Eja, Më Ndiq
21–27 Janar. Gjoni 1: Ne e Kemi Gjetur Mesian


“21–27 Janar. Gjoni 1: Ne e Kemi Gjetur Mesian”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: Dhiata e Re 2019 (2019)

“21–27 Janar. Gjoni 1”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: 2019

Pamja
grua duke folur për ungjillin në një stacion treni

21–27 Janar

Gjoni 1

Ne e Kemi Gjetur Mesian

Ndërsa e lexoni Gjonin 1, mbajini shënim mbresat shpirtërore që merrni. Përvijimi i mësimit të kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet mund t’ju ndihmojë ta kuptoni këtë kapitull. Veprimtaritë e sugjeruara në vijim mund t’ju japin ide rreth mënyrës se si t’i ndihmoni fëmijët që t’i mësojnë parimet te Gjoni 1. Veprimtaritë për fëmijët më të mëdhenj mund të përshtaten, nëse është e nevojshme, për fëmijët më të vegjël.

Shënojini Mbresat Tuaja

Pamja
ikona e të treguarit

Ftojini të Tregojnë

Për t’i ndihmuar fëmijët të tregojnë atë që dinë rreth Jezusit, ju mund të paraqitni figura të Tijat duke përmbushur disa prej roleve të Tij të përshkruara te Gjoni 1. Pastaj kërkojuni të përshkruajnë atë çfarë po ndodh (si [p.sh.] krijimi i tokës ose mësimdhënia e ungjillit).

Pamja
ikona e mësimdhënies

Jepni Mësim Doktrinën

Fëmijët Më të Vegjël

Gjoni 1:1–2

Jezusi jetoi me Atin Qiellor përpara se të lindte.

Gjoni dha mësim se Jezu Krishti jetoi me Perëndinë përpara përvojës së Tij në vdekshmëri. Edhe ne jetuam me Perëndinë përpara se të lindnim (shih “Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës”, Ensign ose Liahona, nëntor 2010, f. 129). Si do t’ua mësoni fëmijëve këtë të vërtetë?

Veprimtari të Mundshme

  • Shpjegoni se “Fjala” te Gjoni 1:1 i referohet Jezusit. Lexojeni vargun me zë të lartë dhe kërkojuni fëmijëve të thonë: “Jezus”, sa herë që ju lexoni: “Fjala”. Paraqitni skicën Premortal Life [Jeta Para Lindjes] (LDS.org). Shpjegoni se Jezu Krishti jetoi me Atin Qiellor përpara se të vinte në tokë.

  • Mësojuni fëmijëve se edhe ne jetuam me Perëndinë përpara se të vinim në tokë. Ju mund të doni të përdorni “Hyrje: Plani i Atit Tonë Qiellor”, Tregime nga Dhiata e Re, f. 1–5; materialin filmik përkatës (LDS.org); ose Udhëzuesin për Shkrimet e Shenjta, “Jetë Para Lindjes”, [f. 74–75], scriptures.lds.org.

  • Ftojeni një prind të sjellë një foshnjë në klasë dhe ta përdorë këtë si një mundësi për të dhënë mësim se ne jetuam në qiell me Atin Qiellor si fëmijë shpirtërorë përpara se të lindnim.

Gjoni 1:3

Jezusi i krijoi të gjitha gjërat.

Shumë fëmijë kënaqen në mënyrë të natyrshme kur janë mes krijimeve të Zotit. Dijenia për rolin e Krishtit si Krijues mund të ndihmojë në rritjen e nderimit të tyre për Të.

Veprimtari të Mundshme

  • Lexojeni me fëmijët Gjonin 1:3 dhe paraqitni figurën nga përvijimi i mësimit të kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet. Ndihmojini fëmijët ta mësojnë përmendsh frazën “të gjitha gjërat u bënë me anë të [Jezu Krishtit]”.

  • Nxirrini fëmijët për një shëtitje jashtë. Lërini fëmijët që me radhë, të përshkruajnë një krijim që shohin, dhe kërkojini klasës të zbulojë atë çfarë po përshkruajnë ata.

  • Kërkojuni fëmijëve të mendojnë për mënyra në të cilat ata mund të kujdesen për krijimet rreth tyre (për shembull, duke u sjellë mirë me kafshët).

Pamja
agim dielli në një pyll

Jezu Krishti krijoi botën dhe gjithçka që është në të.

Gjoni 1:35–51

Unë mund t’i ftoj të tjerët të vijnë te Jezu Krishti dhe të mësojnë prej Tij.

Gjoni 1 përmban rrëfimet kur dishepujt ftuan njerëz që të “[vinin] e shi[konin]” që Jezusi është Biri i Perëndisë. Edhe fëmijët e vegjël mund ta ndjekin këtë shembull.

Veprimtari të Mundshme

  • Përshkruani mënyrën se si Gjoni e mësoi Andrean rreth Jezusit dhe tregoni se si Andrea më pas mësoi Pjetrin (shih Gjoni 1:35–42). Tregoni se si ju u njohët me Kishën ose ftoni një anëtar të ri të tregojë se si ai apo ajo u njoh me Kishën.

  • Tregoni historinë e Filipit kur e fton Natanaelin që të “[vijë] e shiko[jë]” (Gjoni 1:43–51). Fshihni një figurë të Jezusit në një kuti dhe ftojeni një fëmijë që të “[vijë] e shiko[jë]” dhe më pas t’u tregojë fëmijëve të tjerë rreth asaj çfarë ai apo ajo pa.

