“11–17 Shkurt. Gjoni 2–4: ‘Duhet të Lindni Përsëri’” Eja, Më Ndiq – Për Filloren: Dhiata e Re 2019 (2019)
“11–17 Shkurt. Gjoni 2–4”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: 2019
11–17 Shkurt
Gjoni 2–4
“Duhet të Lindni Përsëri”
Përgatitja juaj për të dhënë mësim fillon teksa e lexoni Gjonin 2–4. Manuali Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet mund t’ju ndihmojë që t’i kuptoni këta kapituj, dhe ky përvijim i mësimit mund t’ju japë ide për mësimdhënien.
Shënojini Mbresat Tuaja
Ftojini të Tregojnë
Nxitini fëmijët të tregojnë atë që po mësojnë dhe përjetojnë duke i pyetur se çfarë kanë bërë kohët e fundit për të qenë “peshkatarë njerëzish” (Mateu 4:19). Mund të keni nevojë ta rishikoni mësimin e javës së kaluar me ta.
Jepni Mësim Doktrinën
Fëmijët Më të Vegjël
Unë kam nevojë që të pagëzohem dhe konfirmohem për t’u kthyer që të jetoj me Atin Qiellor.
Fëmijët të cilëve u jepni mësim, po përgatiten të ndërmarrin hapa të rëndësishëm për të jetuar me Atin Qiellor përsëri, duke u pagëzuar (të lindur nga uji) dhe konfirmuar (të lindur nga Shpirti). Si mund t’i ndihmoni që ta kuptojnë rëndësinë e këtyre dy ordinancave?
Veprimtari të Mundshme
-
Përmblidheni historinë e Jezusit tek i jep mësim Nikodemit. Premtojuni fëmijëve se kur të pagëzohen, Ati Qiellor do t’u japë dhuratën e Frymës së Shenjtë.
-
Përdorini Gjonin 3:5 dhe faqen e veprimtarisë së kësaj jave për të dhënë mësim se ne kemi nevojë të pagëzohemi dhe konfirmohemi që të jetojmë përsëri me Atin Qiellor.
-
Kërkojuni fëmijëve të tregojnë se si veprojnë për t’i larë duart. Paraqitni figurën Vajzë Duke u Pagëzuar (Libri i Figurave Artistike të Ungjillit, nr. 104) dhe ndihmojini fëmijët që ta krahasojnë larjen e duarve tona me ujë, me të bërit të pastër shpirtërisht nëpërmjet pagëzimit.
Ati Qiellor më do, prandaj Ai më dha një Shpëtimtar.
Si mund t’i ndihmoni fëmijët ta mësojnë këtë të vërtetë të çmuar?
Veprimtari të Mundshme
-
Kërkojuni fëmijëve të plotësojnë fjali si kjo: “Për shkak se prindërit më duan, ata. …” Lexojeni Gjonin 3:16. Më pas ndihmojeni secilin fëmijë ta përsëritë Gjonin 3:16, duke e zëvendësuar fjalën “botën” me vetë emrin e tij ose të saj dhe vërini fëmijët të dëgjojnë me vëmendje se çfarë bëri Ati Qiellor për shkak se Ai na do. Ftojini fëmijët të vizatojnë figura të gjërave që i ndihmojnë të ndiejnë dashurinë e Atit Qiellor për ta (të tilla si familja, natyra, shkrimet e shenjta e kështu me radhë). Kërkojuni t’ia tregojnë vizatimet e tyre njëri-tjetrit.
-
Lërini fëmijët të ngrenë lart një figurë të Jezusit sa herë që këndojnë fjalën “Bir[i]” te kënga “He Sent His Son” [“Ai Dërgoi Birin e Tij”], Children’s Songbook [Libri i Këngëve të Fëmijëve], f. 34–35.
Jezu Krishti është “uj[i im i] gjallë”.
Të gjithë fëmijët në klasën tuaj mund ta njohin ndjenjën e etjes. Si mund ta përdorni atë përvojë për t’i ndihmuar fëmijët të kuptojnë se sa shumë nevojë kemi për ujin e gjallë që na ofron Jezu Krishti?
Veprimtari të Mundshme
-
Përdoreni figurën nga përvijimi i mësimit të kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet që të tregoni historinë e Jezusit dhe të gruas te pusi. Kërkojuni fëmijëve ta ritregojnë historinë.
-
Paraqitni një gotë me ujë dhe pyetini fëmijët se çfarë do të ndodhte nëse ne do të kishim shumë etje dhe gota do të ishte bosh. Përmblidheni shkurtimisht Gjonin 4:5–15 dhe dëshmoni se Jezu Krishti dhe ungjilli i Tij i japin jetë shpirtit tonë, ashtu si uji i jep jetë trupit tonë.
Jepni Mësim Doktrinën
Fëmijët Më të Mëdhenj
Unë mund ta nderoj nënën time siç bëri Jezusi.
Te dasma në Kanë, Maria i tha Jezusit se vera kishte mbaruar. Sipas Përkthimit prej Joseph Smith-it, Jezusi iu përgjigj nënës së Tij duke e pyetur: “Ç’dëshiron që unë të bëj për ty, o grua? Unë do ta bëj” (Gjoni 2:4, poshtëshënimi a, [te botimi shdm i Biblës në anglisht]). Jezusi është një shembull i mënyrës se si fëmijët duhet të sillen me nënat e tyre.
