“4–10 Shkurt. Mateu 4; Lluka 4–5: ‘Fryma e Zotit Është mbi Mua’”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: Dhiata e Re 2019 (2019)
“4–10 Shkurt. Mateu 4; Lluka 4–5”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: 2019
4–10 Shkurt
Mateu 4; Lluka 4–5
“Fryma e Zotit Është mbi Mua”
Fillojeni përgatitjen tuaj për këtë mësim duke lexuar Mateun 4 dhe Llukën 4–5. Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet mund t’ju ndihmojë që t’i kuptoni këta kapituj, dhe ky përvijim i mësimit mund t’ju japë ide për mësimdhënien.
Shënojini Mbresat Tuaja
Ftojini të Tregojnë
Kërkojuni fëmijëve të kalojnë një figurë të Jezusit dorë më dorë nga një fëmijë te tjetri. Kur secili fëmijë ta marrë figurën, ftojeni atë të tregojë diçka që bëri Jezusi kur Ai ishte në tokë.
Jepni Mësim Doktrinën
Fëmijët Më të Vegjël
Unë mund të zgjedh të drejtën siç bëri Jezusi.
Fëmijët e vegjël “nuk mund të mëkatojnë” (DeB 29:47). Sidoqoftë, rrëfimi i Jezusit tek i bën ballë tundimeve të Satanit, mund t’i frymëzojë fëmijët të fillojnë që tani ta zgjedhin të drejtën.
Veprimtari të Mundshme
-
Tregoni historinë e tundimeve të Jezusit nga Mateu 4:1–11. (Shih edhe “Kapitulli 11: Jezusi Tundohet”, Tregime nga Dhiata e Re, f. 30–31, ose materialin filmik përkatës në LDS.org.) Në momentet e duhura gjatë historisë, pyesni: “Çfarë mendoni se duhet të bëjë Jezusi?”
-
Paraqitni një figurë të Jezu Krishtit dhe më pas, përshkruani zgjedhjet që mund të bëjë një fëmijë i vogël. Për çdo zgjedhje të mirë, kërkojuni fëmijëve të bëjnë një hap përpara drejt figurës. Për çdo zgjedhje të keqe, kërkojuni fëmijëve të bëjnë një hap prapa nga figura.
-
Ndihmojini fëmijët t’i mësojnë fjalët e këngës “Choose the Right Way” [“Udh’n e Drejt’ Zgjidh”], Children’s Songbook [Libri i Këngëve të Fëmijëve], f. 160–161, duke përdorur figura, objekte ose mjete të tjera ndihmëse pamore që përkojnë me tekstin e këngës.
Jezu Krishti Është Shpëtimtari im.
Lluka 4:18–19 rendit aspekte të misionit të Jezusit. Në ç’mënyrë mund t’i ndihmoni fëmijët ta vlerësojnë atë çfarë ka bërë Ai për ta?
Veprimtari të Mundshme
-
Lexojeni Llukën 4:18–19 për fëmijët, dhe shpjegoni se për çfarë u dërgua Jezu Krishti që të bënte në tokë (t’i mësonte, ngushëllonte e shëronte njerëzit). Tregoni mënyrën se si Ai e ka bërë këtë për ju.
-
Ftojini disa fëmijë të shtiren sikur janë të hutuar, të trishtuar ose të sëmurë. Kërkojuni fëmijëve të tjerë të interpretojnë me role atë çfarë mund të bëjnë për t’i ndihmuar ata. Dëshmoni se Jezu Krishti erdhi për të na dhënë mësim, ngushëlluar e shëruar dhe se ne duhet ta ndjekim shembullin e Tij.
-
Tregoni figura të Jezusit duke përmbushur aspekte të misionit të Tij (shih Libri i Figurave Artistike të Ungjillit), dhe kërkojuni fëmijëve të përshkruajnë atë çfarë po bën Jezusi. Paraqitni gjithashtu figura të njerëzve duke u përpjekur të jenë si Jezusi (ju mund të gjeni disa të tilla te revistat e Kishës).
-
Shkruani në shirita letre fraza që fillojnë me “Për shkak të Jezu Krishtit” (të tilla si: “Për shkak të Jezu Krishtit, familja ime mund të jetë bashkë përgjithmonë”). Ftojeni secilin fëmijë të zgjedhë një prej shiritave të letrës dhe ndihmojeni atë ta lexojë frazën.
Jezusi na fton të bëhemi “peshkatarë njerëzish”.
Thirrja e Shpëtimtarit: “Ndiqmëni dhe unë do t’ju bëj peshkatarë njerëzish” (Mateu 4:19), gjen zbatim për të gjithë, përfshirë fëmijët.
Veprimtari të Mundshme
-
Ftojini dy fëmijë të bëjnë sikur janë Simon Pjetri dhe Andrea ndërsa ju lexoni Mateun 4:18–22. Ndihmojini fëmijët të përcaktojnë gjërat nga të cilat hoqën dorë këta burra për ta ndjekur Jezusin.
-
Lërini fëmijët që me radhë të tregojnë historinë e këtyre vargjeve duke përdorur figurën në përvijimin e mësimit të kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet.
-
Këndoni së bashku “I Will Follow God’s Plan” [“Do Ndjek Planin e Perëndis’”], Children’s Songbook [Libri i Këngëve të Fëmijëve], f. 164. Çfarë mund të mësojmë nga kjo këngë rreth ndjekjes së Jezu Krishtit?
