Eja, Më Ndiq
11–17 Shkurt. Gjoni 2–4: ‘Duhet të Lindni Përsëri’


“11–17 Shkurt. Gjoni 2–4: ‘Duhet të Lindni Përsëri’”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: Dhiata e Re 2019 (2019)

“11–17 Shkurt. Gjoni 2–4”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: 2019

Jezusi duke folur me Nikodemin

11–17 Shkurt

Gjoni 2–4

“Duhet të Lindni Përsëri”

Teksa e lexoni Gjonin 2–4, Shpirti do t’ju mësojë gjëra rreth kthimit tuaj vetjak në besim. Mbajini shënim nxitjet e Tij. Ju mund të zbuloni këndvështrime të mëtejshme shpirtërore nga idetë për studim në këtë përvijim të mësimit.

Shënojini Mbresat Tuaja

Në një festë dasme në Kanë, Krishti e shndërroi ujin në verë – një ngjarje të cilën Gjoni e quajti “fillim[i] [i] shenjave” (Gjoni 2:11). Ajo është e vërtetë në më shumë sesa një kuptim: ndërkohë që ishte mrekullia [ose shenja] e parë që Jezusi bëri në mënyrë publike, ajo mund të simbolizojë gjithashtu një fillim tjetër mrekullibërës – procesin e shndërrimit të zemrave tona ndërsa bëhemi përherë e më shumë si Shpëtimtari ynë. Kjo mrekulli e një jete të tërë fillon me vendimin për ta ndjekur Jezu Krishtin, për të ndryshuar dhe për të jetuar një jetë më të mirë nëpërmjet Tij. Përfundimisht, ky ndryshim mund të bëhet kaq i plotë sa të “lind[urit] përsëri” është një nga mënyrat më të mira për ta përshkruar atë (Gjoni 3:7). Por rilindja është vetëm fillimi i shtegut të dishepullimit. Fjalët e Krishtit drejtuar gruas samaritane te pusi na kujtojnë se nëse vazhdojmë në këtë shteg, përfundimisht ungjilli do të bëhet “një burim uji” brenda nesh, “që gufon në jetë të përjetshme” (Gjoni 4:14).

ikona e studimit vetjak

Ide për Studimin Vetjak të Shkrimeve të Shenjta

Gjoni 2:1–11

Fuqia e Jezu Krishtit mund të më ndryshojë.

Kur lexoni për Shpëtimtarin që e shndërroi ujin në verë te Gjoni 2:1–11, çfarë idesh fitoni rreth fuqisë së Krishtit për t’ju ndryshuar?

Ju mund të fitoni ide të mëtejshme duke marrë parasysh këndvështrimet e njerëzve të ndryshëm që ishin atje, si [p.sh.] të Maries, të dishepujve dhe të tjerëve. Si mund ta kenë përjetuar këta njerëz mrekullinë? Ju mund ta krahasoni atë që mësoni rreth mrekullive në këto vargje, me atë që Jezu Krishti i mësoi Nikodemit (shih Gjoni 3:1–8) dhe gruas te pusi (shih Gjoni 4:3–26).

Gjoni 3:1–21

Unë duhet të lind përsëri që të hyj në mbretërinë e Perëndisë.

Kur Nikodemi erdhi te Jezusi në fshehtësi, ai ishte një ndjekës i matur. Më vonë, sidoqoftë, ai e mbrojti haptazi Jezusin (shih Gjoni 7:45–52) dhe u bashkua me besimtarët në varrimin e Shpëtimtarit (shih Gjoni 19:38–40). Çfarë mësimesh gjeni te Gjoni 3:1–21 që mund ta kenë frymëzuar Nikodemin, ta ndiqte Jezusin dhe të lindte përsëri?

Profeti Jozef Smith dha mësim: “Të lindesh përsëri vjen nga Shpirti i Perëndisë nëpërmjet ordinancave” (Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smith [2007], f. 100). Çfarë roli luajti pagëzimi (të qenit i “lindur nga uji” [Gjoni 3:5]) dhe konfirmimi juaj (të qenit i lindur “nga Fryma” [Gjoni 3:5]) në të lindurin përsëri? Çfarë po bëni për ta vazhduar këtë proces ndryshimi? (shih Alma 5:11–14).

Shih edhe Mosia 5:7; 27:25–26; “Salvation” [“Shpëtim”], Gospel Topics [Tema të Ungjillit], topics.lds.org, [Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Shpëtim”, f. 182]; Dejvid A. Bednar, “Ye Must Be Born Again”, Ensign ose Liahona, maj 2007, f. 19–22, [“Duhet të Lindni Sërish”, Konferenca e Përgjithshme, prill 2007, f. 19–23].

Gjoni 3:16–17

Ati Qiellor e tregon dashurinë e Tij për mua nëpërmjet Jezu Krishtit.

Plaku Xhefri R. Holland dha mësim: “E vërteta e parë e madhe e gjithë përjetësisë është që Perëndia na do me gjithë zemrën, fuqinë, mendjen dhe forcën e Tij” (“Nesër Zoti Ka për të Bërë Mrekulli midis Jush”, Ensign ose Liahona, maj 2016, f. 126). Si e keni ndier dashurinë e Perëndisë nëpërmjet dhuratës së Birit të Tij?

