhënien ndaj fëmijëve, shihni përvijimin e kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Filloren.