-
Përdoreni faqen e veprimtarisë të kësaj jave për të diskutuar me fëmijët për mënyrën se si ata mund të jenë “peshkatarë njerëzish” duke e ndjekur Jezusin. Ju gjithashtu mund të luani një lojë bashkërenditjeje: prisni dy kopje të secilit peshk, vërini përmbys dhe ftojini fëmijët t’i kthejnë nga përpara një e nga një për të arritur një kombinim.
Jepni Mësim Doktrinën
Fëmijët Më të Mëdhenj
Jezu Krishti dha shembullin për mua duke i bërë ballë tundimit.
Edhe Jezu Krishti u tundua nga Satani, por Ai kurrë nuk iu dorëzua [tundimit]. Si mund t’i ndihmoni fëmijët ta ndjekin shembullin e Tij?
Veprimtari të Mundshme
-
Bëni një tabelë në dërrasë të emërtuar Tundimet e Satanit dhe Përgjigjet e Jezusit. Ndihmojini fëmijët që ta plotësojnë tabelën duke përdorur Mateun 4:1–11 dhe Llukën 4:1–13. Kërkojuni fëmijëve të tregojnë se si mund ta ndjekin shembullin e Jezusit.
-
Shkruani disa skenarë në të cilët një fëmijë mund të tundohet të bëjë një zgjedhje të gabuar. Lëreni një fëmijë të zgjedhë një skenar për ta lexuar, dhe diskutoni si klasë për mënyrën se si mund t’i bëjnë ballë tundimit në atë situatë.
Agjërimi mund të më ndihmojë të ndihem pranë Atit Qiellor.
Përpara se të fillonte shërbesën e Tij, Jezusi agjëroi dhe “bisedoi me Perëndinë” (Përkthimi prej Joseph Smith-it, Mateu 4:2 [te Mateu 4:2, poshtëshënimi c në botimin shdm të Biblës]). Ndihmojini fëmijët të kuptojnë se si agjërimi mund t’u japë forcë shpirtërore dhe t’i ndihmojë të ndihen pranë Atit Qiellor.
Veprimtari të Mundshme
-
Ftojeni një fëmijë ta lexojë me zë të lartë Mateun 4:1–2. Vini në dukje se në rishikimet e këtyre vargjeve te Përkthimi prej Joseph Smith-it, ne mësojmë se Jezusi shkoi në shkretëtirë “për të qenë me Perëndinë” (Përkthimi prej Joseph Smith-it, Mateu 4:1; [Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, f. 226]). Çfarë bëri Jezusi “për të qenë me Perëndinë”? Tregoni se si agjërimi ju ka ndihmuar të ndiheni më pranë Atit Qiellor.
-
Ftojini fëmijët, që kanë agjëruar më parë, të tregojnë përvojat e tyre. Si do t’i shpjegonin për agjërimin dikujt që nuk ka agjëruar ndonjëherë më parë?
-
Shkruani pyetje rreth agjërimit (të tilla si përse, kur ose si agjërojmë) në fletë letrash dhe vendosini në një poçe. Ftojini fëmijët të zgjedhin një pyetje dhe të përpiqen të japin përgjigjen e saj. Çfarë përvojash mund të tregoni ju ose fëmijët rreth agjërimit?
Jezu Krishti është Shpëtimtari im.
Përsiatni mënyrën se si Shpëtimtari e ka bekuar jetën tuaj. Si mund t’i ndihmoni fëmijët ta çmojnë më shumë ndikimin e Tij në jetën e tyre?
Veprimtari të Mundshme
-
Ftojeni një fëmijë të vijë në klasë i përgatitur për ta përmbledhur Llukën 4:16–30. Mund të jetë e dobishme të përdorni “Kapitullin 17: Njerëz të Zemëruar në Nazaret”, Tregime nga Dhiata e Re, f. 42–43; materialin filmik përkatës (LDS.org); ose materialin filmik “Jesus Declares He Is the Messiah” [“Jezusi Shpall se Ai Është Mesia”] (LDS.org).
-
Lexojeni me zë të lartë Llukën 4:18 ndërkohë që fëmijët ndjekin leximin. Kërkojuni që të krijojnë një listë me gjërat që Shpëtimtari tha se erdhi [në tokë] që t’i bënte. Ftojini fëmijët të tregojnë shembuj të rasteve kur Krishti i bëri ato gjëra, qoftë në shkrimet e shenjta, qoftë në jetën e tyre.
Jezu Krishti na fton ta ndjekim Atë dhe të jemi “peshkatarë njerëzish”.
Ka shumë mënyra se si fëmijët mund ta ndjekin Shpëtimtarin dhe të jenë “peshkatarë njerëzish” (Mateu 4:19). Si do t’i ndihmoni ata ta kuptojnë se mund të jenë ndikim i mirë për të tjerët?
Veprimtari të Mundshme
-
Ftojini fëmijët ta lexojnë Mateun 4:18–22 dhe Llukën 5:1–11. Si iu përgjigjën dishepujt e Jezusit thirrjes së Tij për ta ndjekur Atë? Çfarë mund të bëjmë për ta ndjekur shembullin e tyre?
-
Tregojuni fëmijëve disa pajisje peshkimi ose një figurë të një peshkatari. Çfarë do të thotë të jemi “peshkatarë njerëzish”? Çfarë mjetesh kemi për të na ndihmuar që të jemi peshkatarë njerëzish?
Nxitni të Mësuarin në Shtëpi
Ftojini fëmijët t’i tregojnë familjes së tyre atë që mësuan rreth të qenit peshkatarë njerëzish.