Sakramenti siguron një kohë për të reflektuar mbi dashurinë e Perëndisë dhe dhuratën e Birit të Tij. Cilat himne ju ndihmojnë ta ndieni këtë dashuri? Merrni parasysh të këndoni së bashku “Qëndroj Plot Habi” (Himne, nr. 113). Çfarë mund të bëni që sakramenti të jetë më kuptimplotë?

Gjoni 4:24

A është Perëndia Frymë?

Disa njerëz mund të pështjellohen nga fjalët e Jezusit se Perëndia është frymë. Përkthimi prej Joseph Smith-it i këtij vargu siguron një sqarim me rëndësi: “Sepse të tillëve Perëndia ua ka premtuar Shpirtin e tij” (tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, Përkthimi prej Joseph Smith-it, Gjoni 4:26, [f. 234]). Zbulesa moderne na mëson gjithashtu se Perëndia ka një trup prej mishi e kockash (shih DeB 130:22–23; shih edhe Zanafilla 5:1–3; Hebrenjve 1:1–3).

Gjoni 4:7–26

Krishti më ofron mua ujin e Tij të gjallë.

Çfarë mund të ketë nënkuptuar Jezusi kur i tha gruas samaritane se kushdo që e pi ujin që jep Ai, nuk do të ketë kurrë etje? Në ç’mënyrë është ungjilli si uji i gjallë?

rrjedhë uji

Ungjilli i Krishtit është uji i gjallë që e ushqen shpirtin tonë.

Një prej mesazheve të Shpëtimtarit drejtuar gruas samaritane ishte që mënyra se si ne adhurojmë është më me rëndësi sesa vendi ku adhurojmë (shih Gjoni 4:21–24). Çfarë po bëni që ta “adhuro[ni] Atin në frymë dhe në të vërtetën”? (Gjoni 4:23).

Shih edhe Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Adhuroj”, [f. 3]; Din M. Dejvis, “Bekimet e Adhurimit”, Ensign ose Liahona, nëntor 2016, f. 93–95.

ikona e studimit familjar

Ide për Studimin Familjar të Shkrimeve të Shenjta dhe për Mbrëmjen Familjare

Kur i lexoni shkrimet e shenjta me familjen tuaj, Shpirti mund t’ju ndihmojë ta dini se cilat parime të theksoni dhe diskutoni me qëllim që të plotësohen nevojat e familjes suaj. Këtu janë disa sugjerime:

Gjoni 2–4

Ndërsa familja juaj i lexon këta kapituj këtë javë, kushtojini vëmendje të veçantë mënyrës se si Shpëtimtari i përdori gjërat e përditshme – lindjen, erën, ujin dhe ushqimin – për të dhënë mësim të vërteta shpirtërore. Çfarë sendesh në shtëpinë tuaj mund t’i përdorni për të dhënë mësim të vërteta shpirtërore?

Gjoni 2:13–17

Kur i shmangni gjërat që do ta bënin shtëpinë tuaj të papastër nga ana fizike e shpirtërore, ajo mund të bëhet një vend i shenjtë – si tempulli. Çfarë duhet të mbajë larg shtëpisë familja juaj, që ajo të jetë një vend i shenjtë? Çfarë do të bëni që të mos i lini ato gjëra të hyjnë?

Gjoni 3:1–6

Kërkojuni pjesëtarëve të familjes të mendojnë për mrekullinë e shtatzënisë dhe lindjes – procesin e krijimit të një qenie të gjallë, të lëvizshme, inteligjente. Krishti dha mësim se ne duhet të rilindim para se të hyjmë në mbretërinë e Perëndisë. Përse është rilindja një metaforë e mirë për ndryshimin që kërkohet prej nesh, para se të mund të hyjmë në mbretërinë e Perëndisë? Si e kemi përjetuar ne procesin e rilindjes shpirtërore?

Gjoni 3:16

Ftojini pjesëtarët e familjes ta rishprehin këtë varg me fjalët e tyre sikur të ishin duke ia shpjeguar atë një miku. Si na ka ndihmuar Krishti që ta ndiejmë dashurinë e Perëndisë në jetën tonë?

Gjoni 4:5–15

Çfarë po na jepte mësim Shpëtimtari kur Ai e krahasoi ungjillin e Tij me ujin e gjallë? Merrni parasysh të ngrini lart një gotë me ujë dhe t’i kërkoni familjes suaj të përshkruajë cilësitë e ujit. Përse kemi nevojë të pimë ujë përditë? Përse mund ta ketë krahasuar Jezu Krishti ungjillin e Tij me “një burim uji që gufon në jetë të përjetshme”? (Gjoni 4:14.)

Për më shumë ide për mësimdhënien ndaj fëmijëve, shihni përvijimin e kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Filloren.

Përmirësimi i Studimit Vetjak

Kërkoni simbole. Shpesh, shkrimet e shenjta përdorin objekte, ngjarje, veprime apo mësime për të paraqitur të vërteta shpirtërore. Këto simbole mund ta pasurojnë të kuptuarit tuaj për doktrinën që po na mësohet. Për shembull, Shpëtimtari e krahasoi kthimin në besim me rilindjen.

Jezusi dhe gruaja samaritane te pusi

Uji i Gjallë, nga Simon Dewey