Veprimtari të Mundshme
-
Ftojini fëmijët ta lexojnë Gjonin 2:1–11 dhe me radhë të ritregojnë pjesë të tij me vetë fjalët e tyre.
-
Kërkojuni fëmijëve të renditin gjërat për të cilat nëna e tyre mund të ketë nevojë për ndihmë. Ftojini të ushtrohen se çfarë mund t’i thonë asaj duke përdorur disa prej fjalëve të Jezusit: “Ç’dëshiron që unë të bëj për ty?” (Gjoni 2:4, poshtëshënimi a, [te botimi shdm i Biblës në anglisht]).
-
Ftojini disa nëna ta vizitojnë klasën tuaj dhe të tregojnë gjërat që bëjnë fëmijët e tyre për të shfaqur respekt ndaj tyre.
Të pagëzohesh dhe të konfirmohesh është si të lindësh përsëri.
Kur pagëzohemi, gjë të cilën Jezusi e quajti të “lind[ësh] nga uji”, ne marrim heqje të mëkateve tona dhe mund “të hyj[m]ë në mbretërinë e Perëndisë” (Gjoni 3:5). Si mund t’i ndihmoni fëmijët të cilëve u jepni mësim, që ta kuptojnë se çfarë do të thotë të lindësh përsëri?
Veprimtari të Mundshme
-
Përziejini fjalët e Shpëtimtarit te Gjoni 3:3 dhe lërini fëmijët t’i vendosin në rendin e duhur. Si ngjan pagëzimi dhe konfirmimi me të qenit i lindur përsëri?
-
Paraqitni një figurë të një foshnjeje të porsalindur dhe të dikujt që po pagëzohet e konfirmohet (shih Libri i Figurave Artistike të Ungjillit, nr. 104 dhe 105). Si jemi ne të ngjashëm me një foshnjë të porsalindur pasi pagëzohemi e konfirmohemi? (Shih Gjoni 3:3–5).
-
Ftojini fëmijët të tregojnë kujtime nga pagëzimi i tyre. Lexojeni Mosian 18:8–10 dhe Doktrinën e Besëlidhjet 20:37 për të rishikuar besëlidhjen e pagëzimit. Mësojuni fëmijëve se marrja e sakramentit mendueshëm çdo javë, është një mënyrë për ta vazhduar procesin e lindjes përsëri.
-
Ndihmojini fëmijët të mësojnë përmendsh Nenet e Besimit 1:4.
Ati Qiellor më do, prandaj e dërgoi Birin e Tij.
Si mund t’i ndihmoni fëmijët ta dinë se Jezu Krishti u dërgua në tokë si shprehje e dashurisë së Atit Qiellor?
Veprimtari të Mundshme
-
Kërkojuni fëmijëve të bëjnë një vizatim të dhuratës së tyre të parapëlqyer dhe të personit që ua dha atë dhuratë atyre. Më pas kërkojini një fëmije të lexojë Gjonin 3:16. Çfarë dhurate na dha Ati Qiellor? Si e tregon kjo dhuratë dashurinë e Tij?
-
Kërkojuni fëmijëve të dëgjojnë me vëmendje për përgjigje ndaj pyetjes: “Përse na e dërgoi Ati Qiellor Jezu Krishtin?” ndërkohë që këndojnë ose dëgjojnë këngën “He Sent His Son” [“Ai Dërgoi Birin e Tij”], Children’s Songbook [Libri i Këngëve të Fëmijëve], f. 34–35.
Jezu Krishti më ofron “uj[in e] gjallë”.
Ashtu sikurse Jezusi e përdori ujin për t’i dhënë mësim gruas nga Samaria, ju mund ta përdorni ujin për t’u mësuar fëmijëve arsyen përse kemi nevojë për ungjillin e Jezu Krishtit.
Veprimtari të Mundshme
-
Jepuni fëmijëve të pinë ujë dhe kërkojuni që të tregojnë përvoja kur kanë pasur etje. Flisni se çfarë ndjenje patët pasi më në fund pitë ujë.
-
Shkruani fjali përmbledhëse nisur nga historia e gruas te pusi dhe kërkojuni fëmijëve t’i referohen Gjonit 4:6–23 për t’i vendosur fjalitë në rendin e duhur. Çfarë po përpiqej Jezusi që t’i mësonte gruas?
-
Vizatoni në tabelë një gotë me ujë dhe një burim ose lumë. Ftojini fëmijët të përmendin gjëra që, ashtu sikurse një gotë me ujë, na kënaqin për çastin. Çfarë gjërash ngjajnë me “uj[in] e gjallë”, i cili mund të na kënaqë përgjithmonë?
-
Shkruani në tabelë Si është ungjilli i ngjashëm me ujin? Kërkojuni fëmijëve të mendojnë për mënyrën se si do t’i përgjigjeshin kësaj pyetjeje ndërkohë që lexojnë Gjonin 4:6–23.
Nxitni të Mësuarin në Shtëpi
Merreni parasysh t’u kërkoni fëmijëve që t’u japin pjesëtarëve të familjes së tyre të pinë ujë kur të arrijnë në shtëpi. Kur ta bëjnë këtë, ata mund të tregojnë atë që mësuan rreth ujit të gjallë.