  • Lërini fëmijët ta ngjyrosin faqen e veprimtarisë së kësaj jave dhe nxitini që ta përdorin atë për të ftuar dikë tjetër të fitojë njohuri rreth Jezusit.

  • Kërkojini një fëmije të tregojë për një rast kur ai apo ajo i tregoi diçka, si [p.sh.] një lojë apo dhuratë, dikujt tjetër. Si mund ta shpërndajmë ungjillin? Tregoni një histori për një fëmijë që e ndau ungjillin me një shok, të tillë si historia e Plakut M. Rasëll Ballard rreth Xhoshuas (“Ndjekja e Ecurisë”, Ensign ose Liahona, maj 2014, f. 78–81).

Pamja
ikona e mësimdhënies

Jepni Mësim Doktrinën

Fëmijët Më të Mëdhenj

Gjoni 1:1–5

Jezu Krishti jetoi me Atin Qiellor përpara se të lindte.

Që përpara se të lindte, Jezu Krishti luajti role të rëndësishme në planin e Atit Qiellor. Ndërsa e lexoni Gjonin 1:1–5, çfarë ju lë mbresa rreth punës së Krishtit para lindjes?

Veprimtari të Mundshme

  • Pyetini fëmijët nëse dinë ndonjë gjë për atë që bëri Jezusi përpara se të lindte. Ftojini që të kërkojnë përgjigje te Gjoni 1:1–5. Mund të jetë me dobi të shikoni Përkthimin prej Joseph Smith-it, Gjoni 1:1–5 (tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta; f. 233).

  • Tregojuni fëmijëve “Hyrje: Plani i Atit Tonë Qiellor”, Tregime nga Dhiata e Re, f. 1–5, ose tregojuni materialin filmik përkatës (LDS.org). Pyetini fëmijët për atë çfarë mësojnë rreth Jezu Krishtit.

  • Ftojini disa fëmijë që të vijnë në klasë të përgatitur paraprakisht për të paraqitur ose përshkruar diçka që kanë krijuar. Tregoni figura të disa prej krijimeve të Zotit dhe përdorni Gjonin 1:3 për të shpjeguar që Jezusi i krijoi të gjitha gjërat.

Gjoni 1:4–9

Jezu Krishti është drita ime.

Simbolika e dritës mund t’i ndihmojë fëmijët ta kuptojnë Shpëtimtarin dhe ungjillin e Tij. Si mund t’i frymëzoni fëmijët ta kërkojnë dritën e Shpëtimtarit kur bota duket e errët?

Veprimtari të Mundshme

  • Ftojini fëmijët ta lexojnë Psalmin 27:1; Gjonin 1:4–9; Mosian 16:9; dhe Doktrina e Besëlidhjet 39:1–2, duke kërkuar frazat që këto shkrime të shenjta i kanë të përbashkëta. Në ç’mënyrë është Jezu Krishti si një dritë?

  • Paraqitni një figurë të Shpëtimtarit dhe disa objekte që bëjnë dritë, të tillë si një elektrik dore. Si është Jezu Krishti si këto objekte? Në ç’mënyrë mund ta ndajmë ne dritën e Tij me të tjerët? Këndoni së bashku “Zoti më Ësht’ Drit’”, Himne, nr. 45, ose një këngë tjetër për dritën e ungjillit.

  • Pyetini fëmijët se çfarë bëjnë ata kur janë në errësirë dhe ndihen të frikësuar. Dëshmoni se ata përherë mund t’i drejtohen Shpëtimtarit kur janë të frikësuar.

Gjoni 1:35–51

Si pasues i Jezu Krishtit, i ftoj të tjerët ta ndjekin Atë.

Merrni parasysh se si mund t’i përdorni shembujt te Gjoni 1:35–51 për t’i nxitur fëmijët që t’i ftojnë të tjerët të mësojnë për Shpëtimtarin.

Veprimtari të Mundshme

  • Ndihmojini fëmijët ta këqyrin Gjonin 1:35–51 për të gjetur gjërat që thanë njerëzit, për t’i ftuar të tjerët të mësonin për Shpëtimtarin. Lërini ata të ushtrohen lidhur me atë çfarë mund të thonë për të ftuar një shok/shoqe që të mësojë për Të.

  • Kërkojuni fëmijëve ta përdorin faqen e veprimtarisë së kësaj jave për të krijuar një ftesë që mund ta përdorin për të ftuar një shok apo pjesëtar të familjes, që të mësojë më shumë për Jezu Krishtin.

  • Jepuni fëmijëve mundësinë t’i flasin klasës rreth diçkaje që u pëlqen shumë. Ndihmojini fëmijët të kuptojnë se si të folurit për ungjillin mund të jetë sikurse të folurit për gjëra të tjera që na pëlqejnë. Ju mund të dëshironi të shfaqni materialin filmik “Good Things to Share” [“Gjëra të Mira për të Shpërndarë”] (LDS.org).

Pamja
ikona e të mësuarit

Nxitni të Mësuarin në Shtëpi

Nxitini fëmijët të ftojnë dikë që e duan, që të mësojë më shumë për Jezu Krishtin.

Përmirësimi i Mësimdhënies Sonë

Ndihmojini fëmijët ta përfytyrojnë historinë. Gjeni mënyra për të krijuar një përfytyrim të historisë, përfshirë një figurë artistike të ungjillit, vizatime, materiale filmike, marioneta ose skeçe.

Pamja
faqja e veprimtarisë: mësoni nga Jezu Krishti

Shtyp në Letër